Me dhimbje po shkruajë për tragjedinë e trefishtë të humbjes së jetës të vendlindjes sime Kropisht, nëna e katër fëmijëve Shqiponja Ferik Malaj, e djalit të ri Haxhi Bilbil Malaj dhe nipit fëmijë engjellor Flavio Haxhi Malaj. Edhe shkronjat e fjalëve në këtë shkrim sikur më shprehin dhimbjen trishtuese të shuarjes të jetës tragjikisht të tre pjestarëve të familjes, Nënë-Bir-Nip. Nëna Shqiponja ishte Themeli familjes, djali saj Haxhi Bilbil Mala ishte shtylla e familjes, Nipi Favio Haxhi Malaj ishte e ardhmja e familjes, por fati në mënyrën mizore u mori jetën, në mënyrën më tragjike.
U shuan në të njëjtën kohë, në të njëjtën vënde. U shuan me egërsinë e fatit të emigracionit vrastar. U shuan në dheun e huaj me dhimbjen e vetmisë pa shprehur një fjalë për të dashurit e tyre të familjes Bilbil Beqir Malaj. Endërra e tyre për një jetë më të mirë u dogj prej aksidentit në udhëtim, duke u larguar me dhimbje Nënën Shqiponja, të cilën e prisinin me dashuri fëmijët e tjerë, nipër e mbesa.
E priste kryefamijari Bilbil Malaj se jeta e burrit të martuar është gruaja, jo vetëm si themeli familjes, por si shoku jetës, si mish e thua. Endërat e djalit Haxhi Bilbil Malaj për një jetë më të mirë u dogjën pamëshirë nga aksidenti tragjik duke ja grabitur jetën në moshën e rinisë. Atje në atë vend të mallkuar ju ndërpre jeta së bashku me krijesën engjellore Flavio Haxhi Malaj dhe gjyshen e tij të shtrenjtë Shqiponja, e cila së bashku me bashkshortin shëmbullor Bilbil Beqir Malaj i kishin rritur e arsimuar me shume sakrifica e mundime.
Kur dëgjon gjëma tragjike edhe për ata që nuk i njeh ndjen dhimbje se ikën një jetë njeriu, por kur dëgjon tragjedinë e familjes të vëllait të vendlindjes, të shokut e mikut familjar të prindit Bilbil Beqir Malaj të drithërohet shpirti, të ngrijnë fjalët për të shprehur ngushëllimin sipas traditës mortore. Të përcjellës për në banesën e fundit tre jetë të shtrenjta të famijes është dhimbje e padurueshme, është helm hidhërues që lotojnë edhe gurët, edhe qielli që i mban atje lartë shpirtërat e tyre, të nënë Shqiponjës, birit Haxhi, nipit Flavio. Kjo tragjedi e humbjes së jetës të tre pjestarë të familjes shkaktoi rrufeshëm hidhërimin përcëllues në zemrën e gjakun e prindit Bilbil Beqir Mala.të gjyshes së helmuar Hanëme Haxhi Malaj, të motrës, vëllait, nipër e mbesa, të fisit Malaj dhe të gjithë miqësisë e kropishtjotëve.
Prindi Bilbil Malaj u goditë nga vetëtima helmuese në shpirtin e tij duke ndjerë hidhërim të shumëfishtë që i helmoi kockën e gjakun dhe sot prehet së bashku me të shtrenjtët e jetës së tij, bashkshorten, djalin e nipin.
Duke shkruar këtë memorial mortor për vëllan e vendlindjes dhe mikun tim familjar Bibili Beqir Malaj dua të theksoi disa veti e tipare të këtij djali të bukur të vendlindjes sime. Kur isha mësues në vendlindje takoheshim vazhdimisht. Trupi tij si lastar, i drejtë, i fortë si Lisi. Fytyra e tij e bukur e qeshur, sytë e tij që rrezatonin dashuri për jetën, për prindërit e tij, për familjen e tij, për vëllazërinë, fisin Malaj, miqësinë, shoqërinë e kropishtjotë të impononin ta shikoje me admirim, me respekte e dashuri vëllazërore.
Në mes të shokëve të tij ishte i qeshur e i gëzuar. Me fjalën e qetë, me zerin e embel melodioz si violina të ftonte në biseda me shumë dashamirësi. Bilbil kishte emrin edhe zërin e kishte si zërin e bukur të zogjëve,të mbretit të cicërimave Bilbilit. Edhe rrugës kur ecte këndonte, edhe në punë kënga ishte në buzët e tij.
Në dasmat e familjeve kropishtjote do ta dëgjoje kur këndonte këngë me grupet që krijoheshin me dasmorët në dhomën e burrave. Ulur këmbëkryq mbi shilte ja merrte këngës duke shpërndarë buzëqeshjen e tij të bukur.
Në dasmat e vëllazërisë, të fisit të tij krijoheshin dy grupe që konkuronin me njeri tjetrin. Këndoheshin këngë të ndryshme labe e himarjote.Kënga himarjote kërkonte zëra të harmonizuar,melodioz. Lagja Janaj e vendlindjes së tij kishte djem këngëtar që e zbukuronin dasmën me zërat e tyre melodioz. Në grupin e djemve që këndonte Bilbil Malaj këndohej vargu i parë i këngës, ndërsa në grupin tjetër që ishte Latif Alikaj, Mete Alikaj, të cilët këndonin bukur këngën himarjote dhe përsëritej vargu i kënduar nga grupi ku ishte Bilbil me djem të tjerë. Ishte një festival pa juri, por me shumë dashuri për këngën,për jetën.
I ndjeri Bilbil Malaj ishte duar artë në punën ndërtuese. Që në moshë të re kishte punuar në ndërmarrjen e ndërtimit. Kur isha mësues në Kropisht, Bilbili punonte në brigadën e ndërtimit të koperativës. Shkoja shpesh kur kishja pushim te ustallarët. Në brigadën e ndërtimit punohej me shpejtësi për realizimin e normës. Bilbili ishte mjeshtër i të gjitha llojëve të mureve. Me shkathtësi përkulej te stiva e gurëve dhe me duart e tij të fuqishme godiste me çekanin duke përpunuar formën e gurit me qoshe.
Punonte dhe këndonte këngë. Me duartë e tij me kallo vendoste gurin në qoshen e murit dhe lidhte gurët e tjerë me njëri-tjetrin. Trupi tij i gjatë, elegantë ulej dhe ngrihej si një fizarmonikë gjatë procesit të punës. Ai kishte shumë respekte e dashuri për shokët e tij të punës. I shikoja që edhe kur kishin pushim mblidheshin bashke me shumë humor e hanin bukën e drekës, atje mbi gurë.
Kur ka ndodhur tragjedia e humbjes së tre pjestarëve të familjes Bilbil Malaj, kam qenë në Nju Jork dhe nga lajmet mësova gjëmën e humbjes së tre jetëve, Nënë, bir, nip. një tragjedi që nuk harrohet kurrë. Tre breza, Nëna, djali i ri, nipi pesë vjeçar u përvëluan nga aksidenti tragjik. Dhimbje të tilla nuk ngushëllohen dot me fjalë. Pesha e dhimbjes në shiprtin e mikut tim Bilbil Malaj ka qënë më e rëndë se pesha e maleve të Labërisë.
Varfëria ekonomike e atyre viteve të vështira të sistemit koperativist nuk na i pakësonte dashurinë njerëzore,por kishim shumë dashamirësi për njeri tjetrin.Jeta na ndau në drejtime të ndyshme larg njeri-tjetrit, dhe nuk ndodhemi pranë të përcjellin të afërmit tanë për në banesën e fundit,por komunikimi elektronik nëpërmjet rrjeteve sociale të internetit,,na krijon mundësinë të shprehim urime e ngushëllime për dashamirësit tanë.
Nëpërmjet adresës facebook u njoha edhe me vajzën Hena Bilbil Malaj Pazaj, e cila me shumë dashamirësi më dërgoi informacione dhe fotografi që do ti publikojë në këtë shkrim.
Në informacionin që më dërgoi vajza Hena Pazaj Malaj shkruan:
“Babi im që i vogël ju përkushtua familjes së prindërve duke u kujdesur për jetën e tyre. Edhe pse ishte derë e madhe me shumë miq e shokë babi im ishte krahu i djathë i gjyshit tim. Babi im i kishte prindërt në ngarkim me familjen e tij që kishte krijuar. Për mrekulli kishte përblluar të gjitha vështirësitë. Gjyshi im u largua nga jeta shpejt. Gjyshja Hanëmja ose si e thërrisnin fëmijët e mi, të motrës e të vëllait Nëna e madhe, jetoj deri në ditët tona. Ajo arrit 96 vjeçe, por ne të katër fëmijët e bait tim e donim shumë. Ajo për babin tim u bë e forte, sepse gjëma ia shtoi dhimbjet e moshës. Mbaj mend se Nëna e Madhe Hanëme në mëngjesin e saj dite 27 dhjetor 2010 më tha “eja pak, ulu këtu me mua”.
Më tha: ”- Moj bijë keni folur me mamanë?”.
Unë i thashë nuk kam folur se ishte shpejtë dhe e sqarova se kur futesh në token e grekut telefonat nuk punojnë. Ajo vazhdoi bisedën duke më thënë :
“Kam pare ëndërr moj çup sikur kisha tre xhama me ngjyra dhe po i mbaja me kujdes po që të tre mu thyen”. I thashë ti Nënë ke merak dhe mban mendjen atje dhe i bëra kafen. Po dhe mua spo më mbante vendi. Dhe po atë ditë nuk e di se çfarë ore ishte që erdhi lajmi keq. Njerëzit e kishin marr vesh më parë, vetëm ne nuk dinim asgjë, s’kish njeri të na i thoshte gjëmën. Nuk e di se kush e tha por pashë qe sa filluam ulërimën njerëzit hyn brenda të gjithë, Më vonë u kuptua që ne ishim të fundit që e morëm vesh. Eh, u bë hataja Pas ditës që u bën të shtatat, dhe babiu shtrua në spital. E mundi hidhërimi, u mund nga çdo gjë, nga dhimbja nga mall. Aty e pamë që ai lastar trup madh dhe i fortë mori një grusht të fort. Zemra e tij nuk po perballonte sëmundjet. Mushkrit ishin mbushur me ujë. Diabeti përparoi. E la forca e la shpirti ose e la ai veten që ta mbyste hidhërimi.
Që nga ajo ditë nuk kish muaj të mos shtrohej një javë në spital. Jetoi 4 vjet me shpirt ndërdhëmb me helmin që i kishte përshkruar trupin në çdo cm gjer në palcë. Ne ishim pran tij përherë. Kishte motrën dhe nënën që i qëndronin pranë, por ai kishte veç një drejtim tu shkonte mbanë atyre sa më shpejt. Dhe e përsëriste shpesh, aty ku e priste pjesa tjetër. Edhe pse djalin e dytë e martoi i vetëm pa gruan, që i dhuroi dy fëmijë çuna të mrekullueshëm, përsëri babai im ndjenjte shumë mungesën e tre njerëzve të shtrenjtë që humbën jetën tragjikisht dhe nuk i mbushej dot zbrazëtia qe ai ndjente. I kish ikur gjysma e shpirtit.
Babai im Bilbil Beqir Malaj ka lindur më 13.07.1942 dhe mami Shqiponja Ferik Zyra Malaj nga Trevllazri ka lindur më 05.04.1947. Lindën dhe rritën 4 fëmijë, 2 vajza Vjollca dhe Hëna. 2 djem Haxhi dhe Fitim. Ata na rritën, na edukuan, shkolluan me shumë sakrifica se ashtu ishte koha. Ne ishim të lumtur në familjen tone. Mamaja ime Shqiponja ishte një grua e fortë. Kishte një dashuri e respekt si me të rriturit dhe me të vegjlit (ishte fol e qesh). E shtrenjta nëna jonë ishte simbol i edukatës së mirësisë e dashurisë, sinqeritetit familjar dhe njerëzor. Krijoi familjen me një krenari e respekt, por dhe me vuajtje sepse të gjithë njerëzit aty vinin se jetonte gjyshe Hanëmja me ne.
Fjala e ngrohtë e mënyra e saj e komunikimit para gjithkujt gjente vendin qe i takonte duke mos lënduar asnjë dhe asnjëherë. Nëna jonë ishte e qetë dhe e matur, veçoria e saj që e kisha zili. Por i miri ska fat. Nuk e di pse ndodhi e si ndodhi por gjëma ndodhi. Ikën na lanë, shkuan. Na tronditën, na helmuan, na dërmuan shpirtin, zemrën, trupin. Nëna jonë u bë dy herë nuse e para e ëmbël mjaltë, e dyta e hidhur farmakë. Ajo u nis me shumë plag për në parajsë Kam shumë për të thënë, por spo shkruaj dot nuk më lënë lotët.
Vellai im i madh Haxhi Bilbil Malaj ka lindur më 04.05.1977, u martua me Shazime Ymer Qerime Sejfullai lindur 04. 05.1984. Lindën një djalë të quajtur Flavjo, më 23.10 .2005.
Vëllai jonë ishte shume i qetë dhe i sinqertë. Fjala e tij e ëmbël të bënte ta doje me gjithë shpirt. Këto fjalë i kam dëgjuar nga të gjithë shokët e tij . Ai emigroi në Greqinë e mallkuar, ku punonte me shumë mundim e vuajtje. Nusja me djalin ila në shtëpi te prindërit, por një ditë të bukur me shumë sakrific si çdo emigrant mori në Greqi vetëm nusen. Djali Flavjo ndenji me gjyshen për tre vjet. Flavjo ishte një engjëll që e kish sajdis zoti me dorën e tij. Ishte i shkathët sa më ska. Zëri dhe buzëqeshja e tij feminore hynin dhe ngelnin në zemrat tona. Ishte nipi i parë i asaj dere. Kur bëri 4 vjeç shkoj në kopësht. Kur bëri PESE vjeç në 2010 i bëmë një feste të madhe. U mblodhëm të gjithë, qeshëm, kënduam, gëzuam. Por asnjëherë se menduam që do të ishte ditëlindja e fundit. Kënaqësia e asaj dite mbeti aty në atë muaj, në atë vit, në ato kujtime.
Po afronte viti i ri 2010, vëllai xhiku (Haxhi i cili kishte dhe emrin e stërgjyshit) erdhi të merte mamin dhe djalin për të kaluar vitin e ri në Greqi, që dhe djali të takonte maman e tij pas tre vjetësh. Ishte data 26.12.2010, u nisën me shumë gëzim e lumturi. Nisja ishte shumë e bukur Me makinën e tyre dolën nga ajo shtëpi nga ajo portë. Gjatë rrugës flisnim në telefon. Por papritur të nesërmen e datës 27 telefoni nuk punonte më. Ishte bërë hataja.
Ishte bërë gjëma më e madhe e atij viti, e asaj shtëpie, e atij fshati e asaj krahine. Zemrat pushuan në Patra afër një ure një makinë greke del nga rruga dhe bie mbi makinën e vëllait tim Haxhi. I sakatoi, i dogji i përvëloi Mjerë ne, çdëgjuam e çpësuam. Shtëpia po gjëmonte nga dhimbjet. Themelet po tundeshin nga hidhërimi. Zija pllakosi në çdo cep të saj dhe në çdo zemër njeriu. Nuk e dinim çpo bëhej. Si po duronim. Shtëpia ishte plot ditë me radhë e mbushur me njerëz. Pritja e tyre për të ardhur në atdhe ishte më e rëndë se çdo gjë tjetër.
Gjatë kësaj kohe kishin shkuar tek shtëpia e vëllait ku ishte e zeza nuse që i priste, por dhimbja ja ndau zemrën në copa. Gjithë bashkfshatarët, shokët, miqësia që ishin me prezencën e tyre duke shprehur dhimbjen, që përcillnin në sytë e tyre. Ata kontribuan dhe nga ana financiare me ndihma. Kishte dhe dashamirës nga vende të ndryshme të cilat shërbyen për ardhjen e trupave në Shqipëri. Në datën 01.01.2011, Zina (nusja) së bashku me të afërmit dhe bashkatdhetarët tanë i sollën trupat të zbukuruar e të stolisur në ato kuti të ftohta. Arritën për gjithë natën në orën 8 të mëngjesit në Vlorë dhe u nisën për në Kropisht në orën 10.
Nuk i pamë që ti perkëdhelnim. Nuk na lane ti hapnim. Nuk e di çfarë u bë.Iken shpejt .U folëm, u përgjëruam, por asnjeri nuk u përgjigj. A ishin vallë brenda ? se kutitë ishin të lehta. S’dije kë të shihje, kujt ti flisje. Ishte hata e tmerrshme, sa nga hidhërimi u çanë themelet e shtëpsë. Si i mbajti ajo shtepi, si nuk u fundos, ishin tre, tre breza, asnjëri në moshën për tu larguar. Psei i mori zoti? Trupat e tyre do të na mungojnë vetëm fizikisht, se fytyrat, kujtimet buzëqeshja, bukuria, hijeshia e tyre do të jenë në zemrat tona derisa të jemi gjallë.
Gjyshja ime Hanëme ishte e ngrirë nga hidhërimi. Kjo gjëmë i shumfishoi dhimbet për të gjithë ne të familjes të babit tim. Pa mbushur viti në tetor të 2011 ndahet nga jeta halla Fiqirete që ishte e martuar në Armen, la tre djem. Halla ishte 61 vjeçe. Kjo gjëmë filloi dhimbjet për të gjithë ne nga e para Të gjithë thoshnin se duheshin shumë si kunata, ndaj u bënë bashkë brenda vitit mami im me hallën Fiqirete.
Jeta ecte veç me vaj dhe lot.Gjyshja Hanemja ( nëna e madhe) hallemadhja me shpirt të përvëluar i kaloj jeta veç dhimbje e helme me fëmijët e saj. Ishte 27 shkurt kur ajo i kishte thënë nuses se nipit:
“Bij e nënës meri çupat në telefon ( per mua dhe motrën) se do shtrihem dhe nuk do ngrihem më Dhe ashtu bëri.Pati një vdekje të ëmbël dhe të qetë.Ajo e ndjeu që gjaku po i hidhërohej sepse një ditë tha : “Dua të iki para djalit tim Bilos. Plot vdekje kam përcjell. Nuk e di se si po më lë zoti. E përcollëm me dhimbje për në banesën e fundin gjyshen tonë të dashur Hanëme, Nënën e madhe.
Këtë poezi ja dedikoj babait tim të dashur Bilbil Beqir Malaj
BABAIT
Pemë shumë e madhe
dhe me degë plot,
ishe ti në jetë,
por s’arrite dot.
S’arrite të jetoje
si një trung i vjetër,
disa degë nisën të thahen,
ranë mbi njëra-tjetrën.
Eh, seç u helmove
dhe sa shumë u drodhe,
kur te ikën tre
zemra lot pikonte.
Nga dhembja dhe hallet
plagë me emra shumë,
trungu yt i fortë
tretej, mbetur veç lëkurë.
Të helmuan gjembat,
t’u ngulën në zemër
dot nuk i shërove
plagët me çfarë emër.
Në trungun tënd të fortë
u gdhendën veç tre emra,
trupa e shpirtra djegur,
helm lëvrin ndër vena.
18.02.2018
Hena Pazaj Malaj.
Duke e falënderuar vajzën e vendlindjes Hena Bilbil Malaj Pazaj për informacionet dhe dedikimin që ka bërë me poezinë e dhimbjes, përshëndes të gjithë trashgimtarët e familjes të Bilbil Beqir Malaj duke u shprehur ngushëllimet e mija të sinqerta për prindërit Bilbil e Shqiponja Malaj, për vëllan e dashur Haxhi Bilbil Malaj, për lulen e bukur,nipin engjellor që pati fatin e hidhur të jetonte vetëm pesë vite Flavjo Haxhi Malaj dhe për të gjithë të larguarit nga jeta të familjes së madhe Beqir Haxhi Malaj.
U prehshin në Paqe! Qoftë i paharruar kujtimi tyre.
Qatip Mara
Nju Jork, 20.10.2018