Tërmeti i datës 26 nëntor 2019 vërtetoi se ka dy Shqipëri, një e politikanëve edhe një e popullit

0
507
Moikom Zeqo - intervistë

Report TV – Intervistë me Moikom Zeqon, Studiues & Arkeolog

Tërmeti i datës 26 nëntor 2019 vërtetoi se ka dy Shqipëri, një e politikanëve edhe një e popullit. Kjo është analiza që i bën studiuesi edhe arkeologu Moikom Zeqo kësaj fatkeqësie natyrore që përshkroi vendin tonë. Teksa e konsideron, si më të rëndin në historinë e tërmeteve që kanë përshkruar këtë qytet, ndien dhimbje të madhe, edhe për kështjellën e Durrësit.

“Historia e tërmeteve në Durrës, është klasifikuar edhe në historinë Evropiane të tërmeteve. Edhe i ndjeri Betim Muço ka mbrojtur doktoraturën me këtë temë. Janë tre tërmete, të dokumentuara, një e përshkruan Ciceroni, oratori edhe filozofi romak, në shekullin e parë para Krishtit, i cili thotë që në det u ngritën edhe dallgë të mëdha. Dëshmia e dytë është e shekullit të katërt, është një kronik anonime, që ka një si mallkim biblik, sepse Perëndia e dënoi qytetin e Durrësit për shkak të mëkateve të mëdha që kishin banorët.

Ndërsa, dëshmia e tretë, është në shekullin XIII, që ka është bërë nga një kronikan bizantin, që tregon se qyteti mund të kishte 25 mijë banorë, ndodhi një shkatërrim total i qytetit. Ndërsa, banorët u zhvendosën drejt Beratit. Megjithatë, në këto tërmete diçka ka mbetur e palëkundur, deri në tërmetin e vitit 2019, që ka qenë struktura e kështjellës së Durrësit. Në shekullin XIII, 1967, 1979 s’ka pas dëmtime. Ndërsa, në tërmetin e vitit 2019 kulla B e kështjellës bizantine të Durrësit ka një çarje të madhe nga sipër bedenit, deri poshtë”, shprehet ndër të tjera studiuesi.

Sipas Zeqos, tërmeti vërtetoi gjendjen e emergjencave të shtetit shqiptar dhe mosorganizmin e qeverive të majta edhe të djathta në këto 30 vite.

“Ky tërmet vërtetoi që ka dy Shqipëri, një Shqipëri të popullit që e pësoi nga tërmeti, ndërsa nuk di ndonjë që ndonjë nga politikanët, deputetët apo ministrat që t’u jetë prishur shtëpia. Di që populli e ka pësuar. Populli i thjeshtë pësoi një solidaritet të madh. Pjesa tjetër është Shqipëria e ministrave edhe deputetëve që nuk duhet amnistuar. Nëse sot thuhet nga kryeministri për inxhinierët që kanë bërë gabime të futen edhe në burg, po qeveria përse duhet amnistuar. Përse duhet amnistuar kjo qeverisje që u gjend në një boshllëk të madh në atë që quhet sektori i emergjencave. Çdo shtet serioz e ka përherë sektorin e emergjencave”, thotë Zeqo.

Situatën post tërmetit e parashikon të komplikuar, jo vetëm për dëmin financiar që dita-ditës po zmadhohet.

“Mendoj se situata post-tërmetit do të jetë më e komplikuar edhe më konfuze, sepse do të mbetet edhe situata e dëmit të madh financiar, që vetëm zmadhohet. Të tërë deputetët e Shqipërisë janë të pasur. Di ti ndonjë rast që të kenë dhënë nga 100 apo 200 mijë euro, edhe të krijohet një fond për të varfëritë që kanë mbet pa shtëpi. Nuk ndodh kjo, dhanë vetëm një rrogë”, thotë profesori.

Një rol të vobektë ka luajtur opozita në tërë këtë fatkeqësi natyrore ku është zhytur vendi.

“Nuk ka bërë asgjë, unë mendoj se përtej anës politike që e shfrytëzoi, duhet që të jepte shembullin e humanizmit. Nuk kam parë kurrë një opozitë kaq të mefshtë në një situatë kaq emergjence që kemi ne sot”, vijon ai, duke shtuar se ky tërmet vërtetoi publikisht se partitë politike të establishmentit të vjetër janë të dështuara.

Profesori përfundon se vendi ynë vazhdimisht është vënë në provë nga fatkeqësitë, por nuk e ka humbur kurrë shpresën. Nëse kjo fatkeqësi natyrore kësaj here do të sjellë apo jo ndryshime ekonomike edhe politike, ai mendon, se kjo gjë i takon popullit.