UDHËS ME POEZINË

0
679
Atdhe Geci

UDHËS ME POEZINË

Asnjë qetësi nuk e njoh të urtë
as ajrin e prajshëm të ernave
as shtratin ku ngjizen stuhitë
as vuajtjen ku prehet dhimbja
Ara, ti më mësove të jem vetja
guximi për atë që është imja
kam kujtime abtrakte të kohës
dhe, s´dua të jem ti, e as si ti,
më quaj bar i shkulur, pluhur i
trazuar, vetimë e qiellit me ré
Ara, jam ndryshe nga të tjerët
edhe në furi stuhish të mëdha
unë ndryshe marrë frymë nga
ai i dehuri atje, ose ai rrëzuari.
I kam dashur të dashurat e mia
duke mos u marr më shumë se
u kam dhënë, shpirti im kaherë
s´është i im, as i njërës nga ato

Rogana që ëndrron është qiell
me ré, qiell deltinor nga dukja
dhe jo aq e çliruar nga muret
Kjo botë me shumë realitete,
që brezat e kombit s´e njohin
është Alfabeti pellazgë dhe,
mohimi i prejardhes pellazge
mohimi, nga studiuesit tanë!?
Ara, ne e dimë burimin e së
ardhmes sonë, e të nesermes
mendja më ikën nëpër antikë!…
muret e kësaj heshtje janë me
plagë, -në pala të fustanellave
ku duart e diellit kullojnë gjak
Tokë e lavrueshme e Roganës
te ti kam parë gëzimin e farës
së bimur, e gëzimin dhe luleve
Vendi im, kur do ta pohosh ti
prejardhjen dhe trashëgiminë
pellazge, historinë e antikitetit
Ara, kur do ti festojmë lindjet
e përëndive pellazge, alfabetin
me 54 shkronja të pellazgëve
pyetë Rogana dhe kombi ynë!…
Udhës me poezinë, unë takova
zotin Thoti, Zeus, e Aleksandër
ata që krijuat njeriun në histori.

Atdhe Geci – 2020


FLAMURIT BLU

poezi nga libri në dorëshkrim, “Monumenti”

Ç’është ky flamur i huaj
në direkun e shtëpisë?
mos rrota e historisë
që mua më duhet ta bart?

Ç’është ky flamur i huaj
në direkun e shtëpisë?
i kujtoj të vrarët e mi,
të vrarët nëpër mërgime.

Ç’është ky flamur i huaj
që unë duhet ta bart
për hir të një kontrate
që ta kem një adresë?

Ç’është ky flamur i huaj
me himn dhe pa tekst?
është një gjysmëfitore
për të vazhduar në fitore…

I MËRZITURI

Kur mërzia me ne pi duhan
shoqëruar me kafe e raki,
i mërzituri nis e zihet
edhe me ata që s ́janë aty.

Kur mërzia pi duhan.
i mërzituri i nxjerr plagët
dhe i gjykon një nga një
përpara se atë ta zë dehja

Kur mërzia pi duhan,
ajo e do një mike pranë,
nga afër është i zemëruar,
nga larg atë s’e zë gjumi.

Jeta me dehjen s ́ndalon,
dehja me jetën pi duhan,
deri në një ditë tjetër,
deri në një mërzitje tjetër…

E DIELA E FJALËS

Vetmi, pse duhet të jetoj me ty,
më mërzinë dhe shoqet tua,
me rrapëllimat e erës sate
dhe përsëritjet tua monotone?
Muzë, përse më do të vetëm?
mbretëria jote s’më pëlqen,
s ́më pëlqejnë as shpresat tua,
jam kafsha që nuk di të lutem.
Unë nuk jam krejt i vetëm
jam në miqësi me mijëra libra,
vetmi, ti je shqetësim i bukur,
pse unë sot jam kaq i dehur?
Poezi, ma hiq qafe vetminë
dhe shoqen e saj që vështron,
muzë, më le në “burgun” tim,
jam kafsha që nuk di të lutem.

Lulet e argjilës

poezi nga libri në dorëshkrim, “Monumenti”.

Rogana ime s´është vetëm vendlindje
ajo është atdhe, gjaku im nëpër kohë
është flamur dhe himn kombëtar
shpirt, ti je e tëra kontinentale, qiellore
ke argjilën për të gjitha bimësitë
ke dritën e bardhë të jetës, hënën natore
zemër, tek kjo tokë prehen dashuritë e kaluara
Roganë, përqafojmë së bashku,
shtrihemi humusit të heshtur të arave tona
udhët le të mbushen me fjalë,
kallinjtë i kemi dëshmitar, se
ky vend është fëmijëlindësi ynë!

Atdhe GeciDortmund, 2020