T’i heqim emërtimet e pushtuesit-njolla të dhunës

2
1246
Gravurë në dru - hanxhari turk

Pushtuesi iku, emërtimet serbe mbetën. Si nuk u bë asnjë përpjekje që t’i heqim njollat e pushtimit, si nuk u materializua puna e komisioneve që do t’ia propozonin Kuvendit të Dardanisë emrat shqip të qyteteve, katundeve, maleve, luginave, kodrave, përroskave e përrojeve.

Gani MEHMETAJ

Njollat e pushtimit osman as pas njëqind e ca vjetësh nuk arritëm t’i heqim nga vetja. Emrat a mbiemrat me rrënjë arabe, iraniane e turke brezi i vjetër, deri diku edhe brezi i mesëm i mbanë kujtim të mizorisë. Mijëra veta i kanë ndryshuar emrat a mbiemrat oriental me emra shqip në gjendjen civile, por mijëra të tjerë nga neglizhenca, përtacia apo nga bezdia e ballafaqimit me administratën arrogante, të trashëguar nga ish-Jugosllavia, (që s’të kryen punë pa të nxjerrë nga binarët e baraspeshës shpirtërore), nuk e futen kokën në sportelin e komunës a të gjendjes civile.

Nga kjo pasqyrë e emrave, e sidomos të mbiemrave, (pjesa dërmuese e emrave deri në dyzetë vjeçarë janë shqiptarë), një i huaj mund të krijojë përshtypjen e gabuar se jemi zgjatim turk, iranian a arab, pavarësisht që flasim e shkruajmë shqip, pavarësisht që kemi kulturë e traditë krejtësisht të ndryshme nga pasardhësit e hordhive turke e mongole.

Njollat e pushtimit serb janë të pranishme në emërtimin e vendbanimeve, lumenjve, bjeshkëve, kodrave e qyteteve tona. Po i hodhe një sy hartës së Dardanisë e të territoreve etnike, po kalove nëpër vendbanime, të duket se je në territorin e Serbisë: pjesa më e madhe e vendbanimeve, lumenjve, kodrave e bjeshkëve ende kanë emra sllavë, apo më rrënjë sllave, pavarësisht që në tabela së pari shkruhen shqip, ndërsa tingëllojnë qesharake emrat sllav të “shqiptarizuar”.

Sa për turp e të shëmtuar duken në gjuhën shqipe emrat sllav të katundeve Muqivercë, Muqibabë, Gjylekar, Svinjarac (thark i derrave)! A nuk tingëllon qesharak emri sllav i Pejës (Peç), kinse sipas shpellave, kurse Peja s’ka asnjë shpellë për be, është qyteti më i rrafshët jo vetëm në Dardani, por në tërë Gadishullin Ilirik.

Shqiptarët e ngathët e mendërisht përtacë nuk bënë asnjë përpjekje t’i heqin njollat e emrave e të emërtimeve të ish dhunuesve të tyre. Sa herë kaloj nëpër katunde, qytete, bjeshkë apo vendbanime të Dardanisë, turpërohem kur i lexoj apo i dëgjoj nga vendësit emrat sllavë të vendbanimeve, sepse emrat shqiptar ose i kanë harruar, ose nga inercia i thonë ashtu si ua imponoi pushtuesi.

Pushtuesi është futur thellë në rrashtën e tyre. Pushtuesi është futur edhe në rrashtën e zyrtarëve tanë. Ata nuk e bënë përpjekje që ta heqin këtë njollë turpi, t’i ndryshojnë emërtimet e dhunshme serbe, duke i kthyer emrat e origjinës shqiptare, sot kur nuk i kërcënon askush me jetë dhe nuk i dënon askush për nacionalizëm e irredentizëm. Të kapluar nga përtacia shpirtërore, të mbërthyer nga apatia, të kapur nga korrupsioni, askujt nuk i shkon ndër mend se kanë obligim t’i kthejnë emrat e vjetër shqiptarë të vendbanimeve.

Emërtimet sllave të katundeve, qyteteve, lumenjve, maleve, luginave, përrockave e përrojeve i bëri gjeografi serb Jovan Cvijq me dekret të shtetit të tyre me 1927. Emërtimet e moçme shqiptare popullata i harroi, sepse dikur i detyruan t’i harrojnë. Sot pa i detyruar askush i thonë emërtimet sllav, sipas një inercie të pashpjegueshme. Mezi i kujtohet ndonjërit si është quajtur më parë ky apo ai katund. Por Cvijiqi nuk i ndryshoi emërtimet e vendbanimeve me rrënjë turke a iraniane, i ndryshoi vetëm emetimet shqiptare.

Pushtuesi iku, emërtimet serbe mbetën. Si nuk u bë asnjë përpjekje që t’i heqim njollat e pushtimit, si nuk u materializua puna e komisioneve që do t’ia propozonin Kuvendit të Dardanisë emrat shqip të qyteteve, katundeve, maleve, luginave, kodrave, përroskave e përrojeve.

Pati një përpjekje euforike menjëherë pas luftës, por i pengoi administrata e UNIK-ut. Përpjekja ishte e flashkët, ndërsa UNMIK-u u bë vetëm shkas që të mos bëjnë asgjë. Kush i pengon sot të nisin procedurat e emërtimit shqip të vendbanimeve. Të huajt na marrin territor të Serbisë në emërtimet elektronike të google. com. Prandaj, s’kemi pse acarohemi kur në telefonat tonë, kur interesohemi për kohën Gjakova na del Gjakovica, Peja- Peç, Ferizaj – Uroshevac etj.

Ne edhe Kosovën e quajmë në emërtimin sllav, në vend të emërtimit të moçëm iliro-arbëror: Dardani. S’kemi pse brengosemi se si do t’i quajnë serbët. Asnjëherë nuk janë mërzitur austriakët pse sllovenët e quajnë Vjenën Dunaj, apo serbët e kroatët Beq.

Shënim: Gani, këto gjëra kanë të bëjnë me shembjen e popullit tonë nga pushtimet e huaja dhe paaftësinë tonë për t’u ngritur me respekt për vlerat tona kulturore e historike… /AÇ

2 KOMENTE

  1. I nderuari Gani,

    shkrimet i keni fantastike, por emri dhe mbiemri i juaj eshte shumë qesharak per nje SHQIPTAR… Mehmetaj dhe Gjylekari, me gjithë Muqivrrrcin jane njesoj qesharak. Pastaj emri Gani eshte njesoj qesharak sikur Mahmuuuti… per shembull… apo 8 fshatrat e Kosoves me emrin Novoselle… ose fashti Sfinjar… qe shqip i bjen Thifq… hahaha ose Thiore, Ose fashati Derrik…

    Ne e kemi veshtire t’i nderrojme emrat e vendbanimeve… por nje gje mund te e bejme per 10 deri ne 15 dite… te e nderrojme emrin ose mbiemrin personal nga gjuha e huaj ne gjuhe amtare.

    Un jam quajtur MAHMUUUT Gllavurda… dhe sot quhem Dardan Gashi.

    Prandaj nderroje ate emer shum qesharakkkkk pa lidhje….

    Shënim: Dardan, Skënder Mulliqi ta ka kthye një përgjigje, a e ke pa? Unë i tregova se ku e ke hallin ti, si ky trajtimi më sipër, e tani të shohim se si do të veprojnë ata, është zgjedhje personale e tyre… /AÇ

Komentet janë mbyllur.