TEK KISHA DHE VARRI I NOLIT NË BOSTON

0
3139

Ndue Lazri

Shqiptarët e Amerikës dhe sidomos ata të qytetit të Bostonit kanë një muaj në vit që e lidhin me emrin e njërit nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë sonë, Fan Noli. Njihet roli i tij i madh ne krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Amerikë, por edhe ai në fushën e letërsisë e të përkthimeve brilante që i ka lënë trashëgim lexuesit shqiptar.

Është e pamundur të ndodhesh në Boston e të mos vizitosh kishën “Shën Gjergji” themeluar nga Noli dhe varrin e tij që ndodhet në Forest Hills Cemetery.

Përse muajin mars shqiptarët e Amerikës e lidhin me emrin e Nolit?

Më 8 mars të vitit 1908, patrioti i madh Fan Noli krijoi kishën shqiptare autoqefale në Amerikë, duke qenë prifti i parë i saj. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars të vitit 1908, Noli do të mbante liturgjinë e parë në gjuhën shqipe dhe kjo shënonte hapjen e kishës së Shën Gjergjit në Boston. Një kishë e bukur, me ngjyrë të kuqe dhe me pllakën përkujtimore që evidenton emrin e themeluesit të shquar. Kjo kishë për më shumë se një shekull, bashkon të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga besimi i tyre fetar.

Për fat të keq data tjetër e marsit ka të bëjë me ditën kur personaliteti i shquar i kulturës sonë mbylli sytë përgjithmonë në Flodida. Ishte 13 marsi i vitit 1965.

Noli do të varrosej në Forrest Hills Cemetery. Njerëzit e mi të dashur, Sotiraq dhe Klarens Karanxha më shoqërojnë nëpër një rrugë që kalon përmes parkut të njohur zoologjik dhe atij botanik të Bostonit. Sipërfaqe të mëdha me pyje të dendura, nëpër të cilat rruga gjarpëron përmes një pejsazhi çlodhës dhe piktoresk. Në hyrje të varrezës së madhe të duket sikur je përpara hyrjes së një kështjelle që të çon në botën magjike të përrallave. Në të vërtetë të çon në mbretërinë e heshtjes dhe të respektit për ata që nuk jetojnë më.

Nëse i lidhim të vdekurit me parajsën, do të thoja që të vdekurit e Bostonit parajsën e kanë pikërisht këtu. Nuk mund të ketë një imazh më realist e më të bukur se ky për parajsën. Në hyrje ndodhet edhe një kishë e vogël, ku shërbehen ceremonitë e varrimit. Dy punonjëse shumë të sjellshme, sapo u themi se ku duhet të shkojmë, na zgjasin një hartë të varrezës dhe na thonë që varri i Nolit është ndër më të vizituarit çdo vit. Ai ndodhet në parcelën 36 në Redeood Avenue.

Klarensi e nget makinën mengadalë rrugës së kësaj qyteze, ku nuk ka shtëpi, por ka një numër të pafund varresh, ndërtuar me kulturë në nderim të atyre që nuk jetojnë më. Një pastërti shembullore, lule, gjelbërim i përhershëm, paqe e qetësi ku veç kënga e zogjve dëgjohet. Një liqen i vogël ia shton bukurinë pejsazhit të këtij ambienti.

Në parcelën 36 varri i Nolit spikat midis të tjerëve. I vendosur nën hije pemësh, me lule të shumta përreth që lulëzojnë në çdo stinë të vitit. Një pllakë me emrin dhe fotografinë e tij. Përreth varre të tjera shqiptarësh që kanë jetuar, punuar e vdekur në Amerikë. Noli atje në krye duket sikur i fton ata sërish në meshë, sikur i fton të jenë gjithnjë sëbashku me emrin e bukur të shqiptarizmës.