Shkruan Prof. Zymer Mehani
Sot, më 28 prill 2017 në sallën e IAP në Prishtinë, me pjesëmarrjen e poetëve, nxënësve, studentëve dhe dashamirësve të fjalës artistike, u bë përurimi i vëllimit poetik “Sakrificë gërshetash” i poetes, Minire Rukovci-Hyseni.
Këtyre ditëve SHB “PROKULTPRESS” me drejtor Mr. Fatmir Halimi nxori nga shtypi vëllimin poetik ”SAKRIFICË GËRSHETASH” të autores Minire Rukovci.
Takimin e hapi Drejtori i SHB “PROKULTPRESS” Mr. Fatmir Halimi, i cili i përshëndeti të pranishmit në sallë. Z. Halimi theksoi se ndjehet vërtet mirë, kur ka bashkëpunim me poetë dhe poete të talentuar, siç është edhe Minire Rukovci.
Shkrimtari Fadil H. Curri në fjalën e tij theksoi se Poetja Minire Rukovci lexuesve ua dhuroi një përmbledhje poetike nëpërmjet së cilës tani më ka ndërtuar raporte ndërlidhëse me lexuesit e saj të shumtë. Poezitë e zonjës Rukovci në këtë vëllim, theksoi z Curri, janë lirike me reagime emocionale, në të cilat dominon optimizmi, dhimbja, humaniteti etj. Vargjet nga pena e poetes Minire Rukovci rrjedhin krejt natyrshëm, përfundoi z. Fadil Curri.
Për veprën e poetes Minire Rukovci foli edhe krijuesja Mevlude Mezini Saraqi, e cila e vlerësoi lart kulturën gjuhësore dhe ndërtimin e vargut të poetes Rukovci.
Vargje nga vëllimi “Sakrificë gërshetash” deklamuan Saranda Halimi, nxënëse nga Podujeva dhe e bija e poetes, Qëndresa HYSENI, që ishte edhe moderatore e takimit.
Më gjerësisht për veprën në fjalë foli recensenti i librit Prof. Zymer Mehani, i cili theksoi se Minire Rukovci është e lindur në fshatin Halabak të Podujevës në familjen atdhdhetare Rukovci.
Poezinë e filloi në bankat e para të, ku edhe botimet e poezive të saj filluan po atëherë në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe pastaj në: ,”Shkëndia”, “Bota e re” “Kosovarja” në të përditshmen “Rilindja” etj.
Minirja është autore në shumë antologji si në: “Antologjia e poezisë moderne”, në përmbledhjen “Alepo”, “Malli poetik i kosovës” “Shqipëri” e shumë të tjera. Është praqitur vazhdimisht në tubime dhe orë letrare, ku edhe dallohet si interpretuerse e mirë!
Njihet si talente edhe në shumë arte tjera e veçanërshit në art figurativ, ku për punimet e saj u shpërblye në shumë paraqitje!
Minirja jeton dhe vepron në Prishtinë, në një familje të lumtur, së bashku me bashkëshortin, kanë tre fëmijë të rritur dhe të arsimuar.
Poetja Minire Rukovci-Hyseni në përmbledhjen poetike “Sakrificë gërshetash”, na e paraqet botën e saj poetike me rrjedha normale dhe me angazhim krijimtar të sintetizuar, me laryshi tematike dhe me artikulim poetik, të pajisur me motive dhe ide poetike të realizuara estetikisht.
Si për shumë poetë të tjerë, edhe për poeten Minire Rukovci, botë e madhe dhe temë tejet e veçantë edhe është vendlindja, së cilës i këndon me të gjitha problemet, kujtimet, ëndrrat, heroizmin e qëndresën nëpër shekuj deri më sot. Është kjo një botë poetike dhe një motiv i dashur për poeten, që vazhdimisht na përcjell në shumë poezi të përmbledhjes në fjalë:
O vendlindja ime je e shenjtë për mua
Shpirti më freskohet sa herë të kujtoj
Asnjë vend në botë sikur ty nuk dua
zemra më qetësohet sa herë të vizitoj
(“Vendlindja ime”)
Me dashuri të madhe poetja Rukovci do t’i përjetësojë në vargjet e veta edhe shumë figura dëshmorësh, siç janë Besnik Restelica, Naser Sekiraça, Muharrem Mehmeti, trimi Ukshin Kosumi, dëshmoret Ylfete Humolli e Antigona Fazliu etj.
Për Ylfeten poetja do të tregojë:
Në protestë e vranë të voglën Ylfete Humolli,
I tregoi armikut që s’do ta durojmë,
-Kështu vdesin bijtë dhe bijat e këtij trolli,
Por regjimin tuaj kurr s’do ta pranojmë.
(“Sakrificë gërshetash”)
Ndërsa për dëshmoren Antigonë Fazliu do të thotë se:
Luftoi sypatrembura e vogla Antigonë
Si një yll shëndriti në radhët e ushtrisë
Jetën që e fali për atdheun tonë
Kosova e quan “BUKUROSHJA E LIRISË”
(“Bukuroshja e lirisë”)
E për dëshmorin e lirisë, Muharrem Mehmeti. Poetja Minire Rukovci do të sqarojë:
I riu Muharremi na shkruajti një letër,
Kosova jonë e dashur kërkoka pasuri tjetër.
-Ju përshëndes të gjithëve, më së shumti nënën,
Por s’mundem t’ia duroj më Kosovës gjëmën.
S’mund të qëndroj më këtu për t’fitua pare,
Dua t’i bashkohem Ushtrisë Çlirimtare.
(“Muharrem Mehmeti”)
Një poezi, ndër më të bukurat të poetes Rukovci, që na rikujton shumëçka nga ditët e stuhishme të luftës, është edhe poezia “Nëna dhe fëmija”, në të cilën nëna është personifikim i të gjitha nënave kosovare që sakrifikuan shumë për familjet dhe fëmijët e vet, madje deri në flijim.
Në këtë poezi kemi një dialog të zhvilluar mes fëmijës dhe nënës, kur në rrethana dhe kushte të vështira, nga vuajtjet dhe nga frika, tek fëmija nxitet kërshëria për të pyetur të ëmën për atë situatë të pazakontë.
Të goditura janë vargjet, ku nëna i shpjegon të birit se armiku edhe pse i armatosur gjer në dhëmbë, ai do të mundet, sepse “zemra e tyre është si zemër lepuri” dhe agimi i lirisë, në saje të trimërisë dhe sakrificës së UÇK-së, është afër :
Ushtarët e armikut kanë dhe rroba hekuri
Por zemra e tyre është si zemër lepuri
Zemra e UÇK-së është sikur çelik
Po i bën ballë armikut, në këtë mot të lig
-Qëndro biri im, qëndro edhe pak
Çlirimi i Kosovës, tani është në prag.
(“Nëna dhe fëmija”)
E shtrirë tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë frymëzimi, poezia e poetes Minire Rukovci do të zërë të kridhet herë-herë edhe në kthim retrospektiv. Në këto suaza preokupimi krijues i kësaj poeteje do të përpiqet që t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit të vargut të saj. Kujtimet, ëndrrat, vetmia, dhembja, dashuria prindore, gjësendet e moçme, si llampa e kasollja do të bëhen fjalë kyçe të poezisë së autores.
Ja një kujtim i bukur nga e kaluara jonë, që çdonjërit prej nesh na mallëngjen:
Sa më pëlqen kur të shoh, moj llampë,
Truri më sjell shumë kujtime,
Sikur jam mes tridhjetë anëtarësh,
Kur ka qenë fëmijëria ime!
(“Ah, moj llampë e moçme”)
Në vargjet e poetes Minire Rukovci vërehet qartë preokupimi imagjinativ me jetën në tërësinë e saj dhe në nuancat e mbajtjes së saj. Në disa poezi ky preokupim herë-herë merr edhe intonacion nostalgjik, por fatmirësisht asnjëherë nuk përshkohet me pesimizëm.
Ngase jeta identifikohet nëpër shumë forma të përmbajtjes së saj, në shumë sprova, shqetësime, vuajtje, dhembje, vizioni poetik i Minire Rukovcit ia del që t’ia kthejë jetës shpronësimin shpërtëror, ta vërë në lëvizje frymën qëndresatare për të vazhduar përpara pathyeshmërisht.
Në poezinë e Minire Rukovcit do ta hasim edhe motivin e qytetit, që është edhe preokupim poetik i poetes.
Në çdo familje gjenden
Nga dy-tri makina
Secili për vete
Do që të jetë pronar
Kështu është bllokuar
Pra edhe Prishtina
S’ke kah të kalosh
Zoti na bëftë çare
(“Si mund të ketë shëndet”)
Në vargjet e veta poetja Rukovci ka ravijëzuar edhe figurën engjullore të mbesës së vogël dhe simpatike, Hirës. Kjo vogëlushe:
… është shumë e vogël
Me të madhin emër
E shoh që leximin
E adhuron me zemër
Të gjithë emrin Hira
E dini çdo të thotë
Shpella ku KUR’ANIN
E zbrit i Madhi Zot(“Hira”)
Në shtegtimin e saj poetik, poetja Minire Rukovci i këndon edhe shpresës për një jetë të re dhe ëndrrës së papërfunduar për dashuri ndaj njeriut, ndaj atdheut dhe respektit ndaj dëshmorëve, duke u përpjekur që ta zbulojë e ta pasurojë kuptimin e jetës, duke mohuar vese dhe duke pranuar virtyte.
Gjuha e poezisë së poetes Minire Rukovci është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma, përveç katër poezive, të cilat i ka shkruar në dialektin gegë. Vargjet janë të thurura bukur me figuracion poetik.
Dhe krejt në fund, poetes Minire Rukovci ne i urojmë suksese të mëtejme në rrugëtimin e saj poetik me frymëzime të bardha, ndërsa ty lexues i dashur, të urojmë lexim të këndshëm kudo që të jesh!.
Prof. Zymer Mehani
Podujevë, më 17 mars 2017