Teatri/ Rama: Kapanon i ushtrisë italiane, karakatinë dhe gërmadhë

0
1087
Edi Rama

Politikë

Opinion.al, – 26/07/19

Kryeministri Rama ka reaguar sërish sot për çështjen e Teatrit Kombëtar duke u mbështetur në fjalën e një prej aktorëve që nuk luajnë më aty, siç bëri dje me Raimonda Bulkun.

Sot Rama i referohet mendimit të aktores së njohur Drita Haxhiraj, e cila është shprehur se do të dëshironte që të ndërtohej një Teatër i Ri Kombëtar.

Kryeministri në statusin e tij në Facebook e ka krahasuar godinën aktuale me një kapanon të ushtrisë italiane, karakatinë dhe “një gërmadhe që vetëm emrin ka teatër” dhe shton se edhe në ditët e veta më të mira, ajo e ka “vështirësuar dhe dëmtuar aktivitetin artistik”.

Në fjalën e aktores Haxhiraj të postuar nga kryeministri, ajo kujton ish-kolegët e saj, të cilët diskutonin për ndërtimin e një teatri të ri. “Ky është amaneti i tyre!” shprehet ajo dhe shton “Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër.”.

Projekti i ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar parashikon që ai do të jetë i inkorporuar në një qendër biznesi private.

Debati për Teatrin ka nisur që prej fillimit të vitit të shkuar, kur qeveria bëri të njohur projektin për shembjen e tij dhe ndërtimin e një godine të re, pas së cilës qëndron një projekt i paracaktuar për një kompleks ndërtimesh shumëkatëshe që do të ngrihen nga kompania private “Fusha”. Qeveria ka këmbëngulur gjatë gjithë kohës se projekti ka qenë një ofertë e pa kërkuar e kompanisë “Fusha”, me pretendimin se ajo ka një pjesë të pronësisë mbi truallin, ndonëse jo më shumë se tre përqind.

Por faktet kanë dëshmuar se ajo ka qenë një ofertë e koordinuar më parë me qeverinë e cila fillimisht paraqiti një ligj të posaçëm i cili u kritikua dhe nga Komisioni europian, për shkak se projekti shmangte një garë të hapur.

Socialistët bënë më pas ndryshime në ligj, duke vendosur hapjen e një gare, por e gjitha duket të jetë vetëm në letër, pasi asnjë konkurrent tjetër nuk plotëson të paktën kushtin që të marrë miratimin e të gjithë pronarëve të truallit, pasi i duhet të marrë leje dhe nga kompania Fusha. /Opinion.al