Tregim nga Gani I. Mehmeti – 19 prill 1999, Koliq – Vranidoll

0
174
Gani I. Mehmeti

E hënë, më 19 prill 1999, Koliq – Vranidoll

U zgjuam shumë heret me qëllim që të iknim sa më shpejt, dhe tani nuk na kish mbetur se kah të iknim dikah tjetër, përveç drejt për në Prishtinë.

Nuk e di pse, por ne mbetëm nga ora 3:30 deri në orën 7:30 pa u nisur. Deri vonë nuk u dëgjua zhurma e asnjë automjeti. Ne ishim të bllokuar nga ata që ishin përpara nesh. Pa u nisur e pa ecur ata, nuk mundnim as ne të lëviznim, nga rruga e zënë.

U nisëm. Po ecnim më këmbë, s’kishte siguri, më nuk kishim traktor e as automjet tjetër. Traktori i Shmesi Gimollit, me të cilin po lëviznim deri tani, mbeti në Përroin e Madh të Koliqit. Edhe ata traktorë që e kishin nxjerrë veten, po vonoheshin.

Unë tani po lëvizja bashkë me familjet e dajve të mi. Me dajat e mi ishte nëna e tyre, Dada Nazife, bijë e Shalëve të Sllatinës së Mavriqit, brezi i shtatë e pasardhësve të Demë Ahmetit të Reçicës.

Shemsiu kishte mbetur me Ramadanin dhe me Ismetin e me familjet e tyre mbrapa. Ishim të ndarë prej tyre që nga mbrëmë, kur u ndamë pas të shtënave serbe, me ç’rast pati numër të madh të vrarësh e të plagosurish në shpatinën në krye të së cilës është Shkolla e plotë Fillore në Koliq.

Ne po ecnim rrugës, ashtu shkujdesur e përgjumur me mendime ku ta dinim se ku, kur : « Ikni, se këmbësoria serbe erdhi » ! – u dëgjua një zë. Atëherë me sa mundën u tundën njerëzit të derdhen rrugës tatëpjetë për Radishevc – në drejtim të Prishtinës. Po rruga ishte e zënë me traktorë e me sa dukej ne duhej ecur nëpër mal, rrugë shumë të ngushta dhe me lëndina të vogla.

Ndoshta dikush mund të pyes : « Pse gjithë kjo ikje ? » Po se serbët janë të armatosur me armët më moderne të kohës: me topa, tanksa, praga, autoblinda, aeroplanë bombardues, edhe pse këta të fundit, ende nuk i ka përdorur, përveç në dy-tri raste, me ushtri të rregullt e jo të rregullt, me polici të rregullt e jo të rregullt, me ushtri partish të ndryshme, që pamëshirshëm vrasin, presin e dhunojnë. Deri sa shqiptarët e gjorë nuk e kanë as nga një pushkë e as miunicion, se kurrë nuk kanë pasur fabrika të tyre të armatimit, se kurrë nuk patën shtet, se kurrë nuk qenë të bashkuar, se kurrë nuk qenë të lir!

Armatimi i UÇK është vetëm sa për të thënë, i pamjaftueshëm kundrejt armatimit të Serbisë. Nuk ka mundësi ta mbroijë popullin e vetë, e serbët, kur kanë humbje, hakmerren në civilë. Dhe, pikërisht kjo ka për ta mundur Serbinë. Vrasja e civilëve, jo e ushtarëve të UÇK. Më këmbë, nëpër rrugën shumë lakuriqe ecnim teposhtë drejt Prishtinës, që nuk ka më pak se nja 17 kilometra, siç po thonë, sepse unë nuk i kisha rënë kurrë ndonjëherë më parë kësaj rruge e as kam qenë në këto anë deri më sot, që ishin për t’u dhimbsur të gjithë këta të munduar që po ecnin, e sidomos ata që ishin të ngarkuar me barra të ndryshme, me rroba, me bukë, me fëmijë të vegjël ngryk e me të sëmurë e ndonjë të moshuar.

Ishin për t’u dhimbsur edhe ata fëmijë aq të vegjël, të cilët dukeshin sikur e kishin kuptuar gjendjen dhe nuk qanin, nuk kërkonin asgjë, pos ndonjë pikë uji se shpesh, nuk gjendej as bukë e të mos flitet për gjëra të tjera për fëmijë.

Lodër e tyre ishte bërë mjerimi dhe trishtimi nga lufta se si të shpëtohej me shpirt në gjithë këto mundime.
Vajzat aq të bukura e kishin fshehur bukurinë e tyre mo rroba të vjetra e ndonjëra edhe me maska pluhuri në fytyrë, të mos u binin në sy policëve a ushtarakëve serbë se nuk do i dihej fundi. Ndodhte të dhunoheshin dhe të vriteshin pastaj.

Gjatë kësaj rruge, kur sapo kishim lënë prapa Koliqin, u takova edhe me Shemsi Hasanin, një nipin tim të dashur dhe familjen e tij. Ishte edhe Dada Arife, motra e babait tim, që Shmesi Hasani e ka nënë. Biesduam ashtu pakëz, dhe sërish u ndamë mga njëri-tjetri, duke u përqfuar e me lot nëpër faqe, sepse duhej ndenjur afër dhe me familjen e vetë secili.

Po gjatë kësaj rruge u takova edhe me drejtorin e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, prof. Ejup Shalën. Na preokuponte situata njësoj dhe po bisedonim rreth saj e për të. Rrahëm sa rrahëm mendimet me të për gjendjen tonë që nuk po i dihej fundi, dhe, më në fund, u ndamë edhe prej tij, duke i uruar njëri-tjetrit shëndet.

Ta kalosh fshatin Koliq, ishte një rrugë shumë e gjatë ! Por, tani edhe sa herë më e gjatë po na del rruga deri në Prishtinë, kur nuk dihej se çka do na priste gjatë rrugës. Duke kaluar nëpër fshtrat Koliq, Radishec, Makoc, Grashticë e Llukar për të hyrë në Priashtinë, për mua më e rënda ishte kur në anën e poshtme të kësaj rruge po shihja gjësende të gjuajtura nga të përndjekurit, rroba të ndryshme e gjithçka, por zemra po këputej kur shihje edhe djepa të lënë skaj rrugës, sepse të lodhur, nuk kishin mundur t’i bartnin më në krah! Djepi, simbolizon lindjene e rritjen e fëmijëve,në të cilin fëmijët përkundeshin, këndoheshin, simbolizon shtimin e popullsisë dhe ardhmërinë e tij!

Gjatë rrugës, nuk e di ku, mbështolla me najlon pakosh të cigareve fletët e ditarit dhe i mësheha në një kaçube, me mendjen se, po shpëtuam, të shkojë një ditë e t’i marrë. E shenjova mirë vendin me sy, kaçubën përbri rrugës që të mos e harrojë.

Rruga në Makoc po i ndante shtëpitë në të dy anët. Në një shtëpi dikush mori edhe bukë nga familjarët e asaj shtëpie. Në një shtëpi tjetër po furnizoheshin me ujë shpejt e shpejt, në mënyrë që të mos diktoheshin nga policë e ushtarakë serbë, se nuk i dihej kur do të kalonin këtej!

Mbasi kaluam këtë fshat, kaluan forca serbe rrugës. Ne vetëm po prisnim kur do të na ndalnin… Megjithatë, ata shkuan e nuk na ndali kush. Ishte rreth orës 18.00. Nuk guxonim as të ndaleshim prej tyre…

Hymë në Prishtinë… Këtë rrugë e njihja edhe nga hyrja prej Llukarit. Që nga hyrja e deri në dalje të Prishtinës, sikur kishte ndryshuar gjithçka: Ishte bërë qyteti sikur i shkretuar, shtëpi të djegura, degë lisash të rënë nëpër tokë deri edhe nëpër rrugë, kishin rënë degë të ndryshme drunjsh. Asfalti vende vende ishte me zall e gurë qoftë nga shirat, qoftë nga djegiet shtëpive dhe objekteve tjera, qoftë nga nuk e di se nga çka, sikur nuk kishte shkelur këmbë njeriu me vite.

Policët serbë nuk na lejuan të ndalemi fare në Prishtinë, vetëm sa na jepnin shenjë për vazhdimin e rrugës drejt për në Podujevë edhe për këmbësorë edhe për automjete. Shumë dendur ishin lëvizjet e ushtarakëve, paraushtarakëve dhe të policëve serbë, të cilët po na përcillnin se mos dikush po ndahej dhe po hynte në ndonjë shtëpi në Prishtinë. Policët i shihnim në vetura me regjistrime civile ose edhe pa targa fare – ishin vetura që ua kishin marrë shqiptarëve. Me ta shiheshin edhe ushtarët. Këtë e kanë bërë që t’u ikin bombardimeve të ANTO-s.

Duke ardhur rrugës, mu tek tregu i kafshëve dhe i veturave në Prishtinë që është këtej Kodrës së Trimave për në Podujevë, një serb, me një mantel të trashë e të vjetër me ngjyrë ushtrie, ishte në anën e kundërt të rrugës me mua, në anën e majtë. Ai po ma bënte me dorë, që të afrohesha tek ai! Nuk i dihej qëllimi se për ç’arsye po më thërriste me shenjë, duke ma bërë me dorë, që të afrohesha tek ai. Zë nuk qitte. Isha i fundit të kolonës. Si me ndrojtje, këputa asfaltin dhe u afrova tek ai.

– Merre këtë bukë dhe ua shpërndan fëmijëve, pa të thonë të tjerët çfarëdo që të duan! – më tha, duke e nxjerrë bukën nga nënmanteli i trashë që e kishte të veshur.

– Falemimnderit! – iu përgjigja, duke e marrë atë bukë, dhe jam kthyer menjëherë, sepse, vërejta se edhe ai nuk donte të qëndroja me të, nuk donte ta vërente dikush se më dha bukën mua, e i jam bashkangjitur kolonës. Me t’u afruar, ua kam ndarë bukën atyre fëmijëve që ishin aty afër e edhe Meritës pak. Nuk më kujtohet t’i kem dhënë fare Petritit, sepse më vinte keq t’u jepja vetëm fëmijëve të mi e jo edhe të tjerëve.

Ne po ecnim, kishte nisur të terrohej dhe disi nuk e shihnim tani mirë njëri-tjetrin. Kur kemi kaluar Bardhoshin, duke shikuar, po vërej se mungonte Besniku! Unë e kisha në shpinë Meritën, sepse duhej ndihmuar herë pas here, se nuk mund të ecte, ishte lodhur. Merita është edhe me aftësi të kufizuar e nuk dihej t’i ndaheshim assesi.

Besniku, nuk e di pse nuk ishte. Hypa në një traktor të eci më përpara dhe të shoh se mos na ka kaluar e ka shkuar më përpara. Por, edhe ashtu, ai nuk do të mund të shkonte shumë më përpara nesh. Kisha frikën se nga lodhja, ka mundur të mbetet diku ne vend, të alivanoset dhe të mos mund të bëjë zë më fare për të treguar se ai kishte mbetur. Edhe ashtu, ky ishte më i lodhur nga të tjerët dhe tani meraku ishte i madh edhe për të. Më dukej sikur po e shihja diku në kanal të rrëzuar, me batanien që e kishte krahëve. Po, çka nuk po mendoja këto kohë, sa ai nuk ishte! Vetëm keq po mendoja, kurrë mendja nuk po më shkonte për mirë. Koha dhe rasti ishin të tilla.

Mos… mos… mos…kështu e mos ashtu, unë po mbesja vetëm me mos…, pasi Besniku nuk ishte! Nuk dinim asgjë askush për të. Nuk dija asgjë, më dukej sikur një ëndërr e keqe. Se si u bë që ai nuk është! Mos ka mbetur në kanal dhe e kanë ngrën qentë, nga frika e kanë lënë mendtë, apo është mërdhirë sa do që ai e kishte me vete një batanie të mirë mbi supe, por në netët e ftohta, duke qenë jashtë, sa mund të të ndihmojë një batanie!?

O Zot, m’i lë mentë në kokë, se deri sa ta mësojë të vërtetën për të, ai nuk më hiqet kurrë nga mendja. Më del parasysh Besniku hall-lig, i gjatë e i lodhur, i pafuqi – që duke mos mundur t’i përballojë lodhjet e sotme, ka gjasa të ketë mbetur diku… Nganjëherë më shkonte mendja se ka mundur të kapet në ndonjë traktor dhe ka ardhur me dikë këndej, apo edhe nëse ka mbetur prapa nesh, ndoshta i është bashkangjitur sërish ndonjë turme – kolone tjetër ose ka hyrë për të fjetur diku, dhe ndoshta, kur do i Madhi Zot, ai është shëndosh e mirë, po luteshim!

Unë u përpoqa ta gjeja, por më kot. Nuk e gjeta as para nesh në kolonë e as pas nesh në disa kolona prapa që edhe u ktheva për ta kërkuar. Me sa më kujtohet, ai ka qenë me ne deri afër fshatit Trudë, ku ishte një ushtar serb. Nuk di. Tani asgjë nuk di për të, asgjë nuk mund të them për të. Di se ai e ka një fotoaparat, vinjak të veshur, brenda të kuq e të zi jashtë, edhe pantollonat i ka të zi e me gurra, kadife, një kapelë me shokë dhe batanien me trup të kaftë me të bardhë. I ka edhe pak DM dhe 40 dinarë.

Kur erdhëm në Vranidoll, Merita po qante duke kërkuar ujë, por që edhe uji na ishte mbaruar dhe nuk kishim për t’i dhënë. Aty na dolën dy ushtarë serbë përpara:
– Përse qan kjo vajza ? – na pyetën.
– Po kërkon ujë e na është mbaruar edhe uji, nuk kemi më! – ua ktheva përgjigjen.
– Bjere anën dhe eja e mbushe me ujë! – më thanë. Unë mora enën që po embante vetë Merita dhe hyra brënda edhe e mbusha në çeshme.
– Nëse doni, mund të ndaleni në atë shtëpinë aty përballë, por duhet të na lajmërosh për hir të sigurisë dhe mund të fleni sonte. Ndërsa në shtëpinë e hekurudhës mund të ndaleni dhe as të mos na lajmëroni fare e të fleni dhe të pushoni deri nesër herët. – më tha njëri nga ushtarët.

– Jo, në këtë këtu afër, ku duhet të ju lajmëroj, nuk do të ndalem. Në atë tjetrën, do të shohim. – ia ktheva dhe u ndamë me ushtarët serbë që kishin një sjellje korrekte me ne, sa nuk e prisja fare.

Ne vendosëm dhe u ndalëm në shtëpinë e stacionit të trenit, në të cilën kishte shumë pak gjëra për të fjetur, nja tre krevatë në një dhomë, disa jorgana e disa batanie, ne i shtruam në një dhomë dy-tre jorgana dhe dy batanie tjera i kishim me vete.

Ramë të flemë, dhe përkundër merakut se ç’u bë me Besnikun, duke i mbajtur mentë tek ai, më kishte marrë gjumi dhe mjaft kisha pushuar, sado që kemi rënë vonë, në orën 00:35 minuta, 35 minuta mbasi kishte shkuar data e 19 prillit, dhe po kaq minuta kishte që kishte hyrë 20 prilli.