TRI PAMJE LUFTE NË TERR – tregim

0
476

Adem Gashi

(Tregim)

I.
Ulur në ndenjësen e pasme të një BMV-je të zezë, me xhama po ashtu të zinj, midis shoqëruesve të huaj, ai ndjeu rëndesën e papeshë të trupit të vet të hajthëm. As pagjumi i disaditshëm nuk i linte vend gjumit, po një jermi të mjegullt. Kishte kohë që nuk kishte dalë nga shtëpia në Velani dhe, për më tepër, asnjërit nga njerëzit e personelit që kujdeseshin për furnizim e siguri asnjëherë nuk u kërkoi t’i thoshin se ç’po ndodhte jashtë, se ç’bëhej në Prishtinë, në Kosovë e gjetiu. Madje as bodigardit të rënë nga gradat prej policëve serbë.

Megjithëse sillej nëpër shtëpi e merrte kontakte me të huajt, njeriu me pamje serioze prej burri me mustaqe, i vetëshpallur nga truproje në shef protokolli e portparol presidenti, as ai asnjëherë nuk gjeti te tjetri besimin e trajtimin që kërkonte.

Ndërhyrja e policisë serbe si duket u bë pa një skenar të studiuar. Punë që u ndodhka edhe ekspertëve të përbetimeve! Instruktorët e sigurimit e kishin menduar si një ndërhyrje me efekt, duke nxitur valë trillesh e dyshimesh, pandehmash e gjysmë të vërtetash, akte sakrificash e rebelimesh, besë e pabesi, përndezje e përtallje. Kur nuk doli asgjë nga kjo, madje as nga një plagosje e një vrasje, që thuhej se ndodhën gjatë intervenimit dhe rezistimit të rojeve të tij, nuk prodhuan ndonjë emocion. Prandaj, ata u ngutën që me një kumtesë të shkurtër për opinionin publik të deklaronin se intervenimi u bë për shkak të sigurisë se kryetarit të LDK-ës ndaj sulmeve të paralajmëruara të terroristëve të UÇK-së.

Shenjat e para që dolën nga shtëpia-kaba, që nuk u shndërrua kurrë në godinë presidenciale, siç e donin ideatorët e saj, ishte se brenda, pos familjes së presidentit ndodhej edhe një vajzë e panjohur me shami, me gjasë gazetare, dhe shfaqja e bodigardit pa mustaqe.

Vajza me shami dhe mungesa e mustaqeve të tjetrit qenë të vetmet elemente që në njëfarë dore shërbyen të endnin një intrigë të hollë, po pa gjasa të tjerrjeve të mëtejme. Përvjedhja si e rastësishme e vajzës me shami nëpër portën e shtëpisë-kaba, vetëm pak çaste para ndërhyrjes së policisë, nuk krijonte shoqërime idesh as për njerëzit me prirje të skajshme fantazie që mund ta shihnin si mbesë, si teze, si ilaka muxhahidine (zot na ruaj!), si stiliste mode, si mike e rastësishme nga Parisi, ku ai dikur kishte ndjekur leksione për semantikën te profesori, Rolan Barthes-i! Më shumë nga të gjitha u bë se ngjiti linja për shije mode: një shall mëndafshi dhe një shami lahurie.

Historia e mungesës së mustaqeve ndërkaq ishte tepër komike dhe groteske dhe nuk duronte asnjë mballosje si pasojë tragjizmi, martirizimi e torture. Heroizmi me mustaqe, e shumta, mund të ngacmonte fantazinë e fëmijëve që ndërlidhej me filmat multiplikativë për Tomin dhe Xherin. Çudi, kishte pothuajse dhjetë vjet që ata nuk flisnin shqip, as si subtitrim as si mbisinkronizim. As anglisht, natyrisht. Në vend të Good Morning, dear!, Tomi i thoshte Xherit: Dobrojutro, druzhe!

Presidenti që, për ditë e net të tëra, kishte qëndruar ulur në karrigen pranë tryezës së madhe në të cilën shkëndijonte idiotësish një copë e madhe nga kristalet e Trepçës, në një pozë të ngjashme me atë të Budha-s së plakur, veçse me kokën të përkulur mbi duar, më shumë qe habitur kur në fytyrën e tjetrit, të nxirosur nga ngrysja, dalloi vendet bosh që zbardhnin për nën hundë e sipër buzës së epërme dhe i erdhi të qeshte me gjithë zërin.

Dobrojutro, druzhe! – kishte shqiptuar përshëndetjen kryepolici, pastaj ishte kujtuar për një çikë korrektesë: – Idemo, profesore! Presidenti e kishte kuptuar se ishte koha të niseshin dhe pa pyetur më tej qe ngritur nga karrigia duke e lënë bosh vendin e Budha-s.
Megjithëse shumë vite kishte punuar si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe njerëzit e Sektorit të Folklorit e të Letërsisë popullore i njihte një për një, nuk shquhej për ndonjë prirje të andejme. Madje më shumë pëlqente e bënte pozën e intelektualit oksidental.

Në çastin e nisjes, ndërkaq, nuk i shpëtoi nga kujtesa përralla Rruga që çon e nuk kthen po, në stilin e tij modernist, i bëri një remont aty për aty titullit të saj: Rruga që s’dihet se ku çon!

Kur u nisën makinat, një para dhe një pas BMV-së, pati një vegim të bëftë, krejt surreal. E ndjeu veten pikërisht në madhështinë e një presidentit, shoqëruar me shpurën solemne, tek parakalonte rrethuar turmës së dendur e të ngazëllyer të popullit që brohorisnin pa pushim emrin e tij. Midis fanfarave, sirenave e borive dalloi flamurin që e kishte disenjuar me të birin: një shqiponjë dykrerëshe e vënë në kryq me fjongon e verdhë në mes, ku lexohej qartë emri: DARDANIA. Për pak sa nuk e ngriti dorën e djathtë të përshëndeste kur e këndelli alarmi prerës i një makine policie që i anashkaloi duke ia hapur rrugën kolonës së autoblindave me paramilitarë flokëgjatë, të parruar e me shami të zeza lidhur ballit.

Përgjatë rrugës drejt veriut, përpara, me të djathtë e me të majtë s’pa veçse hapësirë boshe, shtëpi të djegura që vende-vende akoma tymosnin. Nuk iu kujtua emri i piktorit, po imazhi i tablosë së tij Nature morte.

Nature morte! – belbëzoi me vete dhe shoqëruesi që e kapi mërmërimën ia bëri:
Treba vam nesto, profesore?
Ky vetëm ngriti supet.

Më tej akoma, duke lënë anash qytetin e Podujevës, qytetin e fundit të Kosovës, hapësirës së tejpashme dalloi një tufë qensh endacakë që nga uria i ishin vënë pas një bualli. Kisha të drejtë, mendoi me vete presidenti, kur hodha idenë për Shoqatën e Mbrojtjes së Qenve të Sharrit dhe të Buajve. Ani se oponentët e mi talleshin. Ato qenë ide civilizuese e perëndimore. Ç’t’i bësh injorancës provinciale?

Në zonën ndërkufitare, kur po e linin Kosovën pas, iu kujtua R. F., gazetarja me shami, që gjatë gjithë kohës sa rrinte në shtëpi mbante pareshtur shënime. Të jetë edhe ajo një nga personazhet e lojës së antidramës?

Mendimi i fundit që iu shfaq qe krejtësisht habitor: Qenkam presidenti i vetëm në botë i një vendi pa popull!

II.

Njeriu shtatvogël me stazhin më të madh të burgut ishte shfaqur rrugës kryesore të kryeqytetit, pikërisht në mesditë, shoqëruar me të motrën.

Ç’është e vërteta ai nuk kishte ditë që nuk kishte dalë dhe jo rrallë qe përplasur me policët serbë. Nuk e kishte për gjë t’ua thoshte në sy se pikërisht ata qenë okupatorë dhe madje primitivë në përpjekjen e tyre. Liria e popujve më nuk është sekret perëndish dhe as robëria privilegj djajsh, – thoshte. Tani unë ju shoh juve më të robëruar se veten time. Ju keni armët dhe forcën, por unë kam guximin, shpresën dhe besimin.

Kishte nga policët edhe të tillë që qeshnin e talleshin me të; edhe të tillë që i hakërreheshin dhe e shtynin me forcë, duke i thënë t’i ishte mirënjohës zemërgjerësisë së vozhdit (Slobodanit) se, ndryshe do ta rripnin në çast për së gjalli; edhe të atillë që, së thelli, i jepnin të drejtë, por urdhrat duheshin zbatuar. Kam lënë njëzetetetë lëkura, për njëzetetetë vjet, si gjarpri, nëpër gurët e shkëmbinjtë e Stara Gradishkës, – ua kthente ky flakë për flakë, – dhe, ja ku jam! Vritmëni! Aq më bën!

Qytetarë të pakët që e panë, fshehur pas perdeve të trasha të apartamenteve në rrugën kryesore të qendrës, e morën o për të krisur, o për guxim të pamatshëm, o si nostalgji plaku për aventurë të re, o si gatishmëri sakrifice deri në Vetëmohim!? Pati edhe nga ata që hodhën dyshime për lojë të stisur të agjentëve e të sigurimit serb, derisa toleronin diçka të këtillë në rrethana krejtësisht jonormale.

Megjithatë, aureola e burgut njëzetetetëvjeçar, çmimi “Saharov”, shndërrimi në simbol rezistence në sytë, mendjen dhe bindjen e bashkëkombësve i ishte shndërruar në koracatë prej heroi të gjallë dhe e kishte bërë të paprekshëm. Ata mund ta përbuznin e fyenin, po nuk mund ta vrisnin se do ta bënin mit të paasgjësueshëm për jetë të jetëve dhe i druanin edhe skandalit të pariparueshëm në planin ndërkombëtar.

Sidoqoftë, ishte e sigurt se kishte një urdhër sekret të sigurimit serb që vinte drejtpërdrejt nga maja e pushtetit shtetëror: Të mos prekej ai, edhe përkundër faktit se ishte deklaruar si zëdhënës politik i UÇK-së! Urdhri sekret kishte edhe një nënurdhër: të vriteshin emra të veçantë veprimtarësh, nga një listë e shpallur ditë më parë si gjoja sekrete, por që qarkullohej gjithandej!

Kur u mor vesh mandata e vrasjes së avokatit të dalluar me dy të bijtë, thashethemnaja e lëkundi qëndresën e individëve të fshehur.

Domethënë, qenkan të vrarë të gjithë këta! – klithi një gazetar kontrovers, por shpejt e mblodhi mendjen kur u kujtua se edhe emri i tij ishte në listë bashkë me një shkrimtar e disa udhëheqës të institucioneve paralele, siç thuhej. E pra, unë jam gjallë, i pavrarë, – mendoi ai, – po loja me listën dytehëshe tashmë prodhuaka mjaftueshëm ankthin dhe pashpresën!

I ndodhur në zonën asgjallasvdekur provoi një gjendje të tejbotshme, si një ndarje mekanike të qenies në trup, me një anë, dhe shpirt, në anën tjetër. Vërtet, – u hamend, – po të më jepej mundësia e zgjedhjes së pashmangshme midis të dyjave, cilën do ta merrja?

Intimisht e donte lavdinë e të dytës nga pozicioni i të gjallit, po kjo ishte një gjë e pamundur. E mundur, ndërkaq, ishte vetëm ndjenja se të tjerët, së paku për njëfarë kohe, e dinin për të vrarë. Se ku e kishte dëgjuar atë shprehjen proverbiale: Mendoj, prandaj ekzistoj!? Kam frikë, prandaj jam gjallë, – tha me vete duke ndier dridhmën nga majat e gishtërinjve të këmbëve deri te rrënjët e flokëve të rralluara.

III.
Shiu i përzier me borë e me një ftohmë krejt të parëndomtë për sezonin mbushi luginën e mbushur me refugjatë, zdërhallur në strehëza plastmasi e sheshazi. Një botë e tjetërfartë, e paimagjinueshme ku përziheshin turma pleqsh, plakash, nusesh me sy të vuajtshëm e shikime boshe, djem të rrallë avdallë mbushur paradoksalisht me energji seksi dhe të qara fëmijësh që kishin humbur kontaktin me prindërit. Midis turmës që shtrihej si një amebë përmasash gjigante, njerëzit, të shumtën mbaheshin dorë përdorë se mos humbisnin e nuk takoheshin më. Uturima e lumit të Lepencit ua kujtonte atyre edhe më shumë përhumbjen. Sikur u thoshte: Ju këtu për jetë të jetëve. Unë po iki tutje, në jug. Mua nuk më ndalon asnjë kufi, doganë a polic.

Mbështjellë me një asshallaspeshqir, akademiku, nuk dihej në mbrohej nga ftohti a fshihte dukjen boshe që kishte lënë mjekra me rrënjë dyzetvjeçare. Pamja thatime prej portretit të De Radës e bënte edhe më të menduar. Që kur mësoi emrin e luginës, Bllace, e mori me mend se as mund të imagjinohej emërtim më i saktë për baltinën e paemër që ishte zonë asnjanëse ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Pak më tej qenë rreshtuar kordonët e policisë speciale, armatosur deri në dhëmbë, thua se duhej të përballeshin jo me një turmë refugjatësh prej mijëra vetash, të ligur përvdekshëm e të pashpresë, po me hordat1 e kohortat e tërbuara të hunëve a të gotëve.

Në një hapësirë të këtillë të paemër, në një hapësirë ranore në vend të baltës duhet të ketë qenë Arkimedi, duke vizatuar rrathë e drejtëza e trekëndësha gjeometrikë, kur qe therur nga shtiza e ushtarit sirakuzian a të ushtarit në Sirakuzë (?).

Zonë asnjanëse, – tha me vete, – domethënë Purgator. Prapa lamë Ferrin. Po Parajsa, ku? Ku? Ku?
Përsëritja e pyetjes sikur iu shndërrua në kukamë.

Ku gabova? – pyeti pendueshëm sërish me vete, kur kujtoi se vetëm një natë më parë, nga Kodra e Diellit, me telefon kishte dhënë deklaratën tronditëse në radion gjermane Dojçe Welle, lajmet në gjuhën shqipe, që zor se kishte shqiptar të mos e kishte dëgjuar. Një thirrje e kushtrim plot emocion për të mos lënë vatrat, shtëpitë, pragjet; për të mos e braktisur Kosovën me asnjë çmim dhe ishte hera e parë që nuk pati nevojë për referenca mendimtarësh të epokave e të popujve të ndryshëm. Ishte i vetëmjaftueshëm potenciali harmonik i mendjes, arsyes dhe ndjenjës njerëzore.

Të tërën e kuptoi kur u kujtua se me të aguar të asaj dite ndjeu goditjet e çizmeve të njerëzve (a mund të quheshin njerëz?) me uniforma të zeza e maska, në portën e shtëpisë që e shkallmuan sakaq, pa i dhënë mundësinë e hapjes. Para fytyrës i ishte hedhur kundërmimi e shlivovicës dhe urdhri çmendurak: Imate pet minuta da se pokupite ili metak na celu! Bezhi! – me një të sharë të pistë rrugaçësh mbrapa.

– Nazad, begaj!
Ky nuk që përfytyrim, po urdhri i ri i specialcit maqedonas.

Pavetëdijshëm akademiku ishte afruar në kufirin e palejueshëm të baltinës asnjanëse. E pa me kujdes tjetrin, madje drejt e në sy. Po, pikërisht Vdekja më vjen prej syve të tillë! – shqiptoi heshtas titullin e romanit të tij, duke u ndërmendur se edhe poeti, Cesare Pavese2, kishte klithur dikur mu kështu: Verrà la morte e avrà i tuoi occhi! Përndjekur e dëbuar nga fashizmi, nën peshën e dalldisë depresive përtej caqeve të durimit, kur e kishte shpërfillur edhe dashuria, ai kishte bërë vetëvrasje.

Fill pas tij i ishte kujtuar Eme Sezer3. Pavese ka ikur nga kjo botë, po ti jeton akoma, – kishte thënë me vete. – Ku je Eme, negër i çmuar e fisnik, ku je ti tani, kur zërin tim e kërcënojnë, e shurdhojnë, e ngufasin neokolonialistët serbë në fundshekullin XX?
Nuk e dinte nëse po i fliste dytësit a shëmbëllimit të tij të zi.

Shënime:
1. Derisa po e shkruaja këtë emërtim të formacioneve të hershme ushtarake, programi i instaluar i drejtshkrimit në PC ma nënvizoi me të kuqe. E hapa ta shihja se si duhej drejt. Ç’të shihja!? Variantet që më ofroi ma nxorën gazin sa nuk e bëja zap: horat, kordat, horrat. Kur i shtova një h: kordhat, pordhat, hudhrat. Hahaha! (Shënim imi, A. G.)
2. Cesare Pavese (1908 –1950) poet dhe romansier italian, njëri ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit XX.
3. Aimé Fernand David Césaire (1913 – 2008), poet dhe figurë politike franceze, lindur në Basse-Pointe (Martinique), i njohur për veprimtarinë e tij antikolonialiste dhe për krijimtarinë letrare.