Themelet arbnore dhe mohuesit

1
1360
Gjon Keka dhe Gjergj Kastrioti

Nga: GJON KEKA, më: 26 janar 2017BotaSot.info

Çdo popull ka çertifikatën e tij kombëtare, ato që nuk kanë çertifikatë kombëtare, janë popuj pa histori, ose me histori të rrejshme.

Po ashtu çdo popull e ndërton të ardhmen e tij mbi themelet e tij edhe nëse ato themele janë rrënuar nga pushtuesit e janë ndërtuar mbi to simbole të tjera të pushtuesit, ai duhet sërish t’i vë simbolet e tij, objektet e tij kulturën e trashëgiminë e tij mbi atë themel, që ka qenë më parë. Sepse historia nuk zhbëhet, as ndryshohet e as nuk mund të shkruhet sipas politikave ditore e interesave personale.

Prandaj edhe populli ynë, i cili vuan edhe sot në shekullin XXI, por në këtë shekull ky popull nuk vuan më nga ndonjë pushtues i jashtëm, sepse ka kohë që dy nga pushtuesit e tij (më të egër, turqit e serbët), janë larguar me turp nga trojet e këtij populli autokton, por ai sot po vuan nga mendja, nga moskthjelltësia e tij, nga verbëria pas ideologjive të huaja dhe politikave qeverisëse të gabuara e despotike.

Sot populli ynë ka nevojë për një rinjohje të vetes së tij, të historisë së tij dhe të identitetit, traditës e kulturës së tij burimore.

E fillova këtë shkrim kështu duke marë shkas nga debatet mbi objektet në kështjellën e Rozafës dhe atë të Prizrenit. Ka kohë që në mesin e popullit tonë ka hyrë një frymë e mohuesve, e përdhosjes së vlerave më sublime të kombit tonë, kjo frymë nuk ka qenë më parë, me përjashtim të kohës së tradhëtarëve si ajo e Ballabanit, Hamzës dhe Haxhi Qamilit. Kjo kohë e tanishme po shfaq një frymë pothuajse të njëjtë si të atyre që u cekën, por kjo e tanishme po bëhet në emër të të quajturit „shqiptar“.

Jo çdo njeri në mesin e popullit tonë, që ka këtë frymë është shqiptar, ai madje nuk duhet ta quajë veten shqiptar kur është praktikues i kësaj fryme mohuese të heronjëve si Gjergj Kastrioti dhe figurave tjera kombëtare. Vetëm ata që nuk janë nga gjeni arbnor janë bërë ndjekës të kësaj fryme të mohimit, të përdhosjes dhe tendencave tjera të errëta, që kanë për qëllim zhvlerësimin dhe bërjen e kombit me një imazh të gënjështërt, me simbole dhe jetë e praktikë sipas asaj që kanë lënë pushtuesit. Një tendencë e tillë sigurisht që nuk do të realizohet e ndodhë në mesin e kombit tonë gjersa ka në venat e shqiptarëve të vërtetë gjak të Gjergj Kastriotit.

Sidoqoftë ajo që nënvizova më lart, ka të bëjë me këtë, se asnjë objekt që ka ardhë si rezultat i pushtimit dhe është ndërtuar mbi themelet e vjetra nuk mund të ndërtohet në trojet e kombit tonë, aty mund të ndërtohen vetëm objektet, që kanë qenë themeltare dhe që historia – çertifika e jonë i njeh të vetat, asnjë e huaj nuk duhet dhe është e panatyrshme të ndërtohen mbi themelet e vjetra të popullit tonë.

Ka ardhë koha që shqiptarët ose do të ndërtohen mbi themelet e tyre te vjetra, ose do të pllakoset mbi ta mohuesi dhe tradhëtia. Dhe po u pllakosën këto dyja të fundit, do të thotë pllakosja e mallkimit kombëtar të tij dhe nënshtrimi e varfëria.

Prandaj është koha që shqiptarët të ndërtohen mbi themelet e vjetra të tyre dhe të marrin bekimin të cilin paraardhësit e dedikuan për ata, që janë besnik të atyre themeleve të kombit tonë arbnor europian.

Komentet janë mbyllur.