UDHËTIMI I FATO FATMIROSHIT, NJË MËSIM I MADH PËR TË GJITHË…

0
735

LETËR PA ZARF

– Shënime për rrëfenjën “Gjahtarët e Nuselalës” të shkrimtarit Hysen Kobellari, botim i SH.B.”ADA”, Tiranë.

Nga Skënder DEMOLLI

Lajmin e mirë të daljes në dritë të librit “Gjahtarët e Nuselalës”, rrëfenjë të shkrimtarit H.Kobellari e mësova para pak ditësh në Athinë, teksa merrja pjesë aktive në një veprimtari të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptare në Greqi “Liter-Arte”. Mendja më shkoi menjëherë të uroja autorin, por edhe të përgëzoj botuesin e Sh.B. “ADA”, Z.Roland Lushi, për kujdesin dhe dashamirësinë e treguar në botimin e veprave të shkrimtarëve në atdhe, posaçerisht për rastin në fjalë.

Me librin e shkrimtarit H.Kobellari jam njohur vite më parë, që në dorëshkrim, duke qënë recenzent i parë. Para pak muajsh mora njoftim nga mediat se libri ishte shpallur fitues në konkursin e zhvilluar nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe menjëherë e urova nga zemra autorin e kësaj novele-përrallë, së cilës aq shumë i shkon emërtimi “rrëfenjë”, me të cilën e ka pagëzuar juria e nderuar e atij konkursi ogurbardhë.

Kjo fjalë qëndron bukur në fjalorin e shqipes : “Rrëfenjë f.-Tregim i shkurtër për një ndodhi të vërtetë ose të trilluar, zakonisht me shtjellim të thjeshtë. Rrëfenjë e vjetër (e re). Rrëfenjë për fëmijë. Tregoj (shkruaj) një rrëfenjë.”… A nuk janë të mrekullueshme ato të “Eposit të Kreshnikëve”, që i ka stilizuar plot art Mitrush Kuteli i madh ?!; po “Kënga e Gjergj Elez Alisë”, megjithëse në vargje; gjithashtu “Iliada”,”Odhiseja”, a nuk mund të quhen rrëfenja ?! Po “Udhëtimet e Guliverit” të Xhonatan Suiftit, disa novela të Gustav Floberit, apo “Kush e solli Doruntinën” e I.Kadaresë, a nuk janë rrëfenja ?!…

Pa u njohur mirë me veprat e fituesve, me lëndën konkrete të librave të shpërblyera nga Ministia e Kulturës së Tiranës, filluan apriori ankesat, paragjykimet e kritikat për to, vesh më vesh, madje edhe në shtyp. Xhahidi nga Shkodra i mohon shkrimtarit të njohur Gaqo Bushaka talentin dhe aftësinë për të shkruar vjersha për fëmijë, duke harruar se edhe në përralla xhaxhi Gaqua është poet spontan, teksa vë në gojën e personazhit dyvargëshin e njohur “Ore Çufo, o gjumash,/ shkon në shkollë avash-avash… “

Ja, si është shprehur në shtyp Xhahidi për fituesin tonë në rrëfenja : “Nuk ka ndonjë kontribut vlerash ndonjë që ka fituar me rrëfenjat,…”, duke harruar se vlerësimi nuk është bërë për kontribute, por për krijimtari konkrete. Duket se ky “kritik” nuk e njeh fare krijimtarinë e këtij autori të talentuar të letërsisë për fëmijë dhe jo vetëm; ia vlen t’i kujtoj atij se veç librave për fëmijë, H.Kobellari ka shkruar edhe romanin e njohur “Kurbatka e bukur”,e me dhjetra tregime, fabula, etj.

Po le t’i harrojm për pak çaste ziliqarët e kritizerët dhe le të kthehemi tek letërsia për fimijët dhe te “Gjahtarët…”

Disa e dinë të lehtë të shkruarit e letërsisë për fëmijë, e dinë “Dasëm çobani, ku haet mish dashi e piet raki mani.”, siç shprehet në një vjershë humoristike H.Kobellari. Ky autor ka 50 vite që shkruan letërsi e kryesisht për fëmijë e të rinj, qysh nga koha e fëminisë së tij të hershme; gjithsej ka botuar 7-8 libra, si maja e aisbergut për librat që ka nëpër duar dhe që do t’i botojë së shpejti…

Rrëfenja “Gjahtarët e Nuselalës” është një tekst i mrekullueshëm për t’u lexuar nga fëmijët, por edhe nga të rriturit; e them me bindje se është ndër më të mirët shkruar këto dekadat e fundit. Siç edhe e kam shënuar që në titull të këtij shkrimi, autori rrëfen aventuart që përjetojnë gjahtarët, Fato Fatmiroshi dhe vëllezërit e tij, për të gjetur e shpëtuar Nuselalën, Nusen e Lalës, të bukurën e dheut dhe motrat e saj të virtutshme. Rrëfenja nis me përshkrimin e atdheut të gjahtarëve, të cilin e ka pllakosur një gjëmë e madhe, ku Ari Trashaliu e bën vendin rrëmujë, vret e pret, si i pangopur që është dhe ua bën jetën të padurueshme banorëve atje. Atdheu ka një emër konkret, të një krahine të vendit tonë që quhet Opar. Atdheun, Oparin, peisazhin, njerëzit, zakonet, traditat, autori synon t’i kthejë gati në mit, në një krijesë të gjallë me mish e shpirt, të mirë e të dëshirueshëm prej gjithkujt për të jetuar…

Pastaj lexuesi njihet me personazhet, që në më pak se njëqind faqe teksti e figurash ilustrative mund të thuhet se janë të shumtë e të larmishëm: baba Urtani, nënë Bekimja, tre vëllezërit, e më në fund Fato Fatmiroshin, të voglin e familjes, qeroz, apo gishto siç emërtohet nga populli, i cili bëhet protagonist dhe boshti kryesor i rrëfenjës. Plaka Damianeshë dhe i vëllai i saj bukëtar, Damiani, Pula Hamëse, kuajt e famshëm Dërdyli, etj.; Kanxhallozi e Dumlaci, lëvizin në rrëfenjë ethshëm për të realizuar qëllimet e tyre në jetë. Nuk dua të përshkruaj krejt përmbajtjen e rrëfenjës, po dua të nënvizoj vlerat e formës së shpalimit të rrëfimit gjithëplanësh: fraza të shkurtra, përshkrime të thukta të natyrës dhe situatave, personazhe originalë marrë nga rrëfimet gojore popullore, lojra, këngë, aventura të papritura, elementë përrallorë, sende e fenomene çudibërëse si veza e pulës, lutja, etj.

Ideja përmbajtësore e rrëfenjës është sa e thjeshtë, aq edhe e thellë filozofikisht, aktuale dhe e tërëkohshme njëkohësisht: Duaje atdheun kurdoherë ! Vendi më i bukur në botë është atdheu … Shko i lirë nëpër botë për të realizuar ëndrrat e tua; kërkoje diturinë, urtësinë gjithandej, zbuloji sekretet e harmonisë dhe kthehu së bashku me to në atdheun tënd të bukur, “vendin më të bukur në botë”, me shpresë dhe optimizëm se atje mund të ndërtosh një jetë për së mbari, të lumtur, të vërtetë e dinjitoze.

Në Syllabusin tim rreth kësaj rrëfenje kam shkruar “Gjahtarët e Nuselalës” ka trajtën e prozës përrallore dhe mbështetet në dy shtylla kryesore dëshirash njerëzore, të cilat shtjellohen në libër, duke ndjekur rrjedhën e caktuar, shpesh të paparashikueshme për lexuesin, karakteristikë kjo e rrëfimit në trajtën e përrallës artistike, me burim elementë të përrallës popullore, të ngritura në art :

E para : Synimi dhe dëshira e njeriut për të kërkuar me ngulm dhe për ta gjetur më të bukurën në jetë, e cila është “E bukura e dheut”, në këtë rast e fshehur nën trajtën e emrit “Nuselala”, pra Nusja e Lalës, e vëllait të dashur ! Kjo bukuri do të jetë burim i dashurisë dhe i begatisë në vendlindjen e heronjve të tregimit.

E dyta: Dashuria për atdheun, e shfaqur në trajtën e dashurisë për vendlindjen, që njeriut i duket si “Vendi më i bukur në botë”, ngase atje ka lindur pikërisht ai, pra njeriu i veçantë, me ëndrrat, dëshirat dhe pasionet e veta, të njohura dhe të panjohura nga vetë ai dhe nga të tjerët që e njohin, i njeh dhe që e rrethojnë.

Subjekti: Tregimi hapet me përshkrimin e mjedisit ku do të zhvillohet pjesa kryesore e ngjarjeve; bëhet fjalë për një krahinë konkrete të vendit tonë, siç është Krahina e Oparit, me vlerat e saj të mëdha të bukurive natyrore dhe veçanërisht vlerat njerëzore. Pastaj përshkrimi afrohet gradualisht tek njerëzit e atij vendi, me cilësitë konkrete të tyre, me gjuhën e tyre të veçantë, me doket dhe zakonet autentike, me vështirësitë e jetës njerëzore, me luftën për të jetuar me dinjitet e devitshmëri.

Familja që na shfaqet pastaj, ka tre djem të bukur e të mbarë, të cilëve iu mungon një motër, po që fati nuk desh t’ua japë prindërve Urtan dhe Bekime, të cilët edhe fëmijën e katërt e lindën djalë, por një djalë jo si gjithë të tjerët, por me veti dhe cilësi të veçanta. Djalin e quajtën Fato-Fatmirosh … Këtu zënë fill ngjarjet e tregimit, në përpjekjen heroike të Fatos dhe vëllezërve të tij për të gjetur Të bukurën e Dheut – Nuselalën dhe për ta prurë atë në shtëpinë e tyre, për të lumturuar prindërit, veten dhe gjindjen përreth…

Aventurat gjatë udhëtimit për kërkimin e Nuselalës i japin bukuri të veçantë tregimit, duke e njohur me personazhe interesantë, si njerëz ashtu edhe kafshë. Fatoja me vëllezërit shkojnë në kërkim të Nuselalës, si drejt një fati të ri dhe kërkimi i tyre përfundon me luftën e ashpër kundër Kanxhallozit dhe të keqes së madhe që mbart ai, deri në fitore; çlirimin e Nuselalës dhe motrave të saj dhe kthimin bashkë me të në Atdhe, ku i presin prindërit e dashur.

Personazhet : – Megjithëse rrëfimi në përrallë është konçiz dhe plot nerv, tregimi mbart shumë personazhe veprues, të cilët mund t’i ndajmë në : Personazhe njerëz- Nënë Bekimja, Baba Urtani, Tre djemtë e parë dhe Fato Fatmiroshi, Plaka Damianeshë, Bukëtari, etj., Nuselala dhe motrat e saj… Personazhet kafshë : – Ari Trashaliu dhe këlyshët e tij, Pula Hamëse, Kali Dërdyl, Pela Çile, Kanxhallozi si Përbindësh, etj.

Teknika e rrëfimit : Barrën për transmetimin e subjektit, ecurinë e ngjarjeve tek lexuesi, përshkrimin e personazheve, etj., e ka marrë vetë shkrimtari, i cili rrëfimin e shtjellon nga veta e tretë, duke qënë si vëzhgues, vlerësues dhe përshkrues të ngjarjeve dhe situatave.

Për të mos e lodhur lexuesin fëmijë me përshkrime të hollësishme të mjediseve dhe ngjarjeve, libri është ndarë në kapituj të shumtë, të cilët mund të lexohen edhe si përralla të veçanta, prej të cilave mund të nxiret një kuptim i caktuar, mund të merret kënaqësi estetike e plotë. Pajisja me vizatime origjinale ose figura karakteristike nga i talentuari Kosta Raka e bëjë më të këndshëm librin, si mjet edukativo-argëtues – estetik.

Befasia është njëra nga karakteristikat e rrëfimit të kësaj përralle; përmendim këtu ngjarja me Plakën Damjaneshë, ngjarja me Pulën Hamëse, takimet me motrat e Nuselalës, ngjallja e vëllezërve të gurrëzuar me anë të vezëve që ua thyen Fatmiroshi në ballë, etj.

Libri është i pajisur me një pasthënie të shkurtër, ku specialisti i fushës, Prof. Anton Nikë Berisha, akademik, pedagog në Universitetin e Kozencës, bën një analizë shkencore krahasimore midis përrallës “Gjahtarët e Nuselalës” dhe modelit të rrëfimit të përrallës popullore gojore, transmetuar brez pas brezi në shekuj.”

Unë do të mund të shkruaj më gjatë e më me hollësi një herë tjetër për “Gjahtarët e Nuselalës”, sapo të kem mundësi ta rilexoj librin e botuar këto ditë, po desha me ketë rast të përgëzoj mikun dhe bashkëpunëtorin tim ndër vite, piktorin e palodhur Kosta Raka për ilustrimet vizatimore të bukura e domethënëse në çdo fillim kapitulli të këtij libri vëretet të bukur e të dobishëm.

Skënder DEMOLLI, Oropo, Greqi;
Messhkurti, 2020.