U PROMOVUA ROMANI “UDHËKRYQI” I SHKRIMTARIT RAMADAN REXHEPI

0
140
Ramadan Rexhepi - Udhëkryqi

Emin Azemi

Shkrimtari Ramadan Rexhepi tha se libri që po ua vëmë në dorë sot ishte i ndaluar të shkruhej dikur. Këtë libër s’duhej ta lexonin shqiptarët. Jam fort i lumtur që sot, shqiptarët e rinj mund të lexojnë mbi të shkuarën e tyre për pa i burgosur e keqtrajtuar njeri, u shpreh ai.

Të premten në Shkup, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (TSHKSH), u promovua romani UDHËKRYQI i shkrimtarit Ramadan Rexhepi, nxjerrë në dritë nga shtëpia botuese AGORAPRINT e Shkupit. Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH, prof. dr. Skënder Asani, falënderoi shkrimtarin Ramadan Rexhepin, për praninë e tij në këtë promovim dhe nënvizoi se vlerat që mbart romani i tij ndërlidhen me pasionin e autorit për të gjurmuar thellësinë e problematikave e ngjarjeve nëpër të cilat kalonin shqiptarët në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë. Një autor i si Ramadan Rexhepi, tha Asani, është modeli i shkrimtarit të përkushtuar ndaj letrarizimit të tematikës kombëtare në një vepër konkrete, siç është romani UDHËKRYQI.

Në kuadër të këtij promovimi prof. dr. Skënder Asani pranoi disa dokumente autentike nga fondi personal i shkrimtarit dhe veprimtarit Ramadan Rexhepi, i cili për gati gjashtë dekada ka mbajtur gjallë shpirtin e mërgatës shqiptare në shtetet skandinave me veprimtari të larmishme kulturore e politike. Disa prej atyre aktiviteteve mbajnë edhe vulën e këtyre dokumenteve, ku spikat kujdesi dhe përkushtimi i tij për të ruajtur letërkëmbimet, procesverbalet dhe shënimet e ndryshme që ai i ka mbajtur përgjatë asaj periudhe të mbushur me atdhedashuri.

Me këtë rast dr. Asani vuri në dukje se ITSHKSH do të pasurohet edhe me një thesar të ruajtur me xhelozi nga shkrimtari Ramadan Rexhepi. Ky thasar tani e tutje do të jetë pronë e Institutit. Ai e falënderoi shkrimtarin  Ramadan Rexhepi për këtë gjest bujar dhe  shprehu bindjen se veprimtaria e tij e pasur do të jetë në të ardhmen  fokusim  i hulumtimeve tona shkencore nga fusha e letërsisë dhe e publicistikës.

Ramadan Rexhepi po i (ri)kthehet lexuesit

Për rëndësinë e botimit të romanit “Udhëkryqi” në Shkup, foli botuesi Emin Azemi, i cili vuri në dukje se vlera e një shkrimtari matet me prurjet dhe risitë që sjell në veprën e tij, kurse një botues do të vlerësohet për cilësinë e përzgjedhjes së veprave që do t’i botojë.

Jam munduar që këtë parim ta zbatoj para se të vendosja ta botoja romanin UDHËKRYQI të shkrimtarit tonë disident Ramadan Rexhepi, vepra e të cilit ende ndodhet e shpërndarë nëpër fjalë dhe dorëshkrime të autorit. Romani, të cilin  po e promovojmë sot, ka një histori interesante, siç janë interesante të gjitha ngjarjet që shënojnë një epokë. Në epokën e letrave shqipe, Ramadan Rexhepi, ka qenë një yll i cili ka shndritur nga një largësi e madhe gati kozmike, për shkak të rrethanave që kaloi autori dhe vepra e tij, e cila nuk arriti të komunikoj në parametra normalë me lexuesin atëherë kur ajo u shkrua. UDHËKRYQI pati një trajektore të gjatë zhvillimi, por nuk e pati komunikimin e duhur me lexuesin, për shkak të statusit të vetë shkrimtarit, i cili nuk e gëzonte lirinë e plotë të përshtatjes në atmosferën krijuese të kohës në Kosovë.”, tha Azemi.

Sipas Emi Azemit,  Ramadan Rexhepi qysh herët shkoi në egzil dhe me vete mori të gjitha të pathënat e vendlindjes, të cilat më vonë do t’i transponojë në veprën voluminoze letrare. Me vete mori edhe motivet, personazhet, peizazhin dhe gjithë dramacitetin e ngjarjeve që do të bëhen strumbullari fabulativ i romanit UDHËKRYQI. Kjo vepër, siç tha ai, ndonëse e pavërejtur nga kritika letrare, mund të jetë dëshmia më e gjallë e një kohe që në letërsi njihet si hija e realitetit, por që në ditët e sotme vjen si një seizmograf që kishte matur me përpikëmëri dridhjet tektonike të një hapësire ku shqiptarët përballeshin me sfidat absurde që nxirrte një regjim totalitar e antinjerëzor.

Vlera kryesore e romanit “Udhëkryqi” është gjuha poetike

Ramadan Rexhepi nisi ta shkruajë këtë roman që në vitin 1957 dhe vazhdoi me vite të tëra, duke e rimarrë e përpunuar disa herë.  E botoi më 2010,  me titullin ”Stina e emrave të bukur ”.  Dorën e fundit i dha në shtator të vitit 2018, duke kthyer dhe titullin e fillimit “Udhëkryqi”, tha studiuesi dhe shkrimtari Anton Nikë Berisha. Sipas tij ajo që bën vlerën kryesore të romanit “Udhëkryqi” është gjuha poetike, është teksti poetik përmes të cilëve Ramadan Rexhepi e ndërtoi botën e veprës së vet, duke i kushtuar kujdes sistemit shprehës poetik: shprehjeve, fjalive dhe pjesëve më të mëdha, nga dalin dhe shpërfaqen mendime të shumta.

“Në roman, siç veproi dhe në tregimet dhe novelat e botuara më 1963, shkrimtari Ramadan Rexhepi i dha përparësi artit, të bukurës përmes të cilave i shqiptoi dukuritë e botës, po dhe tundimet dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të tij e të njerëzve të tij. Ai ishte i vetëdijshëm se arti i mirëfilltë i fjalës e pasuron njeriun shpirtërisht dhe e fisnikëron dhe e bën atë më të qëndrueshëm përballë vështirësive të jetës së përditshme. Duke e parë në këtë rrafsh romanin “Udhëkryqi” mund të thuhet pa asnjë dyshim se ai bën kryeveprën poetike të Ramadan Rexhepit”, nënvizoi prof. Berisha. Ai vuri në dukje se me mënyrën si u qaset dukurive të jetës konkrete, me gërmimin dhe me shpalimin e botës së brendshme të personazheve, të shqiptimit të pësimeve dhe të tragjikave të njeriut tonë në një kontekst konkret shoqëror e politik, sidomos të dhunës që iu bë shqiptarëve nga pushtuesit e nënshtruesit sllavë, Ramadan Rexhepi afrohet me prozatorët e mëdhenj, tanë e botërorë, që e shqiptuan botën në përmasa të gjera dhe të veçanta.

Ky variant i romanit, i përpunuar dhe i ndryshuar nga autori, mund të thuhet se është botim i ti. Shtëpia botuese AGORAPRINT me këtë bltim cilësor i bëri nderim autorit dhe vetë shtëpisë botuese, përfundoi Berisha.

Romani UDHËKRYQI, një vepër epope

Duke folur për vlerat estetike të kësaj vepre, prof. dr. Nehas Sopaj, tha se ngjarjet e romanit UDHËKRYQI zhvillohen në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, kurse ambienti ku i lokalizon shkrimtari ngjarjet, janë Presheva, Kumanova, Gjilani dhe Shkupi, ambienti i Karadakut, i cili qindpërqind paraqet kronotopin e temës: udhëkryqi veri – jug, lindje – perëndim me ngjarjet ndër më dramatiket historike shqiptare të kohës së shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi nga trojet e tyre etnike, nën thundrën e egër çetnike.

“Romani është një ndër veprat epope që merret me aspekte të ndryshme të jetës së përditshme dhe ndriçon fatkeqësitë e shqiptarëve ushtruar nga pushtuesi serb në një periudhë kohore kur ky dhunues historik i bën krimet duke i përmbuluar ato me vellon e Jugovinës, gjegjësisht duke mos i përmendur serbët. Duke qenë i këtillë, romani merret me jetën e përditshme dhe të gjithanshme të popullit, merret me çështje të ndryshme të asaj rezistence të shqiptarëve, përshkruan mentalitetin e Karadakut me veçoritë e ndryshme të tij socio-linguistike të këtij rajoni”, vuri në dukje prof. Sopaj.

Ramadan Rexhepi, model i tregimtarit modern

Mbi bashkëpunimin dhe raportet e tij profesionale me shkrimtarin Ramadan Rexhepi, foli poeti dhe botuesi nga Gjilani, Sabit Rrusemi. Ai tha se fati i romanit “Udhëkryqi” i sapo botuar në Shkup ka fatin e njëjtë me atë të popullit shqiptar në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, e njohur si “koha e Rankoviqit”. Sipas Rrustemit, shkrimtari Ramadan Rexhepi është një nga zërat më  autentik në letrat shqipe, duke veçuar me këtë rast përmbledhjen me tregime “Kumbonaret”, e cila në kohën kur u botua, në vitin 1963, paraqiste një kthesë në mënyrën e të shkruarit të prozës shqipe. Sabit Rrustemi tregoi se meritor për ta njohur Ramadan Rexhepin ishte poeti Beqir Musiu, i cili me një rast i kishte thënë se nuk mund të shkruash tregime pa e lexuar librin “Kumbonaret” të Ramadan Rexhepit.

Në këtë promovim u lexuan me një ndjeshmëri artistike disa fragmente nga romani “Udhëkryqi” nga Xhezide Selimi.

Qysh shkruhet një roman që s’ka shanse të botohet askund?

Vëmendjen e të pranishmëve në këtë promovim e tërhoqi fjala e autorit Ramadan Rexhepi, i cili tha se fjala “udhëkryq” në kuptimin e figurshëm ka kuptimin e gjendjes ku qëndrojmë aty ku kryqëzohen dy rrugë ose dy botëkuptime dhe duhet të vendosim se ç’drejtim do të marrim. Unë vendosa ta përdor këtë fjalë si udhëkryq të kombit, nënvizoi autori.

Ai në vazhdim tregoi se si ka lindur ideja për të shkruar këtë roman.

“Dëshira për ta shkruar romanin “Udhëkryqi” më lindi papandehur, dhe atë, para se të merresha me krijime letrare. Jo se s’dija të shkruaja, por sepse isha nxënës dhe shoqëria që më kishte dërguar në shkollë, nuk më kishte dërguar për të shkruar romane, por për të mësuar si jepet mësim… Fatlumnisht, për të shkruar një libër mbi ata që s’ishin vrarë në luftë dhe ishin katandisur nëpër burgjet jugosllave, s’kisha nevojë të lexoja libra. Ata ishin rritur në lagjen time, ata i dija me emër e mbiemër dhe, vit pas viti, merrja ndonjë lajm mbi vuajtjet e tyre…

Miq të dashur! Kështu ndodhi që unë, një normalist i sapodalë nga bankat e shkollës, fillova të pyes veten se qysh shkruhet një roman që s’ka shanse të botohet askund. Të paktën jo në Jugosllavinë e atij të madhit…Shokut Tito…kjo që kisha shkruar nëpër fletore ishte e ndaluar. Romani si ai që doja ta shkruaja, s’guxonte as të shkruhej, as të lexohej. Jo më të botohej…Kështu shkela në një udhëkryq krijimtarie”, shpalosi këtë pjesë të kujtimeve të tij shkrimtari Ramadan Rexhepi, që ndërlidheshin me parahistorinë e hartimit të romanit të tij “Udhëkryqi”.

Në vazhdim shkrimtari Ramadan Rexhepi tha se është fort i lumtur që sot, shqiptarët e rinj mund të lexojnë mbi të shkuarën e tyre për pa i burgosur e keqtrajtuar njeri, u shpreh ai.

Romani “Udhëkryqi” i shkrimtarit Ramadan Rexhepi shënon edhe startin e shtëpisë botuese AGORAPRINT nga Shkupi, kurse botuesi, Emin Azemi, shpreson se në të ardhmen do të ruajë standardet dhe kriteret e botimit të vendosura me këtë vepër të rëndësishme të letërsisë shqipe.

Kush është Ramadan Rexhepi?

Ramadan Rexhepi u lind më 6 dhjetor 1940 në Preshevë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje. Në vjeshtën e vitit 1959 u punësua si arsimtar i frëngjishtes në Preshevë. Një vit më vonë filloi t’i shkruajë kapitujt e parë të ”Udhëkryqit” të cilët më vonë do t’i ndryshojë rrënjësisht.

Tregimin e parë “Letër vajzës bonjare” e shkroi në moshën njëzet vjeçare (më 1960) , ndërsa tri vjet më vonë (më 1963) e botoi përmbledhjen me tregime e novela “Kumbonaret”.

Në pranverën e vitit 1961 mori pjesë me tregimet ”Kostandina” dhe ”Mal e kishte emrin” në konkursin për tregime të shkurtër, të cilin e kishin shpallur ”Rilindja” dhe ”Zëri i Rinisë.”

Në nëntor të vitit 1963 niset për në Suedi. Aty fillon ta përkthejë tragjedinë e August Strindbergut ”Zonjusha Zhulí” dhe ta rishikojë e përshtatë dorëshkrimin e ”Udhëkryqit” në gjuhën letrare, që tani u ribotua edhe në Shkup.

Në vjeshtën e vitit 1973 ”zbret” në Malme. Gjatë kësaj kohe ai mban shënime të rregullta me titull pune ”Qorrsokaku” të cilat do t’i botojë nëpër faqet elektronike me titullin ”Pulëbardha krahthyer”.

Në dhjetor të vitit 1978,  fillon t’i shkruajë kapitujt e parë të romanit me titullin ”Populli pa Zot”.

Gjatë periudhës 1985 – 1990 me forca të veta e mbajti gjallë emisionin ”Radio Zëri i Kosovës”. Përkrahu me gjithë shpirt forcat që punonin për çlirimin e popullit shqiptar nga robëria serbe . Këtë angazhim të tij mund ta gjejmë te romani ”Dilemat e Emrush Dokos” (1991) dhe në kujtimet e tij ”Gjurmë e gjemba” (2003).

Sapo e ka përfunduar novelën ”Lezet qendra e Sali Babës”.  Një tjetër punim më të gjatë që e ka shkruar, por ende nuk e ka mbaruar është ”Shin d’Abati nga Fa-jaka”. Disa pjesë të këtij romani për të rinj i ka botuar me titullin ”Përjetimet e pashmangshme të Shin Dabatit”. “ZOTI KA TJETËR EMËR”, është romani i tij më i ri.