Shkruan Zymer MEHANI
Sot, më 16/07/ 2018 (E hënë), duke filluar në ora 13:00, në INSTITUTIN ALBANOLOGJIK, Prishtinë u bë përurimi I romanit “Dashuri në kohë lufte” I shkrimtarit Sahit Shala. Ky përurim u bë në kuadër te projektit “Festivali Kombëtar i Letërsisë dhe Ditët e Diasporës” të Shoqatës kulturore “PROKULT”. Programin e hapi Mr. Fatmir Halimi , drejtor I OJQ PROKULT, i cili pasi i përshëndeti pjesëmarrësit, ndër të tjerash tha se Sahit Shala jeton dhe vepron në Norvegji. Autori i librit ka ardhur enkas në Kosovë pas thirrjes sonë që të jetë i pranishëm në përurimin e romanit të tij.
Shkrimtari Rrahman Hyseni në fjalën e tij foli për biografinë e autorit. ai ndër të tjerash tha “Sahit Shala është një poet dhe autor këngësh i njohur. Është lindur në fshatin Dubovik të komunës së Deçanit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, pastaj i ka vazhduar mësimet në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ka vazhduar mësimet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës për një vit, si student në Degën e Gjuhës dhe të Letësisë Angleze, mandej ka vazhduar studimet edhe për tri vite të tjera, në Degën e Gjuhës dhe të Letësisë Shqipe.
Në vitin 1989 ka emigruar në Norvegji, bashkë me familjen e tij. Pas shkuarjes në Norvegji, ka punuar si mësimdhenës në gjuhën shqipe për dhjetë vjet me radhë. Ndërkohë ka studiuar edhe për tri vite të tjera në drejtimin e pedagogjisë pranë (UIA-Universiteti Agder) në Kristiansand. Tani punon si mësimdhënës në gjuhën norvegjeze.
Në vitin 2000 ka botuar përmbledhjen me titull “Lahuta e Kosovës”, kurse në vitin 2015 përmbledhjen me titull “Zëri i shtegtarit”. Në fillim të vitit 2016 ka shkruar përmbledhjen “ Malli e brenga”. Tani në proces të botimit ka përmbledhjen me poezi “Valët e jetës” nga Shtëpia Botuese “PROKULTPRESS” e Prishtinës!
Poeti Sahit Shala jeton dhe vepron në Norvegji.”
Ndërsa recensenti i romanit “Dashuri në kohë lufte” të shkrimtarit Sahit Shala tha “ Romani “Dashuri në kohë lufte” trajton temën e luftës. Skajet e tij kapin periudhën më dramatike të shqiptarëve të Kosovës, vitet 1998-1999, kur edhe shpërtheu lufta kundër okupatorit serb. Shkrimtari Sahit Shala në shumëdimensionalitet paraqet zhvillimet e kësaj periudhe, duke pasqyruar rrezikun që i kanosej qenies sonë kombëtare në këto hapësira, që vinte nga sistemi okupues, duke i kaluar kufijtë e dhunës, për të arritur deri në gjenocid. Lajtmotivi i romanit është qëndresa e njerëzve të lidhur për truallin e vet, qëndresa e bijve dhe bijave më të mira të popullit kundër armikut qindvjeçar, deri në luftë të armatosur. Është meritë e zotit Shala pasqyrimi i kësaj periudhe duke e lartësuar madhështinë e saj.
Në roman, në tablot që i paraqet autori, zotëron atmosfera e luftës, guximi dhe vullneti i luftëtarëve, optimizmi dhe bindja e fitimit të lirisë. Personazhet janë tipa të zgjuar, trima, të ndershëm, të guximshëm që në çdo çast janë të gatshëm të flijohen për liri të atdheut.
Mund të themi se romani “Dashuri në kohë lufte” i shkrimtarit Sahit Shala bart një copë jete dhe sjell tipa personazhesh të veçantë. T’i kujtojmë Veselin e Sokolin, Dianën e Besën, Zanën e Yllin dhe një galeri të tërë personazhesh të tjerë që e përshkojnë romanin, ku secili është botë në vete, më trim a trime se tjetri, më i mençur po ashtu dhe më atdhetar sa s’ka.
Me interesim të veçantë autori ravijëzon figurat e luftëtarëve të rinj, brezit të ri si faktor madje jetik dhe vendimtar për arritjen e fitores. Kështu shkrimtari ia ka dalë që me sukses të pasqyrojë unitetin e brezave në flakët e luftës për liri. Falë guximit, vendosmërisë dhe sakrificës së tyre, ndodhi që në Betejën e Koshares, më 9 prill 1999 të thyhet triumfalisht kufiri famëkeq shqiptaro-shqiptar. Autori Shala sjell material jetësor nga faza vendimtare e Betejës së Koshares dhe Operacionit “Shigjeta”. Me përshkrimin e kësaj ngjarjeje, autori ka dashur të paraqesë dy aspirata të luftëtarëve dhe popullit, e para, të hiqet guri ndarës kufitar me çdo çmim, dhe e dyta, doemos të fitohet liria, po ashtu me çdo çmim, që duhet të na dergojnë deri në Ribashkim Kombëtar, që është e drejtë legjitime e kombit tonë.
Që në faqet e para të romanit vërehet se z. Shala i ka vënë qëllim vetes ta paraqesë rolin historik të UÇK-së në luftë për çlirim. Nisur nga ky pikësynim ideoartistik, ai e ka zënë fillin e subjektit në vitin 1998, kur situata e gjithmbarshme në Kosovë ishte e tensionuar tej mase për shkak të represionit sistematik ushtarako-policor që po shtronte Serbia padrejtësisht në këto hapësira. Pikërisht në këtë amulli, në këtë kohë të pakohë, nis veprimin edhe grupi i studentëve të rinj, Veseli, Sokoli, Diana, Besa e shumë të tjerë, të cilët shkrimtarit i kanë shërbyer si mishërim i tipareve të të rinjve tanë, që lanë auditoriumet e studimet dhe shtegtuan drejt shtigjeve në luftën për liri, duke u rritur e kalitur në flakët e saj.
“Dashuri në kohë lufte” është roman me temë historike, ku shkrimtari ka dhënë një tablo mjaft të gjerë të atmosferës në prag dhe gjatë luftës. Lidhjet dashurore të Sokolit me Dianën, që të dy pasardhës familjesh atdhetare, njëri nga Rrafshi i Dukagjinit, e tjetra nga trualli i Drenicës Qëndrestare i kanë shërbyer shkrimtarit për të paraqitur idenë e unitetit të viseve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë në luftën për çlirim. Sokoli është gjithnjë e më i vetëdijshëm se për interesat e popullit ia vlen të sakrifikohet, çka edhe e dëshmon plaga e tij e marrë në luftë. Ky është një konstatim i rëndësishëm, një tipizim i fortë letrar artistik.
Po ashtu edhe Diana gjithnjë është e bindur se fatet e atdheut duhet të vëhen në dorën e tyre, në pushkët çlirimtare të UÇK-së, duke pasur parasysh forcën e popullit, të udhëhequr nga atdhetarët Komandant Adem Jashari, Agim Ramadani, Sali Çekaj e shumë të tjerë. Vetëdija për drejtësi dhe rezistencë të armatosur i bën më me peshë figurat e Sokolit dhe të Dianës, qëllimi përfundimtar i të cilëve është lufta e pakompromis deri në çlirim definitiv nga okupatori serbo-sllav, por padrejtësisht dhe fatkeqësisht rrugët e këtyre dy të rinjve do të ndahen, ngase Sokoli nga plagët e marra, duhet të kërkojë shërim në Shqipëri, e prej andej në Munchen të Gjermanisë, ndërsa Diana do të vazhdojë të jetë në shërbim të atdheut, duke ushtruar rolin e motrës medicinale, gjithnjë në shërbim të vëllezërve dhe motrave të saj-ushtarë, por edhe të popullatës civile pa përjashtim, që ua mëkoi plagët e luftës nëpër spitalet e improvizuara në malet e Kosovës, me profesionalizëm, por dhe me butësi zemre…..
Dhe fare në fund, unë në emrin tim, në emrin e SHB PROKULTPRESS” me drejtor z. Halimin dhe në emrin e pjesmarrësve në këtë takim, juve z Shala ju uroj nga zemra për këtë vepër monumentale, duke shpresuar se pena juaj e artë edhe në të ardhmen do të na dhurojë këso perlash me ngjyrime krejt kombëtare. Urime, miku ynë! “