TRIPTIK POETIK PËR JARËN

0
4356
Jara

Xhemail Peci

(JARËS NË DITËLINDJEN E SAJ TË PARË)

I

JARA – FLUTURA MË E BUKUR

Në prarimin e pranverës e në zbardhëllimin e agimit, në degët e trëndafilave e në kopshtet e pafundshme, kopetë e reve ecnin të menduara në melankolinë e tyre të ëmbël.

Një vegim drite binte në lulëzimin e pafund të lëndinave.

Hëna e artë po vështronte e habitur një flutur me krahët e djegur. Një psherëtimë e thellë vinte prej lashtësive. Mbi pamjen e fluturës po binte bukuria e menduar dhe e heshtur e hënës. Magjia e saj po bënte dritë, dhe sa më shumë që përhapej drita, mbi fletët e luleve shfaqeshin ca pika shiu, të cilat herë ngjanin me ca kokrra kristali e herë me lotët e fluturave.

Si në një gjakim të përzier me gëzim, një ditë u mblodhën të gjitha fluturat. Fluturat nga më të bukurat. Ca me krahët e tyre të bardhë e ca me krahët e shkruar, të tjerat me ngjyra të shumëllojshme, duke shëmbëllyer herë me muzgjet e portokallta e herë me aurorën. Të mbledhura tufë-tufë, në krahët e tyre sikur bartnin ca shtigje drite e ca rreze hëne.

Në fluturimin e tyre si një përgjërim i përjetshëm, fluturat me vete merrnin edhe ca lenta ylberi. Gëzimi i tyre ngjante me një koncert mbi fletët e luleve, mbi pjalmin e petaleve në shpërthim të pranverës. Më shumë se një koncert fluturash, takimi i tyre nuk ishte gjë tjetër veçse një konkurs bukurie. Në shtegtimin e tyre të gjatë sa rruga e dritës, e me atë mekanizmin e tyre të përsosur në butësinë dhe lehtësinë e vet, fluturat e mbledhura nga të katër anët sikur kishin rënë në një kuvendim të heshtur për të zgjedhur më të bukurën e tyre.

Në takimin e tyre nga më të veçantët dhe nga më të rrallët, fluturat kishin mbledhur të gjitha pranverat, dhe pastaj kishin thirur bletët për të thithur gjithë nektarin e luleve më të bukura, duke mbledhur pjalmin e tyre, dhe për të zgjedhur më tej fluturën më të bukur. Kishte kohë që ato kishin shtegtuar maleve dhe fushave, kishin kaptuar bjeshkët dhe majat e tyre, kishin përshkuar lumenj dhe dete, oqeane dhe hapësira të pafundshme, horizonte të kaltërta të universit. Tani, pasi që kishin përshkuar gjithë brezin e qiellit, fluturat po zbrisnin ngadalë dhe me elegancë si ca zonja të vockëla në një konkurs bukurie.

Në ndërkohë, hija e hënës rrëshqiste përmbi fletët e luleve dhe përmbi degët e pemëve. Rrezet e hënës me veskun e tyre puthnin buzët e trëndafilave. Krahët e fluturave po shtriheshin në horizont, po mbështillnin universin me butësinë e tyre, me larminë e ngjyrave. Dhe sa më shumë që fluturat shtrinin krahët e tyre, universi shëmbllente gjithnjë e më shumë me një pranverë. Fluturat dukeshin sikur po endnin një fustan të bukur në pëlhurë me ngjyra pranvere. Veçse këtë herë, lotët e fluturave dukeshin si ca perla të rralla me pamje nga parajsa. Gëzimi i tyre nuk kishte të sosur. Fluturat e stolisura me argjend e me krahët shtrirë si flori përmbi pjalmin e luleve, po përkëdhelnin fluturën më të bukur.

Në gëzimin e tyre ato nuk ishin vetëm. Gëzimit të fluturave iu bashkuan edhe petalet e luleve më të freskëta dhe më të buta, e kaltërta e qiellit dhe zërat e zogjve me këngët e tyre si himne në ligjërime. Pastaj lulemollët dhe degët e pemëve, vezullimi i yjeve, patat e hijshme e të bardha, erërat e lule-vjollcave, bletët në zgjua, lulëkuqet me trëndafilat, pulëbardhat me fluturimin e tyre, sorkadhet në shtegun e dritës, pëllumbat dhe kopshtet me lule shumë, kokrrat e pemëve, lulet e blirëve, majat e plepave…

Fluturat po dëshmonin kështu se ato ishin përkujdesur prej kohësh që sfondi të dukej sa më i përsosur, që gëzimi dhe galdimi i tyre të mos kishte fund.

E hëna flokë-argjendtë shkëlqente në thellësinë e natës. Ajo rrëshqiste ngadalë mbi detin e qetë. Yjet vezullonin lart e vala e detit e ndiqte valën tjetër gjithë butësi e bardhësi, si në një muzikë pianoje. Bardhësia e luleve shtrinte krahët përmbi shkronjat e emrit me të cilin fluturat kishin përzgjedhur më të bukurën e tyre.

Në sfondin e kaltërt të qiellit shtrihej gjithandej drita e praruar e hënës tek shpërndante ca fije ari, tek binte mbi hijet e lajthive. Rrezet e hënës binin si ca margaritarë të rrallë mbi trëndafila. Yjet e qiellit përbënin një kopsht në vete, e pastaj binin mbi majat e qerpikëve të njomë, hija e të cilëve shtrihej mbi mollëzat e buta të faqeve. Yjet në rrëke drite po vështronin gjithë adhurim sytë e ëmbël si gjumi i zogjve. E teksa fytyra merrte një pamje të ndritur në një gëzim prej dielli, sytë e ëmbël prej engjëlli e me qerpikë të pulitur shikonin gjithë bardhësi.

Duke zgjedhur fluturën më të bukur, fluturat kishin një gëzim të papërshkrueshëm. Duke bërë bashkë mençurinë dhe nektarin e luleve, ato kishin shtrirë krahët e tyre të shkruar përmbi shkronjat më të bardha.

Në bekimin e tyre të shenjtë falur nga Krijuesi i Universit, ato ishin pajtuar njëzëri se JARA ishte flutura më e bukur, e cila universin e bënte shumë më të lumtur!…

II

JARA DHE DETI

Në një ditë vape përcëlluar nga dielli valët e detit u vunë në garë,
secila mëtonte të thonte se cila gëzonte më shumë e ç’kishte parë,
pastaj me rrezet e diellit sikur kuvendonin shtruar edhe palë-palë,
sipër retë e bardha sikur thurnin lule e flisnin në heshtje, pa fjalë!

Si lule kristali rodhi vala e kaltërt e u nis për tek bregu hapa-hapa,
pas saj shkoi edhe erë e butë që të sillte pak freski tek digjte vapa,
dhe ecnin ashtu si në një valle të haresë së madhe butësisht e qetë,
e njëra-tjetrës sikur i përshpërisnin me kujdes: Jara, ka ra me fjetë!

Pastaj retë në qiell mbledhur tufa-tufa, gëzoheshin sikur ca flutura,
e sikur bënin garë mes vete që të thoshin se cila ishte më e bukura,
dhe fryente erë e detit si një puhi ledhatare që bie mbi manushaqe,
fryente aq butë sa druhej mos zgjohej Jara, tek e puthte në dy faqe!
Pastaj sa pushonte pak era, valët ktheheshin aty prej ku ishin nisur,
e rrezet e diellit butësisht binin tutje, sikur donin një lule të stolisur,
dhe valët e detit sërish rendin shtegut të tyre sikur fluturat lara-lara,
me rrezet e diellit, gjithë gëzim flisnin: Në breg të detit po fle Jara!

Shfaqeshin tutje në sfondin e tyre valët e detit si t’ishin tufa kristali,
në një kaltërsi gjithë magji, sikur një qiell ku zbret hëna majë mali,
pastaj sërish binte rrezja e diellit siç bie kallinjve t’grurit nëpër ara,
dielli dhe deti, gëzimin e tyre s’e thoshin dot: Sa ëmbël po fle Jara!

E tutje sikur viheshin prapë në garë e kaltërta e buzëqeshur e qiellit,
blu-ja që shkëlqente si një pasqyrë përmbi sipërfaqen e qetë të detit,
dhe puhi ledhatare që binte si mbi një manare: Unë u gëzova e para!
Dielli thoshte unë, deti thoshte unë, sepse n’breg të detit po fle Jara!

Gëzonte fllad i ëmbël i verës, tek hynte butësisht që të binte ca vapa,
gëzonte edhe valë e detit, e tufët e reve, që rendnin qiellit hapa-hapa,
Më shumë se Princeshë, përshpëriste dhe rrezja e diellit përmbi gurë,
e tok me të dhe ëngjëjt gëzuar: Flutur më t’bukur, s’kemi parë kurrë!

III

EDHE DIELLI BUZËQESHË,
JARA, ËSHTË: “MË SHUMË SE PRINCESHË!”

Sa herë që Jarës i falin epitetet nga më të bukurat, sa herë që e përzgjedhin si më të dashurën nga të gjitha fluturat, sa herë që ca i thonë zemrushe e ca të tjerë herë rrushe, herë shpirtushe e herë engjëllushe, ajo sikur i dëgjon të gjitha, sikur i kupton të gjitha, prandaj edhe gëzon e falenderon vetvetiu.

Por sa herë që Jarës i thonë se është: “MË SHUMË SE PRINCESHË”, çdo gjë sikur vihet në vallen e haresë së madhe, gëzojnë lulet dhe fluturat, bletët dhe zogjtë, pranverat dhe pëllumbat, blu e detit dhe e kaltërta e horizontit, kallinjtë me grurë dhe bletët që shtrydhin pjalmin e luleve siç shtrydhin dhe zemrat fjalët në stendat e muzeut kraharor.

Sa herë që Jarës i thonë atë që më së pari ia fali si një bekim të bardhë Mila, gëzojnë të gjithë njëlloj, por më së shumti Genti e Shendi, e tok me ta Arba e Arisi, Rea dhe Tringa…pastaj i gjithë universi, sepse sa herë që Jarës i thonë: “MË SHUMË SE PRINCESHË”, ajo veshë rrobet me lulet më të bukura e natyra veshë petkat me rreze drite, e tutje edhe dielli me rrezet e tij të florinjta, zbret dalë-ngadalë nëpër shkronjat e emrit më të bardhë, duke uruar ditëlindjen e parë dhe duke buzëqeshë:

JARA, ËSHTË: “MË SHUMË SE PRINCESHË!”