Nga Mero Baze – TemA
Ka dy debate që po ngatërrohen qëllimshëm rreth Prek Calit dhe trashëgimisë së tij politike dhe pasurore. Debati për trashëgiminë politike të tij nuk do të shpërthente, sikur një grup uzurpuesish, të mos përpiqeshin të fshihnin një krim. Krimi është prishja e kullës së tribunit popullor Prek Cali.
E vërteta është se kulla e Prek Calit, është shembur në mes të muajit gusht dhe jo në mes të muajit shtator, kur po bëhet zhurma.
Ajo, sipas fotografive të fundit të saj, ka qenë në këmbë deri në fillim të verës, kur një grup që “thirret” në emër të trashëgimisë së tij politike, ka shkuar dhe e ka shembur në tokë me pretendimin se do të ndërtonte një kullë të re, pa marrë dot leje, ngaqë nuk janë pronarë të asaj kulle. Pronari për fat është gjallë, është nipi i tij dhe është mbi 90 vjeç.
Krimi është se këta njerëz nuk janë arrestuar për prishje të një prone që nuk është e tyre, dhe mbi të gjitha që ka një vlerë historike, pasi lidhet me një figurë me rrezatim të fortë në vetëdijen e Malësisë.
Një muaj më pas, në mes të muajit shtator, Bashkia ka guxuar të prishë ndërtimin e ri pa leje të tyre, ndërkohë që ata duhen paditur fillimisht për prishjen e kullës së Prek Calit, e cila nuk është pronë e tyre, por është objekt zaptimi i tyre.
Për ta fshehur krimin, ata u sollën njësoj si ata trafikantët e hashashit, që kur u afrohej policia, i vinin zjarrin. Edhe ata, kur e panë që doli në shesh krimi i tyre i prishjes së kullës, e spërkatën debatin me antikomunizëm, dhe e devijuan atë nga fakti që kanë prishur kullën e një tribuni popullor me vlera historike për zonën, në faktin e sajuar, sikur Bashkia ka shkuar aty të prishë kullën e Prek Calit që ata po e rregullonin.
Në fakt, nëse ka një përgjegjësi ligjore Bashkia, ka që nuk i ka paditur këta persona kur kanë prishur kullën e Prek Calit, por ka kohë, mund ta bëjë dhe tani, duke e regjistruar si vepër penale.
Pjesa tjetër e përpjekjes për ta kthyer në debat politik, është thjesht një përpjekje batakçinjsh, që në mendje kanë zaptimin e kullës së Prek Calit dhe kanë vënë maskën e antikomunistit në kokë, me shpresë se kështu do t’ia arrijnë.
Dhe në një farë mënyre, patën sukses, nga fakti se këtu shumica e njerëzve duan protagonizëm publik dhe nuk duan ta shikojnë të vërtetën siç është. Para se të pyesin se çfarë ka ndodhur, filluan spekulimet politike. Dhe në këtë grackë ra si partia më e madhe e opozitës, ashtu dhe të majtë të thekur, që mezi presin të gjejnë diçka kriminale tek çdo antikomunist, për ta balancuar historinë e krimeve të komunizmit.
Partia Demokratike, e cila është katandisur që e marrin zvarrë në betejat e tyre gjithë delirantët, mitomanët dhe batakçinjtë e Shqipërisë, herë duke e çuar në luftë kundër Sorosit, herë duke e çuar në luftë kundër Ruçit, e herë duke e gënjyer me Prek Calin, në fakt duhet të ishte treguar më seriozja, pasi ka aty dhe një bastion politik. Ajo nuk duhej të tallej me Tom Doshin që i “del zot kullës” së prishur, por duhej të tregonte që së paku njerëzit afër tij, e kishin prishur. Dhe pastaj kishte kohë të hynte në debatin, a ishte patriot apo kolaboracionist Prek Cali.
Po ashtu dhe këta që filluan t’i numërojnë partizanët e vrarë nga Prek Cali, ranë fiks në grackën e këtyre batakçinjve, dhe forcuan pa dashje idenë se kullën ia ka prishur qeveria, meqë ai paska qenë vrasës partizanësh. Në fakt, ata që prishën kullën, nuk kanë lidhje, as me qeverinë, as me opozitën, por me planet e tyre për të përdorur historinë e kullës dhe Prek Calin, për të bërë biznes me ndonjë hotel apo restorant aty.
Ky nuk është debat për historinë politike të Prek Calit, por trashëgiminë fizike të pasurisë së tij, të cilës ja kanë vënë syrin disa batakçinj dhe mendojnë se mund të mbrohen në emër të antikomunizmit të Prek Calit.
Debati për historinë politike të Prek Calit është i hapur dhe i lirë prej vitit 1990. Ai është rehabilituar si shumë personalitete të historisë sonë, dhe shtatorja e tij gjendet në mes të Shkodrës. Kushdo që ka vërejtje apo adhurim për personalitetin e tij, po ashtu është i lirë t’i thotë e t’i shkruajë.
Kjo nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur. Ajo që ka ndodhur është një krim, dhe kur është zbuluar, është tentuar të spërkatet me antikomunizëm, për të dalë tym e për të mos u marrë vesh kush e bëri. Në fakt dihet kush e ka bërë, dhe Prokuroria duhet t’u tregojë vendin që u takon, sipas ligjit.