TEJKALIM KOMPETENCE?!

0
692

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në lidhje me ushtrimin e kompetencave të Presidentit në respektim të Kushtetutës, në media po dalin hipoteza (dhe teza!) të ndryshme në lidhje me dekretimin apo jo nga Presidenti Meta të Kryeministrit Rama si “Ministër ad interim”. Ky arsyetim, bazohet në nenin 103, par. 2 i Kushtetutës, i cili disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.

Me termin “veprimtari tjetër shtetërore” përveç asaj të ministrit, nënkuptohet çdo veprimtari, e cila hyn në sferat e veprimtarive shtetërore.

Ky paragraf, shtron problemin nëse një person, i cili ushtron një “veprimtari tjetër shtetërore”, mund të ushtrojë apo jo edhe detyrën e ministrit. Në rastin konkret, bëhet fjalë për Ramën, i cili sipas ndonjë gazetari apo juristi meqë ushtroka një “veprimtari tjetër shtetërore” siç është ajo e Kryeministrit, nuk mund (apo nuk duhet) të ushtrojë edhe detyrën e ministrit (në këtë rast, “ad interim”!), pasi do kemi papajtueshmëri kushtetuese.

Por, nuk duhet harruar fakti se Kryeministri është edhe anëtar Qeverie. A mund të vihet në diskutim atëherë mbulimi i postit të ministrit nga Kryeministri (ose nga një ministër tjetër)? Aq më shumë nëse bëhet fjalë për postin e “Ministrit ad interim”, të Paparashikuar nga Kushtetuta. Post, që ka lidhje me ato raste “anormale”, të cilët në momente të papritura, apo të jashtëzakonshme, imponojnë menjëherë mbulimin e një ministrie përkohësisht.

Këtë post, Kryeministri mund të emërojë që ta mbulojë edhe një ministër tjetër, duke qenë se kështu ushtrohet e njëjta veprimtari shtetërorë dhe jo një veprimtari “tjetër shtetërore”.
Presidenti, duhet të dekretojë në postin e ministrit (jo vetëm ”ad interim”) Kryeministrin edhe për një arsye tjetër që buron po nga Kushtetuta.

Neni 70, par. 2 i Kushtetutës, disponon se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj”.

Që do të thotë se një deputet mund të jetë edhe ministër, siç rezulton edhe në praktikë. Por, edhe Kryeministri është deputet në këtë rast. Dhe si i tillë, ai mund të ushtrojë me të drejtë kushtetuese edhe detyrën e “anëtarit të Këshillit të Ministrave”, që është ministri (edhe “ad interim”!).

Një problem tjetër.
Nenet 70, par. 2 dhe 103, par. 2, duket se kanë një kontradiktë mes tyre.
Neni 70, par. 2, disponon se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj”.

Neni 103, par. 2, disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.
Termat “detyrë“ dhe “veprimtari“, njehsohen mes tyre, pavarësisht se detyrën ta cakton dikush tjetër më lart në hierarki që ta bësh, ndërsa veprimtarinë mund ta ushtrosh edhe vetë privatisht.

Në pamje të parë, duket se deputetët janë më të favorizuar se ministrat!
Në rastin e parë, deputeti mund të bëjë njëkohësisht edhe ministrin.
Ndërsa në rastin e dytë, duket sikur ministri nuk mund të bëjë deputetin.

Dikush mund të thotë se deputeti nuk ushtron veprimtari shtetërore, duke qenë se ai është i zgjedhur me anë të votave nga populli dhe jo i emëruar nga një organ superior shtetëror.
A mund të mos jetë shtetërore detyra e deputetëve, të cilët edhe pse zgjidhen me anë të votave, shërbejnë pastaj për të formuar një shumicë politike parlamentare, e cila më pas zgjedh Kryeministrin, i cili formon Qeverinë? Nuk duhet mohuar pastaj edhe fakti se detyra e deputetëve zhvillohet në dy drejtime: a) si përfaqësues të popullit në Parlament dhe b) si anëtarë të Qeverisë (një pjesë e tyre).

Të qenurit deputet, mund të jetë parakusht që të jesh ministër në ndonjë rast. Por, mund të ndodhë që një ministër edhe pse nuk ka fituar mandatin e deputetit në votime, të ketë të drejtë të zgjidhet deputet më vonë falë renditjes së tij në listën emërore, nëse një deputet i krahut të tij politik dorëhiqet, ose nuk mund të ushtrojë funksionin e deputetit për arsye të ndryshme. Pastaj, vendos ministri nëse pranon që të jetë deputet apo të refuzojë këtë funksion. Nëse ministri vendos të bëjë edhe deputetin, a mund të përbëjë pengesë kjo situatë nga neni 103, par. 2, i Kushtetutës(….)?!

Rama mund të bëjë ministrin jo vetëm në cilësinë e Kryeministrit, por edhe atë të deputetit, në respektim të nenint 70, par. 2 dhe pa i rënë aspak ndesh nenit 103, par. 2 të Kushtetutës.

Të pengosh Kryeministrin që të jetë ministër (edhe “ad interim“ !), duhet të provosh më parë se detyra aktuale që ai ushtron është “një veprimtari tjetër shtetërore“!
Do e ketë të lehtë Gjykata Kushtetuese (kur të krijohet!) të vërtetojë këtë fakt? Dhe fakte të tjera të lidhura me këtë fakt?!

Dikush, mund të thotë se Meta si patriot i madh që është, nuk do e dekretojë Ramën, duke qenë se ai ashtu si nxënësi i tij është PRO për COPËTIMIN e Kosovës. Por, nuk duhet harruar fakti tjetër se Rama ka qenë që më parë më i drejtpërdrejtë dhe më i qartë se sa nxënësi i tij së fundmi(….)!