Thaçi nën akuzë, një lojë politike dhe një bast i humbur

1
530
Endrit e Hashim Thaçi

Andi Bushati Shkruan: Andi Bushati

Ngritja e akuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vetëm tre ditë përpara se ai të shkojë si përfaqësues i shqiptarëve në dialogun me Serbinë, në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka se si mos të japë shijen e një kurthi politik.

Ajo e bën kreun e shtetit të udhëtojë i telendisur drejt Uashingtonit, ashtu sikurse një rob lufte që e marrin zvarrë për të nënshkruar kapitullimin.

Ajo i bën dëm forcës negociuse e Kosovës dhe e shndërron në qesharak, “damën e shoqërimit”, që Thaçi do të tërheqë nga pas, në takimin me Grenellin, Vuçiçin dhe Bernabiçin.

Asnjë shtet serioz në botë nuk do të donte të kishte si kryetar të delegacionit, që do të nënshkruante marëveshjen e tij më të rëndësishme, një person që akuzohet përmbi 100 vrasje.

Asnjë komb nuk do të donte që të përballej me agresorin e tij gjakatar, duke u përfaqësuar nga një njeri që dyshohet për krime kundër njerëzimit.

Hashimi po krasit tani veten, e jo Albinin...
.
Hashimi po krasit tani veten, e jo Albinin…

Por, pikërisht fakti se kjo pozitë është e rëndë dhe pikërisht se kjo akuzë ra nga qielli fiks tani, e bën atë të dyshimtë. Edhe nga ana teknike, shpjegimi i Hagës, se po e hedh këtë hap, pasi Thaçi, Veseli, dhe Haradinaj kanë bërë përpjekje për ti’u shmangur drejtësisë, duke anulluar në parlament ligjin për Gjykatën Speciale, nuk qëndron. Kjo tentativë është dy vjet e gjysëm e vjetër, dhe nëse specialja ndihej e rezikuar prej saj, ajo duhej ta kishte ngritur me kohë akuzën.

Prandaj, mendimi i parë që të vjen në mendje ka të bëjë me lojra që e tejkalojnë mandatin e drejtësisë së pastër dhe skrupuloze. Nuk është çudi që qarqe pro vendeve të fuqishme europiane, të fshihen pas kësaj lëvizjeje të papritur.

Dhe nëse është kështu, konkluzionet që mund të nxirren janë dy: E para se sot besimi tek drejetësia ndërkombëtare dhe Gjykata e Hagës, ka marrë  një goditje të rëndë. Ky akt ka shtuar dyshimet se, pretendimet e gjithë konspiracionistëve, nga Beogradi në Zagreb, që kanë sjellë me qindra shembuj se ajo përdoret thjeshtë si mashë e diplomacisë politike, nuk janë krejt të pabaza.

Së dyti, ajo është një mësim i mirë edhe për vetë viktimën e saj të sotme.

Që kur dolën në skenë pretendimet e Dik Martit, Hashim Thaçi ka pasur vetëm një obsesion: si t’i shpëtojë një akuze të mundshme për krime lufte. Pikërisht për këtë ai u ngjit në presidencë, pikërisht për këtë (siç dëshmoi edhe letërkëmbimi me Pompeon) ai komplotoi për shfuqizimin e ligjit të speciales, për të cilin flet sot komunikata e Hagës.

Mbi të gjitha, ky makth e bëri atë të futej në aventurat për shkëmbimin e territoreve me Vuçiçin, duke vënë bast me shpresën se, sa më shumë të shfaqej si faktor rajonal, aq më tepër do ta largonte kërcënimin penal.

Një leximi i thjeshtë i gjithë qëndrimeve të Hashim Thaçit të bën të kuptosh se ai vuri edhe një bast mbi bast: se këtë punë ai do ta zgjidhte me SHBA.

Kështu shpjegohen edhe qëndrimet e tij të fundit, cinike dhe arrogante ndaj BE-së, injorimet që i bëri Lajçakut dhe talljet që i adresoi Borellit, duke e cilësuar si mik të Albin Kurtit.

E ky ndoshta qe dhe fati i tij i keq. Ai kërkoi t’i shpëtojë akuzave të Hagës, duke luajtur ndërmjet të mëdhenjve, por pikërisht kjo lojë, i’a përshpejtoi atë që kërkoi të shmangte.

Ai tregoi edhe njëherë me shembullin e tij, se drejtësia ndërkombëtare nuk është krejtësisht e kulluar, por se ndryshe nga ç’imagjinoi ai, fijet e saj nuk i luajnë dot të vegjlit.


Lajmi i fundit: Gjykata Speciale ngre aktakuzë për Thaçin, një ditë para se ai të shkojë në Washington

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë dy të parët që paraqiten në Gjykatën Speciale.

Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza është vetëm një padi penale, e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.

Marrë nga Nacionale.Info

1 KOMENT

  1. Bushat,

    Thaçi nuk ka qene arrogant ndaj BE-se, por BE eshte arogante ndaj Kosoves per mbi 30 vite.

    Ti je injorant ndersa arogancen e ke si mbulese te injorances politike dhe intelektuale.

Komentet janë mbyllur.