TROPOJA KA QËNË DHE MBETET PASAPORTA E KRENARISË KOMBËTARE

0
4563
Gjon Neçaj

Gjon Neçaj

Shpesh herë, në zallamahinë e një politike që kërkon ta zvetënojnë mazhorancën që qeveris vendin, tashmë kjo metodë e përseritur çdo herë që ndërrohen pushtetet, e kur qeverisja e re tenton t’i shlyejë borxhin e akumuluar nga politika gjatë një çerek shekulli, shpesh here lakohet një legjion dikund në Shqipërinë veriore, në mes alpeve, ku edhe atje pranvera ka trokitur herët, e shullëhen së bashku në diell pemët e gjelbëruara dhe ato me dëborë; një kasaba që jo pak është lakuar, e madje për hir të politikës kanë ikur nga kjo botë shumë djem nënash që sot ato shamizeza enden të moshuara nga vitet dhe dhimbja rrugicave të qytetit “Bajram Curri”. Pra bëhet fjalë për Tropojën.

Tropoja, një nënprefekturë në varësi të qarkut Kukës, tashmë bashkia e Tropojës, e riorganizuar me reformën e re administrative në zgjedhjet e vitit të kaluar, me rreth 24 mijë banorë (ekzaktësisht nuk dihet, pasi lëvizjet demografike kanë pështjelluar përcaktimin e numrit të banorëve), ka qënë, është mbetet në zgrip të varfërisë ekstreme, po falë emigracionit diçka merr frymë me banorët vendas të mbetur në trojet e veta.

Sipas statistikave zyrtare aktualisht Tropoja ka rreth 30 përqind të papunëve dhe vazhdon të rritet kurba e papunësisë, duke kaluar pothuajse të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në varësi të prefekturës së qarkut Kukës. Madje, madje edhe shërbimi spitalor tashmë është në hapat e fundit për t’u skanuar në spitalin rajonal Kukës. Institucionet kryesore janë përqendruar në Kukës, paçka se qendra administrative është bashkia me qendër në qytetin “Bajram Curri”.

Mendojmë se inteligjenca e ndershme që punon mendon për Tropojën nuk është me një mendje me drejtuesit vendor politik dhe shtetar, duke lënë me një anë mëritë e çastit për interesa mbase të ngushta e meskine, e të punojnë për të mirën e Tropojës, se mbase nesër është vonë, po edhe shtohet karvani i ikjeve nga vendlindja për një jetë më të mirë, të pasktën për pasardhësit e tyre.Dihet tashmë, ndonëse pa statistika të sakta, por vitet e fundit janë larguar drejt perëndimit, kryesisht në Francë 10 përqind e popullsisë.

Duhet inkurajuar bashkëpunimi i kryebashkiakut Besnik Dushaj me qeverisjen vendore, fakt që e ka vlerësuar edhe kryeministri, por Tropoja tashmë pret rezultate konkrete, fonde për infrastrukture si rrugë, ujësjellës, etj. Zëri i deputetes Mimoza Hajdarmataj në parlament është gjithashtu zëri i Tropojës që pret shumë e më shumë nga qeveria dhe qeverisja, duke çmontuar akumulimin e një çerek shekulli me radhë.

Duhet theksuar se Tropoja nuk është e liderve as e partive politike. E themi këtë, për faktin se mendësi të këtij karakteri kanë edhe disa politikanë të rinj, duke u shprehur se ka ikur koha e Tropojës së lidërve.

Po Tropoja është dhe mbetet perla e bukurive shqiptare,ndër 10 vendet më të mahnitshme, Tropoja vazhdon të prodhojë intelektualë të spikatur, Tropoja vazhdon të ruaj virtytet e bujarisë, besës, mikpritjes. Ne po ilustrojmë vetëm një fakt shumë domethënës: ndonëse këto vite tranzicioni Tropojësi i kushtuan shumë derdhje gjaku të bijve dhe bijave të saj, asnjë familje nuk është e ngujuar, ku dihet se bash në Tropojë është epiqendra e kanunit.

Tropoja vazhdon të prodhojë krijues të talentuar, duke fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, Tropoja vazhdon të kualifikojë nxënës që radhiten ndër më të përgatiturit në glob, Tropoja mbetet sinusi dhe kosinusi, gjithashtu i kohezionit demokratik në Shqipëri, Tropoja është jataku ku kanë shpërthyer revolucione të fuqishme demokratike, e Tropojë është Tropojë, me një emër të bukur, e me një lumë që njerëzia vrapojnë në gjende civile për të pagëzuar fëmijët e sapolindur me emrin e saj, Valbona. Shumë zhurmë është bërë muajt e fundit për HEC-et në Parkun Kombëtar të Valbonës, shumë është lakuar Valbona, por shpresojmë se do ketë një zgjidhje, një zgjidhje pozitive për Valbonën dhe Tropojën.