Entela Binjaku
Shoqata e intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit” do të organizojë më 3 qershor 2017 në Pallatin e Kulturës në Durrës konferencën me temë: “Imzot Nikollë Kacorri- personaliteti kryesor Pavarësisë së Shqipërisë”. Në këtë aktivitet që organizohet nga emra të njohur studiuesish në çelje të aktivitetit do të përkujtohen dy ndër bashkëpunëtorët e shoqatës tashmë të larguar nga jeta: Willy Kamsi dhe Gjelosh Gjokaj si dhe do të prezantohet një film dokumentar prodhim i Tv. Prizrenit kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit. (1876-1917) . Në këtë konferencë marrin pjesë 19 studiues ndër të cilët Dr. Nikollë Toma, Eugjen Merlika, Don Gjergj Meta, Uran Butka, dr. Muhamet Shatri, etj.
Të nesërmen më 4 qershor në Gjirokastër kjo shoqatë do të mbajë sesionin e 14-të shkencor me temë: “Çamëria dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke në shekuj”. Në këtë konferencë kanë konfirmuar praninë e tyre personalitete, historianë të njohur të cilët do të referojnë mbi këtë çështje me rëndësi për historinë e kombit. Në këtë të dielë në Konferencën në Gjirokastër pritet të marrin pjesë 46 studiues me referime sipas këndvështrimeve studimore. Shoqata “Trojet e Arbrit“ i ka kaluar dymbëdhjetë vjet të veprimtarisë aktive. Puna e bërë prej saj lidhet kryesisht me mbajtjen e sesioneve shkencore dhe botimin e librave enciklopedikë që hedhin dritë me ndihmën e fakteve shkencore mbi historinë e vërtetë të kombit tonë shqiptar.
Shoqata“ Trojet e Arbrit” ka një aktivitet të ngjeshur shkencor dhe kombëtar. Ajo ka në gjirin e saj intelektualë nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora atdhetare. Deri tani ka mbajtur katërmbëdhjetë sesione shkencore, shtatë akademi dhe ka botuar katërmbëdhjetë vepra enciklopedike me një vëllim të përgjithshëm prej rreth dhjetë mijë faqe. është e vetmja shoqatë që mban sesione shkencore në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe gëzon një numër të madh bashkëpuntorësh gjë e cila kërkon përkushtim të madh dhe seriozitet të mirëfilltë.
Kalendarin e aktiviteteve e përgatit kryesia e shoqatës “Trojet e Arbrit’’e cila në gjirin e saj ka njëzet e shtatë anëtarë të kryesisë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora. Në kryesi dallon pjesmarrja e femrës intelektuale shqiptare, ku nga njëzet e shtatë antarë të kryesisë, nëntë janë femra intelektuale. Shoqata ’’Trojet e Arbrit’’ ka njëqind e pesëdhjetë antarë intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare dhe synon t’i vijë në ndihmë njohjes së historisë së kombit për të lënë një trashëgimi studimore edhe brezave që vijnë.