Tradita e muzikës qytetare dhe grupi koral “Rozafa Expression”

0
2079

Nga Pjetër Logoreci

Shpesh, në ambientet e kuvendit franceskan të Gjuhadolit, në Shkoder, vëreja grupe rinore apo fëmijësh, të cilët të shoqëruar nga mjeshtri i muzikës Zef Coba, i drejtoheshin ambienteve artistike të kuvendit, për prova apo shfaqje. Më vonë, disa herë, pata rastin të shijoj harmoninë e zërave të mrekullueshëm të këtij formacioni vokal, në interpretimin e pjesëve liturgjike apo klasike në salla të ndryshme apo në ambientet kishtare. Në kujtimet e mija të rinisë, mjeshtrin Zef Coba, e sjell në mëndje gjithmonë aktiv e shumë të angazhuar me të gjitha formacionet e shoqërisë, duke filluar nga fëmijët e festivalet e tyre kombëtare, emisionet muzikore në Radio Shkodra, si ekspert muzike në shumë emisione televizive apo në koncertet monumentale të organizuara në qytetin tonë dhe mbarë vendin. Pas shumë vitesh e perpjekjesh të mëdha, në vitin 1999, Zefi, arriti të kurorëzojë me sukses themelimin e një shoqatë me këngëtarë e muzikantë të kualifikuar. Një shoqatë të miqve të muzikës, që përbëjnë grupin koral të emërtuar nga ai “Rozafa Expression”. Gjatë një takimi me mjeshtrin Coba për informacione të këtij shkrimi, kurioz për emertimin e grupit, e pyeta:

….”Rozafa Expression” është një emërtim i menduar gjatë – më tregoi ai – e që simbolizon detyrimin qytetar e artistik të antarve. Simboli i Shkodres, kalaja e Rozafës, që është një histori qëndrese e sakrifice qytetare 2400 vjecare e ndërthurur me detyrimin artistik qytetar të mbështetur mbi realitetet artistike që buron nga ekspresiviteti i vlerave muzikore të qytetit e kulturës shkodrane. Kjo shoqate është simbol i lavrimit e pasurimit të muzikës së kultivuar e traditës së pasur muzikore të qytetit pas viteve 90-të. Ajo lavron këngën tradicionale shqiptare, pjesë muzikore korale të njohura e muzikë të zgjedhur nga vendi dhe bota. Suksesi dhe njohja e mbarëkombëtare e grupit është frut i punës plot pasion dhe pa interes, mbi baza vullnetare e në kohën e lirë të anëtarve të saj, por edhe merite e mbështetësve e sponsorve të aktiviteteve të tyre të shumta.

Kjo shoqatë muzikore është e strukturuar në katër ndarje (seksione). Ndarja e parë është kori i të rriturve ose “Rozafa Expression”. Ndarja e dytë është grupi “Në Lulishten e Këngës Shkodrane”, ndarja e tretë aktivizon fëmijët me grupin “Loja e Notave Muzikore” dhe “Miqtë e Muzikës” është grupi ose ndarja e katërt. Shoqata ka një aktivitet të zgjëruar, ku dominon grupi i të rriturve Rozafa Expression, i cili ka dhënë shumë koncerte në festivale e aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Mund të vecojmë këtu turnet e suksesëshme në vende të ndryshme:

…në fillimet e tij në vitin 2000: në Tiranë, në Andros e Karditsa të Greqisë (edhe në vitin 2013), Cetinjë të Malit të Zi, Avola të Italisë. Më vonë në vitin 2001 Vibo Valentia të Italisë, në Shkodra Jazz të 2007-tës, Tuz të Malit të Zi (2007), Tetovë të Maqedonisë (2007,2009, 2013, 2014, 2015), në Ripatransone të Italisë (2007), Svigliano, Cuneo, Saluzo të Italisë (2009), në Tiranë (2009), Kragujevac të Serbisë (2011), Assisi – Itali (2014, Gjakovë të Kosovës (2014) si dhe shumë premiera dhe koncerte në qytetet e ndryshme të Shqipërisë: Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë.

Shoqata miqtë e muzikës përvec se evenimente të ndryshme kulturore apo raste festash, organizon edhe aktivitete bamirësie sikurse koncerti i festave të fundit të vitit në ambientet e spitalit Jorgji Karamitri të qytetit të Shkodres. Ky koncert që pat moton “ Mjeksia shëron trupin, Arti shëron shpritin” u organizu në bashkëpunim me drejtorinë e spitaleve për të argëtuar të sëmurët dhe të pamundurit.

Për repertorin e këngëve dhe të muzikës kujdeset vetë mjeshtri i muzikës, kompozitori Zef Çoba.
Të njohim kompozitorin dhe mjeshtrin e muzikës Zef Çoba…

Mjeshtri i muzikës, kompozitori Zef Coba, lindi dhe u edukua në një familje shumë të njohur për tradita qytetare e atdhedashuri, në qytetin e Shkodres. Shenjat e para të talentit dhe prirjes së tij muzikore i tregoj qysh në vogli duke mësuar dhe luajtur në shumë instrumente muzikore. Në rini, ai realizoj deshirën e tij për të studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e dirigjimit koral, ku pat fatin të ketë mentore pedagogen e njohur Rozmari Jorganxhi.

Në vitin 1989, me vendim të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, del në profesion të lirë si kompozitor. Mjeshtri Zef Coba është njohes i mirë i trashëgimisë sonë folklorike, sidomos të trevave të veriut ku ai ka punuar vite me radhë. Për shumë vite ai ka qënë gazetar dhe kryeredaktor i programeve muzikore të Radio Shkodres. Që nga viti 2003 punon në Universitetin e Arteve Tiranë, në fakultetin e muzikës si pedagog në lëndët e dirigjimit koral, klases korale, mukikës dhomës, harmonise…

Në vitet 1997 deri 2001, drejtoj korin Dom Mikel Koliqi, në kishen Katedrale në Shkoder,. Po në vitin 2004 fillon të drejtojë korin e Katedrales “Shën Palit” në Tiranë, si dhe nga viti 2010 është drejtues i korit të Kishës Franceskane në Shkoder. Që nga 1983, është sekretari lidhjes së shkrimtarve dega Shkoder. Ai ka kompozuar shumë pjesë vokale dhe instrumentale, muzikë filmash e për teatër, këngë për fëmijë apo popullore shkodrane, pjesë korale si dhe është autori i këngës, që është bërë hymni i atdhetarisë, “Xhamadani vija vija”. Ai është rektor i Akademisë së Arteve në Shkoder, ku jep edhe mësim. Eshtë vlerësuar me shumë cmime dhe mirënjohje për veprimtarinë e krijimtarinë e tij artistike si Mirënjohja e Shkodres, Nderi i Kulturës Dibrane, Cmimi Naim Frashëri i kl III dhe cmimin “Madre Teresa”. Mban titullin profesor që nga viti 2012 dhe është anëtar i bordit të “Forumit Ballkanik të Muzikës Korale”, anëtar nderi i Shoqatës “Besa” në Mal të Zi dhe asaj “Madonna di San Giovanni” në Itali.

Prof. Zef Coba është një vazhdues i denjë i traditës të kolosëve shkodran të muzikës Pjeter Gaci, Prenk Jakova… Ai me modesti, po vazhdon të pasurojë më tej vlerat muzikore që ato i lanë trashëgim qytetit dhe atdheut të tyre.

Aktiviteti i pakrahasueshëm i Prof. Zef Cobës, i karakterizuar nga një disiplinë e kërkesë e lartë, që është vlerësuar me konsiderata të larta kudo, është një aset pasuror i qytetit Shkodres, të cilën ai ka arritur ta vendosë në piedestalin e qyteteve të njohur për traditën e kulturën muzikore, në botë. Po ashtu, grupi koral Rozafa Expression nëpërmes aktivitetit të tij mbrenda dhe jashtë vendit, me pjesmarrje në festivale dhe veprimtari të rëndësishme artistike, po perfaqëson me sukses kulturën dhe vlerat tona në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Eshtë për tu vlerësuar dhe falenderuar shteti austriak, i cili nëpërmes dhurimit të disa ambienteve moderne, ka krijuar mundësinë që Shoqata Miqtë e Muzikës të jetë një institucion me seli e ambiente komode, provash dhe aktivitetesh. Uroj dhe shpresoj që Shteti nëpërmes Ministrisë së Kulturës, Bashkia Shkoder, të tregohen më të vemendvshëm e zemergjërë se deri tashti dhe të mbështesin financiarisht këtë Grup përfaqesues të vlerave tona në botë.

http://rozafaexpression.com/ Vjene, me 24.1.2016