Visar Zhiti, njeriu qe flijoi rininë, burgjeve komuniste per fjalen e lirë. Poeti qe ne burgjet komuniste perballej me persekutimin ma çnjerezor, po ky Visar arriti qe pa laps dhe leter, te rregjistroje ne memorjen e lodhur nga burgu i diktatures, jo pak, por 99 poezi kushtuar fjales se lire, kushtuar demokracisë, kushtuar njerëzeve qe flijuan jeten burgjeve komuniste.
Visar Zhiti njeriu i letrave shqipe, poet e shkrimtar, politikan e diplomat. VISARI I VITEVE TE DEMOKRACISË, njeriu qe la emer kudo qe punoi dhe drejtoi, sot Ambasador ne Selinë e Shejtë te Vatikanit, njeriu i pervuajtshem, njeriu qe te ngjan me Krishtin…
Visarin e njoha qe ne qytetin e Shkodres, po vlerat e tij i njoha gjate jetes tij si diplomat ne ambasaden tone ne Romë, e tani ne Vatikan, nji njeri qe nderon shtetin shqiptar. Visari eshte njeriu i fjales dhe i punes, njeriu me vlera pozitive, qe nderohet dhe respektohet kudo dhe kurdoherë.
/Gjin Musa, gazetar në Romë.
TË TAKOHESH SËRISHT ME PAPA FRANÇESKUN…
– mbresë –
nga Visar Zhiti
Të takohesh përsëri me Papa Françeskun, të shtrëngosh duart me Shenjtërinë e Tij, të vështrohesh në sy, të prarohesh nga drita e vështrimit të tij, e mirësisë, ku pëziehen një si ngazëllim qiellor dhe përkushtimi përdëllyes i Bariut, të shkëmbesh disa fjalë, ku Ai menjëherë të thotë atë që të duhet, edhe pse çastet pranë tij janë tejet të pakta, megjithatë ato të japin ndjesinë e një përjetësie biblike tënden… Në atë copëz rruge nga ku ti je nisur nga ana ku rrinte Trupi Diplomatik, teksa i afrohesh Atij, që po pret në këmbë, i bardhë, i qirinjtë, i ëndërrt, ndërkohë e ndjen dhe si një Mik të hershëm, të kapin emocione të veçanta dhe një përgjegjësi e bukur, superbe.
Po shkon drejt Tij si qytetar shqiptar, përfaqësues i vendit tënd, mbart me vete nga kumtet shekullore, pëshpërima liturgjike buzukiane, hedh dhe një hap tjetër, në vend të dekoratave që të tjerët përreth kanë plot, ti e mbush gjoksin me dhimbjen e plagëve të martirëve të vendit tënd, ke dhe Fishtën, “Lahutën e Malcis” anglisht, krah teje të shoqërojnë përunjësisht imazhet e dy kardinalëve shqiptarë, me të cilët ke qenë në ferrin e diktaturës si bashkëvuajtës, vazhdon të ecësh, të lëbyrin sytë buzëqeshjet magjepsëse të Shenjtores tonë Nënë Tereza përhapur nëpër ajër si flatra pëllumbash, një hap tjetër, shungëllojnë muret e tempujve të ringritur, lëvizin ikonat me të kuqen e kardinaltë onufriane, ndjen besën dhe vëllazërinë proverbiale midis feve në vendit tënd, të kapllojnë shqetësime të tanishme, ecja të rëndohet, mbi supe ke tragjedinë tënde, kurse nëpër këmbë si gracka të përshfaqen ligësitë e shkaktarëve, të pjellave vrastare, fyerjet, hapat hutohen, përbaltjet e klanit presidencial të republikës së banalitetit, heshtja pikëlluese e popullit, braktisjet, guri sizifian i mundimit, dashuria e atyre që vetëm dinë të duan, etj, engjëlli mbrojtës vetmitar që prin, gjenerata e engjëjve ringjallëse e atdheut, ku jeni?… ndërkaq ti ke arritur para Papa Françeskut, ndal aty duke u përkulur lehtë…
Shenjtëria e Tij po të priste, të sheh, të kupton menjëherë, të jep dorën, atë dorë që e kanë shtrënguar mijëra e mijëra njerëz nga kudo, anonimë e të shquar, edhe nga vendi yt, fëmijë e të moshuar, varfanjakë, artistë, burra shtetesh nga të gjithë kontinentet, krerë të feve, etj, etj, ndërsa Ai me ato duar ka larë dhe këmbë të burgosurish çfardo, këmbët e vuajtjes, të njeriut, të penguara, të vrara, të ecjes së njerëzimit, por tani Ai është me ty, për ty i gjithë dhe ti e ndjen se duhet të thuash diçka në emër të asaj që je, që nuk ia ke thënë më parë, e dua Shqipërinë, të thotë Ai sërisht, por që kumbon e re, e veçantë, zëri të nëpërmend meshat e Tij të shenjta e ti merr zemër e i thua se aq sa bëtë Ju, Shenjtëria Juaj, vitin që shkoi, për shqiptarët dhe kishën e tyre, sa ç’ka bërë Selia e Shenjtë tani për Shqipërinë, etj, nuk ishin bërë për 1.000 vjet, 2.000 vjet dhe Ai qesh me zë, Ju jemi mirënjohës, shton ti dhe Ai zgjat krahët e kap fort të tutë e ti ndjen ngrohtësi apostolike të Atij që sot është udhëheqësi më i fuqishëm moral i botës.
Do të doje të vazhdoje t’i thoshe se bota është bërë më e mirë me Ju, por duhet të largohesh që të vijë tjetri në takim pas teje, i një vendi tjetër, por atë që ti s’arrite t’ja thoje dot, e përplotëson jot shoqe me përqafimin që i jep Papa Françeskut si një Marie e veshur me të zeza. Dhe teksa ikni, shikoni në dritaret e mëdha mikelanxheleske vegimin e Birit, të Krishtit në Qiell. Amen!
Komentet janë mbyllur.