Trumbeta me orë

0
490
T - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën T

Dea Halimi
Dea Halimi

Në dhomën e punës së babait ka tri vitrina me libra, dy tavolina e një abazhur. Mbi njërën tavolinë, abazhuri vjen nga këndi i dhomës në hark e varet mbi letrat e shumta, me tregime e poezi. Tavolina e dytë është e vjetër, prej druri të abanozit, e trashëguar nga gjyshi. Kjo ka një sirtarë me dorezë që futet e nxirret në tryezë dhe shërben për të mbajtur mbyllur gjëra të vogla, por të çmuara. Ato babai i ka kujtim nga vende të shumta të botës. Gjësende të vjetra ka dhe mbi tavolinë; një orë e xhepit, me qostekë të argjendtë, një uror në trajtë gjysmë rrethi, me të cilin gjyshi do t`i ketë rënë gurit të strallit për të nxjerrë xixa, të ndez eshkën. Pranë urorit është një kuti me gravurë-e mbushur me duhan kaçak, pastaj radhitet një fanar me fitil, i cili mund të përdoret dhe tash, një copëz e shkëputur nga muri i rënë i Berlinit, një trumbetë me orë, e cila ende bie me tik-tak,tik-tak, tik-tak dhe një telefon me dorezë prej druri… Babai më lejon të hyjë në këtë dhomë, qe ai aty apo jo, por mami ma ka ndaluar, ngase gjësendet aty më ngacmojnë dhe i marr të luajë me to, pa i kthyer më në vendet e veta. E mami do, të gjitha sendet në shtëpi të jenë në vendet e veta.
– Pse nuk më lejon mami të hyjë në dhomën e babait? – ia bëj sa e sa herë e hidhëruar.
– Po i prek gjërat që nuk të takojnë. Sa herë bën rrëmujë aty, – më shikoi me qortim mami.
– Jo, mami, jo. Unë dua veç t`i shikoj gjësendet.
– Më mirë e ke të merresh me detyrat e shtëpisë, – tha mami, ndërsa mua m`u kujtua se më duhej të ushtroja shkronjën T.
Ula kokën, në shenjë miratimi të secilës fjalë të mamasë, e hyra në dhomën time. E hapa abetaren dhe fletoren e detyrave të shtëpisë, në të cilën do të shkruaja një faqe me shkronjën T të madhe e të vogël të dorës. Nisa të shkruaja dhe papritur u ndala, me sy të ngulitur përtej dritares – në një flutur të kuqe, nga fluturonte mbi lulet rozë të mollës.
– Oh, kaq e bukur ajo flutur, – psherëtiva më vete, e aty për aty, prapë m`u kujtua mësimi dhe ula kokën. Qepa sytë në abetare, te shkronja T. Shkrova vetëm tre rreshta me shkronjën T në fletore dhe – prapë më iku mendja te dhoma e babait, te gjësendet, mes të cilave doja ta nxirrja jashtë trumbetën me ore.
– Mami, – e thirra. – Mami, të lutem më lejo ta marrë nga dhoma e babait vetëm trumbetën.
– Pse? Ajo është vetëm një imitim i trumbetës, në të cilën është vënë ora, zemër.
– E dua. Kam për ta ushtruar shkronjën T dhe patjetër dua ta kem para vetes…
Mami nuk foli më. Iku dhe nga dhoma e babait ma solli trumbetën me orë. Në të njëjtën kohë, nga dhoma e fqinjit vinin dhe derdheshin tingujt e trumbetës. Nën ata tinguj i shkruaja detyrat me kënaqësi.
Të nesërmen, mësuesja me radhë na i shikoi detyrat e shtëpisë dhe kërkoi të vizatonim nga tri figura gjallesash apo sendesh, emri i të cilave fillon me shkronjën T.
Të gjithë nxënësit, pa humbur kohë, filluan të punojnë në fletoret e tyre. Mësuesja ecte lehtë mes hapësirës ndërmjet bankash. Arriti te unë e u ndal.
– Dea, ti këtu ke vizatuar një qukapik dhe një hardhucë?
– Jo, mësuese, kjo është takllore, është qukapiku femër, ndërsa tjetra është tambluc, një lloj hardhuce e vogël. E shikon, e ka kokën e madhe, ka sy të mëdhenj e këmbë të shkurtra. Ajo rri nëpër mure e në faqe shkëmbinjsh.
– Mirë, Dea, – më shikoi mësuesja. – E për figurën e tretë, ke menduar?
– Tash, do ta vizatoj një kafshë të egër, një tigër, – thash unë.

Mësuesja Xake lëvizi pak kokën dhe buzëqeshi.