TERRIN MES DY DRITAVE S’E DURON YLLI QË SHKOQET, AS NJERIU – Martin Camaj

0
494
Martin Camaj - Terrin mes dy dritave

Nga Frank Shkreli

“Ex Malo Bonum”, është një citim latinisht nga Shën Augustini, që në shqip mund të përkëthehej se, nga një e keqe vjen diçka e mirë.

Frank Shkreli Nga fillimi i muajit korrik qe botuar një shkrim nga Auron Tare për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn, një “studim”, siç u quajt nga disa, që akuzon Koliqin dhe Camajn si poliagjentë dhe kollaboracionistë të forcave më të errta anti-shqiptare. “Studimin” e botoi portali nga Nju Jorku, Peisazhe të Fjalës. Bazuar në absurditetin e akuzave dhe aludimeve të Auron Tares, për nja dy javë, “studimi” i Auron Tares u bë çështje e ditës, media shqiptare, përfshir televizionin– sikur nuk kishte halle më të mëdha për shqiptarët– i kushtonte kohë dhe hapësirë, nga nata në natë. Auron Tare për pak kohë u bë “TV star”, si rrjedhim i akuzave dhe aludimeve të tija pa bazë.

Këtyre zërave, modestësisht, iu bashkova edhe unë në atë kohë duke thënë se megjith pretendimet e Tares, “studimi” i tij nuk sillte asgjë të re, që nuk dihej më parë. Për më tepër, mua dhe shumë të tjerëve, na u duk se pretendimet e Auron Tares ishin një shpifje me qëllim baltosjen e këtyre dy shkrimtarëve. Aludimet dhe të pretendohej se këta dy shkrimtarë të njohur të kombit shqiptar ishin poliagjentë dhe anti-shqiptarë, mu duk mua dhe shumë të tjerëve si diçka që kishte dalur nga tryeza e Enver Hoxhës, në kulmin e luftës së ftohtë. Me atë rast, thashë gjithashtu se shkrimi ose “studimi” “Dritëhije në Histori” i Auron Tares, botuar në portalin e Ardian Vehbiut, “Peisazhe të Fjalës” në Nju Jork, nuk ishte as i “rrallë”, as “origjinal”, siç pretendohej nga autori dhe botuesi.

Martin Camaj Sidoqoftë, debati rreth këtij “studimi”, ishte ai që ishte, me qëndrime pro nga autori dhe botuesi dhe ndonjë mbështetës i tyre, që si duket mezi kishin pritur rastin të hedhnin baltë kundër dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë—ndërkohë që shumë të tjerë shprehën pikëpamjet e tyre kundër “studimit” të Auron Tares, për mungesë dokumentacioni dhe sidomos, për interpretimet dhe aludimet dashakeqëse, pa mbështetje dokumentacioni.

Por, siç ka thenë Abraham Linkolni, në fund të fundit “E vërteta është, zakonisht, mbrojtja më e fortë dhe më e mirë kundër shpifjeve”. Zot ruajna prej atyre që të mirës i thonë e keqe dhe të keqës të mirë. Por, siç ka thënë edhe Shën Augustini, shpesh ndodhë që edhe nga një e keqe – siç ishin shpifjet publike të Auron Tares kundër Koliqit dhe Camajt—ndodhë që vjen diçka e mirë.

Në këtë ndërkohë, me të thenë të drejtën, u gëzova kur mora vesh se Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) ka në plan të organizojë, këtë javë, një tryezë të rrumbullakët me rastin e 95-vjetorit të lindjes (21 Korrik, 1925). Specifikisht, në njoftimin e AIDSSH thuhet se, “Në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, AIDSSH me partnerë, organizon tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, me pjesëmarrjen e familjarëve, bashkëpunëtorëve akademikë, studiuesve brenda dhe jashtë vendit e institucioneve publike. Më 28 gusht, ora 18.00, live nga Pallati Presidencial në Tiranë.”, thuhet në njoftimin e botuar në faqen fejsbuk të AIDSSH.

Ndërkohë, AIDSSH kërkon nga të interesuarit se, “Për shkak të interesit të lartë për pjesëmarrje në tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja” dhe kufizimeve të detyruara në kushtet e përhapjes së COVID-19, të interesuarit që marrin pjesë në aktivitet janë të lutur të dërgojnë email të konfirmimit të pranisë së tyre në [email protected] brenda datës 27 gusht 2020, e enjte.

AIDSSH njofton gjithashtu se ashtu siç është lajmëruar edhe më heret, aktiviteti do të transmetohet “live” nga AIDSSH dhe media të pranishme.

Concept & Grafic Design: Henrik Lezi

Uroj që tryeza e rrumbullakët e AIDSSH për Jetën dhe Veprimtarinë e Martin Camajt, të hedhë dritë mbi shpifjet dhe aludimet propagandistike të ish-regjimit komunist, në përgjithësi si dhe të atyre nostalgjikëve modernë të atij regjimi, të cilët duan që me çdo mjet të baltosin dy figurat më të njohura të letrave dhe historisë shqiptare. Por, mbi të gjitha, uroj që qëllimi dhe përfundimi i kësaj tryeze të jetë zbardhja e të vërtetës, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt – përfshir edhe akuzat dhe aludimet e kohëve të fundit kundër tij — sepse këtë do të donte edhe ai vet – të vërtetën, me të gjitha të mirat e të këqiat, asgjë më pak as më shumë se të vërtetën!

Që drita e së vërtetës të zëvendësojë terrin e akuzave djallëzore të kundërshtarëve të tij, “shpend mishngranës me fytyrë njerëzore”, sepse “Terrin mes dy dritave ‘s’e duron ylli që shkoqet, as njeriu…” Martin Camaj.

Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive, që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë. Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, ka shkruar Kadare. Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, të cilës i referohet Kadare – sidomos në fushën politike dhe letrare – është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër që prej kohës së komunizmit.

Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet Shqipëria dhe bota shqiptare, thirrja e Camajt për “Afrim të Shqiptarëve”, është më aktuale se kurrë. Uroj që pjesëmarrësit — në tryezen e rrumbullaktë të enjtën në Tiranë, për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, organizuar nga AIDSSH – të dalin nga ajo konferencë më të bashkuar në përpjekjet e tyre, për të hedhë më shumë dritë mbi të vërtetën dhe më jo baltë mbi jetën jetën dhe të veprimtarinë e Martin Camajt.

Për një mendim ndryshe, për personin dhe dosjen e Martin Camaj, mund të ndiqni një intervistë me të Sonila Boçi Pepivani, Akademia e Studimeve Albanologjike, të Fatmira Nikollit në News24:

Përmbledhje e shkurtër e intervistës nga News 24: Martin Camaj, në dritë dosja e shkrimtarit — Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshtë dosje bashkëpunëtori, por të përndjekuri”. Historianja: E kanë arrestuar që ta perdornin. Dokumenti, “Camaj bashkëpunetor nën detyrim” “Dosja nuk flet për torturë, thuhet u mor me force” Boçi: Dosja thote qe Camaj e dezinformoi Sigurimin “U arratis me ata qe i kerkuan te denonconte” “Komiteti i Prizrenit?

Nuk del roli i Camajt atje” “Permendja e Camajt dhe roli jane gjera te ndryshme” Camaj zero marredhenie me Politiken. Boçi: Camaj agjent? Do te ishte krejt atipik! Boçi: Në dosje ngatërrohen faktet me opinionet, “Dosja e Camajt nuk ka fakte, duhet vërtetuar” Sonila Boçi: Çmitizim? Atdheu e partia ishin një. Boçi: Po të ishe kundër partisë, ishe tradhtar –Sonila Boçi, historian. Gazetare, Fatmira Nikolli.

Një bashkëpunim i #IH_ASA me #AIDSSH
Fatmira Nikolli Sonila Boçi Pepivani Akademia e Studimeve Albanologjike – faqe zyrtare News 24

Martin Camaj, ne drite dosja e shkrimtarit Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk eshte dosje bashkepunetori, por te perndjekuri” Historianja: E ka…

YOUTUBE.COM
Martin Camaj në dritë – dosja e Sigurimit për shkrimtarin, përndjekje, detyrim e letra anonime. Sonila Boçi: Dosja e Camajt, jo e zakonshme “Nuk është dosje bashkepunëtori, por të përndjekuri

Poezi nga Martin Camaj

VRASJA E POETITI

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.
E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ
që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.
Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.