Terrori komunist bjen mbi gjimnazistat liridashës shkodranë!

1
4670

Titulli nga autori shkrimit Fritz RADOVANI: “SHELQET E BREGUT TË BUNËS VAZHDOJNË ME LOTUE !…

SHKODER: Kanë kalue 60 vjet dhe shelqet e bregut të lumit Buna vazhdojnë me lotue!…

Ata nuk janë shelqe lotuese! Janë shelqe që kanë bijtë siduket atëherë, kur padronët e Evropës aty menduene me cungue kufinin tonë shtetnor…

Kalimtarët aty mbrekullohën nga bukuria natyrore e atyne krahinave, që për 50 vjet thirreshin “zona kufitare”. Qellimi i këtij shkrimi nuk ka të bajë me studimin e prejardhjes në Shqipni të këtyne shelqeve që të shoqnojnë përgjatë bregut të Bunës, por kujtimet e mija lidhën me rrajtë e këtyne pemve, me stomijet ku ato janë të vëndosuna, me hijet e bukura të degve të tyne, me zallishtat dhe ranishtat e bregut të lumit që janë aq të kandshme për synin e njeriut, të kombinueme me një ngjyrë aq të ambël për synin vrojtues prej mrinave e kaçubave të ferrave që dukën sikur t’ishin çerdhe trumcakësh, babilash e gjithfarë zogjësh edhe ata…shtegtarë!

Degët e tyne të rame në një krah përshëndesin kalimtarët me lundrat e tyne shekullore, të latueme me aq mjeshtri nga vetë fshatarët e atyne katundëve që kanë zanë vend aty njëheresh me shkruesit e lashtë të historisë sonë. Dëshmi e kohës së tyne asht edhe Kisha e Shirqit. E pashë njëherë të zhytun rreth gjysëm metri në ujnat përmytës të Bunës. Kur lumi Buna fryhet nga ujnat e liqenit të Shkodres dhe derdhjet e mëdha të Drinit, era e pamëshirshme e shirokut i zenë gryken mu në derdhje të saj në Detin Adriatik dhe, sikur, ta kishin ba me marrveshje të tri palët shpërthejnë mbi fshatrat përrreth tue i ba si t’ishin plaçkë e bombardueme lufte…

Në verë aty natyra me shijen e saj artistike ka kompozue një kuader të plotë pikture. Pikërisht, në këte vepër arti, mu në një kthesë të Bunës në fshatin Samrishë, në Korrikun e vitit 1948 u ngrit një monument i pavdekshëm i Rinisë Shkodrane…mbi një grumbull dheu përzi me ranë, nën hijën e disa shelqeve që vazhdojnë edhe sot me lotue…

Aty janë vra pabesisht Bardhosh Dani, Mark Triepshi (Cacaj) dhe Brahim Derguti!
Tre djelm të rinjë, studenta të Gjimnazit “29 Nandori” të Shkodres, në përpjekje me disa forca të mbrojtjes së kufinit në bashpunim me sigurimin e shtetit, të cilët ato ditë ma shumë se kurr kontrollonin atë zonë kufini, sëpse u deklarue se qeveria komuniste e Tiranës ishte prishë me “miqtë” jugosllav. U hap fjala ndër ata fshatra se janë vra tre studenta nga qyteti i Shkodres. E pata pa me sy atë vend si fëmijë… ku, mbas pak ditësh daja i em prift Don Kolec Prennushi, pat shkue gjoja tek një i sëmurë i famullisë së tij, që banonte në Samrishë dhe e pat Bekue vendin ku ishin varrosë Ata tre Heronjë! Flitej se dy janë vra në breg të Bunës, ndërsa, i treti asht coptue nga një motoskaf, trupi i të cilit asht këthye nga disa roje kufini jugosllave dhe, mandej, të tre janë varrosë nën shelqe e ma vonë nga familjet e tyne. Sigurisht, përshtypja e Atij vendi më ka mbetë e përjetëshme. Nga bashkohësit ka pak shkrime edhe ata shumë të përcipta. Aktiviteti i Tyne asht vërtetë fillestar por, jo, i papërfillshëm që me mbetë në pak rreshta. Mbas mbylljes së shkollave të Françeskanve dhe të Jezuitve në Shkoder, pothuej të gjithë studentat shkuen me vazhdue shkollën e mesme në Gjimnazin e Shtetit, që iu pat vue emni “29 Nandori”.

Ky Gjimnaz njihët si vatër kulture që në thëmelimin e tij në vitin 1922, me drejtorët e parë Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda etj. që mbyllën jetën Martirë të Atdheut, por jo ma pak edhe qendër e përpjekjeve të vetë rinisë shkodrane për liri dhe demokraci. Në atë Gjimnaz gjithnjë janë kenë të pashueme shkëndijat e luftës kundër okupatorve që shkelën pa mëshirë Atdheun tonë. Me okupacionin sllavo komunist sigurisht nuk u pajtue asnjëherë rinia përparimtare e Shkodres, kështu, vetvetiu zjarri që vlonte në gjiun e inteligjencës dhe Atdhetarve shumë shpejtë përfshiu edhe studentat e Gjimnazit, të cilët pa pikë frike filluen me shkrue ndër mure thirrjet e Tyne për organizim të luftës së përbashkët kundër pushtueve të rinj të Atdheut të shkatrruem nga Lufta e Dytë Botnore. Fillimisht hapat e para u hodhën në fushat sportive të futbollit, tek Kisha Kathedrale, Ara e Pashës, Fusha e tigrit në Parrucë dhe kudo që rinia mund të mblidhej me një shkak pa ra në sy për qellimin e vërtetë.

Gjimnazi Shkoder-2Takimet në këto fusha sporti sollën edhe lidhjet miqësore të cilat pasuen studentët e të gjitha shkollave tashma të unifikueme, por edhe ringjallën ndjenjat e pashueme të besës mbi të cilat do të triumfonte Ideali i përbashkët, tue krijue Organizatën Antikomuniste të Gjimnazit Shkodres “Përpjekja Shqiptare”, me drejtues Bardhosh Danin. Kjo Organizatë për disa kohë mëshefej nën petkun sportiv të futbollit, shoqatë e cila drejtohej nga Xhevat Gjyrezi dhe nënkryetar Bert Çoba. Shumë shpejtë grupit të parë ku bante pjesë Xhevati, Berti, Lec Vasija, Bardhosh Dani, Mark Triepshi, Ferit Myftia, Simon Deda, Beqo Seknej, Bardh Shiroka, Alfons Radovani, Nexhip Osmani, Injac Kujxhija, Hilmi Hoxha, Augustin Dema, Henrrik Kraja, Zef Gjon Marku, Kol Gjoni etj. që ishte kryesisht grupi i studentave të shkollës së Jezuitve dhe, që, quhej Shoqnia “Besa”, iu afrue edhe një pjesë me të vërtetë e zgjedhun e disa familjeve të tjera të qytetit nga lagjët Muslimane si: Xhabir Hoti, Medin Shpuza, Bib Smajli, Fetah Myrto, Ali Komi, Nuh Vajushi, Haki Tuzi, etj, si edhe shumë të tjerë që banonin në lagjet Dudas e Ndocaj. Të gjithë së bashku në fillim të vitit 1947, u betuen me luftue me të gjitha format ma sekrete kundër pushtuesve sllavo komunist.
Survejimi i këtij grupi filloi nga spijunët Isa Miloti, Faik Zeneli dhe Xhemal Dini.

Në të 17 –tën vjetë të jetës ishte Kryetari i Organizatës “Përpjekja Shqiptare”, djali trim Shkodranë Bardhosh Dani, i vetmi djalë i Atij konaku Burrash që i fali Thëmelëve të “Rozafës” një Gurë aq të çmueshëm e të daltuem me të gjitha virtytet e traditat e Besës dhe të Bujarisë së Trojeve tona Shqiptare. Djalë me të gjitha aftësitë drejtuese dhe organizative që pjekunia e Tij nuk i përpiqte fare me moshën e re. Elokuent dhe i çiltër si ujët e bjeshkve që buron bash si t’ishte ndër lugjet ma të thepisuna e të pakapërcyeshme prej njeriut. Aty ku zogjtë fluturojnë me frikë nga shpendët grabitçarë, bash Aty Bardhoshi kishte “çerdhën” e Tij, prej ku drejtonte Atë Rini, që do të bante vdekjen si me lé për dashninë ndaj Atdheut!

Bardhoshi jo vetëm që shkelqente në mësime po, Ai ishte aq komunikues dhe i afërt me të gjithë shokët dhe shoqet e shkollës, sa kenja e Tij si kryetar i Asaj Organizate ishte aq e natyrshme sa deri vonë Ata pak anëtar që kam njohtë, nuk përcaktonin kurr besimin e Tij fetar, sëpse unitetit dhe bashpunimi ishte aq i fortë sa kjo nuk binte në sy fare nga ana e palës tjetët Katolike. Duhet theksue fort se një marrveshje dhe moskenje e ma të vogles së asaj që thirrët “shkëndi” e vogël fanatizmi ka vazhdue edhe ma vonë me brezin tonë dhe, këte e vërteton miqësia dhe dashnia që asht ruejtë edhe sot mes nesh që nga ajo kohë kur na ishim studenta ndër gjimnaze dhe në pedagogjike të Shkodres. Nuk duhet harrue se në Atë Organizatë kishte në korrikun e 1948 – 49 rreth 120 anëtarë dhe mbrenda kësaj shifre ishin ma shumë se 35 vajza edhe këta nga të dy besimet, prej të cilave kujtoj: Bela (Gjystina) Kapidani, Çiljeta (Çita) Simoni, Albina Marashi, Terezina Dajçi, Zana Kraja, Gjina Dajçi, Motrat Pipa, Rregjina Kola, Lali Glasovi, Linda Boriçi, Ana Daja, Roza Harapi etj. të cilat shumica u përjashtuen nga të gjitha shkollat e Shqipnisë me motivacionin se, “nuk pajtohen me frymen e re të shkollës sonë”, të nënshkruem nga amorali spijun i sigurimit të shtetit dhe ish hetues i vitëve 1945 në qytetin e Korçës, arroganti Skender Villa, pasues besnik i Nesti Havjarit, Dhori Samsurir, Fadil Hoxhës etj. të njohtun si përsekutor komunist spijun.
Nga këto vajza disa vuejtën edhe me vite të tana të rinisë ndër burgje.

Sigurimi i shtetit i forcoi pozitat e veta në Gjimnazin e Shkodres, me mjaft nga ata vagabondë e rrebel të sjellun nga “llomi” i Shqipnisë së Jugut, të cilët i kanë shërbye deri sa u plakën dhe u matufosën sherbëtorë të PPSH dhe të Sigurimit komunist. Disa nga këta i kujtoj edhe unë si: Nasho Jorgaqi, Koço Opari, Peço Fidhi, Alfred Uçi, Anesti Boçka, Haxhi Pela, Ramadan Perhati, Mirdash Kalo, Jani e Sokrat Çomo, Emil Mborja, Mili Misja, Tefta Ziko, Bardhyl Haxhihyseni, Çiril Pistoli, Sadush Kumbaro, etj.

Me ta fatkeqësisht mbetën në kujtesën e shkodranve endè sot, si: Agim Bejleri, Ferit Mandija, Marjan Zhagari (i ngarkuem nga spijunazhi jugosllav në Shkoder), Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Iljaz Fishta, Jonuz Tuli. Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Isa Miloti me korrjer Xhemal Dinin, Hamid Beqja, Satber Jubani, Halit Isufi, Selah Cena, Bep Jubani e shumë të tjerë që koha do ti zbulojë, mbasi veprat e tyne nuk i kalbë as dheu pa u dëshmue!

Krimineli Hilmi Seiti posa vjen në Shkoder kërkon nga Ministria e Mbrendshme: “Në Gjimnazin e Shkodres vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktor nga Jugu!…” (Arkivi M.M.Tiranë, 1998). Kalimi i postit të kryetarit të Degës së Mbrendshme nga duet e kasapit Zoji Thëmeli tek terroristi Hilmi Seiti, u pasue me një dendsim të spijunve konviktor dhe me arrestime të shumta nga rinia shkodrane, por ajo që do të ve në dukje asht edhe rrjeti i madh i hetuesve dhe spijunve nga vetë qyteti i Shkodres, të cilët për fatin e keq kanë lanë një njollë të keqe por edhe të madhe në historinë e lashtë të shumë familjeve me tradita qytetare, mbasi ata jo vetëm i kanë shërbye sigurimit të shtetit por edhe kanë rekrutue shumë djelmë të rinjë nga disa familje të nderueme shkodrane, tue i çnderue përjetësisht si spijun të divoçem të tyne.

Hapja e dosjeve të Sigurimit asht një domosdoshmëni për shpalljen publike të disa vetve, mbas shumë prej këtyne monstrave vazhdojnë me kenë spijun të sigurimit edhe sot në shumë nga vendet Përendimore, të cilat nën maskën e “gjuhës angleze” i kanë vue në shërbimin e dyfishtë “kapitalisto-komunist”, vetëm nga interesi i kapitaleve të tyne ndër bankat Përendimore, që me kenjen gjallë të baballarve të tyne “miljonerë”…

Në ata vite ishin të përkushtuem me shpartallue Rininë Heroike Shkodrane mjaftë nga ata kriminel që kanë edhe mbi varrezat e tyne të pashlyeme njollat e gjakut si: Kasem Troshani, Lilo Zeneli, Hamdi Ulqinaku, Ali Xhunga, Hysni Ndoja, Xheudet Miloti, Nesti Kopali, Ahmet Suji, Jonuz Dini, Gjon Prennushi, Çesk Shoshi, Fadil Kapisyzi, Abdyl Hakiu, Dul Rrjolli, Zoji Shkurti, Dhimiter Çifligari, Elez Mesi, Pjerin Kçira, Alush Bakalli, Shyqyri Qoku, Asllan Lici, Xhemal Selimi, Dulaç Lekiqi, Bilo Bregu, Idriz Çoba, Ali Qorri e sa të tjerë që nuk mund të harrohen për krimet e tyne ndaj shkodranve.

Mbas vrasjes së Bardhosh Danit, Mark Triepshit dhe Brahim Dergutit, u vra edhe i riu Asim Rusi. Ndonse trathtia për këte vrasje i mbet një fshatari të Anës së Malit, por nga Fatbardha Shkupi kam mësue emën tjetër, i cili duhet të dalin nga hapja e dosjeve, mbasi edhe vetë Bardha nuk kishte fakte të mjaftueshme për te.

Një fakt asht i pamohueshëm se lëvizja studentore, mbas vrasjes së Bardhosh Danit pësoi një tronditje të madhe, aqsa edhe me përpjekjet e bame tue u mbledhë në shtëpinë e Alfons Radovanit dhe Viktor Lukës, mbetën ma shumë tentativa organizimi sesa organizim i mirëfilltë. Elementi “spijun” depërtoi aqsa arrijti me zbulue krejtë Organizatën “Përpjekja Shqiptare” dhe, me daten 10 Maji 1950, Sigurimi arrestoi Et-hem Bakallin, Mergim Danin, Alfons Radovanin, Nexhip Osmanin, Viktor Lukën, Ferit Myftinë, Gjon Mark Ndojn dhe Njazi Uruçin e Pjerin Vatën, që dy të fundit ishin mbajtë dy-tri ditë para 24 orë në sigurim dhe ishin “lirue”, për humbje gjurmësh të denoncimëve të tyne, gja e cila del edhe në dosjen e hetimeve nr. 2452 (Arkivi MM Tiranë) të bame në vitin 1950 nga vetë Hilmi Seiti, Ali Xhunga dhe Kasem Troshani. Ky grup mori dënime të randa tue mbyllë edhe aktivitetin e Organizatës, kështu provohet se me shpartallimin e kësaj Organizatë nuk pat ma forca që mujtën me formue organizata vërtetë antikomuniste në shkollat e mesme të Shkodres.

Lexoi në librin e z.Ahmet Bushatit “Në gjurmët e një ditari”, faqe 197, një shkrim të keqinformuem në lidhje me vazhdimsinë e “dy grupëve” të studentave në Shkoder, në vitin 1953 e ma vonë, ku përmendën Pjetër Arbnori, Bep Jubani etj. “që do të mbyllin me lavdi ciklin prej tetë vitësh që studentët e gjimnazit të Shkodres kishin zhvillue thuejse pa ndërpremje …”. Fatkeqsisht, me përjashtim të Dr. Ali Spahisë, emnat tjerë janë emna që i kanë sherbye sigurimit të shtetit dhe, pikërisht Bep Jubani asht një student bashkohës i emi, i cili në vitin 1952 – 53 ishte anëtar i divoçem i komitetit të rinisë komuniste të shkollave të bashkueme Gjimnaz e Pedagogjike të Shkodres, me drejtor Skender Villën dhe sekretar i rinisë Jani Çomo. Kur shkolla Pedagogjike kaloi nga ndërtesa e grumbullimit përballë Gjimnazit, me drejtor Gani Daiun, nga Elbasani, sekretar i PPSH Enver Thanasi, vlonjat dhe, sekretar i komitetit të rinisë komuniste ishte vetë Bep Jubani, një nga ata spijun që u shpërblye nga sigurimi edhe me bursë në BRSS. Për ma tepër në dosjen teme kam pa në vitin 1992, në degën e mbrendshme të Shkodres edhe një deklaratë të lëshueme nga Bep Jubani, në vitin 1956, ku, shkruhet: “Se… F.Radovani asht ai që i ka shkrue traktet e shpërndame në shkollën Pedagogjike…”, gja, e cila asht vetëm shpifje e tij, mbasi unë nuk kam shkrue kurr të pakten një trakt, jo pse nuk kam dashtë, po, kam pasë frikë për palc… nga vetë rrethanat e mija të familjes seme, së cilës nuk i janë nda burgjet nga viti 1945 – 1989…prandej edhe shënova këte fakt, i cili nuk duhet të ndodhin në asnjë libër e, sidomos nga përsona që e njohin Shkodren qyshë se kanë marrë mend… ndërsa, kur bahet fjalë për figura të Ndrituna si Bardhosh Dani me shokë, emnat e spijunve pranë veprës së Tyne antikomuniste dhe heroike nuk kanë vend!

Aktiviteti antikomunist i Rinisë Shkodrane asht aq i gjanë dhe burrnor sa vetëm me fakte të pamohueshme do të arrijmë me vërtetue dy cilësitë e papërsëritëshme të Asaj kohë aq të lavdishme dhe të trishtueshme, tue kujtue humbjen e jetës së Atyne Djelmve që ranë për Liri dhe Shqipni Demokratike me Bardhosh Danin në Krye:

1. Uniteti i Rinisë Shkodrane pa paragjykime Besimi e krahine.
2. Rinia Shkodrane luftare e pamposhtun kundër komunizmit.

Sot asht domosdoshmeni që në një ambjent të bukur pranë Gjimnazit “28 Nandori”,
në një lulishtë apo shesh sportiv të Shkodres, duhet të vëndosën bustet ose një “Gurë i daltuem” me emnat e këtyne djelmve që ranë për Liri, mbasi kështu edhe Rinia e sotme do të kuptojnë por edhe nuk duhet të harrojnë kurr, sesa barbare dhe e pashpirtë ishte diktatura komuniste që sundoi në Shqipni për një gjysëm shekulli…

Këta janë bazat historike mbi të cilat një ditë Rinia e ardhëshme duhet të ndërtojnë godinën e re Demokratike, që i përket me e gëzue Asaj e, vetëm Asaj, që asht pa asnjë kundërshtim e ardhshmja e Rinisë Heroike Shqiptare!

Melbourne 2008

Komentet janë mbyllur.