TRUMP PUNOI MIRË DERI PARA SE TË FILLONTE CORONAVIRUS…

0
446

Arben Çokaj

“NUK KANË JETUAR AMERIKANËT ASNJËHERË MË MIRË, SE NË KËTO 3-4 VJETËT E FUNDIT” – më thotë pak a shumë një mik nga New York, i cili mendoj se flet seriozisht dhe paanshmërisht.

Arben Çokaj
Arben Çokaj

Politikat dihet se janë të ndara në dy krahë politikë, republikane e demokrate. Republikanët e promovojnë politikën e Trump, edhe nëse ai bën gabime, kurse demokratët e shajnë dhe e sulmojnë Trump edhe kur ai punon mirë, e sidomos kur punon mirë. Kështu që ruajtja e ekuilibrit në këto raste, nuk është aspak e lehtë. Zhvillimi ekonomik amerikan gjatë këtyre viteve, lënia e Kinës prapa me rreth 6 trillion dollarë në GDP, punësimi dhe hapja e vendeve të reja të punës dhe prodhimi i madh, ishte një sukses i padiskutuar i Presidentit Trump.

Por ajo që kam vënë re në Amerikë, ato ditë që ishim atje dhe e vizituam atë vend të madh, e kjo nuk është sipërfaqësore, por e mbështetur edhe mbi studime të ndryshme, është se në Amerikë punohet shumë, por taksat e banimit etj. janë tepër të larta, investimet publike, rrugët e qytetet, etj. nuk mbahen edhe aq mirë, sa të shkon mendja se duhet të mbahen për vendin më të fuqishëm në botë. Ekzistojnë mundësi të mëdha në atë vend, për të fituar, por edhe rreziku është tepër i madh, për të dështuar në jetë!

Ka një diskriminim të ndjeshëm social dhe ekonomik. Dhe kjo të lë një shije zhgënjyese. Askush nuk proteston për taksat e larta, që e varfërojnë përditë shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë, për numrin e madh të të pastrehëve, mbi 500 mijë gjithsejt në SHBA, si dhe pasigurinë e madhe, që ka shoqëria amerikane, saqë AOC shprehet, se është një vend i ashpër dhe i vrazhdë, jo i civilizuar. Një punonjës i thjeshtë krahu (i pakualifikuar), e kupton modelin amerikan të exceptionalism (jashtëzakonshmërisë): “Këta të përdorin sa ke energji, t’i shtrydhin energjitë, dhe pastaj të hedhin si limon…” Në Amerikë del më shumë në pah fenomeni, ku njeriu vlerësohet më shumë si “kafshë pune“, se suistemet sociale kanë ardhur duke e zbutur disi këtë koncept.

Vihet re lehtë racizmin që ekziton në atë vend, i cili padyshim që nxitë edhe konfliktet sociale. Mendohet se Trump ka ardhë duke e rritur këtë ndjenjë raciste, me ose pa qëllim, me anë të pushtetit të tij, duke theksuar supremacinë e racës së bardhë, e cila ka inspiruar shumë të bardhë ekstremë në të gjithë botën, deri edhe te ‘gjigandi’ Cako.

Pastaj reagimi disi i mefshët ndaj rrezikut të Corona Virus Covid-19, ishte për t’u habitur, pasi vdekshmëria në Amerikë iu afrua Suedisë për njësi, por nuk të habit ky fakt edhe aq. Duke e parë shoqërinë amerikane disi të hallakatur, se si është ndërtuar e si funksionon, shkalla e lirisë, mënyra e organizimit disi jo-homogjen, për shkak edhe të numrit të madh të racave në atë vend, e kupton se Covid-19 është në të vërtetë një sëmundje shkatërruese për atë vend, për popullsinë dhe ekonominë amerikane. Pasi korona virus kapë secilin, por më shumë i sulmon shulakët dhe shoqëritë e pakujdesshme.

Trump mori masa më shumë ekonomike se sa mjekësore e shkencore në këtë rast, në përballje me këtë “armik të padukshëm” dhe të rrezikshëm. Kjo të lë pa fjalë, se numri i madh i vdekjeve po ia kalonte çdo lufte për amerikanët. Ndikimi i kësaj, i efektit korona pra, i rritjes së pasigurisë për jetën, se sot je, e nesër nuk je, nuk ka dyshim se ka ndikim edhe në trazirat e kohëve të fundit, që filluan pas një vrasjeje mizore nga policia të një njeriu me ngjyrë, George Floyd në Minneapolis. Gjë që tregoi se sa vlerë reale ka edhe njeriu në atë vend, aq më tepër njeriu me ngjyrë.

E shoqëruar kjo edhe me mënyrën se si Grenell dhe administrata Trump po e trajtonte çështjen e Kosovës, se Trump nuk ka edhe aq kohë të futet në detaje për një vend të vogël si Kosova, por kritikat që iu bënë administratës së tij nga demokratët si Albright e Engel, se ai po i ikën politikës bipartizane në Kosovë, ishte në fakt një ndjesi e keqe, se SHBA po mban anën e Serbisë në këtë raport mes Kosovës dhe Serbisë, ku ndihma dhe mbështetja amerkane për shqiptarët, ka qenë themelore.

Pra, ishin dy gjëra kryesore, që lanë një shije tepër të keqe në lidhje me Trump, reagimi i tij i mefshët ndaj koronës, varja, sikur s’ia ndien fare se po i vdesin njerëz, sikur vetëm dollarët vlejnë edhe në këtë rast, duke harruar anën njerëzore e profesionale, dhe më pas marrja e një pjese të shërbimeve të tij me budallallëqe, që frymëzuan teoritë konspirtative të tru-shpërlarjes, sikur po krijohet një fe e re, në luftë kundër vaksinës e marrëzive të tjera; si dhe qëndrimi i supozuar, se ende nuk ka dalë qartë në dritë projekti ndaj Kosovës, bëri që unë e disa tjerë, të jemi të rezervuar në lidhje me mbështetjen morale e publike, që i kemi dhënë në vazhdimësi Presidentit Trump dhe punës së tij. Ishin dy zhgënjimet e para, që provuam nga politika e Trump, e thashë me vete, “po këtij nuk ia ndien për popullin e vet, a thua po ia ndien për të tjerët a?!

Deri para se të fillonte kjo pandemi me corona virusin, Trump ishte në lartësinë e duhur, dhe dukej e sigurtë fitorja edhe e një mandati të dytë. Tani ka dyshime. Në jetën e tij, Trump ka patur ngjitje të mëdha, por edhe rënie drastike drejt falimentimit. Kjo të krijonte përshtypjen, se ai e ka në karakterin e tij, në fatin e tij, arritjen e rezultateve të larta, por rri aty si hije e zezë dhe përgjon dështimi i madh. Tani mbetet për të parë, a thua Trump “e takoi Waterloo-në e tij“*), me këtë pandemi dhe me këto trazira të mëdha, që kanë shpërthyer në Amerikë, ku padyshim luan rol edhe politika liberale?!

*) Waterloo – vendi ku pësoi disfatë Napoleon Bonoparte, ka hyrë në histori si koncept politik “meet the Waterloo” = takim me dështimin… (Beteja e Waterloo u luftua të dielën, 18 Qershor 1815 pranë Waterloo në Belgjikë, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Hollandës në atë kohë. Ushtria franceze, nën komandën e Napoleon Bonaparte u mund nga dy ushtritë e Koalicionit të Shtatë.)