NICHITA STĂNESCU
NDOSHTA NE FLEMË E PO ËNDËRROJMË
Mbase ne flemë e po ëndërrojmë, më tha ajo,
dhe i besova asaj, sepse ajo bëhej
më e rënda ose më e lehtë sipas dëshirës
së ngjashme me zogjtë në fluturim.
Vraponim drejt e lart mbi shkallë çimentoje
dhe ajo ngrihej nga përqafimi im
dy sy të shkëlqyeshëm, të argjendtë,
drejt një qielli të trilluar pikërisht atëherë.
Shikimi i saj shkrinte muret,
plagoste faqet e mia nga të cilat
shpërthente gjaku drejt së shkuarës
pa dhimbje, rrëke.
Ndoshta flemë dhe po të ëndërrojmë, më tha ajo.
Vraponim drejt së përpjetës. Shkalla prej betoni
kishte mbaruar pak më parë. Si edhe ndërtesa.
Kishim kaluar gjithashtu edhe të ardhmen. Fjalët
Kishin mbetur prapa. Dhe mbase as ne
s’ekzistuari më.
ARTHUR RIMBAUD
Foto di Dorota Górecka
OFELIA
Në ujin e qetë dhe të zi, ku yjet flenë,
si një zambak i madh pluskon Ofelia e bardhë,
pluskon ngadalë, shtrirë velave të gjata …
– Nga pyjet e largëta dëgjohen britma gjuetarësh.
Ka më shumë se një mijë vjet që Ofelia e trishtuar
kalon, fantazmën e bardhë, në lumin e gjatë, të zi.
Ka më shumë se një mijë vjet që çmenduria e saj e ëmbël
murmurit një romancë në flladin e mbrëmjes.
Era puth gjinjtë e saj dhe hap kurorë
velat e mëdhatë tundura butë nga ujërat;
shelgjet fëshfërijnë e qajnë në shpinën e saj,
në ballin e gjerë ëndërrues, përkulen kallamat.
Zambakët e ujit e prekin, i psherëtijnë përreth;
ajo zgjon nganjëherë, në gjumin e një vërrie,
një fole nga e cila arratiset një dridhje e lehtë krahësh:
– një këngë misterioze zbret nga yjet e artë.
II
O e zbehta Ofeli, e bukura si bora!
Ti vdiqe vajzë e re, nga një lumë i rrëmbyer!
– Erërat që nxitojnë nga malet e Norvegjisë
të folën për lirinë e hidhur;
dhe një fryrje, tronditëse flokët e tu të dendur,
në shpirtin ëndërrues mbante fëshfëritje të çuditshme;
zemra jote dëgjonte këngën e Natyrës
në rënkimet e gjetheve, në psherëtimat e netëve;
ulurima e deteve në tërbim, si një gulçimë e madhe,
këpuste gjinjtë e tu të papjekur, tepër të ëmbël dhe njerëzorë;
dhe një mëngjes prilli, një kalorës i zbehtë i zbehtë,
një budalla i mjerë, ulet i heshtur në gjunjë!
Qielli! E dashur! Liria! Ç’ëndër, e çmendura ime e mjerë!
Ti u shkrive në të si bora në diell:
vizionet e tua të mëdha të mbysin fjalën
– dhe Pafundësia e tmerrshme humbi shikimin tënd blu!
III
– Dhe poeti thotë eja që në rrezet e yjeve
të kërkosh lulet që këpusje gjatë natës;
ta shohësh mbi ujë, të shtrirë midis velave të gjata,
Ofelinë e bardhë të valëzojë si një zambak i madh.
JACQUES PRÉVERT
Michel Hendrich, 2015
PARIS GJATË NATËS
Tre shkrepse ndeza një nga një gjatë natës
Të parën për të parë të plot fytyrën tënde
Të dytën për të të parë sytë e tu
Dhe të fundit për të parë gojën tënde
Dhe gjithë errësirën që t’më kujtosh këto gjëra
Ndërsa unë të rë shtrëngoj në krahët e mi.
Përktheu: Faslli Haliti