E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indo-iranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj. Ajo formon një degë të veçantë në këtë familje gjuhësore dhe nuk ka ndonjë lidhje prejardhjeje me asnjërën prej gjuhëve të sotme indoevropiane. Karakteri indoevropian i shqipes, përkatësia e saj në familjen gjuhësore indoevropiane, u arrit të përcaktohej e të vërtetohej që nga mesi i shekullit XIX, në sajë të studimeve të gjuhësisë historike krahasuese.
Ishte sidomos merita e njërit prej themeluesve kryesorë të këtij drejtimi gjuhësor, dijetarit të njohur gjerman Franz Bopp, që vërtetoi me metoda shkencore përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen gjuhësore indoevropiane. F. Bopp i kushtoi këtij problemi një vepër të veçantë me titull “Ueber das Albanesische in scinen verëandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në Berlin në vitin 1854.
Në ndarjen e gjuhëve indoevropiane në dy grupe: në gjuhë lindore ose satem dhe në gjuhë perëndimore ose kentum, shqipja shkon me gjuhët lindore (satem), bashkë me gjuhët indo-iranike, gjuhët balto-sllave dhe armenishten.
Problemi i origjinës së gjuhës shqipe është një nga problemet shumë të debatuara të shkencës gjuhësore. Ajo e ka burimin, pa dyshim, prej njërës nga gjuhët e lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes ose trakishtes. Në literaturën gjuhësore qarkullojnë dy teza themelore për origjinën e shqipes: teza e origjinës ilire dhe teza e origjinës trake. Teza ilire ka gjetur mbështetje më të gjerë historike dhe gjuhësore. Ajo është formuar që në shekullin XVIII në rrethet e historianëve dhe albanologëve.
Përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, e bëri historiani suedez Hans Erich Thunmann në veprën e tij “Undersuchunger liber di Geschichte der Östlichen europäischen Völker” Leipzig 1774. Ai, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve.
Teza e origjinës ilire të shqiptarëve është mbështetur nga albanologu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij “Albanesische Stidien”, publikuar më 1854.
Që nga ajo kohë deri në ditët tona, një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë duke plotësuar njeri tjetrin, një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore, që mbështesin tezën ilire të origjinës së shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Disa nga këto argumente themelore, janë:
1. Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në
periudhën antike kanë banuar fise ilire; nga ana tjetër në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera për t’u vendosur në trojet e sotme.
2. Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra sendesh, fisesh, emra
njerëzish, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
3. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të
krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse.
4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me
latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
5. Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e
shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjithë këto argumente, të paraqitura në mënyrë të përmbledhur, rezulton se teza e origjinës ilire e gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.
Burimet:
1. Demiraj, Shaban, “Prejardhja e Shqiptarëve nën Dritën e Dëshmive të Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 1999
2. Demiraj, Bardhyl, “Shqiptarët”, Tiranë, 2010.
3. Çabej, Eqrem, Studime etimologjike në fushë të shqipes II, Tiranë, 1976
4. Çabej, Eqrem, Studime gjuhesore; vell. V. Prishtine. 1975
5. Myderrizi, Osman, Emri i vjetër kombëtar i Shqipërisë në tekstet e vjetra shqipe me alfabet latin e arab – Studime historike nr.4, 1965
6. Sedaj, Engjëll, Etnonimi arbëresh/shqiptar kontribut për autoktoninë e shqiptarëve, Prishtinë, 1996
Ka shume fakte qe vertetojne se Shqipia eshte zhvilluar si nje dialekt iliro-arberor prej Pellazgjishtes, qe eshte folur si gjuhe mesdhetare qe nga lashtesia legjendare parabiblike. Le te permendim emerin e planetit Aferdita qe njihet i shkruar greqisht “AFRODITE”. Populli edhe sot i thote “Ylli i Mengjezit”, tregon qe afron dita. Nga Pellazget kane dal edhe astronome.
Komentet janë mbyllur.