Jeta e shkrimtarit në diktaturë dhe përpjekjet për të mbijetuar
ESE nga FASLLI HALITI
Prushi ynë poetik, krijuar në qytetin tonë gjatë viteve 1963 – 1973, u shprish vërtet, por u ndez përsëri në demokraci.
Më 1950, mbarova shkollën fillore. Në pyetjen e provimit të fundit të lirimit, në lëndën mësim natyre, më ra pyetja mbi bletën. Si u përgjigja, mësuesi u kënaq, kurse inspektori i arsimit më tha, hajt ik tani e ruaj lopët. Nuk më erdhi mirë. Pse s’më tha ik e vazhdo shkollën 7-vjeçare? Nuk shkova me lopë, por u bëra bujk.
Isha vetëm 12-13 vjeç, sepse u futa me vonesë në fillore, kur ajo u bë me detyrim. Punova si bujk tre vjet. Gjatë lëvrimit, kur zbreja qetë, lexoja dhe vizatoja. Lexova librin me përralla Aleksandri i madh të Selman Vaqarit, që m’u dha nga shkolla si nxënës me fletë lavdërimi. Pas leximit të librit të parë lexova romanin Kasollja të Blasko Ibanszit, librin Reportazh i shkruar me litar në grykë të Julius Fuçikut etj.
Pra lëroja dhe lexoja, dy nga këta tre libra, s’di se si më kishin rënë në dorë. Lexoja, por edhe vizatoja shumë. Një ditë vëllai i madh, ia tregoi vizatimet e mia piktorit, aktorit dhe regjisorit të shtëpisë së Kultures, Ilia Shyti, i cili i pëlqeu dhe i vlerësoi shumë. Nuk e zgjati. Pas një pune që bëri me mua, në korrik të vitit 1953, më dërgoi të konkuroja në Tiranë, për t’u futur në Liceun Artistik, në degën e pikturës, me bazë fillore.
Pas një muaji mora përgjigjen se kisha fituar konkursin, po vadisja arën. Pashë këmbët e mia të mufatura nga uji, të zbardhura, gjithë shpofka si bark bretkose ose si dy copa polistaroli, si ai që njohim sot, thashë me vete; pse këto këmbë do të venë në Liceun Artistik?
* * *
Ditët e fundit të gushtit, po korrja misër. Erdhi babai. Lëre atë drapër më tha; shko lahu e shpëlahu, bëhu gati, merr valixhen dhe nesër në mëngjes, nisu për në shkollë.
Dhe ditën e parafundit të gushtit të vitit 1953, u nisa për në Liceun Artistik në Tiranë, për të studiuar për pikturë. Ilia Shyti, po më nxirrte nga balta, në asfalt.
* * *
Më 1 shtator 1953, në moshën 15-16 vjeçare, fillova Liceun Artisik, në klasën e pestë. Pas muajit dhjetor, në pushimet simestrale, profesori i letërsisë Ali Zela, pasi u njoh me hartimet e mia dhe i pëlqeu, më dha për të lexuar Hamletin, Makbethin, Romeo e Zhulieta, të Shekspirit, tragjedinë Zonja Ingra e Ostrotit të Ibsenit etj. Këta janë librat më me art e filozofi, më tha profesori. Lexoi me vëmendje. Dhe unë duke i lexuar me kujdes e shumë vëmendje, kërkoja të shihja, të gjeja se, ku e kishin, ku e fshihnin artin dhe filozofinë, këta libra, por edhe pse s’arrija t’i shihja e t’i gjeja, arti dhe filozofia e tyre u fosilizun brenda meje si shtresa diamanti.
* * *
Por…, më 30 nëntor, pas parakalimit ushtarak, që u bë më 29 nëntor, me rastin e jubileut
të 10-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, më 30 nëntor, u mobilizova ushtar e shkova në Vlorë, dy vjet rresht.
Gjatë dy viteve të ushtrisë, u gjenda në një mjedis me ushtarë intelektualë Muharrem Fejzo, Leka Toto nga Tirana; Pjetër Arbnori dhe kompozitori Tonin Arapi nga Shkodra etj. Lexova shumë libra me tregime e novela të klasikëve francezë e amerikanë. Lexova romanin Aventurat e Tom Sojerit, të Mark Twainit, tragjedinë Intrigë e dashuri të Shilerit, novelën Malva të Gorkit, romanin e bujshëm Një hero i kohës sonë, të Lermontovit, tregimet e Çehovit, Tregimet e Donit të Shollohovit, poezi të Pushkinit, Majakovskit, Lermontovit, etj., i nxitur nga ky mjedis.
* * *
Në nëntor të vitit 1956, u lirova nga ushtria dhe në shtator të vitit 1957 u ktheva përsëri në Lice, për të vazhduar studimet e lëna përgjysmë. Pashë se të dy nuk ishim ata që kishim qenë, të dy kishim ndryshuar, si Liceu dhe unë. Liceu i vitit ’57, nuk ishte më ai i ’53-shit. Pedagogët e lëndëve artistike ishin diplomuar, pothuaj, të gjithë në Perëndim: Itali, Francë etj. Me nxënësit e muzikës, dramës, pikturës, skulpturës, organizoheshin koncerte, etyde dramash, ekspozita. Frynte një erë e re liberale.
Altoparlantët buçisnin nga muzika italiane dhe jo vetëm nga ajo sovjetike si dikur në vitin ’53. Liceistët shihnin albume, revista me piktura dhe filma me piktura e piktorë impresionistë e posimpresioniste që shfaqeshin në sallën e pinakotekës së Liceut.
Më dukej sikur nuk isha në Tiranë por jashtë shtetit dhe pinakoteka më dukej si një Luvër i vogël i Tiranës. Ndiqja çdo veprimtari aristike që bëhej në Lice. Ndiqja jo vetëm saxhiot e nxënësve të muzikës, por edhe koncertet e tyre në sallën e koncerteve të shkollës, si dhe shfaqjet e operave në sallën e teatrit të operas, si dhe fragmente veprash që luanin nxënësit, që mësonin për aktrim, pa lënë mënjanë, natyrisht, ekspozitat e pikturës që hapeshin, jo vetëm në pinakotekën e shkollës, por edhe ato në Galerinë Qendrore të arteve figurative në Tiranë.
Nëse në ushtri më qëlloi të isha midis një mjedisi me ushtarë të kulturuar nën ndikimin e të cilëve e ushqeva veten me lexime librash të autorëve botërorë, liceu Artistik më formoi si krijues me mjedisin e tij të nivelit të lartë artistiik e intelektual, letrar e kulturor. Kështu që në vitin 1961, në qytetin tim po kthehesha, jo siç shkova në Liceun Artistik nga korrja e misrit, por me korrje të reja, këtë here, artistike, me mbushje të tilla, që zienin brenda meje e që mezi prisnin të derdheshin e të vërshonin furishëm në qytetin tim…
* * *
Qytetin tim e gjeta me një Vaçe Zela të lindur gjeneshë dhe me një jetë të vakët kulturore e artistike. Në qytet kishte dhe një poet, beniamin i komitetit të partisë i cili ishte mësues letërsie dhe sekretar i organizatës bazë të gjimnazit dhe Organizatave të tjera Bazë të shkollave të tjera shtatë-vjeçare të gjithë qytetit. Një pseudopoet ky që recitonte bejtet e tij, hipur nëpër fiqtë dhe ullinjtë e kodrës së qytetit, sikur kodra të ishin Olimpi i muzave duke krijuar kështu modelin e deformuar e komik të poetit në përgjithësi…
Megjithatë ky biçim poeti, ishte shumë i talentuar për të shkulur edhe bifkën më të njomë të talentit, me qëllim që mjedisi krijues të mbetej Saharë, pa një fije talenti, me qëllim që të bleronte vetëm ai si një fije kashte e fishkur «poetike». Sapo erdha në qytetin tim, fillova të bëja peizazhe me akuarele dhe vaj.
Ai mësuesi i vizatimit, në vend që të pikturojë pallatet e reja, që po ndërton Partia çdo ditë në qytetin tonë, vete e na pikturon ca zgëqe që të fusin datën. Kështu dëgjova të thoshte për mua, inspektori i kulturës një ish berber. U theva, a mbase ky, ishte një pretekst që të jepesha i tëri pas poezisë, ku e ndjeja se shprehesha plotësisht e më fuqishëm e, jo në mënyrë të vakët si në pikturë. Kështu që piktura kaloi në vend të dytë, kurse poezia zuri qoshen e krijimtarisë sime…
* * *
Dy vjet pas ardhjes në qytetin tim si mësues vizatimi, më 22 prill 1963, botova poezinë e parë në gazetën “Drita”, ku redaktor për poezinë ishte Kadareja. Botimi i poezisë më gëzoi, gati, sa lindja e fëmijës së parë; edhe pse Kadareja e kishte botuar të përgjysmuar poezinë time, nuk m’u zbeh vala e gëzimit të botimit të poezisë, sepse ai përgjysmim e kishte përmirësuar poezinë e stërzgjatur.
Pastaj vazhdoi botimi i cikleve që ndonjë poezi e tyre, kritikohej nga revista e hidhur, konservatore “Hosteni”. Por ndërsa një fjalë e lëshuar nga inspektori i kulturës ashtu si në tym, më ftohu nga piktura, në poezi, përkundrazi, kritikat më bënin efekt të kundërt: të kumboja më shumë. Kritizerët dhe Hosteni villnin vrerë, unë e zbusja, e shuaja vrerin e tyre, e ktheja në mjaltë me antidotën e punës dhe frymëzimit tim.
Ndërsa botimi i poezisë së parë më lumturoi si lindja e fëmijës së pare, ajo u shoqërua me anatema. Krijuesi nopran, cinik, me një grint satiri në zemër dhe në majë të gjuhës, pa asnjë farë motivimi, sapo e pa të botuar poezinë time të parë në gazetën “Drita”, pështyu gazetën. Nuk e pashë. Ma thanë ata që e panë me sytë e tyre. E besova. E njihja. Buzët e tij kë nuk pështynin.
Edhe vetë qiellin. Pa le tokën. U bënë dy që më futën në shenjestër: satiri cinik dhe Hosteni shafran, kobzi. S’u mjaftuan me kaq. Filluan insinuatat, shpifjet që në hapat e para në rrugën time krijuese. Më thirri në zyrë sekretari ideologjik, ish traktoristi i cili dinte të zbërthente e të mbërthente disi traktorin, por asnjë rrokje të vargut, po le pastaj të zbërthente poezinë.
Ç’e ke këtë poezi “kundër shtergëve që e lënkan atdheun në baltë, breshër e shi dhe na bredhkan pas pranverave. Ku janë këto pranvera. Pse, a s’është atdheu ynë Pranverë?” Me këtë poezi, shoku sekretar, unë ngrihem kundër filozofisë kozmopolite. Jo more! Filozofinë kozmopolite s’e kuptoj unë e na e kuptoka koka jote! Pas diskutimit egërshanë të librit tim të pare, “Sot”, takoj SD., një ish sigurims të zhveshur për hymeret e tij, që ç’nuk tha kundër librit tim. Dëgjo SD. i thashë: po si m’u turre ashtu ti mua, sikur të mos ishim të dy myzeqarë?
Po meqë jemi të dy krijues, po të citoj një alegori popullore: “Kur prenë rrapin ca druvarë/ Dhe vunë pykën për ta çarë,/ Ai tha: sëpatën tuaj e kam armik,/ Ndaj nuk ndjej pikëllim,/ Por për pykën unë vuaj/ Që është dru prej drurit tim./ Ç’do të thuash ti, me këtë ? Dua të them që ti mbajte anën e shkrimtarit të “madh” KR, i cili e ngriti lart librin tim “Sot”, që ta shihnin të gjithë të pranishmit në sallë dhe tha me zë të lartë: e shihni këtë libër? Ky është një libër reaksionar! Dhe ti i mbajte ison duke pohuar gjithashtu me zë të lartë: po shokë, mirë e ka shkrimtari ynë i madh, shoku KR.
Libri i Faslli Halitit është një libër reaksionar, që e sheh me syze dielli jetën tonë të ndritur socialiste. Po si mor SD, reaksionar unë, që së bashku me ty mblidhnim lakra në ledhin e përroit dhe duke i shkulur i hanim ato të gjalla pa i çuar në shtëpi, që t’i zienin nënat tona?
Por SD, në vende që të prekej, të reflektonte, të nesërmen, na shkon në Komitet të Partisë dhe trillon shpifjen më trillane të botës. I thotë komitetit të Partisë se Faslli Haliti ka shkruar një poemë të gjatë kundër sekretarit të parë, ku e quan pykë dhe byk, të cilën e ka daktilografuar në shumë kopje dhe e ka shpërnadarë gjithandej. Unë nuk dija gjë edhe pse kjo flitej gojë më gojë. Më kap Razi Brahimi dhe më thotë: do të pyes për diçka Faslli, unë nuk e besoj ta kesh bërë këtë që dëgjova, sepse ndryshe ti ose duhet të jesh reaksionar ose naiv.
Më thuaj. Si është puna? – i them, jo pa shqetsim Raziut, kritikut të famshëm që ishte dhe drejtor i shtëpisë se kulturës se qytetit tone. SD. më thotë Raziu, ka shkuar në komitet të partisë dhe ka thënë se Faslli Haliti ka shkruar një poemë kundër sekretarit të Parë, ku e quan pykë dhe byk, e ka daktilagrafuar në shumë kopje dhe e ka shpërndarë gjithandej. Sa ma tha Raziu, unë qesha me të madhe. Pse qesh, më thotë ai?
E di si është puna Razi. Pas diskutimit të librit tim, ku SD. foli mbarë e mbrapasht duke më quajtur mua edhe reaksionar, unë e takova pas mbledhjes dhe i citova një alegori popullore: /Kur prenë rrapin ca druvarë/ Dhe vunë pykën për ta çarë,/ Ai tha, sëpatën tuaj e kam armik,/ Ndaj nuk ndjej pikëllim,/ por për pykën unë vuaj/ Që është dru prej drurit tim. E qartë, më tha Raziu. E kuptueshme.
Pas kësaj, në shkrimin «Kriimtaria letrare e rinisë» Kadare shkruan: «Ka pasur raste kur në ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazettes «Drita» nga një letrar i ri i Lushnjës, i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që ju bë librit «Sot» të poetit të ri Faslli Halii nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër, ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mire poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm që e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushatë akuzash spekulative».
Edhe kur autorin e poemës «Dielli dhe rrëkerat» e dënuan me punë të detyruar, F. Rustemi ishte i vetmi që reagoi kundër dënimit të padrejtë të poetit duke i shkruar letër Enver Hoxhës. Më pas njeriu i tre pa-ve ( kolegët e quanin të tillë se ishte professor, pa diplomë, gjeneral pa ushtarë, sepse kishte abuzuar gjatë zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve të rënë gjatë luftës së dytë Botërore në Shqipëri si dhe shkrimtar, pa vepra), takon një ditë në kafe shkrimtarin Halil Jaçellari dhe i thotë gjithë mllef, veç mos i daltë gjë Faslli Halitit me Visar Zhitin, gjatë hetimeve në burg se, në shenjestër e kam futur. Njeriu i tre pa-ve, ishte prekur nga një shkrim imi në gazetën «Zëri i popullit», ku aludohej për servilosje e tij ndaj kunatit, zëvendës ministër i Ministrisë së Brendshme.
Për shkakun tim, po shiheshin vëngër edhe disa nga krijuesit më të talentuar të Lushnjës. Kur ndonjë nga “liderët” e letërsisë në Lushnjë, qëllonte të lexonte ndonjë cikël me poezi të Fatbardh Rustemit apo Bujar Xhaferrit, thoshte se poezitë tyre ishin më zi se poezitë e Faslli Halitit, si dhe ndaj shkrimtarit të talentuar Halil Jaçellari, të cilit i thane në sallën e gjyqit se kishte në kokë lakrat e Faslli Halitit, ndaj thoshte lart e poshtë se do t’i shkelte me këmbë gjithë komunistët e ndëmarrjes.
Nuk thonë kot: “më thuaj me cilin rri të të them se cili je“. Edhe krijuesit e rinj Visar Zhiti, Bujar Xhaferri, Halil Jaçellari, duke mos u ndarë ditë e natë nga poeti i tyre i përkrahur e vlerësuar nga Kadare, Faslli Haiti, si ai do të shkruanin dhe ata letrarë, katran me bojë, zi, domethënë…
* * *
Një ditë, aty nga ora 12.30’ , shoh në oborrin e gjimnazit poetin e ri, Fatbardh Rustemi. Mësova se e kishte nxerë jashtë nga klasa mësuesi ose “professori” i letërsisë siç e quante ai veten dhe fëmijët e tij. E pse, me siguri nga që kishte folur me shokun e bankës, mendova, por jo; “profesori”, mësuesi i letërsisë e kishte ngritur në mësim për të komentuar një poezi të Majakovskit dhe kur nxënësi kishte cituar vargun, ku poeti thoshte se, në çdo zyrë ka nga një burokrat; “jo more”, i kishte thënë, profesor – mësuesi i letësisë, de, që vetë ai dhe gjithë fisi i tij e quanin profesor.
Pse i ke numruar ti?
Jo unë, professor, por Majakovski, i kishte thënë nxënësi.
Jashtë i kishte thënë, mësues-profesori i letërsisë, duke bërtitur aq sa gati u thyen edhe xhamat e klasës. Dhe ja tani Bardhi, rrinte jashtë në oborr duke ruajtur qetësinë e tij olimpike. Kjo më kujtoi rastin e një krijuesi të ri me talent të veçantë nga zona kodrinore, i cili kishte marrë pjesë në mbledhjen e rrethit letrar të gjimnazit, po u tregonte shokëve se si kishte folë ky apo ai anëtar i rrethit letrar. Po kur tha se në fund foli dhe mësues Murati…
Me ta dëgjuar mësues Murati, i cili nuk ishte veçse disa hapa larg nxënësve që po diskutonin me zjarr, befas, iu turr krijuesit të ri me talent të veçantë duke i thënë me inat, pse flinë më ke ngrënë ti mua, që më thua Murat dhe mësues dhe jo profesor Murati?
Po ti mësues je zoti mësues. Dhimitër S. Shuteriqi dhe Çabej, ata po, janë Profesorë…! Ashtu ë ? Dhe mësues Murati ia veshi aq fort me pëllëmbë krijuesit të ri me talent nga zona kodrinore, sa pesë gishtat e mësues-profesorit i mbetën një javë të nxirë në faqen e krijuesit të ri me talent të veçantë. Atëherë, ai, goditi me pëllëmbë letrarin e ri vetëm pse e quajti mësues si dhe në emër Murat dhe jo me ndajshtimin profesor Murati.
Dhe ja edhe sot si atëherë, paska nxjerrë nga klasa krijuesin me talent të spikatur, pasionant për kritikë letrar. Ja, pikërisht kështu vepronte ai mësues letërsie; nuk i shtonte thëngjitë e ndezur poetikë, që të prushonte vatra poetike e gjimnazit, por i shuante, i flakte tej dhe vatra mbushej me thëngjinj të shuar, të karbonizuar në vend që bubullonte nga prushi i bukur vetues poetik.
* * *
Edhe brenda prushit kishte ziliqarë ndaj ndonjerit që botonte pak më shpesh ose vlerësohej pak më shumë. Të kuptuehme këto. Mora vesh të thuhej se unë e kisha tepruar duke quajtur gjeni dike nga grupi ynë. Isha i bindur se s’kisha quajtur askënd gjeni. Shumë shumë mund të kisha thënë në mënyrë figurative, metaforike, se ky varg apo ky mendim i letrarit të ri i filan poeti të ri, më duket gjenial. Sipas rasti zili, ambicje, xhelozi shfaqte secili nga ne, në një çast dobësie.
Visari, ka qenë disi difident ndaj meje. Rastisi që një ditë erdhi në Lushnjë Xh. Spahiu. I tregova Xhevahirit dy-tre cikle të dy letrarëve të rinj të cilët i kisha në dosjen time. Pasi i kisha përzgjedhur vetë ia dhashë edhe Xhevahirit që ti lexonte për të verifikuar edhe veten. Pas atyre dy cikleve të cilët më kishin pëlqyer, nxora nga dosja dhe ciklin e midis Visarit të ciin e kisha e mbaja si një cikël brilant. Përzgjedhur midis poezive që më kishte dhënë Visari për t’i lexuar. Xhevahiri, gjithashtu e pëlqeu ciklin dhe u shpreh me entuziazëm për ciklin. M’u bë shumë qejfi që Xhevo u entuziazmua.
Ke poezi të tjera të tjera ?, e pyeti poetin e ri Xhevo. Kam i tha. Të shkoj t’i marrë. Visari shkoi në shtëpi, mori poezitë. I dha, Xhevos i cili këtë herë, nuk u tregua dhe aq entuziast si me ciklin e parë. Pas disa ditësh mësova se arsyeja që Xhevo s’e paskësh pëlqyer edhe aq ciklin e dytë, dilte se shkaku kisha qenë se, sikur gjoja unë, kur Visari shkoi të merrte poezitë e tjera, gjatë vajtje – ardhjes për në shtëpi, unë e paskësha vënë në dijeni Xhevon (i cili ishte redaktor në revistën «Nëntori») për biografinë e Visarit.
U pikëllova. Kuptova se ai ishte difident ndaj meje. Ja dhe një rast tjetër: Në viti 1972, Kadareja më përfshiu në Antologjinë që do të botohej në Francë me një cikël me poezi. Por cikli im poetik u hoq nga Antologjia, sapo unë shkova me denim në fshat per riedukim, per gabime idepolitike në krijimtari. U pikëllova, po nuk pyeta se kush e vuri në dijeni botuesin francez që unë isha dënuar. Kjo dihej. Partia e kishte vënë në dijeni.
Kështu i ndodhi dhe Visarit me ciklin poetik që i ishte futur për botim në revistën Nëntori, se sapo Visari u arrestua, cikli poetik u hoq nga revista. Po nga kush e morën vesh ata të revistës «Nëntori» që Visarin e kishin future në Burg?
Pa dyshim, Partia i kishte vënë në dijeni, kush tjetër. Ende pa gëdhirë, Paria niste komunikatën në çdo institucion; sa kv. pleh u grumbullua, sa kv. Pambuk u vol e, jo më të mos informonte se kush ishte arrestuar e burgosur. Kjo komunikatë shkonte gjithashtu edhe në Lidhjeen e Shkrimtarëve e cila nga ana e saj vinte në dijeni revistën «Nëntori». Të pyesje se si e qysh u muar vesh arrestimi i këtij apo atij poeti, ky është thjesht një obsession, difidence…
Mund të vijoja edhe më tej, por s’dua ta teproj me të tilla imtësira…
* * *
Një ditë, si mbaroi ora e gjashtë e mësimit, mora regjistrin në sqetull dhe bëra të dilja, por dy nxënës më bënë të ndalesha e të bisedoja me ta. Ishin dy djem, njëri flokëzi si Majakovski, me emrin kuptimplot Fatbardh dhe, tjetri bjond si Esenini, po me emrin, gjithashtu, kuptimplot Visar. Kur mësova se ata shkruanin poezi i bëra menjëherë shokë. I takoja, gati përditë, mbase më shumë. Bisedonim për letërsinë, sidomos për poezinë, pa politizime, por duke u rekomanduar si njerit dhe tjetrit vepra të shkrimtarëve të mëdhenj, ndryshe nga mësuesi i letërsisë dhe poeti beniamini i komitetit të partisë i cili u thoshte që të lexonim e të thelloheshin në marksizëm-leninizmin, nëpërmjet leximit të veprat të partisë e të shokut Enver…, nëse donin të shkruanin poezi të bukura, me partishmëri të lartë.
Duke qenë më i moshuari midis të treve, më takonte mua që të mos i çoja në ligatinat politike e ideologjike, këta dy krijues të brishtë, por tepër inteligjentë e të talentuar. Sepse e kisha mire parasysh thënien e Stendalit se Politika në një vepër letrare, ndjehet e vrazhdë si arma që shkrepet në mes të koncertit, si dhe thënien e Eseninit se ideologjia i ngjante një korbi i cili fluturon, fluturon e ulet diku.
MARRËDHËNIE
nxënësve të mi
Librat që merrja nga Fondi rezerv i Bibliotekës Kombëtare me autorizim të Lidhjes së shkrimtarëve apo nga Xhevahir Spahiu, Kiço Blushi, Fatos Arapi etj, ia jepja edhe dy kolegëve të mi, siç nisa t’i konsideroja tashmë, Visarin dhe Bardhin të cilët, gjithashtu, më jepnin dorëshkrimet e tyre me poezi disa me të cilat më entuziazmonin për këndvështimet dhe gjetjet interesnte e të guximshme, kurse disa të tjera më entuziazmonin me vargjet e lëmuar si nga dora e një mjeshtri apo si nga një dorë Naimi apo Mjede. Kur pashë se të tre po e ndihmonim njeri – tjetrin reciprokisht dhe duke pare se ata rriteshin para meje dhe unë thinjesha para tyre, atëherë botova në revistën “Nëntori” poezinë me një strofë vertikale e me strofën tjetrën horizontale:
* * *
Isha i vetëm në fillim dhe ja u bëmë tre. Ishim tre thëngjij të ndezur dhe u bëmë një prush poetik i cili rritej çdo ditë, javë, muaj e nga viti në vit, me thëngjijë të tjerë të ndezur poetikë. Kuptova se vatra duhej shtuar gjithnjë me prush të ri poetik. Dhe vatra u zgjerua, prushi poetik prushonte. U bëmë katër. Mes tre poetësh kishim dhe një prozator, me tregime realiste, jetësorë. U bëmë pesë, gjashtë shtatë, tetë, nëntë dhjetë…. e me ne po afroheshin krijues të tjerë të cilët zbrisnin nga kodrat që vinin nga fusha, nga gjithë fshatrat. Meqë unë drejtoja rrethin e piktures në shtëpinë e kultures dhe të pionierit, vatrës sonë poetike iu shtuan edhe piktorë, skulptorë, grafistë, akuarelistët, një prej të cilëve u bë i njohur që kur ishte pionier.
Më vonë, ai ekspozoi akuarele në ekspozitat kombëtare pa mbaruar ende Liceun artistik. Duke parë se nuk mund ta ndiqja më dot e lidha me shokun tim, piktor e shquar, me “Piktor e Popullit” S. Kamberi. Kështu që vatra letrare artistike, po zgjerohej më tej, nga viti në vit.
Poetët, tregimtarët lushnjarë po botonin me sukses, poezi, tregime, në shtypin qëndror letrar, po kështu dhe krijuesit e artit figurativ po ekspozonin me sukses në ekspozitat lokale dhe qëndrore. Filluan të dilnin në dritë librat e pare dhe ekspozitat e para personale…Tani qyteti ynë kishte dy vatra poetike: e jona dhe ajo e poetëve beniamin të komitetit të partisë. Vatra e treshes sonë poetike prushonte dhe ngrohte, ajo e mediokrëve, shkrumbonte sidomos talentet e “mbrapshtë”…
Por ja erdhi viti 1972, vit liberal me një fllad të lehtë demokratik që po i bënte krijuesit të çelnin gëzueshëm. Botohet në këtë atmosfere liberale, poema Dielli dhe rrëkerat. Vatra e mediokërve, u ndërsye. Mediokrit morën porosinë që të organizonin një autodafe kundër poemës që nxinte socializmin, jetën e ndritur dhe që bënte thirrje t’i bëheshin krah për ndryshimin e sistemit. Lukunia e krijuesve gardistë të kuq, nuk ishte pa eksperiencë në goditjen krijimeve dhe krijuesve tersë që godisnin vijën e partisë.
Ata kishin eksperiencë në këtë aksion, kishin goditur librin “Sot”, para dy vitesh natyrisht, duke patur ndihmën e komitetit të partisë dhe veçanërisht të sekretarit ideologjik, një ish traktorist i cili njihte disi traktorin, dinte ta zbërthente e ta mbërthente disi traktorin, por
jo poezinë, kurrësesi. Beniamini, poet, me sy të hirrtë si të maces së egër të pyllit, mori vlerësime të mëdha nga sekretari, për partishmërinë e lartë që tregoi në goditjen e librit reaksionar «Sot», siç e quajti një militant i ndërsyer të lihte në atë mënyrë. I tillë duhej të tregohej edhe këtë herë, kundër poemës «katran me bojë», siç e cilësoi atë sekretari i parë. Mbledhja autodafe u organizua.
Autori i poems u detyrua të qëndronte 10-12 orë në këmbë që t’u përgjigjej pyetjeve të gardistëve të kuq të gjimnazit dhe disa rrozhgëve që shkruanin bejte. Në mbledhje u vendos që autori i poems, nga mësues të shkonte 4 vjet në Kooperativën Fier-Shegan që të edukohej nga kooperativistët, aleatët e klasës punëtore.
Prushi poetik i krijuesve të talentuar u godit egërsisht me shqelma, u shprish, thëngjijtë e ndezur i mbuloi hiri, por nuk i shoi kurrësesi. Erdhi viti ’90 dhe erërat e reja e davaritën hirin dhe u zbulua prushi i krijuar nga treshja së cilës unë i kisha kushtuar poezinë: «Fatbardhi / unë / Visari./ Kështu diskutonim të tre,/Renditja ishte thjesht estetike,/Unë qëndroja midis jush/Si me i shkurtër/ Dhe jo si mësues», që gardistët e kuq bolshevikë të gjimnazit këtë poezi në kritikën e tyre aktakuzë e cilësuan këtë poezi gjysmëformaliste.
Edhe treshja jonë poetike u davarit. Autori i poems Dielli dhe rrëkerat shkoi në kooperativë për të kryer konvaleshencën 10-vjeçare ideologjike e politike 1973-1977, 4 vite në kooerativë dhe 6 vite në komunale, në dekorin e qytetit: 1977-1983, i normuar.Visar Zhiti u dënua me 10 vite burg në Spaç, për poezitë e tij mordente, antikomuniste, kundër diktaturës, në vitet 1979-1989.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Marrë nga Nacional