Tre sonete atdhetarie nga Mustafa Spahiu

0
339
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

SONET ATDHETARIT

– Molla Idris Gjilanit (1901-1949. Në
mbrojtjen Kombëtare të Kosovës
Lindore 1941 – 1951). Lavdi!

Nga atdhetarët i kalitur më atdhetar,
Komandant i paepur – syrin pishë…
Guximin e Akilit -frontesh prijatar –
Nëna e lindi – thonë – me këmishë.

“Me dy mende s’shkohet as n’xhami!”
– Mundem të madhërojë n’këto vargje?
Molla Idrisi luftonte për komb e liri, se
Ideologu ynë, të kemi bukë në magje…

Partizanoçetnikët me mllef i luftoi
Kundër komunizmit topat i kafshoi!
Për Diellin e vatanit s’ndalej prore…

Shpirtkulluari ynë ëndërronte fitore,
Mordja trishtohet kur ka tradhëtarë
OZN-ës habere i çuan dy shqiptarë!

E shtunë, 23 maj 2020, në
Dardaninë Ilire


Nga MUSTAFA V. SPAHIU

SONET MARTIRES SHKODRANE

Marie Mark Shllaku (Shkodër, 23 tetor 1923 – Prizeren, 25 nëntor 1946).
Kur lindi ONDSH, për çështjen kombëtare, një rol shumë të rëndësishëm
luajti Marie Shllaku. Amen!

Para djelmoshash agonte në beteja,
Sheshit t’atëdhetarëve qe më trime,
Për liri ëndrrash rinore në hapërime –
Secila shoqe ishte Marie nga hareja.

Hapi krahët në Kosovë e Shqipëri,
Nxitonte sorkadhe – blet’e vyeshme,
Kur fliste në Kuvende – dallëndyshe –
At Bernardini i dha ndihmë, porosi…

Maria me dritën e fshehur në zemër
I kallte zjarrin armikut nën thembër,
Shuante errësirë – agimin gdhinte…

Tradhëtinë nuhaste – erën ia ndinte;
E imagjinonte me shtatin e hedhur –
Zjarr armiku mbi te është derdhur…!

E enjte, 28 maj 2020, në
Dardaninë Ilire


Nga MUSTAFA V. SPAHIU

SONET TRIBUNIT TË KOMBIT

Profesorit, Promotorit të NDSH-së, Anteut të Atdheut, ideologut për Bashkimin e trojeve Etnike, Gjon Gjergj Serreçi, Ferizaj u lind më 11 fror 1920

u pushkatua nga regjimi çetniko/komunist i Serbisë/Jugosllavisë, më 31
gusht 1947 në Taukbashçe në Prishtinë. Varri nuk i dihet?!?
Amen!

Gjoni deshi t’ia rris emrin trollit të vet,
Atje nga malet i gjallë, i gjallë na flet…
Me shokët e shpirtit-besnik i vetvetes
Farkuar e sprovuar tehut të vërtetes…

Hirit të qëndresës – puth’ gjurmët tua,
OZN-a të gjurmonte e tëra u tërbua!!!
Në zonën e thellë të kapën në malësi
Nga shqiptarët shqiptarë në tradhëti!

Gjon Serreçi – bilonjë e ardhmërisë,
Me ndërgjegje perlë bir trim i etnisë
Peshores së zemrave prore fjala jote

Peng i shekujve – bosht i kësaj bote,
Si shqiponjat çerdhen nuk e braktise
Gjakun trashëgin e fale – të ra hise…!

E premte, 28 maj 2020, në
Dardaninë Ilire