Tragjedia e studentëve të Liceut Francez të Korçës: Nga auditoret europiane në humnerën e diktaturës

0
951

Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës. Viti 1929

– nga Ermira Xhomaqi

Historia e tyre dëshmon
për energji të tëra njerëzore mbytur nën diktaturë,
ndërkohë që kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë
aq i çmuar për Shqipërinë e pasluftës

100 vjetori i Liceut Francez të Korçës, përbën një ngjarje të shënuar në historinë e shkollës shqipe, sepse që në vitet e para pas Pavarësisë, ky lice luajti një rol sa të veçantë aq edhe të rëndësishëm në formimin e elitës shqiptare të kohës dhe përhapi në Shqipëri kulturën franceze dhe vlerat e saj. Frekuentimi i këtij liceu për pjesën më të madhe të atyre të rinjve arsimdashës nuk ishte një rastësi, por konsiderohej si një portë e hapur drejt Europës. Dhe prej këtu merr udhë një histori e gjatë e pambarimtë e intelektualizmit shqiptar, gjurmët e të cilit me gjithë dramën e pësuar nën diktaturë mbërritën të gjalla deri në ditët tona! A ishte vallë zgjedhja e këtij liceu, ajo që do të udhëhiqte e do të përcaktonte në vitet e mëpasme fatin e jetës së asaj rinie të pasionuar pas dijes e kulturës perëndimore?!

Duke reflektuar këtë pyetje, ndoshta shumëkush prej nesh sjell ndërmend atë institucion arsimor të shquar, i cili funksionoi gjatë gjithë periudhës midis dy luftërave botërore, nga viti 1917 deri më 1942. Asokohe koloneli francez Descoins, me urdhër të gjeneralit Maurice Sarrail, komandant i ushtrisë së Lindjes dhe i forcave të Antantës, nënshkruan protokollin që shpallte krijimin e Republikës Autonome të Korçës, me president Themistokli Gërmënjin, nën mbrojtjen ushtarake të ushtrisë franceze. Në të njëjtën kohë Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i ripërcaktoi Shqipërisë kufijtë e vitit 1913 dhe më 25 tetor 1917, Franca, bëri të mundur hapjen në Korçë të një Liceu Francez. Menjëherë pas formimit ky lice, i cili më vonë u quajt edhe Lice Kombëtar, do të bëhej një nga më të njohurit në Ballkan, për cilësinë e programeve mësimore dhe të mësimdhënies, ndërkohë që krijimi dhe funksionimi i tij u bë pjesë e një historie të lidhur pazgjidhshmërisht me peripecitë politike që kalonte Shqipëria dhe qyteti i Korçës në ato vite.

Sipas Jacques Bourcart-it, një gjeolog i Armatës Franceze të Lindjes, i cili ka jetuar ato vite në Korçë, Franca ishte lëkundur fillimisht për hapjen e Liceut, dhe kjo për të mos provokuar zemërimin e qeverisë greke e cila synonte kontrollin e plotë të kësaj zone të Shqipërisë. Megjithatë koloneli Descoins këmbënguli deri në instancat më të larta franceze dhe paraqiti projektin e krijimit të këtij liceu, programet shkollore të të cilit ishin krejtësisht të njëjtë me ata francezë, dhe për këtë arsye Ministri francez i Arsimit, Edouard Herriot-i, vendosi që diplomat e maturantëve të Liceut Francez të Korçës, të ishin të barasvlershme me diplomat e bakaloreatëve në Francë.

Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës – Viti 1931

Pikërisht aty, në bankat e këtij liceu, qindra të rinj shqiptarë u mbrujtën me idetë e iluminizmit e të së drejtës, të barazisë e të demokracisë, lexuan për herë të parë pamfletet e Hygoit, admiruan Volterin në vlerësimin e tij për Gjergj Kastriot – Skënderbeun, si edhe mësuan për gjithë ata shkrimtarë francezë që kishin ngritur lart figurën e heroit tonë kombëtar. Një frymë e re u ndje në gjeneratën e tyre dhe në krejt shoqërinë shqiptare. Një entuziazëm i ri i mbartur nga ata studentë të talentuar, të etur për dije e kulturë, të cilët studiuan më pas në mbarë qytetet europeane: në Romë, Paris, Montpellier, Toulouse, Grenoble, Lyon etj, duke krijuar kështu atë plejadë të çmuar të elitës shqiptare, ëndrra e së cilës për një Shqipëri të re, do të zhytej shpejt dhe dhimbshëm në terrin që i ofroi diktatura.

Pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë të ardhur në Francë në vitet ’20-’30, kishin mbaruar Liceun Francez të Korçës, i cili kishte nxjerrë, në atë periudhë, një plejadë të rëndësishme frankofone në Shqipëri. Kjo edhe për faktin se vetëm studentët që kishin mbaruar në këtë lice pranoheshin pa kryer studime plotësuese në universitetet franceze dhe integrimi i tyre në to ishte i menjëhershëm. E ndërsa për disa prej këtyre liceistëve, jeta pasuniversitare vazhdoi një rrjedhë relatisht të qetë e të patrazuar, për shumë të tjerë vorbulla e saj i përfshiu dhe i flaku në një tragjedi të paparë.

Sigurisht ky shkrim merr përsipër jo të relatojë kalvarin nëpër të cilin u rrokullis jeta e të rinjve ish-liceistë të Korçës, të cilët pa dyshim, nëse do të jetonin do të kishin qenë shtylla të forta në fusha të ndryshme të mendimit ligjor dhe të drejtësisë shqiptare, të shkencave dhe filozofisë, të ekonomisë dhe letërsisë, të shkencave ekonomike, politike, inxhinjerike, të mjeksisë dhe agronomisë, të cilët do të vendosnin dhe do të ndërtonin bazat e një shteti shqiptar europian e demokratik, por gjithsesi këto rreshta janë një përpjekje për t’u bërë homazh këtyre personaliteteve, jeta e të cilëve mori rrapëllimën e mbrapshtë dhe humbi e u shkatërrua në vitet e regjimit totalitar. Ata u shuan mizorisht në kulmin e shkëlqimit të tyre dhe ende nuk kanë gjetur vendin që u takon në panteonin e mendimit intelektual shqiptar. Historia e ish-liceistëve të Korçës, dëshmon për energji të tëra njerëzore të pafajshme, mbytur me një lehtësi kriminale nga “fitimtarët”, nën diktaturë, ndërkohë që kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë aq i çmuar dhe i vyer për Shqipërinë e pasluftës.

Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës – Viti 1928

I referohem këtu, pikërisht viteve menjëherë pas çlirimit të vendit, kur idetë perëndimore dhe republikane të një elitë të përgatitur në nivelet më të larta të universiteteve europiane do të binin ndesh me konceptin absurd stalinian dhe ideologjinë bolshevike të Lindjes. Ideologji e cila iu diktua Shqipërisë në atë periudhë nga Enver Hoxha, një ish-liceist i Liceut Francez të Korçës, i cili u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në Montpellier. Në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në fondin e arkivave te Fakultetit te Shkencave, ruhet gjithashtu edhe dosja universitare e diktatorit Hoxha në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439. Në dosjen e tij nuk figuron asnjë notë dhe asnjë diplomë. A mos ishte vallë ky dështim shkaku i armiqësisë së thellë të tij me bashkëliceistët e Liceut të Korçës?

Fati i atyre, që në vitet e liceut u kryqëzuan me diktatorin Hoxha, do të ishte tragjik. Ky pikëtakim dhe përplasja e tyre ideologjike, do t’u kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë mjaft prej liceistëve të Korçës. Sepse shumë prej tyre që e kishin njohur nga afër Hoxhën, miq dhe shokë, por edhe ata të cilët e njohën në mënyrë krejt të rastësishme, u bënë pjesë e një vargu të gjatë eliminimesh dhe ekzekutimesh. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri.
Dhe lista e tyre është e gjatë pafund…

Midis tyre edhe Sabiha Kasimati (1912-1951), vajza e parë shqiptare e diplomuar në Liceun Francez të Korçës, e cila përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos në Itali. Megjithëse nuk u angazhua në politikë, ajo mbajti një qëndrim protestues ndaj regjimit diktatorial. U arrestua në vitin 1951, pas incidentit të bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë dhe u pushkatua pa gjyq më 26 shkurt 1951, së bashku me 21 intelektualë të tjerë.

Bashkeliceistë në Liceun Francez të Korçës. Viti 1927-1928
Bashkeliceistë në Liceun Francez të Korçës. Në qëndër Sabiha Kasimati dhe i pari majtas ulur në rreshtin e dytë është Myslim Çarçani. Viti 1927-1928

Në vitet e gjata të internimit, pas lirimit nga burgu, Abdulla Rami (1908-1973), bashkëliceist e në të njejtën klasë me Kasimatin e Hoxhën në Liceun Francez të Korçës dhe i lauruar në jurisprudencë në Universitetin e Montpellier-së, do t’i kushtonte homazhit të Kasimatit përkthimin e një prej poemave më të njohura të poetit francez André Chénier. Në dorëshkrimet e Ramit kam lexuar mes vargjeve edhe këto rreshta shqipëruar prej tij:

Ç’përbuzje fisnike shprehnë buzt’ e tua\ Kur hakmarrësi xhelat erdh e t’u afrua
Me kërcënim e vdekje që s’të tundën fije…\ Vet xhelati u zbeh me gjyqtarët e zi
E senatori i pështirë me ministrat e tij\ Kur ti e pambrojtur as që njohe frikë
Fjala jote e ëmbël, e thjeshtë me bujari\ Ju mësoi që krimi sado llahtari
Atë që braktis jetën s’e trëmb asnjë çikë.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve në Francë dhe kthimit në atdhe, ai shërbeu si jurist e gjyqtar në jugun e Shqipërisë dhe më pas në Kosovë. Aderoi në rradhët e nacionalistëve shqiptarë të Ballit Kombëtar, me ëndrrën për një Shqipëri të lirë dhe Etnike. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944, dhe vuan 18 vjet burg në birrucat e Burrelit së bashku me vëllain e tij të idealeve Hasan Rami (1905-1988), kujdestar konvikti në vitet 1927-1928 në Liceun Francez, më pas drejtor shkolle në Krujë e në Vlorë dhe nacionalist në rradhët e Ballit Kombëtar. Ai u arrestua në vitin 1945 dhe vuajti 10 vjet burg.

Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës,
Myslim Çarçani, Hasan Rami, Abdulla Rami – Viti 1928

Historia e liceistëve të Korçës vazhdon me tragjedinë e mjekut Enver Zazani (1908-1947), bashkëliceist edhe ai në të njëjtë klasë, me Hoxhën, Ramin, Kasimatin në Liceun e Korçës. Pas studimeve për mjekësi në universitetin e Lyon-it në Francë, Zazani kthehet në atdhe. Ai u lidh në ato vite me lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe u zgjodh deputet pas zgjedhjeve të para në Shqipëri. Por nuk vonoi shumë dhe arrestohet me grupin e parë të deputetëve, nën akuzën “veprimtari armiqësore ndaj pushtetit popullor”, dhe pushkatohet më 4 shtator 1947. Po kështu pushkatohet edhe juristi Qenan Dibra (1910-1946), i cili pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës përfundoi studimet e larta në fakultetin e Drejtësisë në Sorbonë, e më pas shërbeu si atashe në Legatën Shqiptare në Paris.

Menjëherë pas kthimit në atdhe, ai punoi si jurist duke qenë njëkohësisht edhe përkrahës e pëfaqësues i organizatës së Legalitetit. Arrestohet në vitin 1946, dhe pushkatohet së bashku me 6 shokë të tjerë. I njëjti fat tragjik me të do të ndiqte edhe Hilmi Hysin (1913-1947), i pushkatuar në moshën 35 vjeçare. Pas pëfundimit të Liceut Francez të Korçës, në profilin e filozofisë ai diplomohet në Fakultetin Juridik të Sorbonës dhe pas kthimit në atdhe shërbeu si Gjyqtar Paqtues në Burrel, Berat e Tiranë e njëkohësisht aderoi në rradhët e organizatës Balli Kombëtar. Arrestohet në gusht të vitit 1947, për veprimtari kundër regjimit diktatorial të sapo ardhur në pushtet dhe pushkatohet në janar të vitit 1948.

Këtë faqe historie e plotëson edhe emri i Foto Balës (1908-1991), i cili pas Liceut Francez të Korçës, studioi filologji dhe filozofi në Universitetin e Montpellier-së. Me kthimin në Shqipëri ai emërohet mësues i filozofisë dhe i gjuhës frënge në Liceun Francez të Korçës. Arrestohet menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1945 dhe dënohet me burgim të përjetshëm, nga të cilat vuajti 17 vjet. Atëherë ai i shkroi një letër Enver Hoxhës, shokut të liceut, ku e kritikonte për veprimet e tij dhe si pasojë e kësaj familja e tij u dergj në internim.

Fati tragjik, i bashkëliceistëve të liceut të Korçës, ndoqi edhe Myslim Çarçanin (1908-1987), një nga liceistët më të talentuar në matematikë, i cili pas liceut shërbeu si kryetar komune në disa qytete të vendit. Gjatë luftës, u përfshi në organizatën e Ballit Kombëtar të Delvinës. Më 15 prill të vitit 1945 arrestohet për veprimtari antikomuniste dhe prangoset. Dënohet me vdekje, por dënimi i tij u kthye në burgim të përjetshëm dhe së fundi vuajti 7 vjet në burgun e Burrelit.

Bashkëliceistë të Liceut Francez të Korçës.
Mes tyre edhe Mustafa Kadilli (i pari djathtas) – Viti 1926

Golgota e kësaj tragjedie liceane do të përfshinte edhe mjaft personalitete të tjerë. Mes tyre edhe Aleko Turtulli (1910-1988), i cili pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës, përfundoi studimet në shkollën e Lartë të Tregtisë në Montpellier. Pas kthimit në atdhe ai i kushtohet marrëdhënieve tregtare, por shumë shpejt arrestohet dhe burgoset për “veprimtari armiqësore” dhe vuan 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës. Po ashtu edhe inxhinieri Adem Beli (1909-1998), i cili pas mbarimit të liceut përfundoi studimet e larta për agronomi në Toulouse-Francë. Pas kthimit në atdhe me titullin e inxhinierit agronom, ai shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm i Bujqësisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe aderoi në Organizatën Balli Kombëtar.

Arrestohet në vitin 1946 me grupin e deputetëve dhe dënohet me 20 vjet burg, nga të cilat vuajti 8 vjet. Vetëm pak vite më vonë bashkëliceisti me të i Liceut Francez të Korçës Mustafa Kadilli (1914-1990), dëbohet nga puna si mësues për motive politike dhe megjithëse në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore, detyrohet të punojë punë krahu të rëndomta. Tragjedive të liceistëve të mësipërm do t’u shtoheshin edhe plot emra të tjerë si: Nedin Kokona (1908-1998), Xhevdet Kapshtica (1906-1993), Aziz Vrioni (1914-1993), Asllan Ypi (1911-1980), Felatun Vila (1908-1967), Fetih Selenica (1906-1961), Xhelal Shënapremte (1913-1979), Alqi Nushi (1915-1995), të cilët pas mbarimit të Liceut Francez të Korçës, studiuan për Drejtësi në Francë dhe plot ëndrra e dëshira, me valizhen e iluzioneve në duar, u kthyen në Shqipëri, por shumë shpejt ata u dënuan, u burgosën dhe u internuan familjarisht.

Golgota e jetës së tyre pulson ende sot dhe gjurmët që ata lanë në auditoret e dijes i dhanë shpresë e forcë një gjenerate të re… Sa europian ishin ata, po aq atdhetar mbetën deri në fund të jetës së tyre. Një jetë e gatuar në një shesh paradoksesh, dhimbjesh, furtunash dhe padrejtësish, ku përzihen së bashku komeditë dhe tragjeditë, vendet dhe gjuhët, idealet dhe kulturat, shpresat dhe ëndrrat, vuajtjet dhe filozofitë… Ndaj dhe historia e tyre më sjell ndërmend një shprehje të famshme të Hygoit të madh që thotë: “Rruga e dijes shpesh kalon mes qelive”… madje edhe më tej, në Shqipëri për mjaft nga studentët liceistë të Korçës, ajo kaloi përmes tragjedive…

Paris, Tetor 2017

Referenca për shkrimin e këtij artikulli:

• Arkivi Departamental Herault i qytetit Montpellier.
• Jacques Bourcart, “L’Albanie et les Albanais”, Bossart, Paris, 1921.
• Prof. Dr. Uran Asllani, “Studentët shqiptarë të Francës dhe veprimtaria e tyre”, Tiranë 2003.
• “Revue d’études pluridisciplinaires”, (Revista e studimeve pluridisiplinare), Guillaume Robert, “L’Albanie et la France dans l’entre-deux-guerres: une relation privilégiée?” Vol. II, n° 2, dhjetor 1998.