Trokitja në derë të vjetër

0
676
Nexhat Halimi - peisazh i ngrirë

(Nexhat Halimi, Peizazh i ngrirë, botoi Shtëpia Botuese “FAD”, Prishtinë 2019)

Fatmire Duraku

Poezia është tepër e vçantë.

Natyrisht, jo secila, veç poezia e njëmend, veç ajo që ka shpirt, ajo që ka muzikë të brendshme dhe përmbajtje e kuptim, ajo që e shpërfaq me secilin motiv dhe formë udhëtimin e vet deri te ai që e përjeton këtë krijim elitar. E krijimi i tillë, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë abstrakt, hermetik. Truri i askujt nuk mund të prodhojë diçka të pakuptueshme. Krejt varet nga mënyra e qasjes për ta zbërthyer materien që na është ofruar në libër. Diçka ndërmjet të prekshmes e të paprekshmes, diçka mes reales e imagjinatës.

Në këtë mënyrë mund ta kuptojmë poezinë e tërësishme të Nexhat Halimit e sidomos këtë të librit më të ri “Peizazh i ngrirë”, të cilin e botoi Shtëpia Botuese “Fad”. E vetmja gjë që ndërron është fundi, i cili i prin librit, ndërsa fillimi shtrihet në fund, me të njëjtën muzikë të brendshme dhe me motivin e pranishëm kaq herë në këtë krijim. Me copëzat e ambientit që dhembin, me detaje dhe kujtime, me tërësinë e humbur të atdheut dhe dashurinë e përhershme për të. Me këtë dashuri përshkruhet fëmijëria e autorit në fshatin e vet kufitar, tashmë të djegur nga forcat serbe, shtatëdhjetë vjet më vonë. Rikujtohen çaste, detaje, inserte e ngjarje të ikura përmes kujtimesh në takime të atyre pak shpirtrash, të cilët ende – përkrye kaq vdekjesh të pafajshme të bashkëvendësve, prapë do të qenë bindur të mos e lënë shkret fshatin e shtëpitë t`i ndërtojnë aty,ku kanë lindur dhe frymëmarrjen e kanë më të natyrshme.

Radhiten takime, pabesueshëm – të paharrueshme, me Ukën e Hasës së Kullës, i cili kaq vjet më vonë i thërret në emër autorit, me Biçakun, i cili i ushtron qentë ujqër të rrezikshëm, më pastaj takimi me Rrustemin, me të cilin autori do të ketë ndjekur mësimet në shkollë te mësuesi patriot Azem Beqiraj. Rrustemi nuk qeti qetësi askund tjetër veç aty, ku është rritur dhe do të kthehet pas luftës atdhetare, ta përjetoj prapë malin, arat, luadhet me aromat e përjetshme të luleve të xhenetit dhe t’i kujtoj peripecitë e rënda dhe të vrarët për tokën e vet, t’i kujtoj të gjitha ndodhitë në dy pamje (vlen t’ia përkujtojmë lexuesit shkrimin e mëhershëm të autorit për Dumincës, pritën e luftëtarit të UçK-së te Ura e Cen Korjelit, të vdes e të mos dorëzohet para armikut).

megjithatë do të zgjohet rrënja prej gjaku
Është kthyer rrusta të frymojë në dumnicë
Dhembja e plaga ende i rrjedh gjak nen cicë
Ose
Digjen shtëpitë pemët toka të vdekurit në hunj
Veç pse secili qe duarthatë pse secili qe shqiptar
Malat e vjetra të ashtit të çarë për brez kufitar
E Noli ngrirë e lëshon qengjin ndër gjak në bar

Gjërat lëvizin përmes valëve të kohës apo dhe përmes kujtimit. Ato inserte që bëhen pjesë e përditshmërisë të përvetësojnë dhe autori merret dhe udhëtimin në kohë. Temës qendrore, të cilës i kushtohet libri pa përjashtime, vijnë dhe i bashkëngjiten dhe copëza po kaq madhore sa vetë dhembja, sa vetë dashuria, sa vetë ëndrra. Në udhëtimin e autorit nëpër shtresat e shkrimit, vendlindjes së autorit, i shtrohet një tis i përhershëm, i cili e prek mbarë atdheun e coptuar, kujtohen të vrarë dhe të masakruarit dhe gjendja kështu e tendosur bëhet në këtë mënyrë tepër tronditëse. Veç ka dhe këtu në këtë katrahurë shpresë. Autori herë ik nga Dumnica dhe flet për Ullirin e Ulqinin, herë tjetër flet për dashurinë e për dhembjen e degëve të ndara me dhunë nga trungu shqiptar.

Përkujtohet në këtë rrjedhë një takim Në çakor me Azem Shkrelin, pastaj shtrihet Pritja, një Letër e pashkruar, një çati i një fotoje të pabërë, Inserti i `68-ës në Prishtinë, Kurmi me dy kokë, Përsëritja e Toplicës, Pa vete pa atdhe pa rizgjim, e gjithnjë deri te kthimi i serishëm te Narcisët e egjër, të kalojë përsëri autori te disa rrjedha që i përkujtojnë përpëlitjet për udhëtimin deri te shtëpia në të cilën në Gjermani jetoi Fan Noli, apomderi te muzika e Shopenit, apo deri te korridoret e ndritshme të Universitetit Jagellonski, në të cilin mësoi Koperniku, për ta shprehur teorinë e vet, me të cilën ai do ta bindë botën me diellin në qendër, propozon modelin heliocentrik të shekullit të 16-të se toka rrotullohet rreth vetes për njëzet e katër orë e rreth diellit për një vit. E natyrisht, ku është ngushëllimi, se gjërat nuk tjetërsohen, mbesin prapë të njëjta dhe ujit i thuhet ujë e bukës i thuhet bukë. Kjo i çel shtigjet tash për tash të mbyllura, por nesër me shpresë të bëhen të kalueshme dhe tërësia e bukës së thyer të jetë prapë një…

Libri,peizazh i ngrirë, është e njëjtë si një unazë e ngelur për një çast e pa shpresë, e ndarë, veç nesër të rrjedhë siç është rrjedha e historisë, gjithnjë në të mirë të shpirtit i cili ndërkohë e ka humbur përkrahjen, veç jo përherë. Ka gjasa të ndërrojnë gjërat. E thotë dhe Mjeda, ky mot orë e çast ndërron, bie poshtë i larti e i varfëri ngrihet.

Pamje kështu, peizazhet ngelin të njëjta, të ngrira. Siluetat e shpirtrave e të gjërave lëvizin të këputura, veç me hijen e tyre të kujtimit, sepse ajo që ishte tashmë nuk është. Mund të ndërrojë çdo gjë, veç megjithatë Dumnica mbetet dhe dashuria e poezia e shkëlqyeshme për të, e shkruar me mund dhe gjak nga autori tashmë i mirënjohur Nexhat Halimi.

Për fund do ta kisha radhitur poezinë, që e zgjodha dhe për titull të këtij shkrimi,

Ky mëngjes me shi e dot s`ndërron asgjë
postieri vjen rrallë rrugës a hadri te dera 24 a
hesht pres më ikin mendjes poetët e majit
siç thoshte me bindje të thellë a demolli
e unë ja merrja pa kuptim këtë gjë

ja s hamiti më pastaj dhe ti dhe unë e tjetër
tashmë s`është veç ia kujtoj qeshjen e vjetër

ky mëngjes me shi unë pres kot letër
rrufa më pengon të lexoj diçka tjetër
ta zëmë pres të dëgjoj diçka të re për t csaba
i shikoj dorëshkrimet shkruar me kujdes
i pëlqente shqiptarët e thoshte pa frikë fare
ky poet hungarez që s`besonte në kthesa
e mua flakën ma pëlqente për liri

veç jo këtë liri që e gllabërojnë luftëtarët

ky mëngjes me shi e shkrimi i vjetër ka vjet
ose më falë ose më vrit e rilexoj zot
e dikush në derë të vjetër troket e troket

16 maj 2019