TEPRICAT, REFORMA AGRARE DHE AKSIONI I MBLEDHJES SË ARMËVE NË FAMILJEN BAJRAKTARI TË SUHAREKË (THERANDË)

0
702
Naxhije Doçi - Therandë

Naxhije Doçi – Prishtinë

Tepricat: Pushtuesi serb në Therandë e kishte në shënjestër Familjen Bajraktari, si familje kryengritëse dhe nacionaliste. E torturoi dhe e maltretoi në vazhdimësi dhe në mënyrë të veçantë një shekull të tërë. Pas të ashtuquajturës “Luftë Nacional Çlirimtare”, Pushteti Popullor serb deshi ta shkatërronte krejtësisht këtë familje. Në gjysmën e dytë të shekullit njëzet Familjen Bajraktari të Therandës e torturuan edhe me mekanizma të tjera kriminale dhe speciale. E ngarkuan me tatime të shumta gjatë kohës së Mbledhjes së tepricave, më 1947-1949, duke ia marrë edhe sasinë e fundit të miellit në magje dhe duke e lënë në varfëri të skajshme. Në të vërtetë as që mund të kishte teprica të diçkafit në atë pasluftë të rëndë dhe shkatërruese të vitit 1945, por qëllimi ishte iritimi i shqiptarëve prej vendit të tyre dhe shpërngulja. Urdhëri ishte që t’i gjenin ku ishin, e ku s’ishin drithërat dhe ushqimet, që ua kishin caktuar si tepricë dhe t’i dorëzonin në afatin e caktuar. Në të kundërtën do të pasonin dënime të tjera edhe më të rënda, me rrahje brutale dhe me konfiskim pasurish, e edhe me burg. Që t’i shpëtonin disi të keqes së paralajmëruar, burrat e kësaj familjeje ishin detyruar që të blejnë drithëra në pjesë të ndryshme të Kosovës, ku popullata ishte e përzier me goranë dhe me serbë.

Reforma Agrare: Torturimet dhe vuajtjet në Familjen Bajraktari të Suharekës vazhduan edhe gjatë të ashtuquajturës Reformë Agrare, që e bëri pushtuesi serb në Kosovë. Me këtë lloj torturimi fizik e psiqik, me këtë reformë agrare, zbatuar në vitet 1948-1953 u bë kolektivizimi i pronave në Kosovë (vetëm kundër shqiptarëve). Gjatë kësaj kohe shumë familjeve të dalluara në Suharekë ITherandë) dhe konkretisht Familjes Bajraktari iu mor thuaja se gati krejt pasuria e trashëguar. E pasuria e trashëguar e tyre ishte nga i pari i tyre, nga Zekë Bajraktari i Parë, që u është ndarë katër djemëve të tij, në katër pjesë. Prej katër djemëve të Zekë Bajraktarit të Parë: Salihut, Zenelit, Asllanit dhe Sefës, sot frymon në Therandë Lagja e Bajraktarëve prej 50 shtëpish dhe prej më së 400 anëtarësh, me një shtrirje të zgjerua familjare edhe në Prizren, Prishtinë dhe nëpër tërë Kosovën, e edhe në diasporë, si në Zvicërr, Gjërmani, Kanadë, Itali e gjetiu. Trashëgimtaret femra të Familjes Bajraktari të Suharekës, të martuara në trevën e Therandës, në pjesë të ndryeshme të Kosovës, si edhe në territoret të tjera të banuara me shqiptarë, e edhe në diasporë, e dyfishojë numrin e familjeve dhe të banorëve.

Aksioni i mbledhjes së armëve ndër shqiptarë: Pushtuesi serb në Kosovë si metodë për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë organizoi edhe aksionin e mbledhjes së armëve ndër shqiptarë. Gjatë këtij aksioni famëkeq të mbledhjes së armëve ndër shqiptarë, të dimrit të acartë 1955-1956, pesë burra të kësaj familjeje, Asllan Bajraktari, Sefë Bajraktari, Alush Bajraktari dhe  Maliq Bajraktari, bashkë edhe me djalin Adem Bajraktari, qenë maltretuar me netë e me ditë, deri për vdekje, që t’i dorëzonin armët, që nuk i kishin. Ishin torturuar edhe burrat të tjerë të kësaj familjeje, e edhe krejt familja, por jo si të parët. Armët që i kishin pasur si familje, ua kishin marrë që në fillim të atij aksioni të zi për ta dhe për të gjithë shqiptarët e Suharekës dhe të Kosovës. Të tjera armë nuk kishin më. Krejt muret e shtëpive ua kishin rrëmihur përmes magjupve të paguar, kinse për t’ua gjetur armët e mëshefura! Armët (pushkët) edhe ua montonin kësaj familjeje, që torturimet të mos kenë kurrë fund për ta. Qëllimi i pushtuesit serb ishte rëndimi i jetës deri në pamundësi durimi, që të shpërnguleshin. Që të nënshtroheshin dhe të pajtoheshin me robërinë. Por, kurrë nuk u pajtuan me robërinë dhe as me pushtuesin! Gjithëmonë e luftuan dhe e kundërshtuan…!

BURGOSJA DHE PËRJASHTIMI SI INDIVID DHE SI FAMILJE NË FAMILJEN BAJRAKTARI TË SUHAREKËS (THERANDËS)

         Burgosja: Gjatë shekullit njëzet, nga pushtuesi serb në Kosovë, burrat e Familjes Bajraktari u burgosën dhe u dënuan me gjyq e pa gjyq, prej tri vjet, deri më 17 vjet burg. U dënuan 12 burra: Sejdi Bajraktari, Asllani i Dytë, Shabani i Parë, Sefa i Dytë, Zeka i Dytë (17 vjet), Miftari, Haziri, Destani, Jashari. Të përndjekur ishin edhe: Isak Bajraktari (Prof., Ismail Bajraktari (Arsimtar), Haxhi Bajraktari (Prof.) dhe Prof. Dr. Musli Bajraktari, por nuk kishin mundur që t’i zënë se përmes kanaleve të ndryeshme kishin arritur që të largoheshin përkohësisht nga Kosova! Haxhi Bajraktari kishte qenë i përndjekur si organizator i Demostratave të vitit 1968 në Therandë. Prof. Dr. Musli Bajraktarin kishin tentuar ta burgosnin si komandant të mbrojtjes territoriale për logjistikë dhe për prapavijë për Komunën e Therandës, që ishte në kuadër të Ministrisë së Mbojtjes të Republikës së Kosovës.

Pos burrave, UDB-istët dhe SUP-istët serbë i kishin burgosur dhe i kishin dënuar edhe bijat e familjes Bajraktari. E kishin burgosur Selvijen (1915), vajzën e Sejdi Bajraktarit, që ishte një trimëreshë e vërtetë dhe që ishte e martuar në familjen e njohur atdhetare në Gjinoc.

-Sanije Bajraktarin, të bijen e Destan Bajraktarit e kishin burgosur në Ferizaj në vitin 1991 gjatë protestave të arsimtarëve shqiptarë për pavarësimin e shkollës shqipe dhe e kishin dënuar më 60 ditë burg në Mitrovicë. Sanijen e kishte burgosur sigurimi serb edhe herën e dytë, më 4 tetor 1993 si kontribuese të Shtabit Ushtarak (për Ferizajin) të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Përjashtimi: E vlerësuar si familje nacionaliste dhe reakcionare, UDB-ja serbe dhe shteti kriminal serb në Kosovë nuk i kishin pushuar asnjëherë dënimet kundër  Familjes Bajraktari të Suharekës. Gjatë viteve të pesëdhjeta të shekullit njëzet (XX), i përjashtuan si individë, por edhe si familje, deri edhe me nga shtatë vjet, pa guxuar askush t’u hyjë brenda. Lëvizjet për nevojat më se të domosdoshme jetike si edhe tregëtinë për kryp e vajguri dhe gjëra të tjera elementare ishte dashur t’i bënin mësheftas dhe natën dhe atë më së shumti nëpër fshatrat përreth. Për banorët e Suharekës ka qenë e ndaluar rreptësisht edhe kokën që ta kthenin kah Lagjja e Bajraktarëve. Ata që kishin patur guxim t’i thenin rregullat e tilla të hekurta, ishin ndëshkuar me rrahje brutale nëpër këthinat më të errëta të stacionit të milicisë, si edhe me dënime të tjera të rënda. Edhe me burg, si edhe me konfiskim të pasurisë i kishin kërcënuar. Kishin qenë njerëzit e caktuar nga UDB-ja serbe, që kishin pasur për detyrë t’i përcillnin lëvizjet e hyrje-daljeve në lagjen e Bajraktarëve.

Përkundër masave të rrepta të UDB-së serbe, therandasit, megjithatë nuk ishin ndalur së vizituari lagjen e Bajraktarëve. I kishte obliguar afërsia familjare dhe miqësore, por edhe sakrifica dhe atdhedashuria e pakursyer e kësaj familjeje për lirinë e Kosovës. Therandasit kishin qenë të vetëdijshëm se pushteti okupues serb e torturonte pa ndalur këtë familje vetëm pse ishte rezistente ndaj tyre! Vetëm se nuk pajtohej kurrë me robërinë serbe!

Ishte e diskriminuar Familja Bajraktari e Therandës, përtej të gjitha masave, pothuajse nga çdo e drejtë e kohës, duke filluar nga e drejta për shkollim të favorizuar, për punësim etj. Fëmijët e kësaj familjeje, kur shkonin në shkollë pengoheshin dhe torturoheshin në mënyra të ndryeshme, psiqike dhe fizike, se ishin fëmijë të prindërve të burgosur; sepse ishin fëmijë të familjes nacionaliste, që e kundërshtonin pushtetin serb në Kosovë. I torturonin fëmijët dhe nuk donin t’i linin, që të shkonin në shkollë, pse familja e tyre ishte e përjashtuar nga Fronti Popullor. Nxënësve të rinj, Haxhiut dhe Ismailit ua humbën vitin shkollor në Shkollën Normale të Prizrenit.

Naxhije Bajraktarit, që ishte vajza e parë e Familjes Bajraktari në shkollë të mesme dhe e dyta në Therandë, ia kishin montuar në Shkollën Normale të Prizrenit nën bankë, librat “Sikur t’isha djalë” të shkrimtarit Haki Stërmilli dhe librin “Pse” të shkrimtarit S. Spase, që sipas UDB-së serbe ishin libra të botuara në Shqipëri, që ishin shumë të rrezikshme dhe të ndaluara për t’u lexuar. Në të vërtetë librat e tillë as që gjendeshin lirshëm për t’u lexuar në Kosovë.

Në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet disa vajza shqiptare në Kosovë favorizoheshin me bursa modest dhe me përkrahje morale, që të shkolloheshin. Ishte kohë kur, sikur kishte filluar në një farë mënyre, të bëhej një lloj përpjekje për shkollim dhe për emancipim të femrës shqiptare në Kosovë. Vajzat e Familjes Bajraktari të Therandës, fatkeqësisht nuk i përkisnin kësaj kategorie të favorizimit. Naxhije Bajraktarit nuk i kishin dhënë bursë për t’u shkolluar, edhe pse kishte konkurruar për bursë në të gjitha Komunat e Kosovës, sipas konkurseve të shpallura. Në të gjitha konkurrimet i ishin përgjigjur: “Rridhni nga familje reakcionare, që e kundërshton pushtetin popullor dhe socialist në Kosovë”. Përpos kësaj kishin tentuar edhe që ta pengonin për t’u regjistruar në shkollim të mesme. Dhe faji i vetëm i saj ishte pafajsia e plotë. O Zot i Madh sa e vështirë ishte jeta në Kosovë, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit njëzet! Ishte plumb i rëndë krejt shekulli njëzet për popullin shqiptarë të Kosovës.

Megjithatë, Naxhije Bajraktari, me vullnetin e çelniktë, që e kishte në jetë, kishte arritur t’i sfidonte pengesat e shumta të kurdisura padrejtësisht dhe barbarisht gjatë gjithë shkollimit të mesëm të saj. Kah mesovitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet arrinë, që ta kryejë edhe fakultetin dhe të renditet në mesin e femrave të para, e ndoshta edhe e para me diplomë Universitare në Komunë të Therandës.

Sanije Bajraktari, vajza e dytë e Destan Bajraktarit, poashtu me sukses të shkëlqyeshëm në mësime, në vitin 1965, si nxënëse e klasës së dytë përjashtohet nga Shkolla Normale e Prizrenit, me pa të drejtë shkollimi kurrkund në Jugosllavinë e atëhershme! E përjashtuan vetëm pse e kishte lexuar një poezi (ku përmendej Shqipëria) dhe atë poezi e kishte lexuar në kohë të pushimit në mes të orëve mësimore dhe krejt me zë të ulët e kishte lexuar. E kishin spiunuar, kuptohet nga të manipuluarit, se aso kohe UDB-ja serbe me disa bashkëpunëtorë shqiptarë bënte trysni të mëdha në shkolla, mbi nxënësit e dalluar shqiptarë.

E kishin pasur shumë të vështirë nga pushtuesi serb në Kosovë që të shkolloheshin në shkollim të mesëm Naxhija dhe Sanija, se babai tyre, si edhe aqxhët ishin në burg për të pasur liri të merituar në Kosovë. I kishin sfiduar vështirësitë, se nuk kishin mundur që të mbeteshin pa shkollë, se nuk kishin mundur që të pajtoheshin me padrejtësitë, që iu bëheshin?!

Pengimi i shpërnguljes: Duhet cekur, se burrat e familjes Bajraktari bënë histori edhe për pengim të shpërnguljes me dhunë të shfrenuar të shqiptarëve të trevës së tyre për Turqi dhe gjetiu. Ishin në kacafytje të vazhdueshme me pushtuesin serb, pse i sfidonin planit shfarosës të Ilija Garashaninit dhe të Vasa Çubriloviqit (të dytë serbë), për shpërngulje të shqiptarëve nga vendi i tyre i lashtë. Ishin në kacafytje shpirtërore edhe me disa shqiptarë, që nuk mund i përballonin trysnisë kriminale serbe dhe i lëshonin vatrat e tyre për t’u tretur në pacaktim.

Në kohët e mëvonshme, zezona e shpërnguljes sikur ishte bërë rutinë. Sikur ishte bërë plagë që kullonte! Gjatë dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet, kur Kosova rënkonte edhe më shumë nën peshën e rëndë të sundimit të egër serb, me përndjekje të shqiptarëve dhe me mbyllje të shkollave dhe të institucioneve të tjera, për ta, shumë shqiptarë të Therandës dhe të fshatrave e lanë vendin e tyre dhe e morën botën në sy.

(Fragment i përzgjedhur nga libri “Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar”-Naxhije Doçi-Prishtinë-2009).