Tre leksione për Albin Kurtin, që do t’i vlejnë për t’u pjekur si politikan

0
124
Albin Kurti - Gjykata Kushtetuese

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama vizitoi sot Kosovën me një grup ministrash të tij, pas një periudhe të gjatë acarimi me kryeministrin e atjeshëm Albin Kurti, i cili prej gati dy vjetësh, e ka ndërtuar fabulën e tij politike në Prishtinë, duke shpikur rrezikun nga Shqipëria, si një nga objektivat e sundimit të tij politik.

Dhe për të realizuar këtë objektivë ai ka lëvizur çdo gur. Është angazhuar publikisht kundër Qeverisë së zgjedhur të Shqipërisë duke ndërhyrë në politikën e brendshme në Tiranë, ka formuar aleanca politike në Shqipëri, në përpjekje për të rakorduar një lëvizje politike, ka marrë pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë dhe ka ardhur jashtë çdo kodi etik dhe ka votuar personalisht kundër kryeministrit të Shqipërisë, i ka fryrë një populizmi bajat duke ushqyer konspiracionin e bashkëpunimit të Tiranës me Beogradin kundër Kosovës, dhe ka ushqyer deri dhe idenë se Qeveria e Tiranës në bashkëpunim me SHBA e kanë rrëzuar atë nga pushteti pasi kanë dashur të ndajnë Kosovën, por për fat e ka shpëtuar Sali Berisha me Ditmir Bushatin.

Kjo adoleshencë politike e Albin Kurtit te shpresojmë se sot mori fund.

Leksioni i parë i hidhur për të është se kryeministri i Shqipërisë dhe ministrat e tij e vizituan Kosovën dy javë para zgjedhjeve në Kosovë, jo për të rrëzuar Albin Kurtin, jo për të bërë politikë në favor të kundërshtarëve të tij në Kosovë, por brenda gjithë etikës dhe solemnitetit që i takon Qeverisë së Shqipërisë për Kosovën, duke shmangur dhe paternalizmin dhe partitizmin.

Ndryshe nga Albin Kurti që marshonte nga Lezha në Gjirokastër dy javë para zgjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama dhe ministrat e tij, për fat, shumë pa lidhje me Kosovën, shkuan si njerëz normalë në Prishtinë, takuan gjithë përfaqësuesit politikë dhe u kthyen në mbrëmje në shtëpi të tyre.

Ky është një kod etik i sjelljes së çdo politikani shqiptar për Kosovën dhe çdo politikani të Kosovës për Shqipërinë, që e kanë respektuar të gjithë në këto tridhjetë vjet, përveç Sali Berishës dhe Albin Kurtit.

Leksioni i dytë i hidhur ishte mbështetja politike e Tiranës për vendimin e reciprocitetit për targat, që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me te drejtë kundrejt Serbisë.

Ajo që Albin Kurti ka predikuar për dy vite si bashkëpunim i Edi Ramës me Beogradin kundër tij, sot jo vetëm që e vë në siklet dhe atë vetë, por provon se Shqipëria parimin e Ballkanit të Hapur, nuk e ka për t’i bërë qejfin Beogradit, por në rastin konkret, për ta detyruar Beogradin të respektojë Kosovën.

Edi Rama nuk e shkel këtë parim duke mbështetur Kosovën kundrejt populizmit të tanishëm të Beogradit, përkundrazi, përmes atij parimi, ai e vesh populizmin e Albin Kurtit me kostum perëndimor, dhe e bën të besueshëm aktin e tij, edhe pse dimensioni elektoral i tij duket që larg.

Por duke qenë një akt i drejtë, ai nuk tradhtohet nga kauza e bashkëpunimit rajonal, përkundrazi merr më shumë kuptim. Ata që kanë tradhtuar në këtë rast bashkëpunimin rajonal janë serbët.

Dhe ky është rasti që Albin Kurti duhet të mendohet dy herë kur flet për konspiracionin Tiranë- Beograd kundër “Mesisë” shqiptare, që po qeveris në Prishtinë.

Leksioni i tretë, është qasja “sovraniste” e Albin Kurtit ndaj SHBA dhe Perëndimit për interesa të vogla të tij dhe përballimi i situatave si kjo e tanishme. Albin Kurti mund të thërrasë për konsultime gjithë liderët e Kosovës apo gjithë hapësirës shqiptare për të përballuar konfliktin me Serbinë, por kjo është thjesht një muhabet odash shqiptare.

Sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj si shtet e mbron NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hordhitë trushpëlara të Albin Kurtit, që shajnë e fyejnë çdo ditë SHBA, që mallkojnë Perëndimin dhe ankohen se po i bien më qafë liderit të tyre, sot kanë rastin të shikojnë dhe kuptojnë se pa Perëndimin, Albin Kurti është një tigër prej letre, që e lag pika e parë e furtunës në kufi.

Ndaj është mirë të kuptojë se ai nuk bën dot përpara në politikë, duke shpikur si armik Shqipërinë, nuk bën dot përpara si udhëheqës i Kosovës, duke krijuar armiqësi me rajonin dhe akoma më shumë, nuk bën dot asgjë për të ardhmen e Kosovës, nëse shpall si rrezik potencial “humbjen” e sovranitetit nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Takimi i sotëm në Prishtinë ishte një rast i mirë për t’i kuptuar këto tri gjëra të rëndësishme për një udhëheqës të Kosovës, që për hir të së vërtetës, Ibrahim Rugova por dhe Hashim Thaçi më pas, kanë ditur t’u qëndrojnë besnikë.

Të shpresojmë që Albin Kurti e ka kaluar adoleshencën e tij politike dhe tani para se të bindë veten që ka lindur të qeverisë shqiptarët në gjithë rajonin, është mirë të kuptojë se vendi ku ai është bërë kryeministër nuk ka lindur nga armiqësia me Shqipërinë, SHBA dhe Europën, por nga dashuria e tyre për atë vend.