Traka, ngulimet shqiptare dhe Fan Noli

0
702
Fan Noli

Faqe nga historia dhe jeta e diasporës shqiptare

Prof. Nasho JorgaqiDita, 15 prill 2018

Traka është pjesë e pandarë e biografisë së Fan Nolit jo vetëm se atje lindi dhe kaloi 18 vjetët e parë të jetës, por kjo trevë e njohur luajti rol të rëndësishëm në formimin dhe brumosjen e tij. Në qoftë se Noli nuk hyri në historinë e Trakës, prapë Traka mbeti në jetën e Nolit.

Edhe pse Traka në kohën tonë nuk figuron në gjeografinë politike, ajo ekziston në hartën fizike të Ballkanit, e ndarë në mënyrë të pabarabartë mes Turqisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Po mbi të gjitha, Traka ekziston në analet e historisë veç të tjerash për dhjetë shekuj si pjesë e Perandorisë Bizantine, për të tjerë si pjesë e Perandorisë Osmane. Në këtë hark të gjatë kohor, Shqipëria dhe Traka do të kishin një fat të përbashkët, e para si një nga provincat më të largëta dhe e dyta si një nga më të afërtat e perandorisë. Në këto rrethana, ato do të qenë në lidhje me njëra-tjetrën dhe veçanërisht për shqiptarët Traka do të ishte, ndoshta vendi më i rrahur i Ballkanit. Rruga e shqiptarëve për në Kostandinopojë a Stamboll do të kalonte nëpër Trakë jo vetëm se këto dy vende i lidhte Egnatia, por drejt saj do t’i shtynin motive të ndryshme ekonomike, politike, ushtarake e administrative.

Shqiptarët në Trakë nuk kanë qenë vetëm shtegtarë, por edhe banorë të saj të përhershëm. Ata ngritën fshatra dhe fshatrat e tyre të njohura me emrin arnautqoi, gjendeshin të shpërndara nga brigjet e Detit të Zi dhe të Detit Marmara, deri në rrjedhat e lumit Marica. Këto të fundit qenë ngulimet më të mëdha e më të qëndrueshme të shqiptarëve në këto anë.

Në hapësirat heteroetnike të Trakës, ngulimet shqiptare përbënin një bashkësi më vete etnike, që i takonin vilajetit të Edrenesë dhe vareshin administrativisht nga kazatë e Keshanit, Uzun-Qeprusë, Hasfasë dhe Ortasë. Edhe pse të rrethuar me popullsi turke e greke në jug dhe bullgare në veri, ato bënin deri në fillim të shekullit XX një jetë etnikisht të pastër dhe ruanin një unitet gjuhësor zakonor.

Në rastin tonë, ngulimet shqiptare në Trakën Lindore paraqesin interes të veçantë si bashkësi që nxori nga gjiri i saj Fan Nolin, prandaj, në kuadrin e studimit të këtij personaliteti të shquar, pyetja e parë që lind është mosha e këtyre ngulimeve, përcaktimi i kohës së vendosjes së shqiptarëve në këto anë. Vet Noli, në Autobiografinë e tij, do të bëjë përpjekjen e parë për t’iu përgjigjur pyetjes lidhur me origjinën e fshatrave shqiptare në Trakë. Në mënyrë lakonike e të prerë, ai mendon se këto janë koloni ushtarake të themeluara nga koha e Bizantit për mbrojtjen e Kostandinopojës dhe që u trashëguan pastaj nga Perandoria Osmane. Shqiptarët, të njohur si luftëtarë trima, u sollën këndej dhe ata i shërbyen njësoj si perandorëve ortodoksë ashtu edhe sulltanëve myslimanë. Noli shprehet pa mëdyshje, e gjithë sa thotë mbetet në kufijtë e një hipoteze se sa të një argumenti të dokumentuar.

Ç’është e vërteta, në kohën e mesjetës, në kushtet e lëvizjes masive të popullsisë dhe të traditës së eksportimit të luftëtarëve, për të cilën flasin dhe medievistë të njohur si Jireçek, Tuman, Meçnikov, Shuflaj etj. fenomene të tillë janë të përligjur historikisht, por një parashtrim i tillë do të ishte një pohim i përgjithshëm në qoftë se nuk do të mbështetej në të dhëna konkrete burimore. Duke qenë një problem i ndërlikuar dhe mjaft i mjegullt, ai vështirësohet akoma më shumë po të mbajmë parasysh sa mungesën e një dokumentimi të drejtpërdrejtë aq dhe të një historie të shkurtër të bashkësisë shqiptare në Trakë. E vendosur në një zonë tepër të trazuar e të ndjeshme, nën trysninë e vazhdueshme turke e greke e në kapërcyell të Lindjes e të Perëndimit, kjo bashkësi nuk ka gjetur asnjëherë pasqyrimin e duhur historik. Qarqet greke që i konsiderojnë shqiptarët ortodoksë si pararojë të helenizmit në Trakë s’kanë qenë të interesuara ta trajtonin prejardhjen e tyre të vërtetë në këto anë, por edhe pala turke, që nuk i ka njohur kurrë minoritete, nuk është marrë në mënyrë të posaçme, veç në një kuadër të përgjithshëm të banorëve të kësaj province të perandorisë. Sigurisht, hulumtimi serioz i gjenezës së arnautqoive në Trakë të çon të paktën në regjistrat kadastralë të arkivave të Stambollit, të cilat deri më sot janë të panjohura nga ne.

Në mungesë të të dhënave dokumentare, që do të dëshmonin kohën e ngritjes së ngulimeve shqiptare në Trakë, do të përpiqemi të ndjekim një rrugë të tërthortë për ta ndriçuar sado pak problemin e ndërlikuar të gjenezës së tyre. Është fjala për shtatë fshatrat e kësaj bashkësie në Trakën lindore, të vendosur në të dy krahët e lumit Marica dhe pranë lumit Ergene.

Egzistojnë dy gojëdhëna për këto ngulime, njëra që qarkullon midis shqiptarëve të Trakës dhe tjetra në Kolonjë prej nga mendohet se ata kanë ardhur. Gojëdhëna e parë tregon për vendosjen e tyre në këto anë nga gjysma e dytë e shekullit të 16-të. Sipas saj, Sulltan Selimi, që kish për vezir Mehmet Sokolin me origjinë shqiptare, deshi të ngrejë në Edrene, kryeqytetin e perandorisë, një xhami që të mos e kish shoqen në botën islame. Për këtë kërkoi ustallarët më të zotë dhe këta ia gjetën në Kolonjën e Epirit. Ata erdhën dhe si punuan për 8 vjet me radhë, ngritën xhaminë e njohur “Selime” me katër minare dhe 999 dritare, pa e kaluar atë të Mekës që kish 1000. Sulltan Selimit i pëlqeu aq shumë kjo mrekulli arkitektonike sa i shpërbleu ustallarët duarartë, duke i dhënë të drejtën të zgjidhnin tokat më të mira të Trakës dhe të vendoseshin aty familjarisht.

Kjo duhet të ketë ndodhur pas viteve 1566-74, kohë në të cilën u ndërtua xhamia. Sipas gojëdhënës, ngulimi i parë ishte Zallufi i madh e më pas Ibrik-Tepeja, për të vazhduar me Mandricën, Alltentashin, Sulltanqoin, Aballarin dhe Karaxhaklin. Me kohë fshati më i madh do të bëhej Mandrica me 650 shtëpi dhe më i vogli Karaxhakli me 80 shtëpi. Popullsia e kësaj bashkësie, gjatë shekullit të 19-të e deri në fillim të shekulit të 20-të do të lëvizte nga 15.000-28.000 banorë. Megjithëse këta erdhën në Trakë si muratorë dhe nuk e ushtruan zanatin e tyre, për shkak të terrenit fushor edhe shtëpitë e veta i ngritën me plitharë dhe sot e kësaj dite njihen me nofkën greqisht gushidhë-muratorë.

Gojëdhëna e dytë që tregohet në Shqipëri ka të bëjë me shpërnguljen masive të popullsisë së disa fshatrave të Kolonjës në drejtim të Trakës. Është fjala për eksodin e fshatarëve të Perasit a të Gostivishtit, të Qafëzezit, të Vithkuqit e sidomos të Qytezës. Sipas gojëdhënës, arsyeja e përbashkët e shpërnguljes së tyre është padrejtësia dhe dhuna feudale. Në rastin e Qytezës, që lidhet me emrin e Nolit, banorët e saj të krishterë, thotë legjenda, e braktisën fshatin pas konflikteve të njëpasnjëshme me Xhafer bej Alltunin, i cili solli në vend të tyre bujqit e tij myslimanë nga fshati Zharkanjë. Qytezarët u larguan në dy drejtime: një pjesë shkuan në Devoll dhe ngritën fshatin Qytezë dhe pjesa tjetër u vendos në Trakë, në Ibrik Tepe, të cilën ata e mbiquajtën Qytezë. Koha e kësaj shpërnguljeje hamendësohet të jetë gjatë shekullit të 18-të dhe për këtë dëshmojnë dhe rrënojat e shtëpive, kishave dhe manastirit në Qytezën e vjetër. Njoftimet fillestare për ngulimet shqiptare në Trakë janë të vona dhe u takojnë burimeve të Rilindjes sonë Kombëtare. Veprimtarët e saj, në kuadrin e njohjes së shpërndarjes së shqiptarëve nëpër botë, do të interesohen që herët për gjendjen dhe fatin e tyre.

I pari që flet për ta është Thimi Mitko, i cili në letrën drejtuar më 1868 Dhimitër Kamardës i shkruan se “Edhe afër Adrianopopulit… (ka) gjashtë fshatra të vogla”, kurse 17 vjet më vonë, më 1885, njofton De Radën se “edhe pranë Adrianopojës janë tetë katunde (me) afër 4-5000 fëmijë (familje)”. Kurse Sami Frashëri tek “Shqipëria ç’ka qenë” botuar më 1899 pohon se “disa nga fshatrat ng’an’ e Adrianopojës e të Filipopojës, që thuhen Arnautqoi janë të ndejturë fjehstë prej shqiptarësh”. Vetëm në fillim të shekullit të 20-të “Kalendari Kombiar” i vitit 1901 do të japë të dhëna të drejtpërdrejta të një dëshmitari nga Edreneja, që flasin për ekzistencën në këto anë jo të gjashtë, as tetë, por të shtatë fshatrave shqiptare. Sipas tij “këto fshatra të gjithë tok kanë afro 22.800 njerëz… që përveç shqipes nuk flasin gjuhë tjetër… Fshatarët janë shumë punëtorë dhe njerëz të matur; këta njerëz nuk dalin si neve në kurbet, po merren me bujqësi, se dheu është shumë i bukur dhe i gjerë…” Kurse Mitat Frashëri, nga vëzhgimet që bën në këto vende më 1910, dëshmon për praninë e “10.000 shqiptarëve ortodoksë në vilajetin e Edrenesë”.

Siç shihet, edhe të dhënat e rilindësve tanë nuk flasin për prejardhjen e aq më tepër për moshën e ngulimeve shqiptare në Trakë. Në këto rrethana, të mungesës së dokumenteve dhe studimeve të drejtpërdrejta, ndërmorëm më 1989 një inkursion studimor mes shqiptarëve të Trakës, të cilët pas Luftës Grko-Turke në vitet 20, janë shpërngulur nga Traka lindore në atë perëndimorë. Në ditët tona ata janë vendosur në Greqi, përtej lumit Marica në fshatrat Feres, Pepel, Jamesi, Qimono etj. Nga kontakti që patëm me ta dhe nga vëzhgimet e bëra konstatuam se bashkësia shqiptare në Trakë paraqet një njësi të përbashkët gjuhësore-etnografike me tipare të përafërta me ato të krahinës së Kolonjës. Por duke pasur si synim kryesor që hulumtimet tona t’i shërbenin ndriçimit të problemit të moshës së këtyre ngulimeve, mblodhëm këto të dhëna:

Së pari, gjuha që ata flasin brenda bashkësisë së tyre është një shqipe e kuptueshme dhe e qartë, me një shkallë të kufizuar arkaizmi. Ajo nuk është larguar nga sistemi i gjuhës sonë kombëtare. Është pak a shumë e folmja e toskërishtes juglindor, me fizionominë e saj fonetike, morfologjike dhe leksikore. Ajo dallon nga arabërishtja, që është më tepër arkaike si dëshmi e shqipes së shek. 15-16, por dhe arvanishtja, e cila paraqitet me shtresime dhe elemente të vjetra. Të gjitha këto dëshmojnë se shqipja e tyre i takon relativisht kohëve të reja që nuk mund të shtyhet përtej shek. të 18-të.

Së dyti, shqiptarët e Trakës e mbajnë akoma të gjallë kujtesën historike të prejardhjes. Gati çdo ngulim është i ndërgjegjshëm se nga ç’fshat i Shqipërisë ka ardhur dhe, ç’është më e rëndësishme, vendosja e tyre në këto anë është bërë sipas fshatit. Kështu, fshatarët e Ibrik-Tepesë së Nolit pohojnë se vijnë nga Qyteza dhe e quajnë veten qytezallinjq. Ata të Alltentashit mbahen se kanë ardhur nga Qafëzezi, kurse ata të Sulltanqoit e të Mandricës në pjesën më të madhe nga Vithkuqi etj. Në përgjithësi kjo bashkësi është krenare për prejardhjen dhe ruan tipare të natyrës malësore, qoftë nga ana psikologjike e zakonore, qoftë dhe për sa i takon karakterit dhe temperamentit.

Së treti, banorët e këtyre ngulimeve e quajnë veten shqiptarë, ndryshe nga sivëllezërit e tyre të Greqisë që thirren arvanitas apo ata të Italisë, arbëreshë. Po të kemi parasysh se emërtimi shqiptar është i shekullit të 17-të e këtej, bëhet e qartë se kjo valë shqiptare në Trakë është e kohëve relativisht të vona.

Së katërti, sipas disa të dhënave, veçanërisht të një dëshmie që sjell Mithat Frashëri nga një vizitë që ka bërë në këto fshatra në vitin 1910, gurët e varreve të shqiptarëve nuk datojnë përtej kohës së Ali pashë Tepelenës.

Nga të gjitha sa thamë më lart mund të arrijmë në dy përfundime: Ka të ngjarë, ashtu siç e pohon dhe vetë Noli, që ngulimet shqiptare të Trakës të jenë të lashta, të ngritura si koloni ushtarake që në kohën e Bizantit dhe të kenë vazhduar në periudhën osmane. Por mendojmë se lashtësia e vetë kolonive nuk duhet ngatërruar me moshën e popullimit të tyre. Kur them se këto ngulime janë të lashta, nuk do të thotë se popullsia është po aq e lashtë. Ka shumë gjasa që popullimi i këytre kolonive të jetë bërë në kohë të ndryshme, që përtëritja e tyre të ketë ndodhur valë-valë nga koha e Bizantit e deri në kohën e Ali pashë Tepelenës. Me sa duket, vala e fundit është ajo që përbën përfundimisht popullsinë e këtyre ngulimeve.

Fan Noli lindi dhe u rrit në njërën prej tyre, pikërisht në Ibrik-Tepe, i vetmi fshat që mbajti emrin e prejardhjes, duke u quajtur brenda bashkësisë Qytezë. Ai është vendosur në perëndim të lumit Marica, rrëzë disa kodrave të buta mbi rrënojat e ngulimit antik grek, Imbarsos. Me qenë se së lashti aty ishte një punishte poçerie, fshati mori emrin Ibrik-Tepe, që në gjuhën e vendësve do të thotë kodra ose bregu i ibrikëve. Kështu vendlindja e Nolit u thirr nga shqiptarët Qytezë, nga grekët Imbarsos, kurse nga turqit Ibrik-Tepe. Ibrik-Tepeja, që tok me Mnadricën dhe Zallufin qenë fshatrat më të mëdhenj të ngulimeve shqiptare në Trakë, ishte qendër lokaliteti ose mydyrjet, me administratë, e varur nga kazaja e Uzun Qeprusë. Ajo përbëhej nga disa lagje dhe kish pamjen e një qyteti të vogël, prandaj dhe thirrej kasaba, me çarshi të hapur, me dyqane e kafene, me punishte vaji e të krimbit të mëndafshit, me 12 mullinj ere etj. Ibrik-Tepeja çonte prodhimet e saj dhe bënte tregti me qendra si Keshani, Ipsala, Uzun-Qepruja e deri në Sufli. Fshati ishte i pasur, me toka pjellore, me kullota e pyje, me ujëra të bollshme, por i izoluar nga mungesa e rrugëve. Sipas statistikave greke që jep periodiku “Thraqika”, për Ibrik-Tepenë del se për vitet 1860-1912 ajo kish 400 shtëpi me qerpiç dhe një popullsi që lëvizte nga 2500-3550 banorë. Shkolla e saj e parë ishte themeluar në vitin 1890 dhe më vonë u ngrit dhe një shkollë vajzash më 45 nxënëse, ku mësohej me program dhe mësues grekë.

Ibrik-Tepeja bënte një jetë të mirëfilltë shqiptare, në radhë të parë përmes gjuhës amtare, e cila deri në fillim të shekullit të 20-të, kur Noli u largua nga familja , flitej shumë mirë në të gjitha strukturat dhe komponentët e saj. Megjithëse një ishull gjuhësor, duke qenë vazhdimisht nën trysninë e turqishtes si gjuhë zyrtare dhe të greqishtes si gjuhë kulture, ajo mbeti gjuha e vetme e komunikimit brenda fshatit dhe bashkësisë. Noli u mbrujt dhe u formua gjuhësisht që për së vogli me thesaret e gjuhës amtare, ndërsa në vitet e ardhshme, ai vetëm e pasuroi dhe e kualifikoi, duke u bërë një nga mjeshtrit e saj. Në Ibrik-Tepe, Noli i ri lexoi të parin libër shqip “Dhjatën e Re” të K. Kristoforidhit, që qarkullonte aso kohe në fshatrat shqiptare të Trakës.

Bashkëfshatarët e Nolit kishin trashëguar dhe bartnin një jetë të pasur zakonore. Edhe pse qarqet e Athinës dhe Patrikana i konsideronte grekë shqipfolës dhe mbaheshin si kujdestarë të tyre në botën turke-islame, ata ishin krenarë dhe e ruanin me fanatizëm identitetin etnik. Madje dhe kisha e fshatit mbante emrin e Shën Gjergjit, të një shenjtori që ata e quanin shqiptar. Jeta zakonore e fshatit gjente shprehjen e saj në doket dhe ritet, në këngët dhe vallet origjinale, në folklorin e begatë, në kulturën dhe pasurinë etnografike, por dhe në kostumet, sidomos ato të grave, në planimetrinë e shtëpive, muret e të cilave i lyenin nga jashtë me bojë të kuqe, ndryshe nga grekët, turqit dhe bullgarët. Fshati ishte ndarë në disa fise, siç qenë: Nolët, Gjikajt, Kondilët, Ballaçët, Qirjaqët, Haxhimajolët, Mërkurët, Bojaxhinjtë etj. Nolët ishin nga shtëpitë e para dhe thirreshin në Ibrik-Tepe me nofkën shqipe Syziu, kurse me atë greke Mavromati dhe turke, Karagjozi. Ata shquheshin si fis kapedanësh të njohur për trimëri, ndërsa nga pikëpamja sociale qëndronin mes çobaxhinjve, fshatarëve të pasur dhe reshperëve, fshatarëve të zakonshëm.

Arnautqojt e Trakës, pra dhe Ibrik-Tepeja, kishin një pozitë dhe trajtim të veçantë në jetën social ekonomike të shoqërisë turke. Porta e Lartë i kish vendosur në toka shtetërore dhe u kish dhënë privilegje që i dallonin nga bujqit çifçinj, të varur nga çifligarët. Ata kishin një lloj mëvetësie ekonomike, me gjithë taksat që paguanin. Nga ana tjetër, fshati kish një organizim të brendshëm ushtarak. Burrat e Ibrik-Tepesë, si të gjithë bashkësisë shqiptare përqark deri në kohën e Traktatit të Shën Stefanit ishin më parë ushtarë e pastaj bujq. Sepse sapo shpërthente lufta, ata menjëherë formonin taborin e tyre dhe niseshin për në luftë. Në krye vihej i pari i fshatit, ai më trimi e më autoritari. I tillë kish qenë për vite me radhë gjyshi i Nolit, Gjergj Kapedani, i njohur me emrin zyrtar Ali Kapedani, i cili u vra më 1854, në betejën e Sevastopolit, duke sulmuar kështjellën Malakov.

Është e qartë se rrënjët e Nolit si njeri dhe atdhetar, si një personalitet poliedrik duhen kërkuar në bashkësinë shqiptare të Trakës në përgjithësi e të Ibrik-Tepesë në veçanti. Ai është i vetmi përfaqësues i tyre në historinë dhe kulturën tonë mbarëkombëtare. Për fat të keq, Noli në këtë pikëpamje, nuk pati as pasardhës në vendlindjen e tij. Dhe jo vetëm kaq. Po me Ibrik-Tepenë ose Qytezën ndodhi paradoksi që ajo në kohën tonë nuk ekziston më në hartën gjeografike si ngulim shqiptar. Pas luftës greko-turke, shqiptarët e saj dolën në mërgimin e tyre të dytë duke kaluar në tokën greke, matanë lumit Marica. Vetë Noli fatin e rëndë të vendlindjes e përshkruan në mënyrë të dhimbshme përmes fjalëve që i ka thënë i nipi: “Ka të ngjarë, që misioni i Ibrik-Tepesë, paskish qenë t’i jepte një pionier si ju Rilindjes Shqiptare. Sapo fshati ynë e përmbushi këtë mision, u zhduk nga harta si ngulim shqiptar në Trakë”.