TY TË VIJË TURP DHE JO MUA!

0
609

AV. XHABIR ZEJNUNI

Për Genti Strazimirin.

Sot, ti mua më the disa herë që “të kem shumë turp”, për nga mënyra (dhe interesi!) se si e shikon ti demokracinë.

Por, nga mënyra se si e shikoj unë demokracinë, je ti që duhet të bëhesh i kuq(!) nga turpi. Nëse ja arrin dot!

Duhet të kem unë turp, apo ti që e ndryshove si kusar Kushtetutën në vitin 2008 (neni 64, par. 1), duke e zhvlerësuar kështu votën time dhe duke i mundësuar kështu vetes tënde, që falë rreshtimit si partizan në radhët e para të listës (së Kryetarit të Partisë!), të kesh të sigurtë mandatin e deputetit?

Duhet të kem unë turp, apo ti që ndër 48 muaj vetëm 2 muaj vjen e rrin “gju më gju” me mua, duke më ofruar në këtë rast edhe ndonjë “petull” për të ngrënë?

Duhet të kem unë turp, apo ti që vjen e më troket në derën time, që unë të punësoj ty në Parlament, në mënyrë që ti në emër dhe për llogarinë time të ushtrosh aty sovranitetin tim?

Duhet të kem unë turp, apo ti që më shumë nuk shkon në Parlament, por rrogën e merr deri në qindarkën e fundit prej meje?

Duhet të kem unë turp, apo ti që mungon në Parlament 6 muaj rresht (pa 15 ditë!) dhe përsëri unë të jap rrogën ty deri në qindarkën e fundit?

Duhet të kem unë turp, apo ti, që kurrë nuk i lexon mesazhet e mia apo nuk më hapën celularin?

Duhet të kem unë turp, apo ti që me kundërshtarin tënd politik natën han dhe pin, ndërsa ditën bën sikur grindesh me atë?

Duhet të kem unë turp, apo ti që vend pune konsideron rrugën dhe jo Parlamentin?

Duhet të kem unë turp, apo ti që e prishe kontratën tonë në mënyrë të njëanshme?

Duhet të kem unë turp, apo ti që delegjitimove mandatin tim, pa dijeninë dhe pa dashjen time?

Në fakt, edhe unë pak turp duhet ta kem, nëse një personi si ti i delegoj mbrojtjen e interesave të mia sovrane. Kaq poshtë të kem rënë vallë unë?!

Pyetja e fundit.
Kur ta dhashë unë ty FIRMËN time, duke bërë që ti të “digjje” mandatin tim?