(Kujtime të bashkëkohësit, Ukë Arif Ahmeti)
Nga: Ibrahim Hajdarmataj, arsimtar e publicist
1.
Babai im, Ukë Arif Ahmeti-Hajdarmataj, i cili u nda përgjithnjë nga jeta vitin e kaluar, në moshën 96-vjeçare, që në rini më ka treguar episode të ndryshme, për traditat atdhetare e luftarake të të parëve tanë. Sidomos, i kam dëgjuar me interes dhe i kam regjistruar në kujtesë kujtimet e tij, rreth figurës së ndritur të “Plakut të Maleve” dhe “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri-‘Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”. Është krenari për të gjithë ne që, me emrin e tij, është pagëzuar qyteti i bukur alpin, i cili më parë quhej fshati Kolgecaj.
Arif Ahmet Hajdarmataj, gjyshi im, kishte lindur në fshatin e bukur Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në vitin 1843 dhe vdiq po aty, në moshën 102-vjeçare. Shtëpia e tij dhe e kushërinjëve tanë, kanë qenë bazë e sigurtë për strehimin e Bajram Currit, me luftëtarët e tij, sa herë që atyre iu paraqiti nevoja. Po kështu, ata morën pjesë në betejat e zhvilluara, me udhëheqës Bajram Currin, në tërë krahinën e Bytyçit e më gjerë, si në : Zogaj, Kam, Qafë Prushi, Krumë e Gjakovë. Për këtë arsye, vetë Arifi është arrestuar e gjykuar, në Prishtinë, ku e kanë dënuar me 101 vjet burg. Aty i vuajti disa vite burgim dhe doli prej andej, vetëm kur burgu i Prishtinë u thye nga demonstruesit kosovarë. Më pas, ai erdhi në vendlindje, pra në fshatin Zogaj.
2.
Siç është e njohur, në dimrin e ashpër të vitit 1925, kryetrimin Bajram Curri, i cili kishte dhënë aq shumë, me punën dhe luftën e tij të vendosur e të pandërprerë, për Kosovën e Shqipërinë, e rrethuan në Shpellën e Dragobis. Ishte pikërisht data 29 mars e atij viti, kur pas një qendrese heroike, ai u vetëvra, për të mos u dorëzuar i gjallë në duart e kundërshtarëve të tij zogistë. Por, gjithashtu, një këngë popullore dëshmon dhe bashkakohës regojnë, se është e njohur edhe mundësia, që atë e prenë në besë, duke krijuar kushtet, që kundërshtarët e tij ta vrisnin atë, lehtësisht!?
Lajmi i vrasjes së Bajram Begit, siç e quanin malësorët me respekt të veçantë, u përhap kudo, siç thonë, ishte “më i idhtë se zana”. Ai mbërriti edhe në Zogaj e në familjen e Arif Hajdarmatajt, kryefamiljar i asaj kohe, si dhe e mbuloi në zi tërë fshatin.
Pas vrasjes, trupin e Bajram Currit e zbritën nëpër Grykën e Dragobisë, në Shoshan e Margegaj dhe e lane, pak kohë, në fshatin Kolgecaj, të Malsisë së Gjakovës (Tropojë). Pasaj, atë e hipën në një kalë dhe e nisën, udhës për në Krumë të Hasit, ku ishte qendra e Nënprefekurës, Kur trupi i Bajram Currit dhe shoqëruesit e tij mbërritën në Zogaj, aty u bë një ndalesë e paparashikuar, bile e detyruar. I pari, u doli atyre përpara Arif Ahmet Hajdarmataj, bashkë me: Zmajl Zymerin, Rexhep Alinë, Ajdin Zenelin, Bajram Hoxhën e ndonjë tjetër. Sakaq, shkëmbyen fjalë paksa të ashpra, me shoqëruesit e të ndjeri Bajram Curri.
– A na la Begi-a? – iu drejtua atyre Arifi.
– Po, na la, Arif!, – u përgjigjën ata, njëzëri.
– Pra, vdiq dhe “Ora e Malësisë së Gjakovës”! – shtoi Arifi, me zë të lartë.
– Ashtu është, Arif…Bile, Ora e Malësisë së Gjakovës, Kosovës e mbarë Shqipërisë,-u përgjigjën disa të posaardhur…
– Atëherë, ku po e çoni ju, trupin e Begit tonë? – iu drejtua atyre, me zë kumubues.
– Për në Krumë, kështu kemi vendosur, – u përgjigjën shoqëruesit e tij.
– Pse kështu, bre burra! A doni me na koritë tërë Malësinë e Gjakovës-a? – foli i vendour Arifi.
– Nuk paska tokë, sa për ta shti në varr Begin, pa e dërguar atje-a? – Pastaj shtoi i vendosur:
– Unë dëshiroj që ta varrosim në tokën time, pra këtu në Zogaj. Tokë kam mjaft e nuk më dhimbset aspak. Kështu do të jemi të gjithë, si fshat, të nderuar, që ta mbajmë këtu Bajram Currin tonë…
Por shoqëruesit e kundërshtuan me forcë këtë propozim. Atëherë, nga faqet e rreshkura të Arifit rodhën lotë të valë. Sakaq, nxori nga xhepi kutinë e duhanit e ua dha mbështetësve të tij.
Trupin e pajetë të Bajram Currit, Arif Hajdarmataj, me bashkëfshatarët e Zogajve, e shoqëruan me sy, me dhimbje e lotë, deri sa ata u larguan për në Krumë të Hasit.
…Për meritat e tij luftarake dhe mbështetjen,që i ka dhënë Bajram Currit, gjatë jetës së tij, Presidenti i Republikë së Shqipërisë e ka dekoruar Arif Hajdarmatajn me medalje e urdhëra të ndryshëm. Traditën e tij luftarake e vazhdoi edhe djali i tij e babai im, Ukë Arif Hajdarmataj. Ky u rreshtua partizan, në radhët e Brigadës së 25-të Sulmuese, e cila u krijua në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe luftoi për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë, deri në Kosovë e thellë në Jugosllavi. Gjithashtu, ky është dekoruar, disa here, nga Presidanti i Republiks së Shqipërisë.
3.
Në mbyllje të këtyre kujtimeve, më duket me interes të tregoj edhe diçka tjetër…Në muajin tetor 1962, në qytetin e Shkodrës zbriti nga Zogajt, Hyrë Islam Hajdarmataj, bashkëshorte e Arif Ahmet Hajdarmatajt. Ky kishte 10 vajza dhe vetëm një djalë, Ukën, pra babain tim, të cili i la trashëgim disa ha tokë, bagëti e bletë. Në atë udhëtim, gjyshja Hyrë vinte që të më takonte mua, nipin, pasi ndiqja shkollën pedagogjike për mësues. Kur ajo shkoi te Hoteli “Adriatik”, mësoi se sportelistja ishte bija e vogël e Bajram Currit, pra Hajria. Kështu, të dyja u përqafuan me përzemërsi. Hajria i tregoi asaj se i jati i fliste vazhdimisht për mikpritjen e mjaft malësorëve, pra dhe atyre të fshatit Zogaj, ku veçonte pikërisht shtëpinë e mysafires, Hyrës, me bashkshort Arif Hajdarmatajn.
E mallëngjyer, Hyra iu drejtua Hajries: “Po gëzohem, sikur të më kishte lindë një djalë, që u njohëm sonte bashkë dhe që je çika e Begit tonë të paharruem!…”. Ndësa Hajria e përqafoi, si nënën e saj dhe iu përgjigj: “Sonte, nuk ka hotel për ty!…”. Sapo e mbaroi punën e asaj mbrëmjeje, aty ku shërbente, Hajria e mori Hyrën në shtëpinë e saj bujare. Pas darkës, i vazhduan gjatë bisedat e tyre, duke kujtuar episode të ndyshme, për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Bajram Currit dhe vëllapritjen, që ai gjeti në fshatin Zogaj, te shtëpia e Arif Hajdarmatajt dhe kudo, nëpër Malësinë e Gjakovës (Tropojë).
Zogaj-Tropojë, 8 janar 2017