Naxhije Doçi – Prishtinë
– Fragmente i përzgjedhur nga libri ”DESTAN BAJRAKTARI FOLKLORIST, LETRAR DHE ATDHETAR” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2009 – (Nëntitulli në libër: ”Historiku i Familjes Bajraktari nga Theranda-Suhareka”)
Sipas disa dokumenteve të hulumtuara, Bajraku i Suharekës është krijuar në kohën përafërsisht të njëjtë të krijimit të bajraqeve në tokat shqiptare. Mendimi i historianëve shqiptarë është, se institucioni i bajrakut në tokat shqiptare është krijuar në fund të shekullit XVII. Edhe sipas informatorëve të gjallë të Familjes Bajraktari të Suharekës (Therandës), Miftar Bajraktari 84 vjeç, Zymer Bajraktari 71 vjeç, Shaban Bajraktari 62 vjeç, si edhe të familjarit pak më të largët të tyre, Nebih Mehmet Kuçi-85 vjeç, Bajraku i Suharekës mendohet të jetë formuar diku në fund të shekullit XVII, në kuadër të të cilit ishin 42 fshatra. Këtë e thonë në bazë të të dhënave që kanë dëgjuar nga më të vjetrit e tyre.
Sipas Konsullit rus, Jastrebov, territori i Bajrakut të Suharekës është i ndarë në dy gjysma, sipas ndarjes që i bën vetë rruga kryesore, që e lidh Prizrenin me Prishtinën. Konkretisht kufiri i bajrakut të Suharekës fillon nga fshati Lubizhdë në të dalë të Prizrenit (rruga për Prishtinë) dhe përfundon në të dalë të fshatit Duhël, diku në mbarim të malit të njohur Biraq të Therandës. Brenda këtij përkufizimi gjeografik përfshiheshin 42 fshatrat e këtij bajraku. Fshatrat e bajrakut të Suharekës ishin: Lubizhda, Korisha, Kabashi, Sallagrazhda, Gjinoci, Grejkoci, Mushtishti, Suhareka, Dellovci, Maqiteva, Duvarani, Popolani, Vraniqi, Bukoshi, Savrova, Sopia, Peqani, Budakova, Papazi, Movlani, Krushica, Stravuqina, Çadraku, Dragaqina, Grejqevci, Vërshevci, Lutogllava, Duhla, Velezha, Shpinadija, Gelanci, Caparci, Novaka, Leshani, Ternja, Opterusha, Neprebishti, Zoqishti, Studenqani, Reshtani, Peçani, Sllapuzhani. Këto vendbanime të Bajrakut të atëhershëm të Suharekës, më vonë dhe në vazhdimësi janë të përfëshira në përkufizimin gjeografik të Komunës së Suharekës (Therandës). Suhareka si qendër e bajraktarëve ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të popullësisë të kësaj ane.
– Bajraku i Suharekës (Therandës) në krye me bajraktarin e saj brez pas brezi, prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këto anë, është dalluar për trimëri në mbrojtje të qenjes kombëtare, nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Ka dhënë kontribut të madh në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e tokave shqiptare. Ka marrë pjesë në shumë lufta kundër hordhive turke të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si edhe në luftat të tjera pas.
– Në mbamendjen e të moshuarëve të familjes Bajraktari të Therandës (Suharekës) gjenealogjia e të emëruarëve bajraktarë në familjen Bajraktari të Therandës shkon deri në tetë shokë. Sipas informatorëve të lartëpërmendur, Bajraktari i parë i Bajrakut të Suharekës ishte Sinani i Parë i gjysmës së parë të shekullit tetëmbëdhjetë. Të tillët nuk arrijnë që ta sqarojnë bindshëm se i kujt ishte Sinani i Parë si njeri, por edhe se prej kujt e kishte trashëguar titullin Bajraktar. Thjeshtë informatorët nuk kishin njohuri se kush ishte paraardhësi i Sinanit të Parë-Bajraktar dhe cilës fe i përkiste. Nuk e dinin as datën e sakt të lindjes dhe të vdekjes së Sinanit të Parë, se kohët ishin me trazira të mëdha dhe me shumë të padrejta për shqiptarët autokton në trojet e veta të trashëguara dhe në rrënjët e veta të lashta.
– Qartësinë më të përafërt për gjenealogjinë e familjes Bajraktari të Therandës e ka bërë Prof. Destan Bajraktari në një skemë të përgatitur me përkujdesje shumë të veçantë, titulluar: ”Pasardhësit e Familjes së Bajraktarëve të Suharekës ”, punuar prej 25. I deri më 3. II. 1977, në Suharekë dhe në Prishtinë. Skema është e përfshirë në librin e autores Naxhije Doçi. Në skemë Destan Bajraktari thotë: “Unë kështu e di se kaq më kanë treguar. Por ju e vazhdoni se ua kam mundësuar!” – Destan Bajraktari
– Bajraktarët e Bajrakut të Suharekës-Therandës, janë:
1. SINAN BAJRAKTARI I PARË, i lindur në gjysmën e parë të shekullit XVIII, Bajraktar dhe luftëtar në shumë luftëra; i vrarë duke luftuar për çlirim kombëtar shqiptar.
2. SINAN BAJRAKTARI I DYTË, i lindur në vitet e 70-ta të shek. XVIII, Bajraktar dhe luftëtar në shumë luftëra, i vrarë duke luftuar më 1831.
3. ZEKË BAJRAKTARI I PARË, i lindur në fillim të dekadës së parë të shek. XIX; Bajraktar dhe luftëtar kundër Reformave të Tanzimatit, më 1843-1845; Pjesmarrës në Kuvendin e LSHP më 1878; luftëtar edhe në shumë luftëra të tjera, në mbrojtje të tokave shqiptare; I vrarë duke luftuar, në kufi me Malin e Zi.
4. ASLLAN BAJRAKTARI I PARË, i lindur në fillim të viteve 60-ta të shek. XIX; Bajraktar dhe luftëtar në shumë luftëra kundër aneksimit të tokave shqiptare; I vrarë në vitin 1890 në luftërat vullnetare në kufi me Malin e Zi.
5. ZENAL BAJRAKTARI I PARË, i lindur në fillim të viteve të 40-ta të shek. XIX; Luftëtar në mbrojtje të aneksimit të tokave shqiptare; Bajraktar dhe luftëtar në krye të Bajrakut të Suharekës në vitet 1908-1910, në Grykë të Carralevës, kundër pushtimit shekullor turk, për formim të shtetit kombëtar shqiptar; I varur nga forcat turke në Prizren, më 18 gusht 1910.
6. SEJDI BAJRAKTARI I PARË, i lindur në vitin 1888; Luftëtar në Grykën e Carralevës, në vitin 1909- 1910 përkrah xhahxait të tij, Zenel Bajraktarit të Parë, kundër forcave turke, për formim të shtetit kombëtar shqiptar; Bajraktar dhe luftar kundër forcave serbe, më 1914, në Jaglenicë të Prizrenit më 1918 dhe në Luftën e Gjinocit, më 1941; Kryetar i komunës së Suharekës 11 vjet, me ndërprerje; i vrarë më 1941, në pusi nga forcat e errëta të pushtetit okupues serb, në Kosovë.
7. SHABAN BAJRAKTARI I PARË, i lindur më 1920; Luftëtar në Luftën e Gjinocit më 1941, përkrah të atit, Sejdi Bajraktarit të Parë; Përjetues i burgut të Burrelit , dënuar nga italianët më 1942; I vrarë si bajraktar shumë i ri në pusi, në Prizren, më 1943.
8. ASLLAN BAJRAKTARI I DYTË, i lindur më 1910; luftëtar në Luftën e Gjinocit më 1941; Përjetues i burgut të Burrelit, dënuar nga italianët, më 1942, bashkë edhe më të vëllain, Shabanin; Bajraktar dhe luftëtar më 1943-1944 në Kollashin dhe në Malet e Sharrit; Përjetues i Masakrës së Tivarit, më 1945.
Në bajrakun e Therandës (Suharekës) përpjekjet e shqiptarëve për ta luftuar dhe kundërshtuar pushtimin turk ishin të vazhdueshme dhe të pandalura.
Shqiptarët e Bajrakut të Suharekës (Therandës) me të gjitha metodat e mundshme luftuan edhe kundër pushtimit serb të Kosovës. Tërë shekulli njëzet ishte luftë dhe kacafytje gjithëfarëshe kundër pushtimit serb që ishte asimilues dhe shfarosës për shqiptarët.
SINAN BAJRAKTARI I PARË i gjysmës së parë të shekullit XVIII
– Prof. Destan Bajraktarit në skemën e tij titulluar ”Pasardhësit e Familjes së Bajraktarëve të Suharekës ”, bënë një përshkrim të shkurtër për dukjen fizike të Sinan Bajraktarit të Parë si luftëtar trim dhe shumë i zoti. Nga ato që kishte dëgjuar nga më të vjetrit e kishte bërë përshkrimin për të parin e familjes. Sipas përshkrimit të Prof. Destanit, Sinan Bajraktari Parë ishte një burrë shtatëgjatë dhe shumë i fuqishëm, që kishte luftuar në shumë luftëra kundër pushtuesit turk. Kishte luftuar si prijetar në ballë të trimave të Suharekës dhe për këtë pushtuesi turk e kishte vrarë në pusi dhe pas shpinës. Si kundërshtar të përbetuar të interesave të tyre pushtuese e kishin vrarë. Duke e kaluar urën e drurit mbi lumin Toplluhë, në fund të kopshtit të kullës së tij e kishin vrarë Sinan Bajraktarin e Parë. Ballë për ballë nuk do ta kishin vrarë kurrë si trim i rrallë që kishte qenë.
– Mbamendja për Sinan Bajraktarin e Parë është përcjellë nëpër gjenerata të familjes më së shumti me veçantinë e të vajtuarit për vrasjen e tij dhe e të kënduarit të mënjëhershëm për përtrirjen e hisës së tij me djalë. Thuhet se atë ditë që e kanë vrarë, i ka lindur djalë.
– Për vrasjen e Sinanit të Parë bajraktar thuhet se kanë qarë e vajtuar burra e gra, duke i rënë kokës dhe xhoksit me grushta dhe duke i ndukur flokët për tragjikën e madhe që iu kishte ndodhur. Pas këtij riti të dhembshëm dhe trishtues, të njëjtit njerëz me foshnjen e posalindur në duar, ishin sjellë rreth të vrarit të shtrirë, duke kënduar këngë për trimërinë madhështore të tij. Krahas kësaj, edhe duke iu lutur të vrarit, që energjia e tij luftarake dhe organizative, që ishte si dhunti e perëndisë, të reflektohejë te foshnja e tij trashëgimtar. Mendohet se një rit i tillë, në ato kohë të hershme të shoqërisë shqiptare, është bërë sigurisht nga bindja, se do ta qetësonin shpirtin e trimit të vrarë, që i ishte trashëguar familja dhe bajraku. Se do ta qetësonin amshueshmërinë e tij, se tani ka kush ta zëvendësojë për organizim të luftave në bajrak kundër pushtuesit osman.
– SINAN BAJRAKTARI I DYTË ishte i lindur në vitet e 70-ta të shekullit XVIIII dhe thuhet se jeta e tij kishte qenë më shumë jetë nëpër luftëra. Sinani i Dytë kishte lindur në ditën që ia kishin vrarë të atin. Familja kishte përjetuar hidhërim dhe gëzim të përnjëherëshëm, duke u gjendur në situata të mundimshme, se si për të vepruar, për të qajtur, apo për t’u gëzuar!
Foshnjen e posalindur të Sinanit të Parë e kishin pagëzuar menjëherë me emrin e të atit – Sinan – Sinani i Dytë. -Ka lindur me emër të vet – kishin thënë më të vjetrit e familjes!
– Ishte traditë ndër shqiptarë përtërirja e emrit, e sidomos përtërirja e emrit të njerëzve trima dhe të mençur, që kishin bërë emër për vepra të mira në familje dhe në shoqëri. Zakonisht përtrihej emri i gjyshit te nipi i tij dhe një veprim i tillë ishte obligim dhe krenari për shoqërinë shqiptare nëpër kohë. Përtërirja e emrit të babait te foshja e tij bëhej vetëm në raste tragjedish të mëdha, të vrasjes së trimit në luftë, apo në pusi, por edhe në raste të vdekjes së babait nga ndonjë sëmundje, në moshë të re.
Është e nevojshme të cekët se edhe në Familjen Bajraktari të Therandës trashëgimtarët e lindur meshkuj nëpër breza i kanë pagëzuar në vazhdimësi me emrat e luftëtarëve të tyre trima të rënë dëshmorë nëpër beteja atdhetarie. Këtë përtrirje emrash e kanë bërë që ta ruajnë me krenari kujtimin për madhështinë e paraardhësve të tyre trima dhe të mençur, si edhe me dëshirën që tek gjeneratat e reja të bartët shenjtëria e përkushtimit të tyre atdhetar e njerëzor. Në përditëshmërinë e vazhduar, emrat e paraardhësve trima, të përtrirë te trashëgimtarët, dallohen sipas përcaktimit të gjenealogjisë, si: Sinani i Parë -Sinani i Dytë etj.
Pas Sinanit të Parë, trashëgimtar në Bajrakun e Suharekës emërohet i biri i tij, Sinani i Dytë, se kështu ishte tradita në bajrak. Luftërat e Sinanit të Dytë kundër pushtuesit turk ishin të vazhdueshme dhe të pandalura. Sinan Bajraktari i Dytë ishte rritur me mallin e të atit të vrarë dhe herët i kishin rënë mbi kokë obligimet për familjen dhe për bajrakun e lënë trashëgim.
Të dytë, babë e bir, Sinani i Parë dhe Sinani i Dytë ishin vrarë në luftë me pushtuesin turk në trojet shqiptare.
– Prishtinë. Përgatitur për këtë publikim më 23.06.2020
HISTORIKU I FAMILJA BAJRAKTARI NGA THERANDA (SUHAREKA)
(Fragmente nga libri ”Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar”
– Naxhije Doçi – Prishtinë – 2009
Familja Bajraktari nga Theranda (Suhareka) jeton në Therandë (Suharekë) dhe është e familjes së madhe të fisit të vjetër Kuçi dhe ndër të parat familje të vjetra te Therandës. Sipas literaturës së hulumtuar historike dhe antrogjeografike për zanafillën dhe zhvillimin e fiseve shqiptare në Shqipërinë e Veriut të shekullit XV dhe XVI, vërejmë se fisi Kuçi është fisi më i vjetër pas atij të Hotit.
Familja Bajraktari e Therandës nëpër vite e shekuj bëri epokë të përkushtuar trimërie dhe mirësie për vendin e vet të trashëguar nga të parët e lashtë dhe për shqiptarinë. Me gjenin e trashëguar atdhetar, por edhe me edukimin e vazhduar, kjo familje bëri epokë edhe për çështje afrie e pajtueshmërie, së pari brenda vetëvetes si familje, brenda fisit të vet, brenda fiseve të tjera në afërsi, si edhe kudo që kërkohej pëkrahja e tyre. Të gjitha këto përkushtime i bënte vetëm që të ishin tok të bashkuar si shqiptarë.
Familja Bajraktari është njëra ndër familjet më të njohura në Therandë (Suharekë) dhe në rrethinë të saj, në Bajrakun e Suharekës. Brezat meshkuj të kësaj familje, por edhe gratë, vazhdimisht e kanë dëshmuar vetën për të mirë nëpër periudhat kohore, që ishin përherë të rënda dhe me trazime të pandalura për shqiptarët. Kjo Familje ka frymuar nëpër kohë dhe ka përjetuar njëjtë me bashkëvendasit e vet të mirat dhe të këqijat, që kanë rënë nëpër vite mbi popullin shqiptar të kësaj ane dhe përgjithësisht mbi këtë copë toke pjellore dhe kreshnike të Kosovës. Të mirat dhe të këqijat i kishin përherë të përbashkëta, se vetëm si të bashkuar mund t’i përballonin vështirësitë që iu shkaktoheshin pa u ndalur nga pushtuesit e shumtë dhe barbarë.
Për Therandën (Suharekën) me gjurmë lashtësie në çdo pëllëmb e hap, Dr. Jusuf Osmanit në librin e tij:“Theranda (Suhareka)”, Prishtinë, 2008, thotë: “Theranda në të kaluaren është quajtur Suhareka dhe ishte stacion i rëndësishëm, që lidhte rrugën e vjetër Shkodër–Kosovë. Edhe si vendbanim, e edhe si qendër, ka luajtur rol të rëndësishëm nëpër periudha kohore. Në burimet arkivore Suhareka përmendet qysh se herët, diku në vitin 1348. Këtë emër e gjejmë në krisobulën e Car Dushanit, me të cilën ai e formon manastirin e shënjtarëve Mihal dhe Gabriel, në afërsi të Prizrenit”.
Si vendbanim Theranda është përmendur në vazhdimësi edhe nëpër vite dhe shekuj të tjerë, në libra shënimesh të manastireve dhe nga misionarë klerikë të njohur shqiptarë, si edhe nga udhëpërshkrues të tjerë të ndryshëm.
Theranda e sotme si qytet shtrihet në Rrafshin e Dukagjinit, në pjesën verilindore të qytetit të Prizrenit. Është qendër e rëndësishme, se gjendet në rrugën që lidh Prishtinën, Prizrenin, Ferizajin dhe Rahavecin. Deri pas luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë emri i Therandës ishte Suhareka. Emërtimin Theranda, Suhareka e dikurshme, e ka që nga paslufta e vitit 1999, nga Komisioni për Standardizimin e Toponimeve të Kosovës, në bashkëpunim me komisionin komunal të natyrës së njejtë. Arsyeja e emërtimit të Suharekës në Therandë ishte edhe dëshira e popullatës vendore që ta përtërinin emërvendin e tyre të lashtë iliro-dardan.
Në bazë të të dhënave historiko-arkeologjike, Theranda e lashtë iliro-dardane mendohet të ketë qenë në Suharekë, apo diku përreth saj, në emërtimin Hisari. Për një të vërtetë të tillë ka mendime të shumta dhe të ndryeshme shkencore. Konzulli rus i gjysmës së dytë të shekullit XIX, në Prizren, e sidomos prej vitit 1879, Ivan Stepanoviq Jastrebov, në librin e tij: “Serbia e Vjetër dhe Shqipëria” (Udhëpërshkrim), thotë: “Suhareka ishte vendi që romakët e kanë quajtur Therandë”. Thënia tjetër e tij është: “Theranda ishte në katundin e tanishëm Suharekë, e jo në Prizren”.
Nga gjurmimet e bëra është dëshmuar se Theranda si vendbanim është lokalitet ilir i banuar që nga parahistoria me fise të vjetra ilire. Kohëve në vazhdim, popullata e Therandës, që ishte përherë shqiptare ndahej në lagje, sipas familjeve përkatëse, si: Kuçi, Gashi, Elshani, Berisha, Kryeziu, Shala. Sipas informatorëve, në këtë vendbanim, deri në vitin 1960 jetonin vetëm familjet e vjetra therandase. Më vonë qyteti është zgjeruar dhe në të janë vendosur edhe shumë familje të fshatrave të kësaj komuneje.
Në mesjetë vendbanimi i vjetër, në të dalë të Therandës (Suharekës) për Prizren është quajtur Gardhinë (Gradinë), ndërsa në kohë të mëvonshme edhe Hisar. Pikërisht në këtë vendbanim të vjetër me pasuri të shumta arkeologjike gjallëron Familja Bajraktari e Therandës (Suharekës). Që të flasim për Familjen Bajraktari të Therandës (Suharekës) dhe historikun e saj është e nevojshme që të cekim, qoftë edhe si shkurtimisht në këtë përfshirje, se si e mori kjo familje titullin Bajraktar dhe si u krijua Bajraku i Suharekës.
KRIJIMI I BAJRAKUT TË SUHAREKËS (THERANDËS)
Bajraku i Suharekës është ndër bajraqet më të mëdhenj shqiptar, të anës së Dukagjinit Lindor, si për nga numri i banorëve, ashtu edhe për nga numri i fshatrave, që gravitojnë në të. Konzulli rus i vitit 1879, në Prizren, Jastrebov, në librin e tij: “ Serbija e vjetër dhe Shqipëria “, Prishtinë, 1989, f. 52.). thotë: “Bajraku i Suharekës përmendet si bajrak i parë dhe më i rëndësishmi në Rrethin e Prizrenit, që ka gjithsej 42 fshatra”. Sipas një përthekimi të tillë gjeografik edhe Theranda (Suhareka) e sotme si komunë ka 42 fshatra, që gravitojnë mbi rrugë dhe nën rrugën kryesore të saj, që lidh Prizrenin me Prishtinën.
Bajraku i Suharekës u krijua në kohën përafërsisht të njëjtë të krijimit të bajraqeve në trevat shqiptare. Krijimi i bajrakut në trevat shqiptare e ka historinë e vet dhe për këtë ka mendime të ndryshme të historianëve të përgjithshëm. Mendimi i historianëve shqiptarë është, se institucioni i bajrakut është krijuar në fund të shekullit XVII. Dihet që popullsia shqiptare e vilajetit të Kosovës, ka prejardhje nga fise të ndryshme shqiptare. Me kohë, depërtimi i popujve të tjerë në këto vise, si edhe kushtet shoqërore kanë ndikuar që të humben gradualisht bazat e shoqërisë fisnore. Sipas historianëve, Bajraku është bashkimi i viseve të një krahine, ku bajraku mbante emrin e vendit dhe jo të fisit. Për kohën se kur është krijuar bajraku ka mendime të ndryeshme të historianëve të përgjithshëm . Sipas tyre bajraku i kishte edhe format rregullative të organizimit:
1. Bajraku e kishte Kuvendin e vet, që ishte organi më i lartë ligjvënës.
2. BESA ishte forcë unike për të marrë vendime në Kuvend, qoftë për ruajtje të vendit dhe qoftë për çështje të tjera me rëndësi. Besën e dhënë ishin të detyruar ta zbatonin të gjithë pa përjashtim.
Bajraku ishte edhe si një lloj organizimi ushtarak, i cili, deri diku e kishte zëvendësuar organizimin fisnor për shqiptarët. Për rëndësinë e bajrakut Gjergj Fishta shkruan: “Hapësira brenda së cilës duhet studiuar qëndrimi i vërtetë i shqiptarëve ndaj rendit, shoqërisë civile, është bajraku…Bajraku është shtet i vërtetë i shqiptarit“, etj.
Jeta nën pushtimin turk bëhej secilën ditë më e rëndë edhe në trevën e Suharekës. Që të vazhdohej egzistenca e popullit shqiptar për qëndrim dhe mbijetim në të duhej patjetër që të bëhej një lloj organizimi politik dhe ekonomik i vendit. Duhej patjetër që të bëhej edhe një lloj organizimi ushtarak, se ashtu e kërkonin rrethanat e kohës. Ky organizim e kishte territorin e vet gjeografik, të përfshirë në një grup katundesh me kufij natyrorë të përcaktuar mirë. Mbi bazën e mundësive dhe të domosdoshmërive të tilla ishte krijuar Bajraku i Suharekës, si institucion i organizimit fisnor të shqiptarëve të kësaj pjese të Kosovës dhe të shqiptarisë. Në krye të bajrakut ishte caktuar edhe bajraktari.
Sipas informatorëve të moshuar, Bajraku i Suharekës ishte bajraku më i mirë i rrethit të Prizrenit dhe i pjesës së Podgurit, se nuk ka bashkëpunuar asnjë herë me asnjë armik. Çdo herë ka qenë në konfrontim të vazhdueshëm me pushtuesin turk dhe me pushtuesit të tjerë pas tij.
Bajraku i Therandës në krye me bajraktarin e saj brez pas brezi, prej se mbahet mend krijimi i bajrakut në këto anë, është dalluar për trimëri në mbrojtje të qenjes kombëtare nën pushtuesin turk dhe nën pushtues të tjerë pas tij. Ka dhënë kontribut të madh në bashkimin e forcave vullnetare për lirinë e tokave shqiptare. Ka marrë pjesë në shumë lufta kundër hordhive turke të para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, si edhe në luftat të tjera pas.
Në mbamendjen e të moshuarëve të familjes Bajraktari të Therandës (Suharekës) gjenealogjia prej gjyshit në stërgjysh të kësaj familjeje nuk shkon edhe ku me ditë se sa larg me shokë. Mbërrinë vetëm deri në gjeneratat e muslimanizuara. Për të parët në fenë katolike të kësaj familje mbamendjet janë shumë të turbullta dhe të pasigurta. Sipas tyre gjenealogjia e të emëruarëve bajraktarë në familjen Bajraktari të Therandës shkon deri në tetë shokë. Zakonisht (sipas rregullave në bajrak) bajrakun e ka trashëguar djali më i madh i bajraktarit të mëparmë. Në mungesë të tij është zgjedhur trashëgimtari më i afërt në familje. Në raste të tilla kriteret e zgjedhjes ishin përzgjedhja e djalit më trim dhe më të aftë për organizime të luftave vullnetare në bajrak. Si kriter tjetër me rëndësi ishte edhe zgjedhja e djalit më të aftë për mbajtje të rendit në shoqëri dhe për afrime të shqiptarëve në mes veti. Në respektim të cilësive të tilla, bajraku i Suharekës ishte i suksesshëm dhe shumë kontribues për çlirim kombëtar.
Për formimin e hershëm të bajrakut në Suharekës, pra në këtë pjesë të Dukagjinit Lindor, Dr. Jusuf Osmani në librin “Kosova dikur dhe sot“, f. 133, thotë: “Në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, Suhareka ka luajtur një rol me rëndësi në jetën shoqërore në trevën e Podgurit dhe të Anadrinit. Në të ishte selia e bajraktarit të Bajrakut të Suharekës. Ky Bajrak ka pasur gjithsej 42 fshatra të Podgurit dhe të Anadrinit. Bajraku është kujdesur, veç tjerash edhe për sigurinë e rrugës së vjetër Shkodër-Kosovë, e cila kalonte nëpër këtë territor “.
Konzulli rus në Prizren, Jastebov, arsyen e krijimit të bajraqeve e lidh me domosdoshmërinë e mbledhjes së vullnetrëve të aftë luftarë të një territori të caktuar, në raste lufte.
Sipas banorëve e kësaj ane të Kosovës, por edhe sipas dokumenteve, Bajraku i Suharekës (Therandës) i kishte edhe tri nënbajraqe dhe që ishin: Nënbajraku i Kabashit, Nënbajraku i Budakovës dhe Nënbajraku i Samadragjës.
Titulli i bajrakut-Bajraktar ka qenë trashëgues dhe vazhdonte prej babait në djalin e madh. Bajraktari emërohej nga familjet e njohura, nga familjet në zë që kishin burra trima dhe sakrifikues, por edhe nga familjet e pasura. Ndër arsyet shumë të forta të caktimit të bajraktarit nga familjet e pasura shqiptare ishte se për organizimin e luftave vullnetare brenda bajrakut duhej edhe armatim. Bajraktari duhej të kishte edhe aftësi morale dhe organizative për t’i pajtuar shqiptarët në mes veti nga sindromi i gjakmarrjes. Vllavrasja ishte plagë e rëndë ndër shqiptarë e shkaktuar nëpër mote si pasojë e jetës së gjatë dhe të rëndë në robëri. Bajraktari ka qenë i respektuar nga popullata se e konsederonin që me përkushtim në dobi të vendit të vet, të bajrakut të vet dhe të populates në bajrak.
– Përzgjedhur për publikim më 22,06.2020