TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR MIKUN TONË, PROF. DR. MURAT GECAJ

0
576
Murat Gecaj, foto

E nderuara familja Geci,
I nderuar miku ynë, Viron Kona,
Te ndëruar miq,

Me pikëllim të thellë sot morëm lajmin për vdekjen e Prof. Dr. Murat Gecaj, një personaliteti të shquar shqiptar, mikut të shqiptarëve kudo që janë, në veçanti, të shqiptarëve në Suedi dhe mikut tim më të mirë!

Prof. Dr. Murat Gecaj, publicist e studiues në Tiranë, u bë njeriu më i afërt i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, me kontributin e tij shumë të rëndësishëm, me gatishmërinë për të inkurajuar secilin krijues, me pritjen që ai na bënte në Shqipëri, sa herë që vinim nga mërgata. Takimet tona do të mbesin të paharruara. Dua ta veçoj me këtë rast, vizitën që bëmë ne një delegacion i shoqatës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 2012 në disa qytete shqiptare, sidomos pritjen që na u bë tek kryeministri Sali Berisha, mësues i të cilit kishte qenë vetë Murat Gecaj.

Murat Gecaj, kishte fjalët më të ngrohta për ne. Në secilin komunikim ai na drejtohej me fjalët “Të dashur motra dhe vëllezër”. Dhe ai na trajtoi si të tillë, ne shqiptarëve të mërgatës.

Që prej vitit 2012, kur u takuam në Borås të Suedisë, në një nga aktivitetet tona për librin dhe kulturën, Prof. Dr. Murat Gecaj, nuk ndali asnjëherë bashkëpunimin e tij me shoqatën “Papa Klementi XI Albani”, bashkë me sjrimtarin tonë të madh Viron Konën, duke plotësuar një hapësirë të konsiderueshme në faqet e Thesarit Kombëtar.

Në 10 numra të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, janë botuar 22 shkrime autoriale të Prof. Dr. Murat Gecajt, që do të mbeten përjetësisht në Thesarin e kujtimeve për të! Shkrime e publikime për punën e shoqatës nga prof. Gecaj, kemi parë edhe në shumë revista dhe faqe të internetit. Na quante “Shoqatë Emërmirë me ndjenja të larta atdhedashurie”. Në një nga vlerësimet për librin Thesar Kombëtar…Prof. Murat Gecaj ndër të tjera shkruante: “Jo vetëm në bibliotekën time, por në qindra të tilla, në Suedi, Kosovë, Shqipëri e gjitha trojet amtare, por dhe në shtete tjerë të Evropës dhe deri në Amerikë e Kanada, ka disa vjet që ka hyrë një vepër e re. Ajo e ka titullin e bukur e domethënës, “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare, në Suedi”, thoshte prof. Gecaj.

Ai kishte bindjen se veprat e shkruara nga anëtarët e shoqatës, e, veçanërisht Thesari Kombëtar, jo vetëm që përbëjnë thesare të çmuara për historinë dhe kulturën e popullit shqiptarë, por ato rrezatojnë në botë ide dhe mendime të një populli të mençur, përhapin në shoqërinë njerëzore paqe, mirësi dhe dashuri, ide dhe mendime të guximshme për t`i qëndruar gjithnjë në krah lirisë dhe demokracisë. “Vepra juaj atdhetare, si në Shqipëri, Kosovë, trojet shqiptare dhe kudo në diasporë, është vazhdim i asaj rruge të ndritshme dhe humane të rilindësve tanë, por edhe të figurave të shquara si ajo e nënë Terezës, e dhjetëra figura të tjera, që bota i njeh dhe i nderon”, kujtojmë mendime dhe vlerësime të mikut tonë prof. Gecajt.

Prof. Dr, Murat Gecaj ishte edhe lektor i disa numrave të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”.
Për gjithë këtë kontribut, ne e kemi shpallur Antar Nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.

Vdekja e tij, është humbje për familjen, për shoqërinë, për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Është humbje edhe për ne anëtarët e Shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, në Suedi.

Ndaj, pranoni Ngushëllimet e sinqerta për humbjen e mikut tonë, Prof. Dr. Murat Gecajt!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Prof. Dr. Murat Gecajt, dhe veprën e tij të ndritur!
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Hysen Ibrahimi, kryetar.

Ängelholm, 16 korrik 2020