Autor: Agim GASHI, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” – Prishtinë
Redaktor: Rrahman HYSENI
Recensent: Zymer MEHANI
Lektore: Vera PELAJ
VËSHTRIM PËR MONOGRAFINË ”Rilindësi i Okarinës Ilire“ TË AUTORIT. Agim E. Gashi
Shkruan Prof. Zymer MEHANI
Libri “Rilindësi i Okarinës Ilire”, monografi kushtuar mjeshtrit të instrumenteve muzikore, Shaqir Hoti, e botoi SH B “ Atunis“, Prishtinë, qershor, 2017 Kjo monografi është një libër kushtuar artistii tonë të shquar Shaqir Hoti, libër ky që përmban një materie mjaft interesante për personalitetin e artistit tonë, për vendlindjen e tij, Rogovën e Hasit, për jetën e tij, shkollimin dhe përgatitjen prej një artisti të denjë, që prore la gjurmë ku punoi dhe veproi.
Përveç rëndësisë njohëse të zhvillimit të gjithmbarshëm që nga mosha fëmijërore, vitet e rinisë së hershme, shkollimit dhe të shkëlqimit të artistit Shaqir Hoti si dhe të paraqitjes së tij nëpër shumë koncerte brenda e jashtë atdheut, në këtë monografi do të shtjellohen edhe dromca kujtimesh dhe mbresash të miqve, mikeve, familjarëve etj etj për artistin tonë të shquar, që secila prej tyre tregon diçka të dëlirë, të sinqertë dhe plot admirim për artistin Shaqir Hoti.
Në këtë libër monografik autori Agim Gashi ka synuar dhe me sukses ia ka dalur që të evidentojë në mënyrë reale dhe faktike shumë episode nga jeta e artistit Hoti. Librin e fillon me një paraqitje për Rogovën e Hasit, ku u lind dhe u rrit, artisti ynë. Pastaj vazhdon të flasë për fëmijërinë e tij dhe interesimin për muzikën dhe veglat frymore.
“Edhe pse i ri në moshë, Shaqa e ndjente këngën dhe tingullin.
Ai po rritej me muzikën, ngase për model kishte babanë e tij Xheladinin.” do të thotë autori Agim Gashi për artistin Shaqir Hoti.
Pastaj autori Gashi do të na kujtojë edhe fillimet e aktivitetit të artistit me instrumentet frymore, shumë të dashura për të.
“Vëllai i tij i madh Xhelili (baca Lilë), që aktualisht është në moshën 97 vjeçare, tregon se kur Shaqa ishte i vogël, derisa babai luante me instrumente, interesimi dhe përkushtimi i Shaqës për të mësuar të luante me këto instrumente ishte i madh. Ai për orë të tëra rrinte në gjunjë para babës, por me të vetmin qëllim, të mësonte ekzekutimin e instrumenteve muzikore, gjë të cilën edhe e arriti.” do të shkruajë autori Gashi diku në faqet e librit të tij.
Veç elementeve biografike për instrumentistin e shquar Shaqir Hoti, autori i librit do të na paraqesë edhe shumë kujtime të artistëve për artistin Hoti.
Përmes kësaj monografie do të flasin shumë figura artistësh, si këngëtarë, kompozitorë, gazetarë etj etj gjithnjë me nostalgji për ato kohë dhe me admirim të veçantë për artistin instrumentist Shaqir Hoti. Për këtë artist kujtime do të shpalosin, e madhja këngëtare Nexhmije Pagarusha, “Shaqa është i pazëvendësueshëm. Është njeri, të cilit nuk i mungon asgjë.
Isha me fat dhe kisha kënaqësinë që të punoja me të.” do të thotë Bilbili i këngës shqipe. Kujtime do të shpalosin edhe dhjetëra këngëtarë e artistë të tjerë që e njohën dhe punuan me Shaqën, si Ilir Shaqiri, Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza, Ismet Bogujevci, Safete Rogova-aktore, Xhevdet Gashi kompozitor, Valton Beqiri, po ashtu kompozitor, Fatmir Makolli, instrumentist, Mentor MRIPA gazetar dhe këngëtar, si dhe një galeri e tërë artistësh zhanresh të ndryshme.
Autori dhe ne e dimë se për një kalibër siç është artisti Shaqir Hoti, nuk mund të thuhet e tëra me një libër, a po dy, por autorin e mban shpresa që për bacën Shaqë do të shkruhen edhe libra të tjerë. Sepse jemi të vetëdijshëm se lënda e shtjelluar në këtë libër nuk është krejtësisht e plotë. Autorin e kësaj monografie gjithnjë e mban shpresa se me një punë të palodhshme dhe me një angazhim solid në një ribotim të kësaj monografie do t’i përplotësojë mungesat, zbrazëtirat, që për momentin do të vërehen në këtë punim.
Dhe krejt në fund, autorit i themi me dorë në zemër : JU LUMTË ZEMRA DHE PENA për këtë monument kulturor, kushtuar të madhit artist-SHAQIR HOTI……E BACËS SHAQË i urojmë EDHE NJË SHEKULL JETË!