TRE POETË DHE AGIM MATO KATËR

0
160
Agim Mato - Shkretëtirë harrimi

Nga Timo Mërkuri

Poeti Agim Mato njihej në qytetin e Sarandës si një disenjator i talentuar i Ndërmarrjes së grumbullim përpunimit, por si njeri publik u njoh në vitin 1969 kur botoi vëllimin e parë poetik JUG, libër që e bëri të njohur në botën letrare në mbarë vendin.

Botimi i librit të dytë “Në pragun e shtëpive tona” në vitin 1974 kaloi disi në heshtje dhe që pasoi me heqjen e të drejtës së botimit për shkak të “ceneve biografike”. Problemin biografik të Agim Matos, që rridhte nga dënimi politik i të atit e dinin të gjithë në Sarandë, madje pikërisht për këtë problem ai ishte i vetmi maturant i klasës së tij, që nuk ju dha e drejta e studimit për shkollë të lartë. Çuditërisht në vitin 1987, Agim Mato fillon punë në redaksinë e gazetës lokale “Fitorja”, organ i komitetit të P.P.SH. së Rrethit të Sarandë.

Qyteti filloi të gumëzhinte: të niste punë në organin e komitetit të P.P.SH. të Rrethit një njeri me cene biografike dhe sidomos në kohën kur sekretar i parë ishte Syrja Dosti, që njihej për ashpërsinë e tij në zbatimin e luftës së klasave, kjo ishte një çudi e pa parë në qytetin tonë. Kulmi ishte kur mori një hyrje banimi pas nja një viti e gjysmë, pikërisht në kulmin e ngushtësisë për strehim.

Familje komunistësh dhe punëtoresh të pararojës mbanin radhën për vite për një hyrje të vogël apo zgjerim, ndërkohë që “ky biri i armikut të klasës, që Partia i kishte hequr të drejtën e botimit merrte hyrje të madhe në një pallat të ri”. Me siguri që me dhjetëra letra janë nisur nga qyteti ynë në drejtim të udhëheqjes në Tiranë, por asgjë nuk ndryshoi. Komentet ishin nga më të ndryshmet, hamendësimet ishin të gjithfarë llojshme, por mbi të gjitha këto qëndronte një heshtje zyrtare, që e shtonte misterin gjer në fantashkencë.

Agim Mato
Agim Mato

Askujt nuk ia merrte mendja se gjithë ky mister kishte emrin e dy poetëve, Xhevahir Spahiu dhe Ilirjan Zhupa, madje ishte vetë Ilirjan Zhupa, që ma “zbërtheu” këtë mister duke qeshur pikërisht një mbrëmje fillim shtatori[1] të këtij viti, te lokali i Hotel LINDI në Sarandë:

“Ishte viti 1987 dhe unë punoja si gazetar te “Zëri i Rinisë” kur më planifikohet një shërbim për në Sarandë. Se nga e mori vesh Xhevahir Spahiu dhe më fton për një kafe. Nuk jam i sigurt në se atë kohë ai ishte i dënuar me edukim me punë prodhuese në minierën në Valias, apo ishte redaktor te Nëntori, por e rëndësishme është se ishim miq dhe nuk i shikonim shumë këto “ndëshkime” në marrëdhënien tonë. Pasi u takuam, madje ende pa u ulur për të pirë kafe, Xhevahiri më pyet: Mora vesh se do shkosh në Sarandë, është e vërtetë?

– Po, ju përgjigja unë qetësisht.
– Atëherë do takosh një mikun tim aty. Quhet Syrja Dosti dhe është Sekretar i Parë.
– Sigurisht që do e takoj se kam edhe punë me atë, po ç’ne ti me Syrja Dostin – ia ktheva me pyetje.

– Është skraparlli Syrjai ore, më sqaron Xhevua, njihemi. Dhe më pas shton qetësisht, sikur të më jepte një porosi të rëndomtë: – Do t’i thuash ta ndihmojë atë poetin e Sarandës me ndonjë punë më të hajrit dhe ta nxjerrë nga ajo “bimca” ku është. Ta lejë të marrë frymë. Shtoi po qe nevoja që është dhe miku im më i mirë Agimi dhe se unë do jem në borxh me Syrjanë për gjithë jetën po e bëri…

Unë e njihja Agim Maton nga libri JUG, përveç se ai ishte fterrjot dhe unë çorrjot, nga dy fshatra fqinjë ndaj dhe e mora me dëshirë porosinë. Nejse, shkova në Sarandë pas nja dy ditësh dhe pasi mbarova punë në Komitetin e rinisë, shkova në Komitetin e partisë dhe drejt e te Syrja Dosti. Se ç’nam kishte në popull e dija ndaj ftesës së tij për të pirë një kafe bashkë, ju përgjigja drejt dhe shkurt:

– Lere kafen tani se dhe ju kini shumë punë, do ta pimë në darkë te Hotel “Butrinti”, por unë do sjell me vete edhe një shok timin, që është njëkohësisht edhe miku i mikut tënd, Xhevahir Spahiut. Sigurisht që pranoi, madje edhe me një kuriozitet, që të mësonte se kush na qenkësh ky miku i mikut të tij këtu në Sarandë dhe ai ende nuk e kishte njohur.

Nga Komiteti i partisë unë shkova dhe gjeta Agimin te ajo “bimca” e tij në fabrikën e miellit te Plazhi i ri. Me zor ia mbusha mendjen që të vinte në takim, i dukej sikur do e shpija te “kuçedra”, që kishte zënë burimin e ujit te Syri i Kaltër. Pranoi vetëm kur i thashë që: “Ti nuk do flasësh fare” gjatë bisedës se kjo është punë e imja. Realisht Agim Mato nuk ishte tip “luftaraku”, ai më mirë duronte të keqen dhe e mposhtte me durimin e tij se sa ta luftonte atë përballë. Ai ëndërronte që bota të ishte “një poezi” dhe jo poezia të ishte një botë (më vete).

Kur vajti ora e takimit, erdhi Syrja Dosti dhe hapi sytë kur pa që “miku i mikut” ishte Agim Mato me “biografi të keqe” dhe shikonte nga unë se ç’do t’i thosha. Mos ta zgjasim, pas një ore e gjysmë biseda me pyetje e përgjigje, ku edhe Agimit ju zgjidh gjuha, por vetëm për poezi dhe letërsi, para se të ngriheshim të iknim, Syrjai i thotë Agim Matos: – Nesër duku pak andej nga kuadri i Komitetit.

Të nesërmen Agim Mato nga Komiteti i partisë shkoi drejt e te redaksia e gazetës “Fitorja” përfundoi Ilirjan Zhupa, me një të qeshur që ra si shi i rrëmbyer mbi habinë time.

Agim Mato punoi në redaksinë e gazetës “Fitorja” gjer sa kjo gazetë u mbyll në fillim të viteve ’90. Gjer atëherë ai kishte botuar edhe librin “Buka e duarve tona”, por pas kësaj kohe ai nuk botoi më. Më kujtohet që në aktivitetet tona letrare ai vinte si dëgjues i jashtëm, jepte mendime e sugjerime për shoqatën, madje ai e “gjeti” edhe emrin e shoqatës sonë “Klubi i krijuesve jonianë” dhe të revistës sonë “Arti Jonian”, por poezitë që krijonte i mbante në sirtar dhe nuk i botonte. Ngushëllohej me faktin se tani ai kishte themeluar Shtëpinë Botuese “Milosao” dhe ishte larguar nga rruga e letërsisë.

Befas më 02 gusht 2009 vjen në Sarandë Fatmir Terziu[2] dhe shkon e takon te shtypshkronja e tij. Biseda e tyre zgjati rreth tre orë dhe kur u ndanë, Fatmir Terziu mori me vete një cikël nga poezitë e Agim Matos, për t’i lexuar. Në datën 04 gusht ritakohen dhe bisedojnë për poezinë, që kishte marrë Fatmiri dhe i thotë mes të tjerash se poezia e tij është një poezi tipike, e pangjashme me asnjë tjetër dhe kështu duhet të jetë poezia. Pas mbi tre orë bisedë Agimi u bind dhe ja dha gjithë poezitë e tij të pabotuara për t’i redaktuar dhe publikuar te fjalaelirë, madje edhe për t’i bërë gati për botim.

Kjo datë ishte rikthimi i Agim Matos si një uragan poetik, me krijime gati të përditshme, poezi me një fantazmogori befasuese, që më pas u përmblodhën në disa vëllime poetike, për të cilat kam folur dhe shkruar disa herë…

Realisht këtë material e kisha për ta folur në tavolinën diskutuese të Manifestimit Poetik “Trirema Jonaine” ditën e sotme, ku ishte planifikuar edhe një bisedë rreth Agim Matos dhe një aspekti të poezisë së tij. Fatkeqësisht nuk mora pjesë në këtë tavolinë, madje as në Manifestimin poetik për faktorë që penguan pjesëmarrjen time, ose më saktë për faktorë që kanë disa vjet që pengojnë pjesëmarrjen time në aktivitetet e shoqatës sonë.

Për këto do të flas një herë tjetër.

Sot unë dua të falënderoj publikisht tre poetët Xhevahir Spahiun, Ilirjan Zhupën dhe Fatmir Terziun, që e çliruan nga “prangat” këtë poet për të shpërndarë kudo zjarrin e artit të tij poetik, tek i cili u “ngrohën” jo pak poetë. Këta të tre e ndihmuan Agim Maton, kushdo tjetër që synon për këtë, s’ka asnjë kontribut, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër.

Sarandë, më 02.10.2021


[1] Më 05.09.2021
[2] Në publikimin tim të parë në dt. 02.10.2021 gabimisht kam shënuar “prill i vitit 2011”, por Fatmir Terziu më konfirmon datën 02 Gusht 2009 si datë ardhjeje në Sarandë dhe takimin me Agimin. Madje kujtuam se pikërisht atë kohë, disa ditë më pas ai solli dhe familjen në Sarandë dhe bashkë me vëllain e tij qëndroi për një javë për pushime te shtëpia e ime e mëparshme, që unë e kisha të lirë, pasi kisha blerë shtëpi tjetër. Në dt. 05 gusht 2009, Fatmir Terziu dha një intervistë te TV Riviera, që e administronte Agim Mato.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar