TRUMP, AMAN, NA LEJO T’IA JAPIM PAK TOKË SERBISË…

0
525
Arben Çokaj

E Trump çfarë të bëjë?

Arben Çokaj

Kështu duket nga jashtë, se po luhet loja në procesin e “korrigjimit të kufinjve” me Serbinë.

Gjykata Speciale në Hagë, me ato që dëgjojmë e lexojmë në media, është një kërcënim edhe për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Flitet dhe aludohet se serbët i kanë dosje Hashimit, me të cilat e kërcënojnë dhe e mbajnë nën presion.

Sa është e vërtetë, kjo nuk dihet. Por ajo që dihet është se Hashimin e ka futë dikush në lojë, që të marrë i pari iniciativën, edhe para serbëve, për të dalë me propozimin për “korrigjimin e kufinjve” me Serbinë.

A është kjo një ide e mirë? Është po aq e mirë sa ç’ishte edhe dhënia e 8200 ha territor Malit të Zi. Kosova ka një sipërfaqe toke që është rreth 4 herë më pak për banor se Mali i Zi. Atëherë për cilën arsye, ajo u desh t’ia jepte Malit të Zi një sipërfaqe të tillë?! Këtë mund të na e sqarojë më mirë diplomati gjenial Gent Cakaj, i cili u propozua nga KM Rama për ministër i jashtëm i Shqipërisë, pikërisht për shkak të aftësive të tij të supozuara, ndërsa ne nuk e kemi gjenialiterin në një shkallë kaq të lartë, sa aftësia e vetme e jona të jetë: me falë territore…

Tregëtarë flamujsh, apo tregëtarë territoresh?

Po flitet edhe se Putini është i interesuar që një pjesë e territorit në veri të Kosovës t’i jepet Serbisë. Mendjelehtësia shqiptare fillon e vepron. Fillojnë nenjëherë kalkulimet, cilat pjesë do Serbia dhe sa mund të marrë? Politika zyrtare serbe por edhe opinioni dominant në Serbi ka ende idenë se KiM – Kosova e Metohija si i thonë ata, është pjesë e Serbisë. Serbia zyrtare ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Kjo përbën një presion psikologjik mbi Kosovën e kosovarët, që i kanë patur serbët deri vonë si sundimtarë, pushtues, tutorë, dhunues e vrasës të tyre.

Ndjenja superiore e Serbisë mbi Kosovën është reale në disa plane, politik, ushtarak dhe ekonomik. Por edhe psikologjik. E kjo e bën Hashimin e liderët tjerë në Kosovë të ndihen si qenie inferiore përballë Serbisë, në negociata me to dhe në marrëdhëniet e tyre me Serbinë. Kemi të bëjmë me një raport të turorit me të dhunuarin. I shtypuri nuk ngre dorë lehtë kundrejt padronit. Nuk janë të gjithë Rugovë, që i kuptonte gjërat dhe themeloi Refuzimin Estetik ndaj Serbisë dhe sjelljes së saj kriminale e të dhunshme në Kosovë, e as gazetarë atdhetarë si Bajram Kabashi, që ua numëron një nga një krimet serbëve mbi Kosovën! Pra, duhen njerëz të rrahur, që nuk pajtohen me politikat e metodat serbe të dhunës e presionit!

Se në përgjithësi vërehet një tolerancë e tepruar e Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës ndaj Serbisë, gjë që vjen për disa arsye, por kryesisht nga ndjenja inferiore e injektuar për një shekull dominim e pushtim, si dhe nga përvoja e vogël e shqiptarëve të Kosovës me shtetin e tyre të pavarur, me territorin e Kosovës. Bëhen zemërgjerë menjëherë kur vjen puna me i falë territor dikujt, se nuk ia dinë vlerën, pasi deri dje edhe atë territor që kishin, e kishin nën okupim, pa vlerën e duhur për ta. Kjo nga pikëpamja psikologjike. Se diçka të shtrenjtë si territorin, njeriu e vlerëson më shumë.

Kosova ka nevojë të rritet në vetëdijen e saj të mëvehtësisë! E kjo merr kohën e vet, nëse vjen ndonjëherë. Se ja shiko Serbinë, ajo e do Kosovën të gjithën për vete. Ose kemi rastin e Greqisë, një parti politike ikën nga koalicioni me Tsipras, vetëm se ai e lejoi Maqedoninë të merrte emrin e ri. Kurse shqiptarët? Me vrap, t’ia japin pak tokë secilit shtet fqinj që ia kërkon. Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë… Kjo është gabim.

Edhe nëse logjikisht, do të duhet këmbyer ndonjë pjesë territori, ne duhet ta dimë, se çdo pjesë toke rreth Kosovës ka qenë dikur tokë shqiptare. Atëherë pse të japim më?! Prandaj duhet të tregohemi më konsekuentë në mbrojtjen e territorit shqiptar. Pavarësisht a mundemi ta mbrojmë atë, a jo! Ne me diplomacinë tonë duhet të synojmë gjithmonë dhe me këmbëngulje, që ta ruajmë territorin shqiptar.

Kjo nënkupton edhe atë që, në biseda me administratën Trump, Hashimi e politikanët e tjerë të Kosovës. të mos i luten atij “aman, na lejo t’ia japim pak tokë Serbisë…”, por t’i lutet atij e të gjithë aleatëve tanë, që të na ndihmojnë ta ruajmë Kosovën e territorin shqiptar të paprekshëm!

Se ka politikë, diplomaci, luhen para e interesa, që t’ia marrin Kosovës territorin. Por nuk duhet të krijohet ideja se kjo gjë nuk na shqetëson, ose se kjo gjë është edhe tepër e lehtë! Politika shqiptare në përgjithësi e ajo kosovare në veçanti duhet të krijojnë mekamizma mbrojtës, që të mos i hanë kaq lehtë presionet!