U bë promovimi i dy veprave për fëmijë nga poetja Ymrije Beqiri

0
374
Ymrije Beqiri - promovim

Zymer Mehani

Sot, më 1 korrik 2021, në ambientet e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, në Vushtrri, në patronatin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe të drejtoreshës, Arta Ismajli u bë promovimi i dy librave për fëmijë të poetes Ymrije Beqiri.

Në këtë takim kulturor ishin të pranishëm nxënës, student, mësimdhënës, poetë nga Tirana, Prishtina, Podujeva e Kamenica, pastaj anëtarë të SHKA “Zëri i Llapushës” nga Malisheva dhe artdashës vushtrrias.

Programin e moderoi gazetarja e talentuar Hyrë Tejeci, e cila si gjithmonë shquhet për moderime të shkëlqyeshme.

Për veprat “Nëpër shkronja do shëtis” dhe “Foleja ime” folën z. Hysen Ibrahimi, kryetari i Shoqatës “Papa Klementi XI Albani” Suedi dhe Zymer Mehani, shkrimtar.

Ata në fjalën e tyre theksuan se Ymrije Beqiri është poete që shquhet me talentin dhe stilin e të shkruarit, ngase vargjet që i kultivon, ua nënshtron ligjeve estetike sipas urdhrit teoriko-letrar, duke u dhënë poezive të veta përmbajtje dhe formë. Për këtë autore, poezia është shprehje e drejtëpërdrejtë dhe ndërmjetësuese e ngjarjeve shoqërore e historike.

Hysen Ibrahimi konstatoi se bashkë me elementin e pakontestueshëm kohë, poezia e Ymrije Beqirit ngërthen edhe diçka që e tejkalon edhe kohën dhe është e amshueshme, e pikërisht kjo është përjetësia, duke mbetur prore aktuale, që flet mbi ndryshimet individuale, familjare dhe mbarënjerëzore.

Ndërsa Zymer Mehani, në fjalën e tij theksoi se poetja Beqiri jo rrallë kërkon mirëkuptim mes njerëzish, vëllazërinë kombëtare dhe unitetin kombëtar, pse jo edhe ribashkimin e kombit. Në strukturë të poezive të kësaj autoreje inkuadrohen edhe mjaft elemente të figuracionit poetik, që luajnë rol meditativ e artistik. Po ashtu, në këto poezi gjejmë edhe mjaft simbole e metafora të bukura.

E poet inga Tirana Jahe Fida tha se duke e lexuar poezinë e poetes Ymrije Beqiri, mësojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, autorja është ngritur në bazë të një evolucioni të vazhdueshëm e cilësor, duke e pasuruar gjithnjë opusin e saj poetik.

Pra, poetja Ymrije Beqiri është vetë zëri i ndërgjegjes së Vicianumit, tha Zymer Mehani, i cili konstatoi se kjo autore po e pasuron fondin e letërsisë për fëmijë tek ne…

Siç tha edhe poeti Halil Xani, poetja Ymrije Beqiri na ka dhuruar vargje tejet të bukura duke na ngazëllyer edhe ne të rriturve me magjinë që sjellin shkronjat në botën tonë, e posaçërisht në botën e fëmijëve, ku me fantazinë e saj, vërtet ka shëtitur nëpër kopshtin magjik të alfabetit shqip prej A në ZH.

Promovimin e begatoi me disa pika artistike SHKA “Zëri i Llapushës” me artistët e vegjël, nën përkujdesjen e z. Jakup Krasniqit.