U shënua 120 – vjetori i shkollës së parë shqipe në Zllakuqan të Lugut të Drinit

1
1903

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Në Kishën e “SHËN GJON PAGËZUESIT” në Zllakuqan, shënohet 120 – vjetori i shkollës shqipe të Zllakuqanit, gjë që takimi në fjalë është shënuar me një manifestim të bukur madhështor eukaristik, përurues, shkencor e kulturo-artistik. Ky manifestim iu dedikua françeskanit, mësuesit, shkrimtarit, studiuesit, intelektualit dhe atdhetarit të devotshëm, Át Shtjefën Gjeçovit, i cili ishte dhe vërtetë mbeti një pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit shqiptar. Át Shtjefën Gjeçovi më 15 shtator 1887 hapi shkollën shqipe në Zllakuqan të Klinës, e cila vepron e punon edhe sot që prej 120 vitesh në këtë fshat. Pikërisht ishte ai, i cili e nisi, e pasuroi dhe e begatoi këtë vend me vlera në shumë fusha, në atdhetarizëm, letërsi, arkeologji etj.

Ky manifestim është mbajtur nën patronatin e Famullisë së “SHËN GJON PAGËZUESIT” në Zllakuqan, Këshillit Organizativ në krye me famullitarin don Izak Doda, dhe të një Forumi të Intelektualëve Klinas, prof. Prend Buzhala, prof. Pal Canaj, prof. Mikel Gojani, don Ben Zymi, famullitar në Gllaviçicë, prof. Dodë Nrecaj, don Pal Tunaj kooperator meshtar në famullinë e Gllogjanit, Lekë Mrijaj, publicist, e Nikë Frroku veteran i UÇK-së. Lapidari Memorial është sponsorizuar nga disa njerëz të vullnetit të mirë nga Lugu i Drinit me rrethinë, të cilët participuan me shuma të tyre simbolike financiare të bashkëmbledhura e që jetësuan realizimin e projektit në fjalë, dhe që do të përmblidhen emër për emër në librin monografik dedikuar 120–vjetorit të kushtrimit historik të Át Shtjefën Gjeçovit: “Të hapim shkollën shqipe në Zllakuqan.” Ky manifestim u moderua nga don Pal Tunaj.

Morën pjesë shumë intelektualë nga Shqipëria e Kosova, përfaqësues të institucioneve të Komunës së Klinës, udhëhequr nga kryetari i asamblesë dr. Haxhi Ibishi, një grup intelektualësh nga Mirdita, veteranë të arsimit, njëkohësisht veçojmë mësuesin 82-vjeçar Brahim Shatri nga Istogu ( i cili për shumë vjet dhe me devotshmëri i shërbeu nxënësve të shkollës fillore “At’ Shtjefen Gjeçovit” të Zllakuqanit), përfaqësues të partive politike, drejtorë të shkollave , qytetarë e banorë të të gjitha viseve shqiptare.

Manifestimi pati tri pjesë: Kremtimi i Meshës, Zbulimi i Lapidarit Memorialit dhe Sesioni shkencor.

Kremtimi i Meshës – Mesha përshpirtërore për françeskanin At’ Gjeçovi, është drejtuar nga ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës mons. Dodë Gjergji, i cili veç tjerash gjatë homelisë së tij tha se: “Të ruajmë traditën – gjurmët dhe kujtesën për Át Gjeçovin, pikërisht ta kemi jo për t’u lavdëruar, por për ta bërë hapin tonë sot… si një mburojë e vetës sonë, dhe të identitetit tonë të përgjithshëm kombëtar”.

Zbulimi i Memorialit – Është bërë nga ipeshkvi i Ipeshkvisë mons.

Dodë Gjergji, kryetari i Asamblesë Komunale të Klinës dr. Haxhi Ibishi, famullitari i kësaj kishe d. Izak Doda, Pashk Përnokaj e prof. Pal Canaj, në oborrin e kishës apo pranë “Lisit që është një simbol historik” ku kanë kuvenduar e mbledhur burra më me zë të Lugut të Drinit e shumë atdhetarë tjerë, si Haxhi Zeka e Sadik Rama i Gjurgjevikut… andaj edhe në këtë vend është bërë përurimi i memorialit të çmuar me pllakën perkujtimore, gdhendur e vendosur në një shkëmb guri, në shenjë përkujtimi të 120-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe nga ana e At Shtjefën Gjeçovit. Para lapidarit të zbuluar memorial, u interpretua një monolog për At Gjeçovin nga aktori ynë i mirënjohur Ismet Krasniqi-Lala, njëkohësisht u deklamuan valle dhe poezi nga nxënësit e shkollës fillore At’ Gjeçovi nga Zllakuqanit e Caritasi—Leskoc të Klinës, si dhe këngë rapsodike për At’ Gjeçovin e imz. Bogdanin nga rapsodët Lekë e Gjokë Duhani.

Sesioni shkencor – Në këtë ngjarje madhore të pjesës së tretë – sesionit shkencor që në fillim është mbajtur një fjalim rasti nga ana e famullitarit të Zllakuqanit d. Izak Doda e kryetari i Asamblesë Komunale Dr. Haxhi Ibishi. Zoti Ibishi, veç tjerash, tha se ishte plejada e priftërinjve të kishës katolike, një plejadë tejet e fuqishme e civilizimit evropian, e cila luajti rol konstruktiv dhe të rëndësishëm në të gjitha sferat. Njëkohësisht më pas janë deklamuar vargje nga Valdon Maloku të shkruara nga publicistika e At Gjecovit si dhe d. Ben Zymi.

Kanë ligjëruar edhe disa krijues e studiues të njohur nga Shqipëria e Kosova, Hajdin Morina drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Klinë, Nikollë Kërhanaj, pikërisht kishte edhe shumë kumtesa të tjera të dërguara si ajo e akademik Mark Tirtës, Arben Arifi, ”Shtjefën Gjeçovi dhe arkeologjia” dhe e Tomë Mrijaj nga New Yorku – ”Atë Shtjefën Gjeçovi dhe historia e shkollës shqipe në Zllakuqan dje dhe sot”, Suzana Gjergji “ Gjeçovi – frymëzues për femrën e arsimuar të Lugut të Drinit” etj.

Më poshtë po japim thekse nga kumtesat e ligjëruesve.
Ishte Gardiani i famullisë së Gjakovës, At’ Ndue Kajtazi, i cili me kumtesën e tij edhe e nisi sesionin shkencor duke folur për At’ Gjeçovin, se vërtet ishte një mishërues i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e tij për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve në përgjithësi dhe në shumë fusha përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë, vërtet ishte një kulturolog i rangut të lartë, i cili para së gjithash ishte meshtar françeskan, u lind dhe u rrit në shtratin kulturor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. I kontribuoi ruajtjes së unitetit dhe përballimit të grindjeve fetare, sepse vet bashkimi e uniteti ishte parakusht i fitimit të lirisë sonë kombëtare. At Nue Kajtazi foli edhe për inspirimet e tija në Gjeçovin, duke u nisur nga fëmijëria e shkolla fshatit të tij të cilin mbanë emrin e Gjeçovit ndaj e takonte çdo ditë e çdo kohë…

Mikel Gojani, – “Atë Shtjefën Gjeçovi dhe shkolla shqipe në Zllakuqan”, veç tjerash potencoi duke thënë se sa herë kujtojmë datën e 25 korrikut 1897, si vegim drite na kthehet kujtesa historike në ato vite të hershme, kur në kishën e Zllakuqanit, erdhi për të shërbyer frati, intelektuali, studiuesi, arkeologu dhe mësuesi i devotshëm Atë Shtjefën Gjeçovi, emri i të cili sot po kujtohet me pietet. Gjeçovi, erdhi këtu pikërisht para 120 vjetëve, emri i të cilit erdhi duke u rritur dhe u admiruar nga masa e gjerë e popullit lugdrinas, dhe një ditë Kisha dhe Shkolla që hapi Gjeçovi do të jenë nga gurët e shenjtëruar dhe të bekuar të Shqiptarisë, ai gjatë qëndrimit dyvjeçar (1897-1899) në Zllakuqan, tuboi një numër të konsiderueshëm nxënësish pë atë kohë dhe pa dallim konfesioni, të cilët ishin nga Zllakuqani, po ashtu edhe nga fshatrat tjerë që gravitojnë përreth, si Ranoci, Krusheva e Vogël, Budisalci, Krusheva e Madhe, Radulloci, Rudica, Leskoci, Koshi etj. siç ishin: Pjetër Cula nga Leskoci, Llesh Gjon Lleshi nga Zllakuqani, Cub Përnoka nga Zllakuqani, Tunë Gjergji nga Krusheva e Vogël, Lask Përlaska etj.

Zllakuqani edhe më vonë vërtet ishte një nyje lidhëse në mes të fushës së Lugut të Drinit me pjesët tjera të Dukagjinit dhe më gjerë; ishte vend ndërlidhës i komunikimit ndërkrahhinor. Një qendër shumë e njohur dhe e shumëpërmendur në shkrime të shumë autorëve vendës dhe të huaj. Për më tepër këtu kanë jetuar dhe shërbyer disa nga figurat më të shquara të fesë, të arsimit dhe të kulturës sonë kombëtare, si At Engjëll Palaj, At Lorenc Mazreku, At Luigj Palaj, Atë Klement Miraj, te Ndue Vorfi, Ndrecë Ndue Gjoka, Zef Cubi, Pjetër Berisha, Imzot Mark Sopi dhe shumë të tjerë.

Dhjetëra nga këta idealistë të fesë, arsimit dhe të kombit, të cilët me dashurinë më të madhe punuan për kishën shenjte, shkollën shqipe dhe kombin përgjithësisht gjatë gjithë rrugës së tyre jetësore, prandaj për këto ideale edhe u flijuan. Andaj më në fund studiuesi Mikel Gojani përfundoi duke nënvizuar: Dëshiroj të theksoj se fryma e bashkëpunimit, vetëdija dhe idealizmi janë ata faktorë që na nevojiten më shumë për ta ngritur lart Arsimin, të ardhmen e vendit dhe të kombit ndaj lirisht të mund të konstatojmë se mesazhi historik i Gjeçovit ”Të hapim shkollën shqipe në fshat”, shërbeu si mesazh frymëzimi për gjenerata të tërëbrezash të Lugut të Drinit dhe më gjerë.

Prof. Nue Dedaj – “Famullia e Gomsiqës, selia e “Kanunit” të Gjeçovit”. prof. Dedaj që në fillim i përcolli të falat e perzemërta të akademik Mark Tirtës, nën arsyetimin se ishte pengesë mosha dhe gjendja shëndetësore e tij të të cilin e pengoi në pjesëmarrje të sesionit të sotëm. Ndaj prof. Dedaj më pas e bëri prezantimin e kumtesës në pika të shkurtra, duke theksuar se Gjeçovi ishte modeli i dijetarit që rroi e veproi në provincë. Nëse shumë dijetarët të kohës merreshin me punë shkencore në Shkodër, Tiranë pranë arkivave, bibliotekave dhe bërthamave shkencore; autori e shkrimtari shqiptar ka dale nga një kishë, nga famullia e përndritur e Buzukut.

Madje ai tha se në stilin e meshtarëve të vjetër veçanërisht të françeskanëve janë marrë një jetë me letërsi, gjurmime, shkrime e përkthime edhe intelektual të të tjerë larg metropolit, si Lasgush Poradeci, Jakov Xoxa, Ndoc Gjetja, Don Frano Iliaj, don Simon Filipaj, Dilaver Kurti, Fatos Mero Rapaj, Shtjefen Ivezaj, Prend Buzhala, Gjon Gjergjaj, Agim Faja, Gjegj Vlashi etj. Andaj Gomsiqe fshat I sojit perendimor të Mirditës, do të ishte me vend të kishte një muze të Kanunit, ku perjetësohej vepra pashoqe kërkimore – shkencore e At Gjeçovit tha në fund të kumtesës së tij prof. Nue Dedaj.

Don Lush Sopi, tha se Populli ynë shqiptar, gjatë gjithë historisë së vet, ka kaluar periudha shumë të vështira në të gjitha segmentet e jetës, për fe dhe atdhe. Periudha të vështira politike, ideologjike, ekonomike, kulturore, kanë shkaktuar dëme të mëdha, si në aspektin fetar, gjithashtu në atë kombëtar. Vlen t’i përmendim disa, nga pasojat e shumta që ka pësuar populli ynë: vrasjet dhe persekutimet e shumta gjatë shekujve në luftërat e ndryshme, humbja e territoreve të trojeve tona, burgosjet dhe përndjekjet, shkatërrimi dhe uzurpimi i pasurive materiale, vrasjet dhe persekutimet e shumë klerikëve dhe besimtarëve të Kishës sonë, shkatërrimi i objekteve fetare, shkatërrimi i shumë shkollave, kolegjeve dhe universiteteve, ndalimi i arsimit në gjuhën shqipe, ndalimi i shprehjes së besimit burimor te shqiptarëve, si dhe dëme të mëdha në aspektin kulturor, që vazhdimisht ka reflektuar dhe vazhdon të ndikojë shumë negativisht në popullin tonë.

Madje don Lushi përmendi edhe kohën e okupimit të viteve ’90 ta, pikërisht kohën e hidhët, kur nxënësit shqiptar të shkollës së mesme të Klinës, kishin mbajtur mësimet në shtëpinë e z. Pashk Përnokaj. Pasi që aty nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për pushimin në mes të orëve, nxënësit këtë pushim shpesh herë e kalonin në oborr të Kishës. Njëkohësisht në pamundësi për të zhvilluar orën e mbrojtjes në oborrin e Pashkut, profesori i kësaj lënde e mbante këtë orë, pas sallës së Kishës, dhe aty është zhvilluar ora e mbrojtjes, ushtrimi i gjuajtjes me pushkë ajrore dhe ushtrimet tjera të nevojshme. Andaj për kontributin e dhënë gjatë luftës nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës, shpalli “Qytetar Nderi të Mitrovicës” famullitarin e famullisë së Zllakuqanit, don Lush Sopin, njëkohësisht i ndau mirënjohje fshatit të Zllakuqanit për kontributin e dhënë gjatë luftës në përkujdesje të vëllezërve të tyre nga zona e Mitrovicës.

Në një vizitë private në familjen e Presidentit Dr. Rugova, tani të ndjerë, por i pavdekshëm me vepra, në prezencën e familjes së Tij të ngushtë, ndër tjera më tha: “Don Lush, unë jam besimtar i famullisë suaj, sepse Istogu është në territorin e famullisë së Zllakuqanit. Jam i njoftuar për kontributin e madh që keni dhënë gjatë luftës, sidomos ndaj të përndjekurve, duke ju dalë në ndihmë për të shpëtuar ata njerëz nga ndonjë tragjedi më e madhe. Andaj, kam vendosur që t’ju shpërblejë gjithë atë punë të madhe që këni bërë, me nje medaljon të artë i cili në njërën anë ka Emblemën e Presidencës së Republikës së Kosovës, ndërsa në anën tjetër portretin e Nënë Terezës”. Duke ma dhuruar këtë dhuratë shumë të cmuar, më tha: “Mburrem me punën tuaj”, tha në fund të kumteses së tij don Lush Sopi.

Frrok Kristaj: Në pika të shkurtra përmendi fjalët e prof. Arben Arifit i cili veç tjerash thotë se: “I jap vetës të drejtë që të bëj një thirrje dhe një propozim që Institutit Arkeologjik të Kosovës në nder të emrit të Shtjefën Gjeçovit t’i vihet emri i tij. Kjo përkon jo vetëm më kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeçovit dhënë arkeologjisë si pinjoll i parë i saj i përkushtuar deri në vdekjen e tij të hershme do të ishte nder edhe për Institutin Arkeologjik që ta mbajë emrin Shtjefën Gjeçovi dhe rrënjët e arkeologjisë kosovare të shkojnë edhe një shekull më herët. Madje Frrok Kristaj në kumtesën e tij u ndërlidh duke thënë se dhe trashëgimia e Kanunit të Lekë Dukagjinit do të duhej të futet në mbrojtje të UNESO, njëkohësisht ai përmendi një risi sqarua se para tri ditësh mori në duar një foto të At Gjeçovit, foto e tij e shkrepur me uniformë ushtarake të Austrisë.

Don Fran Sopi, në kumtesën “Rëndësia e shkollës në Zllakuqan” i cili në mes tjerash e përshkroi At Shtjefen Gjeçovin, si një dashamir të madh të kombit shqiptar e të kishës katolike, i cili kishte shpresën e fortë dhe vullnetin vullkanik për ta drejtuar popullin tonë qe ecte në rrugën e vërtetë të arsimit, popull i cili përjetoi tri okupime të rënda: okupimi otoman ( që rrënuan çdo vlerë morale historike të lavdishme të popullit tonë ), okupimin nga mbretëria serbe kroate sllovenr (e bënë shkatërrimin arsimor, ekonomik dhe fizik), si dhe komunizmin në Shqipëri ( që bëri vepra kriminale me ardhjen në pushtet me 1944, pushtet që në vitin 1967 deklaron se ia preva kokën kishës katolike pra bëri krime religjioze, kulturore ndaj popullit të vet). Ndaj në fund të kumtesës së tij don Fran Sopi, e përmbylli duke thënë se kultura e Gjeçovit ishte e civilizimit kristiano perëndimor me specifikat e veta nacionale sikurse të çdo populli. Pikërisht vetëm kështu mund ti mbetemi besnik idealit të At’ Gjeçovit tha në mbyllje të kumtesës së tij.

Prof. Prend Buzhala, “Letësia e At’ Shtjefen Gjeçovit” – Te Gjeçovi dhe vepra e tij, në letrat shqipe është krijuar një paradoks: sado që ka qenë një emër i dashur në të gjitha kohët e në të gjitha meset; sado që ta kenë ndjekur të gjitha regjimet e kohës deri te vrasja e tij; ai njihet më shumë si frat atdhetar, etnolog, arkeolog, madje dhe historian e kronikan e jo si shkrimtar. Madje, ai tashmë është autor që njihet në përmasa evropiane, po edhe botërore, me kodifikimin e kryeveprës së tij jetësore e kombëtare Kanuni Lekë Dukagjinit, si monument i trashëgimisë sonë të së drejtës sonë zakonore e juridike andaj duke pasur parasysh këto që u mbarështuan deri këtu, mund të thuhet se Gjeçovi, megjithatë, hyn në radhën e shkrimtarëve tanë të traditës dhe me veprën e tij letrare zë vendin e vet meritor, krahas shkrimtarëve tanë të Rilindjes e në kapërcyell te Letërsia moderne shqipe tha në fund të kumteses së tij prof. Prend Buzhala. Gjeçovi krijoi poezi, shkroi disa vepra dramatike, krijoi prozë, novelë tregim dhe roman.

Prof. Pal Canaj: “Kushtrimi i Gjeçovit në Zllakuqan dhe jehona e tij gjithandej trojeve shqiptare“ – Zllakuqani dhe banorët e Lugut të Drinit përpos vuajtjeve dhe sakrificave të shumta përgjatë historisë, më plotë të drejtë mund të themi së për nga vlerat e rralla historia në këtë aspekt u tregua shumë bujare, sepse nga ky fshat dhe nga ky vend i shenjtë u lëshua kushtrimi historik i Gjeqovit dhe u dëgjua zëri i paqes nga Nënë Tereza, aktualisht Shën Tereza, e cila vizitoi Zllakuqanin në tetorin e vitit 1982. Dhe, vizita e Shën Terezës Kushtrimit të Gjeqovit i dha hirin e bekimit duke e dimensionuar këtë parim kulmor, prej tokës në kaheje të qiellit ndaj në fund të kumteses së tij prof. Pal Canaj tha se; dua ta theksoj një konstatim të Imzot Nikë Prelës ish ipeshkëv i Ipeshkvisë se Kosovës, i cili ishte njeri ndër miqtë me të çmuar të Presidentit Rugova, me rastin e shënimit të 95 vjetorit të Kushtrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, më 25 korrik te vitit 1992, pikërisht këtu në Zllakuqan pati thënë : Unë sa herë zgjohem në mëngjes i drejtohem fotografisë se Atë Shtefen Gjeçovit me këto fjale : o Gjeçovi i madhe, ti që ke bëre shumë për kombin tonë, unë njeriu i vogël, çka mund të bëjë ndonjë të mirë për kombin tim.

Historiani e studiuesi mr.sc. Kastriot Veselaj pas manifestimit tha: Sot 120 vjet më vonë Zllakquani – Lugu i Drinit – Klina dhe e gjithë Kosova dhe jo vetëm nderuan madhështinë e veprës së Shtjefën Gjeçovit, njëri ndër personalitetet të mëdha të popullit shqiptar me vlera historike, atdhetare e shumëdimensionale që njeh kombi ynë. Rëndësia e kësaj ngjarje historike shënonte kushtrimin historik të Shtjefën Gjeçovit “Të hapim shkollën shqipe”, në fakt kjo njëherësh ishte edhe nje ndër misionet e rilindëseve kombëtar për arsimimin dhe edukimin e popullit shqiptar. Kështu, edhe sesioni shkencor që u dha, dëshmoi këtë, duke qenë edhe shumë i frytshëm me vlera të larta shkencore dhe kombëtare.

Ndërsa prof. Dodë Ndrecaj përmbledhtas nënvizoi se: personaliteti i At’ Shtjefën Gjeçovit për Kishën katolike shqiptare dhe popullin shqiptar në përgjithësi renditet lart në hierarkinë e patriotëve tanë gjatë shekujve nën okupim. I lindur në Janjevë e në shërbim gjithandej trojeve tona ishte një akademi e vogël në vete. At Shtjefën Gjeçovi u arsimua në shkollat françeskane në Shkodër dhe Bosnje, hyri në rendin françeskan më 1888 dhe u shugurua si prift në vitin 1896 në Bosnjë, ku mbaroi studimet e tij të teologjisë. Në Shqipëri dhe Kosovë, ai shpërndau libra në gjuhën shqipe, në kohën kur një aktivitet i tillë ishte ndaluar nga autoritetet osmane. Ai dënonte ashpër bashkëpunimin e shqiptarëve me qeverinë turke në vitin 1906 dhe iu bashkua kryengritjes kombëtare të vitit 1912.

Pak para mbylljes së pjesës së tretë dhe të fundit për të vazhduar me drekën për pjesëmarrësit e këtij manifestimi të 120-vjetorit të shkollës shqipe të Zllakuqanit, ishte famullitari e kryetari i këshillit organizativ don Izak Doda i cili e falënderoi bashkëpunëtorët e tij të Këshillit Organizativ, njëkohësisht ai përmendi kontribut-dhënësit dhe totalin e tyre financiar të dhënë emër për emër, pikërisht ata që sponsorizuan e ndihmuan manifestimin e memorialin tashmë të promovuar At Shtjefën Gjeçovit ndaj përmes një valle të interpretuar nga të dy vogëlushët e “Caritasit” u përmbyll edhe ky manifestim kulturor.

Komentet janë mbyllur.