TRANDAFILE MOLLA: VARGJE TË BUKUR POETIKË, ME MALL TË PASHUAR PËR TROJET TONA ARBËRORE…

0
807
Trëndafile Molla - Dallëndyshe në fluturim

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Kur lexon krijimet poetike të një mikeje të nderuar, siç është në këtë rast, në librin e ri “Dallëndyshe, në fluturim”, nga Trandafile Molla, ndjen kënaqësi të natyrshme. Por, kur ajo e kalon jetën në emigracion, larg vendlindjes dhe trojeve arbërore, kjo shumëfishohet. Sepse, së bashku me atë, përmes vargjeve të frymëzuara, përjton çaste mallëngjimi e brengash, siç i kanë kudo emigrantët tanë, në shtete të ndryshme të botës.

Dhe ja, se si shprehet kjo poete, që në poezinë e saj hyrëse, të cilën po e shfletojmë së bashku, sigurisht përmbledhurazi:

Atje, ku mushkëritë
më mbushen me frymë,
atje ku jeta ndrin,
atje është Atdheu im!…

Në pjesët vijuese të kësaj poezie, me vargje të ndjera poetike, autorja “shetit” nëpër të gjitha trojet arbërore, si brenda shtetit të sotëm shqiptar, por dhe jashtë tij, ku ato kanë mbetur padrejtësisht, që nga fillimi i shekullit të kaluar dhe deri më sot. Me krenari të ligjëshme u thur himne ngjarjeve të stuhishme historike, betejave të pandërprera, për pavarësi e liri, si dhe flamurtarëve të tyre. Ata nuk kursyen dijet, djersën as jetën e tyre, për ta parë popullin tonë zot të fateve të tij dhe kanë qenë, janë e do të mbeten frymëzim për brezat pasardhës.

Përmes vargjeve të bukur poetikë, Trandafilja skalit emrat e dëshmorëve dhe heronjëve tanë të panumërt, të cilët na bëjnë që të ndjehemi kurdoherë krenarë, përpara gjithë popujve të tjerë të Ballkanit, Europës e më gjerë. Ata janë të Shqipërisë iliriane, Kosovës dardane, Shkupit e Ulqinit, me Çamërinë e martirizuar. Larg nga mërgimi, ajo shprehet se kurrë nuk do t’i largojë nga mendja dhe as nuk do t’i harrojë tokat e dashura amëtare:

…Atje, nga kreshnikja, Kosova
dhe deri në martiren Çamëri,
zemërplasur, u përvëlova
nga malli, për ty, o Nënë Shqipëri!

Më tej, poezi të ngjashme me atë janë dhe ato, që kanë titujt: “Mirëmëngjes, Atdhe”, “E madhërishmja tokë…”, “Foleja e dallëndyshes”, “Zëri i fyellit” etj.

Libri i ri i autores në fjalë mban titullin “Dallëndyshe, në fluturim…”. Me anë të tij, e simbolizon veten, duke udhëtuar me mend nëpër hapësirat e pafund të trojeve arbërore, për t’u rikthyer atje, ku kaloi fëmijërinë e rininë, ku ka familjarë, miq e dashamirë.

Nga tri pjesë, që përmban ky botim, hartuar nga autorja me lirizëm e frymë epike, në të parën, “Shpirt burgosur në mërgatë”, janë 11 poezi. Aty gjejmë mallin e pashuar të autores, për çdo gjë të bukur të Shqipërisë, të cilën e ka lënë pas, duke jetuar në mërgim, me plot dhimbje, e cila e shoqëron në çdo hap të jetës së vet.

Në pjesën e dytë, “Për liri rilind shqiptari”, me 27 poezi, vazhdojnë të shpërthejnë ndjenjat e atdhedashurisë së zjarrt të Trandafiles. Për këtë, flasin edhe poezitë: “Të shohim te Flamuri”, “Shqiponjë, trimëreshë e malit”, “Yll në kushtrim” etj. Me shpirt e zemër, ajo është përherë edhe në Kosovë. Prandaj, përmes vargjeve poetikë u thur vargje trimave të paepur dhe heronjëve të saj. Domethënëse është poezia “Jam me ty, Kosova ime!”, ku lexojmë dhe këto vargje:

Isha pranë teje, moj Kosova trime
dhimbjet e tua tundën mbarë dheun,
mes heronjve dhe mes trimërive,
aty pashë legjendarin, Skënderbeun.

Sot jam pranë teje, Kosova ime,
sytë plot dritë tek e shtrenjta liri;
me rapsodinë, në këngë e ligjërime,
të dua me emrin e bukur, Dardani.

Në 22 poezitë e pjesës së tretë, “Ti je vetë pasqyra…”, autorja T. Molla e ka derdhur frymëzimin e saj në ngjarje e përjetime të ditës. Ajo kujton me dashuri shkollën e saj, me emrin “Hajdar Dushi”, i thur vargje mësueses dhe mikes së vet, por dhe sjell në kujtesë, me dhimbje, tërmetin e vitit 2018 etj.

Dëshiroj qëëtë citoj pak vargje nga poezia e fundit e këtij libri, “Toka ime…”, të cilët i kanë dalë autores nga thellësia e shpirtit. Natyrshëm, edhe lexuesi i këtyre radhëve e përjeton gjendjen psikologjike të një mërgimtareje, e cila jeton larg Atdheut të saj, por që gjithnjë e ka atë në mendje e në zemër:

Një copë tokë, në dorën time,
sa herë vij, te ty e marr,
në ‘të ruaj shumë kujtime,
tok’ e ëmbël, plot me mall.

Hedh vështrimin të shikoj,
shpirti digjet e përvëlohet,
s’ka melhem që të mjekojë,
plagë e marrë nuk shërohet!

…Ah, ta dish, sa ndiej dhimbje,
larg nga ti jam në vetmi;
moj e dashura toka ime,
më jep jetë, frymë e gjallëri!

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve hyrëse, në këtë libër të 6-të të autores emigrante Trandafile Molla, e cila jeton familjarisht në Italinë fqinje, e përshëndesim dhe e urojmë atë nga zemra, duke i dëshiruar që të ketë përherë:

– Shëndet të plotë e mbarësi, krijimtari sa më bukur e botime të reja, të pëlqyera nga lexuesit, si dhe gëzime e lumturi në jetën vetjake e familjare!

Tiranë, maj 2019

MIRËNJOHJE E PËRSHNDETJE NGA AUTORJA

1.

FALENDEROJ nga zemra, Shtëpinë Botuese “Lena Graphic”, të nderuarin Hajdar Fejzullahi dhe gjithë stafin e mrekullueshëm: për korrektesën, seriozitetin dhe punën tuaj fisnike, që bënë të mundur botimin e librit tim të gjashtë, “Dallëndyshe në fluturim”, në kohën e duhur.dhe çastin e duhur ! Gjithashtu, ky libër doli në një ditë me ditëlindjen tuaj. Pra, dy “Gëzime në një ditë”! Le të festojmë së bashku, të nderuar miq, që çimentoni ëndrrat e krijuesve shqipëtarë, kudo në botë! Ju që vendosni gurë në themelet e letërsisë shqipëtare, për të mirën e gjuhës e kulturës, Kombit e Atdheut ! Jeni të mrekullueshëm !
Faleminderit – Mirënjohje – Respekt !

Më 31 maj 2019

2.

Sot, më 9.06.2019, në Prishtinë, LSHK hapi Festivalin Ndëkombëtar “Drini Poetik”. Një pikë e programit ishte edhe perurimi i librave të autorëve të ndryshëm.Mes tyre ishte edhe libri im poetik,”Dallëndyshe, në fluturim “!

Përshëndetje!
Të nderuar/a poetë e poete, ju artistë nga të gjitha vendet dhe trojet etnike dhe jashtë saj! Ndjehem e lumtur, e nderuar dhe e respektuar, që sot ndodhem mes jush dhe këtu, me ju së bashku, përuroj librin tim të gjashtë me poezi, “DALLËNDYSHE, NË FLUTURIM”
Lumturia ime, është e shumëfishiruar në këtë 10-vjetor të krijimit të LSHK dhe Festivalit “Drini Poetik”.

Ndaj, falenderoj LSHK, kryetarin e saj, Profesorin të nderuarin Shyqri Galica dhe gjithë stafin e mrekullueshëm, që pranoi dhe caktoi perurimin e librit tim, këtu në vatrën e zjarrtë dhe magjen plot ëmbëlsi të fjalës së bukur shqipe. Kjo ishte një ëndërr e imja, si bijë, si mike, si motër dhe bashkëkombësja e juaj. Më lejoni që, bashkë me ju, të falenderoj redaktorin e librit, i dyti në radhë, profesorin, dhe kryetarin e Klubi Letrar “Pjeter Budi”-Mat, të nderuarin Hamdi Hysuka.

Gjithashtu, falenderoj recensentin dhe profesorin, të nderuarin Murat Gecaj, që për arsye shëndetësore, ishte e pamundur ardhja e tij, por që ju përshëndet të gjithëve!
Dhe një falenderim kam për kritikun letrar,moderatorin e shumë librave dhe eseve letrare poetike, të nderuarin Milazim Kadriu!

Falenderoj Shtëpinë Sotuese “Lena Grafik” dhe gjithë stafin e mrekullueshëm te saj!
Ju falenderoj nga zemra të gjithëve, ju miq, për respektin dhe vëmëndjen e kushtuar! Kjo e zbukuroi ende më shumë këtë ngjarje letrare dhe e mbushi shpirtin tim, për krijime të reja !
Suksese dhe mbarësi gjithmonë. LSHK !
Faleminderit – Mirënjohje – Respekte !

Trandafile Molla Baja
Kosovë – Prishtinë, 09.06.2019.