Tre poezi nga Faslli Haliti

0
521
Faslli Halti

FASLLI HALITI

PRES…

Unë nuk jam më budallai, më i marri,
Unë jam më i shqetësuari
Më i trondituri,
Më i alarmuari.

Unë jam Kasandra.
Unë parandiej,
Unë shoh.
Zjarre inatesh,
Flakë grindjesh,
Mure zëmërimi, shpinash,
Krisje të qelqeve të syve të zesë, blu;
Prita gjakmarrjesh, zënkash, mërish
Përgjakje trotuaresh,
Karambole
Borish,
Skapamentosh,
Ulurimat blu «Fordësh» të policisë.

Por unë pres.
Pres që një ditë
T’i bjerë gjakut tonë ky jerm, ky vlim

Dhe kam bindje se do t’i bjerë pa dyshim

2010

SHOKU ZËRI I POPULLIT

gazetës “Zëri i popullit”

Shoku Zëri i popullit!
Ku janë
Ata
“Bilbila”
Të cilët
Ti
Dje
I bëre me zë?

Sot
Ata,
S’të shohin
Me sy,
Nuk shqiptojnë një zanore
Nuk rrokëzojnë një rrokje nga ty…
Pa lë pastaj të të japin pak fare pak zë
Pa lë të shkruajnë ndonjë apoteozë, fjali ?! .

Të kthejnë shpinën ata
Edhe me gojë ata,
S’të flasin
Më.

Vezët e mendimeve të tyre,
Ata i shtronin,
I ngrohnin dikur,
Në foletë e faqeve të tua,
Sepse aty
E gjenin ata
Ngrohtësinë tënde ideale.
Aty e nisnin ata fluturimin
Zogjtë e kuq, rozë, të fjalëve të tyre
Dhe merrnin hapësirave të botës së madhe.

Tani i vezët e mendimeve ata i shtrojnë
Në fole të tjera gazetash,
Aty,
Këtu,
Ku çelin,
Ku cicërijnë zogj mendimesh, fjalësh blu.

Sepse zogjtë e fjalëve blu
S’i kap skifteri më,
Zogjtë e kuq
Të fjalëve
Skifteri i zë,
U rrjep puplat
Asnjë pupël në shpinë s’u lë.

Sepse zogjtë e fjalëve blu,
Bluja qiellore
I fsheh.
E i mbron,
S’i zë dot skifteri
Zogjtë e fjalëve blu
Sepse mes blusë ai s’i dallon,s’i sheh,
Kurse zogjtë rozë të mendimeve dhe fjalëve
Skifteri i dallon kudo nëpër qiell,
I kap,
I mbërthen,
E iu fut kthetrat menjëherë …

Dje e kuqja të çonte vetëm në Moskë,
Pragë,
Safie,
Budapest
Në Kremlin
Sot bluja të çon Në Uashington
Londër, Paris
Tokio
Kudo në Lindje, Perëndim.
Kurse dje e kuqja apo roza të çonte
Vetëm në Moskë,
Në Pragë,
Budapest
Kremlin…

Shoku Zëri i popullit !
Ku i ke,
Ku i ke
Ata korbecë që bëre me zë?
S’po të japin sot ata qoftë edhe një fije zëri,
Qoftë edhe një rrokje, një tingull të vetëm
S’po të japin sot ata,
Sot
Që ti ke
Më shumë etje, më shumë uri për zë…

2009 – 2010

FRIKA

Frikë
Në foshnjëri,
Frikë në fëmijëri,
Frikë në adoleshencë,
Frikë në rini,
Frikë
Në burrëri,
Frikë në pleqëri…
Frikë
Nga djalli,
Frikë nga shejtani,
Frikë nga kecka e përroit,
Frikë
Nga arixheshkat,
(Fëmijëngrënëset e zeza);
Frikë
Nga vakëfet,
Nga varret,
Frikë nga Teqeja.
Mos e shiko teqenë,
Mos i drejto gishtin teqesë,
Teqeja të ngrin krahun herek,
Teqeja të merr gojën,
Të le memec.

Frikë
Nga gjarpri
Frikë nga nepërka helmuese,
Frikë nga Suvali që të hidhet në fyt
Që të shtrëngon,
Të pi gjakun,
Të mbytë.

Frikë
Nga rojtari,
(Nga rojtar Sabriu)
Sabriu të kapte lopët
Në grurin e fermës
Dhe t’i kyçte, t’i mbyllte në stallë
Dhe babai
Ah Babai…
Duhej
Të paguante gjobën, dëmin pastaj.

Frikë
Nga xhaxhai
Nga xhaxhai që të privonte nga loja,
Të merrte shpirtin në korrje në prashitje;
Frikë
Nga polici,
Frikë,
Nga sigurimësi,

Frikë
Nga Dega e Punëve të Zeza,
Nga Dega që s’guxoje
T’i shihje portën gri,
Dega
E Punëve të Zeza
Me burgje,
Biruca
Qeli.

Frikë
Nga spiunët,
Skifterët e sigurimit,
Spiunët që ndiqnin fjalën:
Zogun e sapo dalë nga foleja e gojës,
I turreshin zogut të bukur të fjalës
Sapo merrte fluturimin
Qiejve përpjetë,
E mbërthenin
Me
Prangat
E kthetrave
Dhe i çukisnin kokën me sqep.

Frikë
Nga profesori i algjebrës,
Frikë nga të panjohurat algjebrike,
Frikë nga sinus kosinuset
Trigonometrike.

Frikë
Nga lufta klasore midis nesh,
Frikë nga urrejtja klasore,
Frikë
Nga dashuria,
Nga rivali simpatik,
Frikë
Nga tradhëtia…
Frikë nga pleqëria,

Frikë
Në foshnjëri,
Frikë në fëmijëri,
Në adoleshencë,
Në Rini.

Frikë
Në burrëri
Frikë
Në moshën e tretë
Frikë në pleqëri të thyer,
Frikë nga vdekja.

Nga Vdekja, më e frikshmja, më e tmerrshmja !

1989