Autori publikon “MANDATIN E KONTESTUAR” në 6 vëllime me rreth 3000 faqe
Shefqet Dibrani: “DEMOKRACIA E KONTESTUAR 1+2”, publicistikë, botim i autorit, St. Gallen 2018
Shkruan: Prof. Demë JASHARI
Shkrimtari Shefqet Dibrani, sivjet botoi në gjashtë vëllime trilogjinë publicistike për “Demokracinë e kontestuar”. Pasi në cilësinë e redaktorit kam dhënë një mendim publik për librat e mëhershëm, këtë vështrim po përpiqem ta kufizojë vetëm në brendësinë që kap pjesa e tretë e kësaj trilogjie e cila flet për mandatin e kontestuar të vet autorit në cilësinë e kryetarit të zgjedhur në mënyrën më demokratike të mundshme, mandat të cilin ia kontestoi Kryesia e LDK-së në Prishtinë.
Pos tjerash, ky fakt, lë për të kuptuar nivelin politik, intelektual, njerëzor e patriotik të udhëheqjes aktuale politike të LDK-së në Prishtinë e cila është dashur të ketë një qasje tjetër ndaj degëve të LDK-së në diasporë, e poashtu ndaj shkrimtarit Shefqet Dibrani, i cili është ndër autorët më produktiv të diasporës shqiptare.
Prandaj, mosnjohja e mandatit prodhoi këtë kundërpeshë argumentuese, libra këta si dokument i vyeshëm edhe për diplomacinë ndërkombëtare dhe për drejtësinë e Republikës së Kosovës. Autori në këtë trilogji tematike i ka shtjelluar në mënyrë profesionale shumë zhvillime politike brenda vet LDK-së, duke ia afruar lexuesit dhe atyre që pretendojnë të merren me politikë argumentet faktike të cilat flasin qartë për devijimet politike dhe për lëndimin e demokracisë që po e bëjnë strukturat e LDK-së në Prishtinë.
Pjesa e tretë e trilogjisë “Demokracia e kontestuar”, përbëhet prej dy vëllimeve voluminoze me gjithsejtë 1380 faqe, në të cilat është përmbledhur i gjithë aktiviteti i autorit në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër gjatë vitit 2015 – 2016. Në pjesën e parë janë përfshirë materialet që kanë të bëjnë me ngjarjet brenda vitit kalendarik 2015, siç ishin kumtesat e shumta, deklaratat e caktuara, reagime dhe shkrime për aktivitetin politik e kulturor që kishte zhvilluar Dega e LDK-së në Zvicër, ndërsa vëllimi i dytë përmban materialet të cilat ekskluzivisht kanë të bëjnë me aktivitetet e ndryshme gjatë vitit kalendarik 2016, por me një strukturë identike siç e kemi te vëllimi i parë.
Për të qenë autori sa më origjinal, ai ka përfshirë të gjithë procesverbalet e mbledhjeve me diskutimet integrale, duke evituar ndonjë fragment i cili nuk ka të bëjë me interesin publik. Në këtë plan Shefqet Dibrani i ka publikuar edhe të gjitha bisedat interne në FB të cilat janë bërë mes Grupit të Kryesisë së Degës, si dhe shumë të tjera të bëra me personalitete të caktuara të cilat gjatë kësaj kohe kanë komunikuar me Kryetarin e Degës. Këto biseda kanë të bëjnë me çështje organizative dhe politike brenda LDK-së. Ndërsa reagimet e shumta në rrjetet sociale kanë ardhur në formën origjinale, duke bërë ndonjë shkëputje a korrigjim teknik për të cilat autori ka menduar se nuk kanë ndonjë peshë për opinion.
Edhe reagimet e shumta të autorit, i cili në atë kohë ishte kryetar i Degës, janë shoqëruar me tekstet origjinale të reaguesve të cilat kështu, siç janë publikuar, nuk i bëjnë nder askujt e më së paku atyre që ishin në shërbim të Isa Mustafës dhe klanit përreth tij e të cilët synim kishin për ta shkatërruar LDK-në dhe Degët e saj në Diasporë. S’ka dyshim, qëllimi i Isa Mustafës ishte i qartë se, duke i shkatërruar degët e LDK-së në Diasporë dhe duke e sjell kryesinë e LDK-në nën vasalitetin e tij, ai do t’iu shërbejë më mirë e më i papenguar klaneve shkatërrimtare.
Ishte Isa Mustafa, pos tjerash, ai i cili me çdo mjet dhe formë, pa përfillur asnjë parim dhe asnjë strukturë partiake, fuqizoi dhe ngriti struktura diletanteske, militanteske e antiproduktive. Zaten, i etur për pushtet e shkatërrim, duke lidhur aleanca joparimore, ai ia mundësoi Hashim Thaçit postin e presidentit të Kosovës dhe ti sjellë proceset politike në Kosovë në një situatë shqetësuese edhe për aleatët tanë të cilët po shohin se proceset e tashmë janë duke rrëshqitur në dëm të çështjes kombëtare. Por, siç ka theksuar vet autori, këto veprime janë luftëra kundër Amerikës që po i bëjnë qarqet antiamerikane bashkë me lakenjtë e tyre në Kosovë, ku një rol tejet të madh e negativ e kanë luajtur edhe strukturat uzurpatore të Isa Mustafës të katapultuara e instaluar dhunshëm e të cilat po e stërkeqin nga brenda LDK-në.
Në këto dy vëllime autori ka prezantuar një kronologji dëshmish të cilat argumentojnë se Shefqet Dibrani ka qenë njëri nga kronistët më të mirë të zhvillimeve politike në Degën e LDK-së në Zvicër. Ai ka prezantuar edhe pagesat e veta të anëtarësisë qysh nga viti 1991, përmes sistemit bankar e gjer më tash, prandaj të gjitha akuzat kundër tij që i bënin grupe të caktuara i qet për tokë; pastaj ka botuar dëshmi për pagesën e trepërqindëshit, pastaj dëshmi pagesa për mjete dhe veprime të caktuara gjatë vitit 1992 në kuadër të ushtrimit të grupeve të armatosura në Shqipëri, si dhe dëftesa, faktura e dokumente të tjera të cilat flasin mjaftueshëm për përcaktimin e angazhimin e tij si dhe për personalitetin prej veprimtari të spikatur të LDK-së i cili me pedanterinë e tij është shembulli më i mirë se si duhej të punonte LDK-ja, prandaj nuk e ka dashur as Isa Mustafa, por as qarqe antidemokratike brenda LDK-së.
Një pjesë e procesverbaleve, reagimeve dhe deklaratave janë publikuar me dëshminë e dërgesës së e-mailit, kur ato dokumente iu kanë dërguar Kryesisë së LDK-së në Prishtinë dhe njëkohësisht edhe zyrave diplomatike në Prishtinë si dhe mediave të shumta në Kosovë. Përveç këtyre që u cekën më lart, vëmendje të theksuar zënë reagimet dhe ndërhyrjet e grupeve të cilat autori i klasifikon në shërbim të Isa Mustafës, veçmas i dallon gazetarët për të cilët shkruan me emër dhe mbiemër, për “elitën e ushtarakëve” siç i kualifikon Shefqet Dibrani, si eprorët e FARK-ut të Bujar Bukoshit dhe sojnikëve të Isa Mustafës; pastaj ka publikuar dokumente, faksimile, reagime të shumta edhe për emisarët politik që vinin në Zvicër për ta shantazhuar veprimtarinë e Shefqet Dibranit dhe të kryesisë së Degës së LDK-së.
Janë edhe grupe dhe individë të shumtë të cilët vullnetarisht kanë qenë të involvuar në këto ndërhyrje; janë shumë kërcënime dhe fyerje të cilat mund të kualifikohen si vepër penale, aventurat e të cilëve e kanë devalvuar procesin në Degën e LDK-së në Zvicër, duke i dhënë kahe dhe mbështetje interesit të Isa Mustafës. Prandaj, akterët e këtyre prapësive, tashti të mos çirren për devijimet e shumta që po bëhen në LDK e në Kosovë.
Fundi tragjik i Degës së LDK-së në Zvicër ndërlidhet me struktura të brendshme të LDK-së, po edhe me rolin e nënkryetarit dhe sekretarit të Degës, të cilët kontribuuan zellshëm e nëndheshëm për dështimet në degën e LDK-së në Zvicër, veprime këto të cilave, autori, në mënyrë profesionale, ua ka hequr plafin duke dëshmuar saktë për rolin e tyre të dyfishtë shërbyes për interesa të Isa Mustafës.
E gjithë kjo punë publike duhet admiruar, duhet përkrahur dhe inkurajuar! Por, fatkeqësisht, kjo gjë nuk po ndodhë as me Shefqet Dibranin e as me proceset në të mirë të Kosovës. Edhe ndaj këtyre botimeve kapitale, në këto rrethana ku kontrollohen të gjitha mediat, bëhet bllokadë dhe lënie në heshtje. Por do të jetë e pamundur që të mbulohet e të heshtet e vërteta! Historia nuk mund të ndryshohet e as të mbulohen veprimet e dëmshme, sikurse nuk mundet të mbulohet tërë krijimtaria publike e Shefqet Dibranit.
Dibrani mbetet i vetmi veprimtar dhe udhëheqës politik brena LDK-së i cili ia ka dalë që në mandatin e tij udhëheqës të publikoj vëllime voluminoze (rreth 3000 faqe) dhe tejet të argumentuara.
Trilogjia për “Demokracinë” përmban dokumente të rralla dhe të rëndësishme, madje edhe për zyrat dhe ambasadat ndërkombëtare të cilat merren me çështjen e Kosovës, nëse ato kanë vullnet e dëshirojnë për të parë format, mënyrat dhe rrjetëzimin kriminal në të gjitha poret e udhëheqjes politike në Kosovë, parë nga prizmi i brendshëm i zhvillimeve politike në LDK.
Vlen të theksohet se librat janë botim i autorit të cilat janë regjistruar me numrin e Bibliotekës Nacionale në Zvicër dhe janë të sistemuara e regjistruara në këtë bibliotekë, përmes të cilave autori i ka bërë një shërbim të madh strukturave politike e shtetërore në Zvicër për të parë se si janë bërë falsifikime dhe mashtrime prej ma të ndryshmëve. Një model specifik për të parë se si kanë falsifikuar dokumente strukturat e tashme dhe më herët edhe e majta marksiste. Bosët e atëhershëm, tashti e kanë sjell Kosovën në një situatë të pa lakmueshme.
Lexuesit e shumtë dhe veprimtarët e LDK-së, sidomos ata që janë shquar me reagime e komente “pro dhe contra”, degës së LDK-së në Zvicër dhe kundër Shefqet Dibranit gjatë mandatit të tij sa ishte kryetar i Degës, nga data 10 maj 2015 e gjer më 26 nëntor 2016, le t’i marrin këta libra, sepse e gjejnë veten e tyre dhe të atyre që shkatërruan Degën e LDK-së në Zvicër.
Tashti libri do të lexohet e shikohet në retrospektivë, në distancë dyvjeçare. Secili lexues do të bindet se Shefqet Dibrani ka qenë i saktë në veprimet e tij, po ashtu ka dalë më në pah edhe fytyra e atyre që e shkatërruan këtë Degë. E mira dhe e keqja, tashmë janë pjesë e këtyre librave – pasqyrë që i nderon meritorët, e në anën tjetër i ç’veshë hileqarët.
Autorit i urojmë suksese, duke shpresuar se pena e tij do të vazhdojë në pasqyrime të tjera të veprimtarisë së gjithmbarshme të Degës së LDK-së dhe në përgjithësi për aktivitetin e shqiptarëve në Zvicër.
Dhe, për përfundim, dua t’i njoftoj bashkatdhetarët në Zvicër dhe Gjermani se, kësaj vjeshte, do të bëhet promovimi i trilogjisë me gjashtë vëllime të shkrimtarit dhe veprimtarit të LDK-së Shefqet Dibrani.
Suksese!
Lausanne, 23.09.2018