Infromacione nga jeta dhe aktiviteti i mjeshtrit të drurit Zija Karini.
Nga Pjetër Logoreci
Pas emocioneve të pashlyeshme që përjetova gjatë një vizite që bëra në punishten – studio të mjeshtrit të njohur të drurit Zija Karini në Shkoder, vendosa që këto rreshta të shkrimit tim të ja kushtoj atij. Në të vërtetë Zija-ja është një artist i njohur në të gjitha trevat shqiptare (si dhe jashtë vendit), por unë do të sjell këtu informacione të reja, mbi personalitetin, mjeshtrinë, shijen e tij artistike, individualitetin apo kreativitetin e tij në art.
Zijanë e njoha rreth viteve 1970, kohë, kur në mbarë vendin filloj të ndihej një fllad liberalizmi, kur arti e kultura filluan të ndikohen nga rryma të reja bashkëkohore, …kur „njeriu i ri“ filloj të mendojë, të sillet e të vishet ndryshe…
…kur cdo qytetari ju zgjua shpresa e lirisë e tolerancës politike, gjë që filloj të pasqyrohej në cdo qelizë të jetës…
….kur në rrugët e sheshet e qytetit tim të lindjes, shpërthyen ngjyrat, u çelën fytyrat, u clirua humori e gazi i njerzve, u ringjall dëshira për të bukurën e për të dalë nga “kinez-eria, …të gjithë njëlloj”…
…kur jeta kulturore e artistike mori një dimension të ri…
…kur shetitjet tradicionale të mbrëmjeve, stoliseshin nga djelm e vajza të reja, që mbanin roba apo modele flokësh që i përgjigjeshin modës së kohës…
…kur cdo i ri vlonte nga dëshira për tu veshur bukur (sipas mundësive), shpesh me rroba që i modelonin apo i qepnin vetë, për të ngjarë me figurat e vipa-ve të njohur botërorë…
Në kujtesën time të asaj kohe (prej adoleshenti 15 vjeçar), kanë mbetur të fiksuar shumë djelm e vajza shkodrane, të veshur bukur edhe pse kushtet ekonomike të familjeve ishin të vështira… Më vijnë në kujtesë Kujtimi, Saimiri, Franci, Bruno, Viola, Justi apo Zija-ja e sa të tjerë…, por sot do të ndalem tek personazhi i shkrimit tim, Zija Karini.
Zija Karini lindi në Shkoder me 30 nëntor 1941 në familjen Karini, një familje atdhetare shkodrane, e njohur për traditën tashma një shekullore të përpunimit të drurit. Familja, qysh në vitet 1920, zotëronte një ndërmarrje me aktivitet ZDRUKTHATARI, me 40 punëtorë në mes të cilëve edhe 4 mjeshtra italianë, që ishte krijuar nga Xhemal Karini. Në Shkoder, ndërmarrja ishte shumë e njohur për ndertimin e mobiljeve shtëpijake, por edhe objekteve të tjera në dru. Mjeshtria e punimit të drurit e dinastisë së Karin-nëve, në përbërje të cilës ishin 9 marangoze të famshëm, u trashëgua dy breza, deri te Zija-ja, i cili në vitin 1954 filloj të mësoj zanatin në punishten e xhaxhait të tij, mjeshtrit Ahmet Karini.
Me ardhjen e rregjimit komunist, punishta e tyre “ZDRUKTHATARI”, e ndërpreu aktivitetin e saj, pasi u shtetizua për tu kthyer në magazine mallrash shtetërorë.
Sapo hapet ndërmarrja artistike në Shkoder në vitin 1965, Zijaja fillon punën si modelist, ku në sajë të talentit e novatorizmit të tij në punë, ai merr titullin Mjeshtër (në punimet e drurit). Së bashku me kolegët e tij, mjeshtrat Kolec Thani e Ndoc Tusha, krijojnë qindra modele artikujsh artistike që, për nga bukuria dhe cilësia, dallonin në shkallë kombëtare por edhe ndërkombëtare, duke i sjellë ndërmarjes me 2000 punëtorë të ardhura të mëdha. Zija-ja punon aty deri 1994 kur ndërmarrja u mbyll. Pas 40 vjet përvoje pune, për të mbijetuar, ai vendosë të vazhdojë traditën e familjes duke krijuar një linje private të punimeve të drurit, ku me një përkushtim të madh punon dhe sot.
Aktualisht, mjeshtri Zija Karini, ky burrë vital e plot humor, është i njohur në punimin e 13 teknikave në dru, që përbëjnë një masë të gjërë produktesh e modelesh. Ai është mjeshtër në aplikacion me metal, në teknikën e rimesimit, teknikën e djegjes, punimet në kashtë, inkasim në dru, në gdhënie e ngjyrim druri dhe në punime të drurit në torno.
Së bashku me artistë të tjerë, që punojnë në ndërmarrjen e tij, ai krijon dhe tregëton suvenire, piktura në dru, piktura në pirografi, korniza të ndryshme, aplikacione në rimeso, kutiza stolishe, objekte me aplikacion metali etj. Me modelet që janë tërësisht krijimet e tij origjinale, ai merr pjesë në panaire mbrenda e jashtë vendit ku vazhdimisht ka marrë vlerësime të larta. Punimet e tij janë eksportuar në Itali, Greqi, Austri e vendet fqinjë.
Sot, artizani Zija Karini, i cili është i fundit i dinastisë, ka arritur përsosmëri në punimin e drurit. Punimet e tija të spikatura dëshmojnë për shijen artistike, kreativitetin dhe talentin e mjeshtrit popullor, i cili është i vecantë në krijimin e figurave ornamentale dhe modeleve, që i përgjigjen plotësisht kërkesës së tregut dhe kohës.
Si rezultat i aktivitetit të tij të gjërë dhe karrierës së tij si artist e mjeshtër në këtë fushë ai është nderuar nga Bashkia e qytetit të Shkodres me titullin MIRENJOHJA E QYTETIT me motivacionin:
“…Për kontributin shumë të vyer në zhvillimin e artizanatit shkodran. Me shijen e tij të hollë dhe duart e arta vazhdon që prej 5 dekadash të prodhojë me ndjeshmëri dhe nivel të lartë artistik, punime me larmi formash, idesh dhe kulturash, dëshmi autentike që shprehin me modesti jetën e bukur të këtij vendi”…
Sot, Zijaja, edhe pse në moshë pensionisti, vazhdon të jetë shumë aktiv. Ai përvecse drejton linjën e prodhimit e biznesin e tij, për të ndihmuar brezat e rinj dhe shtresat në nevojë, ka hapur kurse për mësimin e artit të pirografisë apo të aplikimit të teknikave të tjera, duke paisur me dituri e dokumente mjeshtrie pjesëmarrësit, të cilët në shumë raste, kanë hapur linjat e veta të artizanatit, duke u bërë pjesë e tregut shqiptar por edhe të huaj.
Mendoj që për turistët që vizitojnë Shkodren, Reparti – Studio i mjeshtrit Karini tek ish Artistikja, është një pikë atraktive që ja vlen për tu vizituar.
Vjenë, me 5 shkurt 2017