Tinka Kurti në ditëlindjen e saj

0
2034
Tinka Kurti

(Artistja e përmasave ndërkombëtare)

“Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”… ky është një predikim mirënjohës i një aktoreje që na bën të ndjehemi krenar, një psalm që na mëkon besimin si motivues në sprova dhe si forcë në sfida. Ajo i besoi pasionit, ngadhënjeu mbi çdo pengim dhe ndoqi rrugën ku i’a rrëfeu një shpirt i lindur për të jetuar në dhjetëra role, për të shpërthyer në dhjetua yjësi suksesesh skenike. Ajo i besoi Tinka Kurtit dhe mishëroi Tinkën e plazmuar në më të arrirën të mundshme e artit skenik.

Idilikja e portreti të Tinkës

Një fytyrë e skalitur me një mjeshtëri të përsosur. Brazdat e rrudhave që i’a shkruajnë me një kaligrafi mahnitëse moshën dhe hijeshinë, ëmbëlsinë dhe dashurinë e një zemre që rreket të shpreh mes atij vështrimi të ngulmët një botë parajsore, një reale që vezullon qëndismash yjësuese, por edhe atë… gruan dhe nënën e drobitur prej merakut dhe mallit, prej mirësisë dhe vetëmohueses. Një vështrim amësor që prehet me një delikatesë, ëmbëlsi, mall dhe një hije transparente meditimi që e përshkon gjithë atë portret, aktoreje, nënë dhe gruaje si me një cohë të hollë dritimi breror.

Kumtim dhe mishërim i aktores

Tinka Kurti, kjo zonjë sharmante dhe e hijshme, zëëmbël dhe rrezatuese, e thjeshtë dhe përplot ëndje gjallëruese, përmes mishërimit të nënës shejtneshë dhe gruas forcë përtëritëse të jetës dhe vlerave të epërme të hyjnimit, ka ditur dhe ka mundur të sjellë përmes artit skenik dhe të përkorës, më shumë se aktoren, shembullin ideal të gruas. Rolet, karakteret, tipet dhe profilet që jetësoi ajo mjeshtërisht në skenë, e kanë ngulitur thellë në memorin e gjeneratave Tinkën, si një aktore e admiruar, si një personazh i spikatur në skenën e madhe të artit. E avantazhuar nga profili skenik, nga një timbër që ka forcë të depërtojë dhe nga një hijeshi që brendashkrin gruan dhe nënën në rol, ka bërë që ajo të përcillet gjithnjë me adhurim. Në të gjithë galerinë krijuese, Tinka Kurti është ajo, dhe vetëm ajo. Nuk imitoi askënd, askush nuk mundi ta mbërrinte atë.

Si në rolin e Tanës, Pashakos te “Yjet e netëve të gjata”, nënës së Halit Beratit te “Gjeneral Gramafoni”, doktoresh Keti, te filmi “Unë e dua Erën”, Dila te “Besa e Kuqe”, etj. ajo mëton karakteristikat dalluese të patëdyta. Mishëron në rol, ose rolit i jep nga vetja atë forcë intepretative, atë shpirt përjetues, atë ndjenjë të personazhit që buron nga njerëzorja, nga aftësia për ta trajtuar me mish e me shpirtë atë që udhëprin pasion tek ajo.
Megjithëse ka lindur në Sarajevë më 17 dhjetor 1932, ajo është shprehur se: “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”. Në këtë udhëtim kumtimesh të epërme ky shëmbëllim i femrës ngadhnjimtare, ka skalitur në mbamendjen e kinemasë dhe teatrit më shumë se 120 role.

Çfarë është arti për të?
“Është ushqimi im. Oksigjeni. Unë kam mësuar shumë nga mësuesit e mi, nga paraardhësit e mi. Arti është kolektiv, nuk është individual. Është autori i dramës, komedisë, është regjisori, aktorët, skenografi, grimi, kostumografi, muzika etj… Pra në çdo dramë suksesi nuk është individual, por kolektiv”, shprehet Kurti. Tinka Kurti u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 14 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947-n u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe. Që viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë”, ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Tinka Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958-n. Të paharruar kanë mbetur Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata” (1972), halla te “Çifti i lumtur” (1975), sinjorina Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), gjyshja te “Zemra e nënës”.

Rolet e arrira i sigurojnë çmime të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Askush më çiltër dhe më me vërtetësi se sa vetë ajo nuk mund ta shkruaj panoramën e të deritashmes. Në një prej intervistave të saj, mes të tjerash ajo shprehet:
Në mendje i shfaqej shtëpia ku kishte lindur, pasioni për aktrimin, hapat e parë në skenë e madje edhe kujtime të veçanta, si puthja në film me aktorin Naim Frashëri. Ajo kujtohet si aktorja që realizoi puthjen e parë për filmin shqiptar, e i ngelet peng që as sot nuk transmetohet. Në këtë udhëtim nostalgjik e emocional i shkëpusim aktores disa kujtime të saj për “Gazeta Shqiptare”.

Ju kujtohet fëmijëria në këto çaste? Çfarë mbani mend më shumë?
Është një det i pafund kujtimesh. Kujtoj parkun, rrugicën me kalldrëm dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Ai loti që doli papritur më kujton çastet e dhimbshme, portën e shtëpisë, nga e cila dola kur isha vetëm 5 vjeç dhe u riktheva kur mbusha 65 vjeç. Shkova në dhomën për të cilën më kishte folur nëna, hungarezja Elisabetë, e cila pas lindjes kishte dalluar mes yjesh një germë T, dhe për këtë shkak vendosi ta quante vajzën Tinka.

Si ju lindi dëshira për t’u bërë aktore?
Në të vërtetë unë nisa mësimet në Politeknikumin e Tiranës dhe rastësisht përfundova në degën e Dramës, në Lice. Por kjo ëndërr e bukur do të ndërpritej në mes. Vetëm pas tre muajsh shkollë do të më përjashtonin për manifestimin e shfaqjeve liberale dhe asnjëherë nuk e mora diplomën e aktrimit. Por në rastin tim, talenti vulosi diplomën e aktorit. Pjesa më e bukur për mua është Shkodra. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia, atje ku hodhi hapat karriera ime si artiste. Kjo udhë e gjatë, e bukur sa edhe e vështirë, nisi me “Dasmën Shkodrane”, kur isha vetëm 16 vjeçe. Për herë të parë do të ngjitesha në një skenë teatri. Në të vërtetë më kishin marrë aty për të kënduar në kor, por regjisori shpejt kuptoi se kishte të bënte me një aktore. Dhe nuk kish gabuar. Hapi i parë do të hidhej me filmin “Tana” dhe më pas jeta ime do t’i kushtohej skenës dhe filmit.

I keni numëruar ndonjëherë rolet që keni luajtur gjithë këto vite?
Kam arkivin tim dhe duke renditur interpretimet e mia, numri arrin në 320 role. Shumica janë në dramë, por pa lënë pas edhe filmin. Është një gjysmë shekulli jetë që ia kam kushtuar skenës. Kujtoj rolet në dramën “Fejesa e Çehovit”, pasuar me rolin e Files në “Fisheku në pajë”, më pas të Lokes tek “Toka Jonë”. Pasioni dhe dashuria për skenën më detyronte që brenda vitit të mund të realizoja 4 role. Lëvizja nga Shkodra në Vig ku xhiroheshin “5 heronjtë”, nga skena në xhirim. Sfilitesha, por ndjehesha edhe e lumtur.

Keni role që do t’i konsideronit më të përzemërtat për ju?
Shumë nga artistët e tjerë shprehen se nuk mund t’i ndajnë rolet. Për mua nuk është kështu. Në një jetë kaq të gjatë ka role të mëdhenj dhe të vegjël, kryesorë dhe episodikë. Unë kam pasur fatin të kem tërë kohën role parësorë në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes tek “Toka Jonë”, nënë Pashakoja tek “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës tek “Gjaku i Arbrit” dhe kështu do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, tek “Streha e të Harruarve” shkruar nga Rruzhdi Pulaha, që u xhirua edhe film para pak muajsh.

Jeni artistja e parë që realizuat puthjen në film. Si e keni përjetuar?
Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme.

Për atë kohë thyhet një tabu. Nuk i druheshit kësaj?
Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore.

Kjo ishte dhe është Tinka Kurti, aktorja që shenjtëroi nënën në artin skenik, talenti që skaliti me pasion e përkushim një galeri të bollshme rolesh të fuqishme, rolesh që e ngritën atë në podin e nderit dhe role që morën prej saj atë që mund të jepte vetëm një zemër e dashuruar me skenën.

Jetëshkrimi i saj autorial:
Ne kerkim te kujt (2012) serial
Familjet (2009) serial
Filumena Marturano (2009) Teatër
Ne dhe Lenini (2008)
Mira – (2008)
Kosova: Desperate Search – Etjet e Kosovës (2006)
Dasma e Sakos – (1998)
Nata – (1998)
Zëmra e nënës – (1994)
Vdekja e kalit – (1992)
Unë e dua Erën – (1991) – Doktoreshe Keti
Balada e Kurbinit – (1990) – Nëna e Dardit
Edhe ashtu edhe kështu – (1989) – Tezja e Almes
Flutura në kabinën time – (1988)
Telefoni i një mëngjesi – (1987)- Nena e Neritanit
Në emër të lirisë – (1987)
Hije që mbeten pas – (1985) – Nena e Agronit
Besa e kuqe – (1982) – Dila
Qortimet e vjeshtës – (1982) Nena e Kujtimit
Si gjithë të tjerët – (1981) – Drejtoresha e shtepise se femijes
Mëngjeze të reja – (1980)
Nusja – (1980)
Gjeneral gramafoni – (1978)- Nena e Halit Beratit
Vajzat me kordele të kuqe – (1978)
Emblema e dikurëshme – (1976)
Çifti i lumtur – (1975)
Lumë drite – (1975)
Në fillim të verës – (1975)….Nena e Veres
Operacioni Zjarri – (1973)
Yjet e neteve te gjata – (1972) Pashako
Guximtarët – (1970)
Tana – (1958).

Dergoi per botim: Gjin Musa, gazetar