Shkruan Prof. Zymer Mehani
Frazeologjia “ndërroi jetë“ në vend të foljes pësore “vdiq” ka vërshuar në të gjitha gazetat shqiptare, në radiotelevizion dhe në publicistikën e internetit. Me të drejtë parashtrohet pyetja: pse shtypi dhe radiotelevizioni shqiptar kanë frikë nga fjala „vdekje“? Fjala „vdekje“ është e dhimbshme, por është fjalë poetike. Pa këtë fjalë të dhimbshme do të varfërohej Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, do të varfërohej tradita dhe folklori ynë kombëtar, që i paraprinë religjionit, kur dihet se gjuha është më e vjetër se religjioni. Ka raste kur në faqet e shtypit dhe në internetin shqiptar për njeriun që vdes shkruhet me shprehjen „ndërroi jetë“, „shkoi në atë botë“, „shkoi në amshim“, „i mbylli sytë“, „ndahet nga jeta“, “gjendet i pajetë“, “i pushoi zemra”, “shuhet në moshën…”, “përcillet në banesën e fundit” etj. në vend të fjalës së vetme me kuptim të natyrshëm vdiq, vdes apo u gjet i vdekur.
Si mund të jetë shprehja “shuhet” më e përshtatshme se fjala “vdiq” për njeriun si qenie e botës objektive?! Po “banesa e fundit” a nuk gjendet në varreza, ku varrosen të vdekurit, që me asnjë mjet figurativ nuk mund të thuhet dhe të shkruhet?! Kjo shprehje e vjetruar e stilit të lartë e ka vendin në letërsinë artistike, që i jep forcë dhe e zbukuron krijimtarinë letrare. Të gjitha shprehjet frazeologjike kanë kuptimin e përgjithshëm vdekje-a, që sipas FGJSSH do të thotë ndalim i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, ndërprerje përgjithnjë e shkëmbimit biologjik të lëndëve në organizëm a në një pjesë të tij; mbarimi a fundi i jetës së njeriut.
Konkretisht, në Historinë e Letërsisë Shqiptare nuk shkruan se poeti i madh, Naim Frashëri, „ndërroi jetë“, por vdiq në vitin 1900. Kurse në librin voluminoz „Historia e Popullit Shqiptar“ shkruan se më 17 janar 1468, i mbuluar me një lavdi të përjetshme, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vdiq në Lezhë.
Shqiptarët, pa dallime fetare, nuk duhet të vuajnë nga kompleksi i shprehjes së vjetruar me stil të lartë „ndërroi jetë”.
Konkretisht, gjuha angleze e ka të vetmen fjalë die (stop living) = vdes (pushoj së jetuari), që përdoret si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët. Megjithatë gazetat angleze me rastin e vdekjes së personaliteteve nuk shkruajnë me stil të lartë „shkoi në amshim“, apo ”shkoi në qiell”, ose me shprehje figurative “shuhet”, por thjesht: vdiq. Padyshim se me anën e shpalljeve objektive në gazetat e Evropës Perëndimore tregohet kultura dhe emancipimi i popullit. Prandaj në dallim me gjuhën angleze gjuha shqipe ka një përparësi shumë më të madhe, meqë për njerëzit thuhet vdes, kurse për kafshët thuhet ngordh. Nëse një organ i trupit nuk funksionon, ne themi se ka vdekur: p.sh. dhëmbi i vdekur, dhe si përfundim duhet nxjerrë, prandaj nuk mund të thuhet ndryshe.
Dukuri tjetër është edhe me rastin e lindjes së fëmijës, për të cilin në vend se shtypi të shkruaj me logjikë se nëna lindi një djalë apo vajzë, shtypi shqiptar shkruan me trope të panevojshme se “…solli në jetë vajzën e saj”. Duhet të kemi parasysh për shënimet në bibliografinë elektronike rreth personave të vdekur: nëse në rubrikën “Kërko në web” shkruhet fjala e përshtatshme “vdiq…”, lëndën që kërkojmë mund ta gjejmë më shpejt dhe më lehtë, se me frazeologjinë – me trope të ndryshme, që përmenda në fillim të shkrimit.
Prandaj në bibliografinë e internetit shqiptar nuk shënohet “ndërroi jetë”, por vdiq, me anën e së cilës rezultati bibliografik do të dalë më shpejt dhe më saktë, sepse fjalët “ndërroi” dhe “ jetë” dhe të ngjashme kanë fushë më të gjerë shënimesh, kundrejt fjalës kuptimplote “vdiq” me fushë të përcaktuar. E njëjta gjë vlen edhe për tropin letrar “Nëna solli në jetë djalin apo vajzën”, i cili në bibliografinë e internetit shqiptar krijon huti, kurse me anën e fjalës madhështore “lind” shënimet rreth vitlindjes dhe vendlindjes do të gjenden më shpejtë dhe më saktë se tropi “solli në jetë”.
Me rastin e fatkeqësive në komunikacion, shtypi dhe interneti shqiptar shkruan se shoferi, apo udhëtari u vra. Sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe folja kalimtare vras do të thotë: E bëj një njeri të vdes ose një kafshë të ngordhë, duke qëlluar me armë a me ndonjë mjet tjetër. Nëse me anën e lajmërimit gazetaresk rreth fatkeqësisë në komunikacionin rrugor shkruan se shoferi u vra, nënkuptohet sikur shoferi është lënduar në rrugë, ndonëse fjala është për vdekjen apo mbytjen e shoferit në fatkeqësinë rrugore. Dukuri e njëjtë është edhe me rastin e mbytjes së minatorëve në minierë, për të cilët televizioni dhe shtypi shqiptar shkruajnë se minatorët u vranë. Prandaj duhet të
shkruhet: vdiq ose humbi jetën në fatkeqësi komunikacioni, apo në minierë. Është koha që dukuritë e shprehjeve primitive të fshihen nga të gjitha faqet informative, librat shkollore dhe bisedat shoqërore të njerëzve.
Dukuri tjetër në vend të fjalës kuptimplotë është edhe lajmi me rastin e dënimit të fajtorëve, të cilët në vend se të deklarojnë se fajtori u dënua me një vit apo dy vjet burg, deklarojnë se fajtorët u dënuan me një apo dy vjet heqje lirie.
Parashtrohet pyetja përse zyrtarët dhe gazetarët shprehen me tabu, që do të thotë se kanë frikë nga “bestytnia” shtetërore.
Vallë, kaq e ndjeshme dhe prekëse qenka fjala dënim i fajtorit, saqë në vend të saj shprehen me sintagma të ndryshme zbutëse të panevojshme. Kjo do të thotë sikur në vend të fjalisë kuptimplote “diplomati gënjen”, gazetari duhet të shprehet me butësi se “diplomati nuk e thotë të vërtetën”.