U BË SHËNIMI I 7 MARSIT-DITËS SË MËSUESIT DHE PËRURIMI I MONOGRAFISË “SHKOLLAT DHE ARSIMI NË KËRPIMEH E RRETHINË PËRGJATË KOHËRAVE” TË PUBLICISTIT TASHMË TË NDJERË, MILAZIM KADRIU

0
388
Milazim Krasniqi - Shkollat dhe arsimi

Zymer Mehani

Sot, më 5 mars 2021, duke filluar nga ora 16:00, në lokalet e SHFMU “HAMIT SEJDIU” të Kërpimehut, në prani të FAMILJES KADRIU, të mësimdhënësve veteranë dhe të kolektivit nxënës-arsimtarë të kësaj shkolle, ku ishin musafirë edhe ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, strukturat udhëheqëse të komunës së Podujevës: nënkryetarja Marigona Lahu, drejtori i DKA-së, Avni Fetahu, z. Idriz Bilalli, hoxhë i respektuar, deputeti Fitim Haziri, poetët Hajrush Redenica e Fatmir Çitaku, u kremtua 7 Marsi-Dita e Mësuesit dhe e Shkollës Shqipe, me ç’rast u përurua edhe libri monografik “Shkollat dhe arsimi në Kërpimeh dhe rrethinë përgjatë kohërave” të publicistit tani më të ndjerë, Milazim Kadriu.

Fjala e recensentit Zymer Mehani për librin në fjalë:

“Para se të fillojmë të flasim për librin, me pak fjalë do ta rikujtoijmë jetën dhe veprën e mësimdhënësit e të publicistit Milazim Kadriu.

Ai u lind në fshatin Revuç. Shkollën fillore e kreu në Kërpimeh e të mesmen në Podujevë. Studimet për Letërsinë e Gjuhën shqipe i vazhdoi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Me shkrime nisi të merrej qysh nga bankat e shkollës fillore. Ishte arsimtar i disiplinuar, gazetar dhe bashkëpunëtor i gazetave dhe revistave të kohës, si “RILINDJA”, “ZËRI I RINISË”, “SHKËNDIJA”, “BUJKU” etj. Gjatë viteve 90 të shek. XX ishte bashkëpunëtor edhe i gazetës kroate FOKUS. Që botohej në Zarë të Dalmacisë.

Milazimi pas luftës punoi në radion lokale të Podujevës RADIO LLAPI, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor. Ishte e dhe anëtar i redaksisë së revistës ALBI.

Si korrespondent nga Podujeva punoi në gazetat GAZETA E RE, EPOKA E RE, 24 ORË, dhe KOSOVA SOT. Ishte bashkëpunëtor edhe i Redaksisë DËSHMORËT E UÇK-së dhe bashkautor i monografgisë FENIKSËT E LIRISË.

Milazim Kadriu shkroi për fëmijë dhe për të rritur.
Ka botuar këto vepra letrare:
“Lindi dielli” (poezi për fëmijë)-2000;
“Flakadani i lirisë” (50 autorë-100 poezi)-2012;
“Tri shkronja” (poezi për fëmijë)-2014;
“Uragani i lirisë” (20 autorë-55 poezi)-2017;
“Refleksione letrare” (kririkë)- 2017;
“Vështrime letrare” (kritikë)-2017;
“Përsiatje letrare” (kritikë)-2018;
“Ata që për liri u flijuan”-2018;
“Një krismë pushke për liri”-2019;

Pas vdekjes së parakohshme, familja dhe miqtë ia botuan librin në dorëshkrim “Zëra gazmorë” me poezi dedikuar fëmijëve, dhe tani në vitin 2021 iu botua edhe monografia, po ashtu e lënë në dorëshkrim SHKOLLAT DHE ARSIMI NË KËRPIMEH E RRETHINË PËRGJATË KOHËRAVE, të cilin po e përurojmë sot.

Libri u botua pa ndonjë ndërhyrje të theksuar në materialet e tij, ashtu siç e la në dorëshkrim vetë autori.

Këtë libër Milazim Kadriu e ka konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pjesën historike, ndërsa pjesa e dytë një leksikon me biografi të mësimdhënësve dhe të punëtorëve tjerë të arsimit që punuan në Kërpimeh e rrethinë prej vitit 1941 deri më sot.
Autori librin e fillon me një pasqyrë të shkurtër për TREVËN E LLAPIT, pastaj me një HISTORIK po ashtu të SHKURTËR për KOMUNËN E PODUJEVËS, duke u ndalë në ZHVILLIMIN DHE ARSIMIN PËRGJATË KOHËRAVE, në veçanti në Kërpimeh dhe rrethinë….

Në një kapitull tjetër, autori Milazim Kadriu do të shkruaj për karakteristika të përgjithshme të BL TË KËRPIMEHUT e për fshatrat që e përbëjnë, siç janë: Dobërdoli, Zakuti, Kërpimehu, Metehia, Repa, Pakashtica e Epërme, Pakashtica e Poshtme, Revuçi dhe Dobratini, duke u fokusuar në temën bosht të librit, që është ARSIMI NË BL TË KËRPIMEHUT PËRGJATË HISTORISË…

Autori shkurtimisht do të shkruajë edhe për Shkollat e Vashave në Vilajetin e Kosovës, për Shkollat e Vashave në Llap, për Shkollën e Vashave në Repë, pastaj për Shkollën Zejtare të Vajzave në Podujevë, për Kolonizimin serb dhe për hapjen e Shkollës Serbe në Kërpimeh, për RRETHANAT NË TË CILAT U HAPËN SHKOLLAT SHQIPE më 1941-42, për rugëtimin dhe vështirësitë e shkollës të Kërpimehut, për Biblioteka e shkollës, për përurimin e godinës së re shkollore këtu etj etj….

Kapitull tjetër i librit është edhe HISTORIKU I ISH-PARALELEVE TË NDARA TË SHKOLLËS SË KËRPIMEHUT, siç janë (tani shkolla të pavarura) SHFMU “Jetullah Gashi” në Dobërdol, SHFMU “Elfir Behrami” në Metehi dhe SHFMU “Esad Mekuli” në Dobratin, për të vazhduar pastaj me pjesët ku flitet për INICIATIVAT, AKSIONET DHE NDIHMAT PËR MBIJETESËN E ARSIMIT, për LARGIMIN NGA SHTËPITË, STREHIMIN dhe për ANGAZHIMIN e banorëve NË LUFTËN ÇLIRIMTARE.

Autori do t’i kujtoj me pietet edhe ish- nxënësit e kësaj shkolle, tashmë dëshmorë të kombit, siç janë: SABIT RRAHIMI, ISLAM REKALIU, ELFIR BEHRAMI, MUHARREM MEHMETI, ADEM GASHI, SELIM REKALIU, MIRSAD GASHI, SHAHIN GASHI ETJ.

Librit vlerën ia shton edhe një ALBUM ME FOTO TË NXËNËSVE TË GJENERATAVE DHE VITEVE TË NDRYSHME gjatë SHËTITJEVE, EKSKURSIONEVE e AKTIVITETEVE TË LIRA PARA DHE PAS LUFTËS SË FUNDIT.

Kurse, siç u përmend edhe në fillim, pjesën e dytë të librit e përbën një LEKSIKONI me biografi të MËSIMDHËNËSVE DHE TË PUNËTORËVE TJERË QË PUNUAN NË SHKOLLËN E KËRPIMEHUT DHE NË PNF TË SAJ prej vitit 1941 gjer më sot, numri i të cilëve e kalon 350-shin, të rendituar sipas rendit alfabetik.

Krejt në fund, në emrin tim SI REDAKTOR GJUHËSOR dhe të z. Fatmir Çitaku si kryeredaktor të këtij libri, u shpreh falënderimet tona FAMILJES së të ndjerit Milazim Kadriu, veçanërisht djalit të tij, Përparimit dhe KOLEKTIVIT TË SHKOLLËS SUAJ, posaçërisht drejtorit z Qefser Behrami për bashkëpunim dhe për besimin që ne të jemi botues të kësaj vepre kolosale.

Librit rrugëtim të mbarë në duart e lexuesve dhe në bibliotekat tuaja e autorit Milazim Kadriu i ndrittë prore në përjetësi ai shpirt i dëlirë e arsimdashës!

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!”